1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Efekti i imponimit në aktin martesor

Më të lexuarat

Meqë lidhja martesore ka qenë një nga vendimet dhe aktet më vitale për jetën e njeriut në të kaluarën, e që do të vazhdojë të mbetet kështu edhe në të ardhmen, s’është çudi pastaj pse Allahu i Lartmadhëruar ka vendosur kritere e kushte për këtë akt, të cilat në të vërtetë synojnë esencialisht vazhdueshmërinë dhe qëndrueshmërinë sa më afatgjate të aktit.

Në këtë kontekst një nga gjërat më qenësore për vazhdueshmërinë e aktit martesor, e që është vënë theksi mbi të dhe nga legjislacioni islam, është pra pëlqimi dhe pajtueshmëria e plotë e dy palëve, mashkullit dhe femrës, për lidhjen e tyre të ardhshme martesore.

Pëlqimi i dy palëve paraprakisht dhe pajtueshmëria pa imponim do ta bënte secilin të shtojë kujdesin dhe të jetë më vigjilent për veprimet dhe fjalët e veta në raport me tjetrin. Ndodh kështu sepse rëndom njeriu është i gatshëm të marrë përsipër gjithë pasojat e veprimeve dhe vendimeve të veta që i ka marrë në jetën e vet, pa imponim të askujt por me vullnetin e lirë.

Nisur nga këtu buron edhe rëndësia e lënies së lirë të secilit person që të marrë vendimin e vet për jetën e tij, të lirë e pa imponime nga askush. Natyrisht, në këndvështrimin islam kjo do të duhej të ndodhte pas marrjes së masave paraprake të konfirmimit të sinqeritetit dhe seriozitetit të kërkesës, verifikimin e fetarësisë-devotshmërisë dhe dinjitetit të palës tjetër, si dhe aprovimit nga kujdestari i vajzës. Në të vërtetë aprovimi i kujdestarit të vajzës është kushtëzuar nga shumë dijetarë (e jo nga hanefinjtë) vetëm për interes të asaj femre që do të martohet, ngase vendimi i saj, nëse merret pa konsultën e prindit dhe aprovimin e tij, është gjithnjë më i mundshëm të jetë mashtrim, e ajo të jetë viktimë e një vendimi të pamatur e të pa analizuar mirë. Megjithatë akti i lidhjes martesore ka të bëjë ekskluzivisht me çiftin (mashkullin dhe femrën), prandaj fjala e tyre ka peshën esenciale në këtë vendim jetësor. I Dërguari i Allahut ia kthen femrës të drejtën e saj për vendimmarrje

Hadithet e Muhamedit s.a.v.s., në lidhje me këtë çështje janë të shumtë. Është evidentuar një rast kur Aisheja r.a., e pyet Muhamedin a.s., duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, a merret leje nga femrat për martesën e tyre (kur kujdestarët e tyre dëshirojnë t’i martojnë ato)? Ai u përgjigj: “Po (duhet të merret pëlqimi dhe leja e tyre).” Ndërsa ajo shtoi: “Si të flasë e të shfaqë pëlqimin e vet femra që është e pamartuar-virgjër, kur ajo turpërohet dhe vetëm hesht?” Ai tha: “Heshtja e saj është leje prej saj (për martesë).”(1)

Heshtja e femrës së pamartuar, për shkak të turpit

Heshtja e femrës së pamartuar, për shkak të turpit, merret si pëlqim dhe leje prej saj për martesë, por vetëm nëse nuk ekziston asnjë element që tregon se heshtja buron nga frika apo kërcënimi mbi të. Juristët islamë kanë theksuar një rregull të vlefshëm lidhur me heshtjen dhe efektin e saj ligjor në jurisprudencën islame, duke thënë: “Heshtja në pozitën kur kërkohet mendimi dhe aprovimi është aprovim dhe pajtim”.

Dhe ata janë pajtuar se vajza që nuk ka qenë asnjëherë e martuar, dhe ka ruajtur nderin dhe moralin e saj, pa dyshim se nëse e tilla hesht dhe nuk flet në momentin kur pyetet të vendosë për martesë, atëherë heshtja e saj konsiderohet aprovim dhe pëlqim.(2) Ndërsa ajo që ka qenë ndonjë herë e martuar, patjetër duhet edhe të flasë e ta shfaqë pajtueshmërinë e vet në formën deklarative, ngase tek e tilla femër nuk ekziston kompleksi i turpit për të folur hapur për fatin e vet.

Ishte i drejtpërdrejtë Muhamedi a.s., kur foli për obligueshmërinë e marrjes së pëlqimit të vajzës në rastin e martesës së saj, ashtu siç Abdullah bin Abbasi r.a., e dëgjoi atë duke thënë: “Gruaja e vejë është më kompetente për vetveten e saj (në martesë) sesa kujdestari i saj, ndërsa femrës së pamartuar- të virgjër duhet marrë leja-pëlqimi i saj, e heshtja e saj është leje për të.”(3)

Në këtë hadith vihet në spikamë qartazi rëndësia e marrjes së pëlqimit të femrës me rastin e lidhjes së martesës së saj, pavarësisht statusit të saj: se a është e vejë apo e pamartuar. Dallimi sipas hadithit është vetëm në formën e marrjes së pëlqimit të saj, e jo se a duhet apo nuk duhet të merret ai pëlqim apo leje, pra si bazë në atë rast. Po kështu rrëfehet me rrugë të sakta se një grua ka shkuar tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe i është ankuar atij duke i thënë se babai i saj e kishte martuar atë vetëm sa për t’ia ngritur autoritetin familjes së burrit të saj, dhe i Dërguari i Allahut ia la në dorë çështjen e saj (duke i thënë nëse donte të vazhdonte me të ose të ndahej prej tij), ndërsa ajo qe përgjigjur: “Unë po pajtohem të vazhdoj jetën me burrin tim, me të cilin më martoi babai im (pa dëshirën time), vetëm dëshirova t’u tregoj femrave se për fatin e tyre nuk kanë asgjë në dorë prindërit e tyre.”(4)

Prandaj dijetarët islamë të shkollave të ndryshme juridike, por më së shumti të asaj hanefite, qysh nga kohët e vjetra kanë deklaruar mendimin e tyre qartazi se: kujdestari legjitim e i denjë (qoftë babai, gjyshi, vëllai, e të ngjashëm) i femrës nuk ka kompetencë ligjore e as të drejtë të vendosë për fatin e vajzës në martesë, pa dëshirën dhe vullnetin e saj, nëse ajo është në moshën madhore dhe është mentalisht e shëndoshë.

Madje, sipas këtij mendimi, nëse kujdestarët kanë lidhur kontratën e martesës për të dhe pa lejen e saj, atëherë ky akt kurorëzimi mbetet i pezulluar dhe i paekzekutueshëm, deri në vendimin e vetë femrës që ka kompetencë ta vazhdojë aktin e tillë e të pajtohet me të, dhe si i tillë të legjitimohet, ose edhe ta refuzojë e të kërkojë prishjen e një kontrate të tillë.(5)

Këtë mendim nga juristët klasikë islamë e mbështesin Imam El-Evzaiu, Sha’biu, Tavusi, Eth-Theuriu, Ibn Mundhiri dhe Imam Ahmedi në njërin transmetim të tij. Madje këtë sot e përkrahin një shumicë absolute e dijetarëve bashkëkohorë edhe nga shkollat tjera juridike, që në fakt kristalizon mirëfilli dinjitetin dhe autoritetin e femrës që të vendosë për fatin e saj në bashkëpunim me prindin e saj, dhe njëherit tregon për pozitën e saj brenda kornizave të sheriatit islam.

Nëse i bëjmë një analizë më të thellë kornizës ligjore të sheriatit islam, do të shohim përkryeshmërinë e ligjeve të tij, në çdo aspekt jetësor, e në veçanti ato norma-dispozita që rregullojnë raportet martesore. Mrekullia fshihet në atë se Allahu i Lartmadhëruar ka kushtëzuar pëlqimin dhe aprovimin e femrës moshërritur e të mençur, kur është çështja e martesës së saj, dhe njëkohësisht ka ligjësuar lejen dhe aprovimin e kujdestarit të femrës me rastin e lidhjes së kontratës së martesës së saj. Dhe nëse një lidhje martesore është kontraktuar pas aprovimit të çiftit, por edhe të kujdestarit të femrës, atëherë kjo është shumë më e mundshme të jetë më afatgjate, sepse ka legjitimitet më të fuqishëm, dhe palët janë shumë më të kujdesshëm për mosprishje të një kurore të tillë. Përfituesit në këtë rast do të jenë kryekëput çifti bashkëshortor. Një legjislacion i tillë i përkryer, madje edhe sot gjen hapësirë në kornizat ligjore pozitiviste bashkëkohorë, rrjedhimisht edhe në: “Ligji për Familjen” i Kosovës, i aprovuar në vitin 2004, ku në Nenin e 18-të, rreth vullnetit të lirë në martesë dhe formimin e familjes, thuhet: “Martesa nuk do të jetë e plotfuqishme, nëse pëlqimi është arritur përmes shtrëngimit, kërcënimit ose lajthimit, apo ndonjë mungese tjetër të vullnetit të lirë nga ana e bashkëshortëve të ardhshëm.” Prandaj, kujdestarët e vajzave të tyre duhet pasur parasysh se kompetenca e tyre për vendimmarrje nuk është absolute, dhe abuzimi me këtë të drejtë ka efektin kryesor në shtimin e rasteve të pakënaqësisë familjare në mes çifteve martesore, e jo rrallë çon edhe deri te shkurorëzimet e shumta, që ani pse janë të lejuara në rrethana të caktuara, megjithatë nuk parapëlqehen nga sheriati islam.

____________________

(1) Sahihul-Buhari 6946).

(2) Muhamed Sidki Burnu, El-Vexhiiz fil-Kavaid el-Fikhijje, f. 205, Bot. i katërt, 1996, Er-risaletu, Bejrut.

(3) Sahih Muslim (nr. 2098).

(4) Sunen Ibn Maxheh, 1874), pastaj Darukutniju në “Sunenin” e tij (nr. 3555). Hadithi është i saktë-sahih, sipas shumë hadithologëve.

(5) El-Ajnij, El-Binajeh sherh El-hidaje (580). Darul-kutub el-ilmijje. Bot. i parë, 2000, Bejrut.

Mr. Driton Arifi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit