9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Edukimi i fëmijëve është obligim fetar

Më të lexuarat

Ekzistojnë shumë mëkate me të cilat njeriu mund të paraqitet para Allahut (xh. sh.) në Ditën e Gjykimit nëse me kohë nuk i drejtohet Atij dhe nuk i lutet Atij që t’ia falë ose nuk kërkon falje dhe të pajtohet me njerëzit të cilëve u ka shkaktuar ofendim moral ose dëme materiale.

Mirëpo, sipas thënieve të Muhamedit (a.s.) moskujdesi për familjen – fëmijët, e të cilët pa edukimin e drejtë të prindit do të fitonin shprehi të cilat janë në kundërshtim me parimet, rregullat dhe mësimet fetare, u përket mëkateve të mëdha. Muhamedi (a. s.) në një hadith thotë: “Nuk do të dalë para Allahut robi i Tij, me mëkat më të madh se sa ai i cili ka lejuar që anëtarët e familjes së vet të mbesin pa edukim të drejtë islam dhe pa njohjen e dispozitave fetare, pa të cilat as nuk mund të jetohet në jetën islame”.

Edukimi i fëmijëve nuk është punë e lehtë. Ai kërkon dituri të madhe, përpjekje dhe durim të madh, por në këtë punë të ndershme nuk guxojmë ta humbim shpresën, por të jemi plotësisht të bindur në ndihmën e Allahut (xh. sh.), duhet doemos ta respektojmë urdhrin e Tij dhe këshillat e Pejgamberit (a. s.). Kjo është edhe detyrë fetare, pasi që Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Të kujdesurit për nderin dhe për dinjitetin e familjes është detyrë fetare, kurse lënia pasdore e këtyre virtyteve është prishje më e madhe morale.”

Sipas mësimeve islame, çdo fëmijë lind me natyrë dhe shpirt plotësisht të pastër. Që të vazhdojë dhe të mbahet kjo pastërti, ambient në të cilin fëmija edukohet, e posaçërisht rrethi i ngushtë, prindërit dhe anëtarët tjerë të shtëpisë duhet të jenë të frymëzuar dhe të edukuar në frymën islame. Fëmija në ambientin e keq prishet dhe largohet prej pastërtisë natyrore. Këtë më së miri e kuptojmë nga fjalët e Pejgamberit (a. s.): “Çdo fëmijë lind i pastër dhe me natyrë e shpirt të përshtatur sipas Islamit, pastaj prindërit e bëjnë: çifut (jahudi), të krishterë ose idhujtar të zjarrit.”

Prindërit janë edukuesit e parë të fëmijëve. Në familje formohet njeriu, si besimtar ose jobesimtar i ardhshëm dhe si punëtor shoqëror dhe qytetar i ndershëm. Që në fëmijëri, fëmijët vërejnë me kujdes çdo gjë, çdo lëvizje, çdo punë që punojnë prindërit e tyre dhe rrethi më i afërt i tyre. Dhe, krejt këtë e thithin dhe e marrin në shpirtin e tyre ashtu siç thith shpuza ujin, sepse shpirti i fëmijës është si shirit që regjistron pa e diktuar edhe frymëmarrjen më të vogël, në mënyrë që më vonë ta shfaq atë.

Shumë prindër nuk janë të vetëdijshëm për këto parime dhe rregulla, prandaj në prani të fëmijëve bisedojnë gjëra të këqija për të tjerët, flasin fjalë banale dhe të turpshme, nganjëherë në praninë e fëmijëve shajnë, grinden ndërmjet vete etj. Fëmijët këtë e marrin si “ligj” jete, e me vonë ashtu do të veprojnë edhe vetë.

Në qoftë se të gjitha këto i kemi parasysh, atëherë nuk është kurrfarë çudie që fëmijët sillen keq, shajnë, gënjejnë ose grinden me njerëz në rrugë. Kjo nuk është asgjë tjetër, vetëm pasqyrë e qartë e jetës dhe e harmonisë shtëpiake të prindërve të tyre.

Në edukimin e fëmijëve të vet nëna pa dyshim është faktori më i fortë. Asaj fëmija i është “ndarë” nga zemra. Prandaj, ajo është më e afërta. Fjala dhe veprimi i saj në edukim më së lehti flenë në zemrën e fëmijës. Pra, këshillat e saj janë të çmueshme. Ajo nënë e cila edhe vetë është e edukuar mirë dhe e cila kultivon dashuri ndaj fesë islame, mund të ketë sukses të plotë në edukimin e fëmijëve të vet. Një fjalë popullore thotë: “Shiko nënën, marto vajzën.” Nuk mund të kërkohet prej fëmijëve të mos gënjejnë, të flasin fjalë të pista, të mashtrojnë, të grinden në rrugë, apo edhe të bëjnë punë dhe sjellje jo të mira, nëse fëmijët e shohin se prindërit e tyre punojnë ndryshe nga ajo që flasin dhe kërkojnë nga fëmijët e tyre të predikojnë.

Nuk ka kurrfarë kuptimi nëse urdhëron fëmijët të falen, të agjërojnë dhe të kryejnë dispozitat dhe urdhëresat tjera fetare, ndërsa fëmijët nuk shohin atë duke e kryer edhe prindërit e tyre. Është e kotë edhe ajo që fëmijët i mësojnë mësimet dhe parimet fetare nëse ata nuk i shohin prindërit e tyre duke i zbatuar ato në jetë. Por, kur prindërit shprehin urrejtje dhe nuk veprojnë atë që është e ndaluar dhe haram, kurse shprehin dashuri dhe vullnet për vepra të lejuara, vepra dhe detyra humane – obligime fetare, kjo do të jetë mënyra më e mirë dhe më e përshtatshme t’i mësojnë edhe fëmijët e vet që edhe ata të jenë të tillë dhe të veprojnë të njëjtën.

Gjithashtu prindërit janë të obliguar që me vigjilencë të kujdesen për fëmijët e tyre që mos të marrin vese të këqija. Nëse këtë e vërejnë tek ata, duhet që menjëherë të merr masa që t’i eliminojnë veset e tilla, pasi që nëse mishërohet me këto vese, atëherë do të jetë vështirë të largohen më vonë.

Të gjitha këto janë detyra të rënda, por doemos duhet t’i plotësojmë, nëse dëshirojmë të na shkëlqejë fytyra dhe t’i kryejmë detyrat që na i urdhëron feja dhe njëkohësisht t’i japim shoqërisë kontributin më të madh me anëtarë të vlefshëm dhe të dobishëm.

Çdo gjë në botë e ka emrin e vet me të cilin thirret. Edhe njeriu, si qenie e kuptueshme dhe e krijuar në formën më të mirë, duhet të ketë emrin e vet me të cilin edhe ai do të thirret. Emri i njeriut është stolisja e tij, është zbukurimi i tij. Emri njeriun nuk e përcjell vetëm prej lindjes, por edhe pas vdekjes së tij. Pra, është detyrë islame e çdo myslimani që fëmijës së vet t’i ngjit, ta emërtojë me emër të mirë dhe të bukur. Transmetohet nga Ebu Derda (r. a.) se Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Në ditën e gjykimit do të thirreni me emrat tuaj dhe me emrat e baballarëve tuaj. Prandaj, ngjituni (emëroni) fëmijët tuaj me emra të mirë.” Edhe në xhenet njeriu do të thirret me emrin e vet. Muhamedi (a. s.) në një hadith ka thënë: “Ngjituni (emërtoni) fëmijëve emra të mirë, sepse edhe në xhenet do të thirren me po ato emra.”

Ngjitja e emrit me këndimin e ezanit dhe të ikametit

Emrat me kuptime jo të mira, me kuptime të shëmtuara, apo që janë në kundërshtim me mësimet islame, urrehen dhe nuk pëlqehen në emërtimin e fëmijëve. Ekzistojnë shumë hadithe ku shohim se Muhamedi (a. s.) e ka ndaluar ngjitjen e emrave me kuptim të keq apo të shëmtuar fëmijëve.

Gjatë emërtimit të fëmijës duhet pasur kujdes që emrat, të cilët vetvetiu janë të mirë, të mos ngjiten në formë të gabueshme e të deformuar. Gjithashtu, duhet pasur kujdes edhe gjatë evidentimit në librin e amzës, emri i fëmijës të shkruhet ashtu siç është e jo me gabime në kuptim apo ndryshimin e ndonjë germe.

Aktit të ngjitjes së emrit duhet dhënë karakter solemn, ose thënë më mirë: karakter islam. Mirë është që emri të vihet në ditën e shtatë pas lindjes. Fëmija lahet, vishet mirë dhe me bismilah kthehet drejt kibles, me zë të ulët në veshin e djathtë i këndohet ezani, kurse në të majtin ikameti. Përveç këndimit të ezanit dhe ikametit, ndaj ngjitjes së emrit të porsalindurit është mirë nga tradita e Pejgamberit (a. s.) që prindërit të presin edhe kurban.

Transmetohet se kur lindi nipi i Muhamedit (a. s.), Hasani (r. a.), Pejgamberi (a. s.) ka prerë kurban. Njësoj ka vepruar edhe me lindjen e Huseinit (r. a.). Është mirë të përmendet se, sipas parimeve islame, rekomandohet që për fëmijën e porsalindur të jepet sadaka.

Synetimi i fëmijëve meshkuj

Njëri ndër detyrimet e prindërve ndaj fëmijëve të sapolindur është edhe të bërit synet në kohën e përshtatshme. Të bërit synet nuk daton, nuk është vetëm nga tradita dhe prej kohës së Muhamedit (a. s.), por prej më shumë se disa mijëra vjet përpara.

Kjo traditë e Pejgamberit (a. s.) kohëve të fundit po keqpërdoret nga vetë myslimanët, kur shohim se gjatë ceremonisë së synetit bëhen gosti e organizime, ku qerasen dhe gostiten mysafirët edhe me alkool e më punë dhe veprime që i ndalon Islami.

Të mësuarit e fëmijëve me namaz

Namazi është një ndër shtyllat kryesore të Islamit. Allahu në shumë vende në Kuran urdhëron që të falet namazi, sepse ajo është mënyra më e mirë e të shprehurit të dashurisë sonë ndaj Tij dhe përkushtimin që kemi ne ndaj fesë islame.

Ashtu siç janë të detyruar prindërit të falin namazin rregullisht, ashtu janë të detyruar t’u mësojnë fëmijëve faljen e namazit, më së voni kur t’i mbushin shtatë vjet. Muhamed (a. s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Urdhëroni fëmijët me namaz kur t’i mbushin shtatë vjet, e kur t’i mbushin dhjetë vjet, atëherë detyroni ato për namaz.”

Janë të mjerë ato prindër të cilët nuk ua mësojnë gjërat elementare të fesë islame fëmijëve të tyre, në veçanti ato për namazin. Të tillët në Ditën e Gjykimit do të akuzohen nga vetë fëmijët për mosedukimin dhe mosmësimin e parimeve islame, e në veçanti për rregullat e namazit.

***

Derisa jemi në këtë botë ekzistojnë shumë mundësi të bëjmë vepra të ndryshme – të pëlqyeshme për Allahun, për të cilat në Ditën e Gjykimit do të shpërblehemi. Myslimani përpiqet që edhe pas vetes të lë vepra të mira, për të cilat do të shpërblehet edhe pas vdekjes. Pra, kjo mundësi edhe ekziston, nëse njeriu në fushën e diturisë ka lënë diçka prej së cilës njerëzit do të kenë dobi, ose nëse ka lënë ndonjë sadaka të përhershme apo rrjedhëse, siç është xhamia, mesxhidi, ujësjellësi, shkolla, ambulanca apo të ngjashme, nga të cilat do të kenë dobi njerëzit. Gjithashtu, është mundësi e mirë që prindërit pas vetes të lënë fëmijë të hairit, të edukuar mirë, i cili me vepra të mira dhe me dua e përkujton prindin e vet, apo të dy prindërit, duke e lutur Allahun që t’i falë.

Njeriu është i vlefshëm aq sa ka arritur për së gjalli që edhe pas vdekjes të “jetojë”, domethënë nëse pas vete ka lënë diçka me të cilën njerëzit do të mund dhe do ta kujtojnë si njeri të mirë.

Prandaj, nëse prindërit nuk arrijnë asgjë tjetër të lënë mbas vetes, të paktën t’i edukojnë mirë fëmijët e tyre, pasi që kjo do të jetë pasqyra e tyre në këtë botë, por edhe pasuria e tyre në botën tjetër.

Muaz Agushi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit