9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Edukimi fëmijëve, amanet hyjnor

Më të lexuarat

Fëmijët janë pasuria dhe dhurata më e çmuar me të cilën Allahu (xh.sh.) i ka shpërblyer prindërit. Prandaj, që të ruhet ky thesar, duhet që për edukimin e tyre të kushtohet kujdesi i veçantë në atë që quhet fillim si foshnje, në fazën e shkollimit dhe në atë të pjekurisë.

Çdo njeri që merr obligimin të bëhet prind, duhet të dijë se merr përsipër një detyrë sa të domosdoshme, aq edhe të rëndë, e cila, përveç përgjegjësisë që duhet kryer me nder e seriozitet, duhet të ndjejë edhe peshën e konceptit islam se: prindi është riprodhuesi i qenies njerëzore. Duke patur parasysh se kjo qenie do të përbëjë shoqërinë njerëzore, prindi, si paraardhës i saj, duhet të tregojë kujdes që ajo shoqëri të mos jetë e prishur, që bartës të ardhshmërisë së saj të mos jenë breza të degjenuar, por të jenë breza të kualfikuar me virtyte të pastra, që të kemi një shoqëri të shëndoshë me vlera të larta njerëzore, shoqërore, patriotike-kombëtare.

Prindi duhet të ketë mirë parasysh se ai është kujdestar dhe edukator për fëmijën e vet dhe për gjithçka që përmbledh termi edukatë do të përgjigjet para Allahut (xh.sh.). Me fjalë të tjera, nëse një prind dëshiron të jetojë i respektuar e me nder në shoqëri, duhet t’i kushtojë kujdes edukimit, formimit dhe personalitetit të fëmijës, pasi ai do të jetë nesër pasqyra e mundi i veprës së tij në shoqëri.

Për fat të keq, sot kemi nga ata prindër që nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj detyre dhe as rolin e tyre si baba/nënë dhe edukimin e fëmijës së tyre ia lënë rrjedhave të kohës, për të qenë viktima të saj. Pejgamberi ynë (a.s.) na mëson se: “Nuk do të ketë moral të shëndoshë ai fëmijë, të cilin e edukon koha”. Mirëpo sot po përjetojmë atë që po edukon koha, dhe s’mund të ndodhë ndryshe kur në çdo hap hasim në faktorë publikë të prishjes së moralit njerëzor, dhe asnjë prind nuk do të donte që fryti i tij të ishte fundërrinë.

Për edukimin e drejtë të fëmijëve në familje, si dhe formimin e drejtë të tyre, faktor shumë me rëndësi, është krijimi i marrëdhënieve të drejta e të sinqerta midis dy prindërve.

Marrëdhëniet e drejta e të shëndosha si dhe sjellja e ndërsjellë shembullore e tyre ndikojnë pozitivisht në edukimin e tyre. Nga ana ttjetër, në një familje ku nuk ekzistojnë marrëdhënie të mira dhe harmoni jetësore midis prindërve, ku ka grindje të shpeshta e përdoren fjalë fyese, do të kemi mungesë edukate tek fëmijët. Prandaj prindërit duhet të kenë kujdes, të mos manifestojnë gjeste të pahijshme në prani të fëmijëve, por duhet të harmonizojnë marrëdhëniet e tyre, të kenë sjellje shembullore, të konsultohen midis tyre për problemet jetësore, të kenë besim tek njëri-tjetri, të ndihmohen midis tyre, të jenë të matur, të gjejnë rrugën më të përshtatshme për zgjidhjen e problemeve pa pasoja në edukimin e fëmijëve, pasi ata janë imituesit më të saktë të prindërve. Sipas parimit islam, çdo fëmijë lind me natyrën e pastër islame, janë prindërit ata që e kushtëzojnë në fe. Ky parim na bën të kuptojmë se prindërit janë projektuesit e parë të formimit fetar të fëmijëve si dhe ndërtimin e përsonalitetit të tyre.

Që puna e prindërve të jetë e suksesshme në drejtim të edukimit të fëmijëve duhet që e gjithë veprimtaria të udhëzohet e zhvillohet në frymën e edukatës morale e fetare, duke pasur për ndihmë traditat e bukura të jetës së Profetiti tonë (a.s.).

Në edukimin e fëmijës, rol të dorës së parë luan nëna, që jeton më shumë me fëmijët. Ajo që në moshë fare njomë i mëson fëmijë shprehjet e bukura të moralit islam. Ajo duhet të mbjellë në shpirtin e fëmijës shprehi e cilësi të mira. Duhet që fëmija të përvetësojë rregullat e higjienës vetjake, regjimin ushqimor, etj. Çdo fëmijë të çmojë e të mësojë fenë e tij, të kryejë, sipas mundësive, edhe ritet fetare, të mësojë mbi Zotin, mbi Pejgamberin (a.s.), mbi jetën e tij, mbi këshillat e tij për fëmijët. Këto do të ndikojnë që ai të bëhet shembullor në çdo aspekt.

Mbi të gjitha në Islam, fëmija urdhërohet e arsimohet. Prindërit detyrohen që fëmijët e tyre t’i arsimojnë si dhe të tregojnë kujdes mbi mbarëvajtjen e shkollimit të tyre. Të pyesë mësuesit për sjelljet e fëmijërisë, për përvetësimin e mësimeve, si dhe të kërkojë prej tyre ndihmë në drejtim të formimit arsimor.

Pra, ndër faktorët e shumtë që ndikon në formimin e fëmijëve, ai i prindërve mbetet gjithnjë i pari dhe më kryesori. Për fëmijën, nëse shtëpia është shkolla e parë, prindërit janë mësuesit e parë. Gjetja dhe aplikimi i metodave sa më efikase në drejtim të edukimit dhe formimit të fëmijëve, do të çonte në kryerjen me sukses të detyrës fisnike prindërore dhe do të vendoste themele solide për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të edukimit të fëmijëve, në ato aspekte ku nevojat bashkëkohore kërkojnë të rrisim e të kemi një gjeneratë të denjë për prosperitetin e shoqërisë sonë, të vendosmërisë për ndërtimin dhe mbrotjen e atdheut tonë, duke plotësuar kështu amanetin hyjnor, për të cilin jemi përgjegjës para Zotit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit