0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

E kaluara nuk ekziston më

Më të lexuarat

Nga: Aid Elkarnij

E kaluara nuk ekziston më

Të kujtosh të shkuarën, ti referohesh asaj, ta sjellësh gjithmonë ndërmend, si dhe të pikëllohesh për gjëmat tashmë të kaluara, është marrëzi, ndrydhje e vullnetit dhe humbje e së tashmes.
Dosja e së shkuarës, tek njerëzit e mençur dhe të urtë është një dosje e mbyllur dhe nuk flitet më për të. Ajo kyçet përgjithmonë në birucën e harresës dhe në burgun i injorimit, duke mos e parë më dritën e diellit. Ajo tashmë ka kaluar dhe ka marrë fund dhe as pikëllimi nuk e sjell dot, as shqetësimi nuk e korrigjon dhe as qederosja nuk i jep jetë, pasi ajo tashmë është asgjë, hiç.
Mos jeto me ankthin e të kaluarës, nën çadrën e asaj që humbi. Shpëtoje veten nga fantazma e të shkuarës! Mos po rrekesh të kthesh lumin tek burimi i tij, diellin tek lindja, fëmijën në barkun e nënës, qumështin tek gjiri dhe lotin tek syri?!
Shikimi nga e kaluara, stresi që të shkakton, qasja pranë zjarrit të saj që të përcëllon, si dhe qëndrimi tek pragu i saj, të fal një pamje pikëlluese, të frikshme dhe aspak të këndshme.
Të lexosh defterin e të kaluarës, do të thotë të humbasësh të tashmen, të çosh dëm mundin dhe kohën e tashme. Zoti i cek popujt e mëparshëm dhe ndëshkimin që përjetuan, por në fund shton: “Ata njerëz tashmë kanë kaluar” (Bekare, 134)
Ata i përkasin të shkuarës, është mbyllur çështja e tyre dhe nuk ka përse të hapet kufoma e kohës e të kthehet rrota e historisë.
Ai që i referohet të shkuarës, është njëlloj si ai që bluan miellin dhe si ai që kërkon shkëndija tek dërrasat e djegura, të bëra hi. Në kohët e mëparshme, atij që vajtonte të shkuarën i thoshin: Mos i nxirr të vdekurit nga varri!
Një herë, kur e pyetën gomarin përse nuk ripërtypej, ai u përgjigj:  E urrej të kaluarën.”
Sprova jonë më e madhe është se duke mos u marrë me të tashmen, angazhohemi krejtësisht me të shkuarën. Ne i injorojmë vilat luksoze ku jetojmë dhe vajtojmë për muret e rrënuara të qerpiçit. Nëse do të ndërvepronin njerëzit me xhindet për ta kthyer të shkuarën, nuk do të mundeshin.
Njerëzit nuk duhet të shohin dhe ta mbajnë kokën pas. Era fryn gjithmonë para, uji rrjedh para dhe karvani lëviz gjithmonë drejt, para. Prandaj, mos dil kundër këtij ligji të jetës!
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit