5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

DISPOZITAT E NIJETIT – Pyetje dhe përgjigje nga feja islame

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut krijuesit të qiejve dhe të tokës. I lartësuar qoftë Ai (Allahu), që e bëri sinqeritetin dhe pasimin e Pejgamberit paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi te, kusht për t’u pranuar veprat  e mira. Koncepti i imanit tek Ehli Suneh uel Xhemaa është: “Të besuarit me zemër, të shqiptuarit me gjuhë, të realizuarit në vepër”.

Nga ky koncept dalim në përfundimin, se nuk plotësohet besimi i besimtarit pa e realizuar atë me vepra. Vepra për të qenë e pranuar duhet patjetër t’i plotësoj dy kushte:

  1. a)      sinqeriteti (nijeti).
  2. b)      Pasimi i Sunetit të Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi te.

Definicioni i nijetit në aspektin gjuhësor:

Fjala nijet rrjedh nga fjala arabe nijeh, që ka kuptim: qëllim, synim, vendosmëri, transformim, destinacion, vullnet.[1]

Nijeti në terminologjinë e fukahave:

Definicioni i hanefive. Ibën Abidini thotë: “Synimi i ibadetit me qëllim afërsie tek Allahu, që krijon një vepër.”

Argumentet nga Kurani dhe Suneti:

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë…”. (Bejineh:5)

Përcillet se prijësi i besimtarëve Omer ibën Hatabi ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi te, të thotë: “Të gjitha veprat vlerësohen nga qëllimi (nijeti), ndaj dhe çdo person shpërblehet sipas qëllimit të tij…”.[2]

Kushtëzimi i nijetit :

Dijetarët kanë rënë në pëlqim, se veprat që kryejnë besimtarët për të qenë të pranuara në sheriatin islam, apo për të fituar shpërblimin patjetër duhet bërë nijeti. Të gjitha shtyllat e Islamit, si namazi, agjërimi, zekati, haxhi nuk janë të vlefshme pa nijet. Ibën Rexhepi thotë se: “Çdo punë e kryer nga njeriu varet tërësisht nga nijeti i tij. Në bazë të tij mund të gjykojmë nëse puna është e saktë ose e gabuar, apo nëse ai person meriton shpërblim apo dënim”.

Fukahatë nuk pajtohen në çështjen e nijetit, se: a është prej kushteve të abdesit apo jo?

  1. a)  Medhhebi Hanefi[3]: Nijeti është sunet në pastrimin që bëhet për abdes dhe gusël. Ndërsa nijeti është kusht për tejemumin.
  2. b) Nijeti është kusht për pastërtinë qoftë për abdes, gusul apo tejemum. Ky është medhhebi i Malikive,[4] Shafive[5] dhe Hanbelive[6] dhe ky është mendim i saktë.

Vendi i nijetit:

Fukahatë kanë rënë në mospajtim se ku është vendi i nijetit.[7]

  1. a)  Shumica e fukahave thonë se vendi i nijetit është zemra .
  2. b) Vendi i saj është në tru, ky është transmetim nga imam Ahmedi dhe thuhet se është mendim i Ebu Hanifes.
  3. c)  Vendi i përbashkët mes kokës dhe zemrës.

Llojet e nijetit :

Pasi kjo temë ka të bëjë me shkencën e fikhut ne do të ndalemi në atë që kanë përmendur vetëm fukahatë. Lloji i parë: Nijeti praktik prezent, kemi si qëllim nijetin që bëhet në fillim të adhurimit, si nijeti për abdes, namaz, agjërim etj. Lloji i dytë: Nijeti teorik që nuk është prezent, kem si qëllim kur njeriu është duke kryer ndonjë ibadet, por gjatë kryerjes ka harruar nijetin, Sheriati gjykon për saktësinë e veprës së tij, duke u bazuar në esencë sipas nijetit praktik të përmendur në llojin e parë.

Nijeti haptazi:

Meqë vendi i nijetit tek fukahatë është zemra ata kanë rënë në mos-pajtim, se a bëhet haptazi, me zë, me gjuhë apo jo.

  1. a)  Nuk është e lejuar të shqiptohet dhe për këtë kanë përmendur ixhma (konsensus).[8] Disa kanë veçuar Haxhin.[9]
  2. b)  Të shqiptuarit e nijetit është i pëlqyer, kjo është thënie tek hanefitë[10] dhe shafitë.[11]

Kanë ra në mospajtim në shqiptimin e tij në vetvete (pa zë).

  1. a) Nuk lejohet, kjo është në tekstet tek imam Ahmedi.[12]
  2. b) Pëlqehet të shqiptuarit në vetvete, pa zë, kanë thënë dijetarët e vonshëm nga hanbelit.[13] Ibën Tejmije thotë: “Të gjithë imamët kanë rënë në pajtim, se nuk është e lejuar të bëhet nijeti haptazi me zë…”.[14] Nijeti haptazi me zë nuk lejohet e as që veçohet për ihramin, sepse ai që vesh ihramin nuk thotë: bëra nijet ta vesh këtë ihram për këtë haxh…, sepse kjo nuk është përmendur, as në hadith të vërtetë, as në të dobët.  Ndërsa për sa i përket telbijes gjatë ihramit ajo nuk është nijet haptazi me zë ajo është në vend të tekbirit për namaz. Kjo vlen edhe për nijetin pa zë në vetvete, sepse nuk ka argument që Pejgamberi paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi te apo dikush nga shokët e tij e kanë thënë.

Urtësia e legjislacionit të nijetit: Është përmendur në Mevahib Xhelijl për urtësinë e legjislacionit të nijetit: Urtësia është  – Allahu e di më së miri – Të veçuarit e ibadetit nga adeti, të veçuarit e asaj që është për Allah dhe nuk është, të veçuarit shkallët e ibadeteve dhe shpërblimet që meriton robi, për të dalë në shesh madhështia e Allahut të madhërishëm. Shembuj: Gusli, pastërtia mund të jetë ibadet apo freski, shkuarja në xhami për namaz apo shëtitje. Sexhdja për Allahun apo për idhujt.

Vlera e nijetit të mirë:

– Ndërton çdo herë zemrën e besimtarit me ibadet ndaj Allahut.

– Nuk futet dyfaqësia.

– Kush bën nijet të bëjë një vepër e më pas angazhohet me diçka tjetër i shkruhet ajo çfarë ka bërë nijet.

– Veçon mes farzeve dhe nafileve, por edhe në mes ibadeteve, sepse çdo ibadet ka nijetin e vet të posaçëm.

– Njeriu do të marrë shpërblim nga veprat e tij, aq sa e ka nijetin (sinqeritetin) dhe se sa e kryen veprën konform me Sunetin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem.

 

Autor: Rashit Zylfiu

 

 

[1] Muxhem mekajis eluga: 5/366.

[2] Shënon : Buhariu, Muslimi.

[3] Sherh feth kadir (1/32)

[4] Hashijet dusukiji (1/85 )

[5] Elmumtij (1/355)

[6] Mumti sherh muknij (1/176)

[7] Të gjitha mendimet e përmendura kanë argumentet e veta nga kurani dhe suneti por për shkak të mungesës së hapsirës nuk mundemi ti përmendim

[8] Ibn Tejmije në Fetava kubra (1/214 ).

[9] Ikna (1/24 ).

[10] Ibn Abidijn fij hashijeh ( 1/108 )

[11] Neueuij fij mexhmu (6/302) .

[12] Furu (1/111).

[13] Keshafu Kana (1/87 ).

[14] Furu (1/39 )

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit