4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Lindja nëpërmjet vdekjes

Më të lexuarat

“Ai(Allahu) e nxjerr të vdekurin prej të gjallit…”

Njerëzit e dinë natyrshëm, që në këtë jetë nuk janë të përhershëm, dashje pa dashje ata janë në pritje të vdekjes së tyre dhe po i njëjti proces zhvillohet edhe në kahun e kundërt, vdekja diku i ka zënë pritën të gjallit dhe pret pikërisht atë momentin që Zoti e ka shkruar qysh në barkun e nënës, se kur do t’i vijë exheli (vdekja). “Kur të vijë momenti, as e vonojnë, as e përshpejtojnë”.

Të habit fakti se si njerëzit i gëzon fakti, që çdo vit i afrohen edhe më shumë vdekjes dhe të habit fakti gjithashtu se sa të hutuar janë nga ky realitet. Ndërkohë që nuk e imagjinon dot ç’mund të ndodhë me njerëzit po t’jua kujtosh vdekjen, ata tmerrohen, sepse mesazhi i jetës u mungon.

Duke mos folur pastaj për ekstremet në konceptimin e vdekjes mes atyre që e shohin si mbarim dhe mbyllje “hesapesh”, e më pas çdo gjë mbaron, merr fund e si pasojë s’i intereson se si vrapon pas “lumturisë”, apo se si fiton, e rëndësishme për të është sa të jem “këtu” dhe ekstremit tjetër që e “përshpejton” vdekjen, duke u vetëvrarë siç predikojnë disa sekte, të cilat kanë depërtuar në trojet shqiptare pa iu hyrë as gjembi më i vogël në këmbë. Ata justifikohen, se duke e bërë këtë krim Jezui gjoja i pret krahëhapur në parajsë. Normalisht ky nuk është interpretimi i feve zyrtare autoktone e theksoj, po i sekteve, të cilët janë legjitimuar këtu, ndërkohë që në disa vende evropiane dhe perëndimore nuk janë legjitime.

Besimtari i vërtetë e sheh vdekjen, si një proces të domosdoshëm të evoluimit njerëzor dhe i rrugëtimit për në botën e amshueshme. Ai nuk jeton me stresin se ç’kuptim ka kjo jete kur të gjithë po vdesin? As jeton me stresin, se mos po vjen tani apo pastaj? As jeton me stresin, që si i bëhet për pasurinë e kush do të kujdeset për fëmijët? Ai beson se kurdo që të ndodhë është vullnet i Zotit, të cilit nuk i dilet përpara dhe për të cilin nuk lejohet të ankohesh e jo më të protestosh, siç ndodh rëndom me të paditurit, duke bërë veprime që bien ndesh me parimet e fesë dhe që shprehin pakënaqësi ndaj vullnetit të Zotit. Jo vetëm kjo, por besimtari mendon se punët s’mbarojnë me kaq.

Jeta në këtë botë pa vdekjen s’do të kishte kuptim dhe Ahireti (përjetësia) pa vdekjen s’do të kishte rrugëtim, kështu që vdekja është domosdoshmëri e zhvillimit të jetës në të dy botët. Besimtari s’e dëshiron atë, as nuk ndërmerr shkaqet për ta përshpejtuar, nëse çështjet e kësaj bote i mbyllen apo i ngushtohen, ekstremi i lutjes së tij është të thotë: “O Allah, nëse është më mirë për mua të jetoj ma mundëso, e nëse është më mirë për mua të mos jetoj ma mundëso”. Pra, ai fundja fundit ia len Zotit të vet vendimin përfundimtar të lutjes dhe gjendjes së tij të ngushtuar.

Njeriu duhet të kuptojë se kjo botë është kalimtare, urë për diku tjetër, kështu që nëpërmjet vdekjes ti duhet të kuptosh, se asgjë s’të lumturon dot, sado që të arrish nga të mirat e kësaj bote, sepse një ditë pa vullnetin dhe pa miratimin tënd do të përjashtohesh nga loja. Shumë dëshira, projekte, iniciativa, ambicie do t’i marrësh me vete. Aty në atë moment fillon jeta e vërtetë e njeriut, aty ku të tjerët s’depërtojnë dot, aty ku mbetet i vetëm me librin e jetës, të cilin e ka shkruar gjatë gjithë kësaj jete të mundimshme, të lodhshme, të stresuar, me depresion, aspak të qetë, të mbushur me halle e derte. “A mos vallë kujtuat, se ju kemi krijuar kot, pa asnjë qëllim e se tek Ne një ditë s’do të ktheheni?” (Kurani Famëlartë).

Shpresoj se duke menduar mirë dhe seriozisht për këtë proces të domosdoshëm të jetës dhe të evoluimit tonë ta bëjmë jetën e kësaj bote më të lumtur dhe pastaj të jemi të lumtur në të dy jetët. Amin.

Hoxhë Ahmed KALAJA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit