12.3 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Dhuna dhe rikthimi i të rinjve në fe

Më të lexuarat

Hoxhë Bekir Halimi

Pas një kohe të gjatë të kaluar në injorancë të thellë mbi fenë tonë erdhi koha e rikthimit në këtë fe, njohjen dhe mësimin e kësaj feje. Ky mësim u shoqërua edhe me praktikim dhe realizimin e asaj që mësojnë të rinjtë në vende të ndryshme. Ky ndryshim që po ndodh në shoqërinë tonë, jo çdo herë është mirëpritur nga shtresa të caktuara të shoqërisë tonë, sidomos të një pjese që llogariten si lider të opinionit publik. Ata në shumë raste e kanë kritikuar këtë fenomen në mënyrë të drejtpërdrejt apo jo dhe janë munduar t’i japin atë trajtë që ata dëshirojnë të jetë dhe jo të asaj që në realitet është. Krejt kjo përtë ndalur hovin e kthimit të të rinjve në fe. Prandaj edhe çdo incident të izoluar ata janë munduar ta bëjnë të zhurmshëm dhe ta llogarisin si argument për tezën që ata gjatë gjithë kësaj kohe e kanë lansuar. Protagonistët e këtij qëndrimi e fillojnë me tezën se identiteti ynë kombëtar nuk ka asgjë orientale në përbërjen e vet, deri tek ata që mendojnë se elementi fetar e thërmoka identitetin tonë kombëtar! Sidoqoftë qasja që ata i bëjnë këtyre fenomeneve, këta njerëz dhe shtresa, ne si muslimanë e kemi për detyrë të jemi edhe autokritikë, nëse ka dukuri të këtilla negative në shoqërinë tonë.

 
Prandaj edhe ky shkrim u dedikohet atyre djemve të rinj, që janë futur në fe dhe nuk i dinë disa rregulla elementare dhe thelbësore të fesë dhe atyre që lejojnë që të përzihet ana fetare me atë që është kalitur me disa tipare autoktone shqiptare, siç është inati, zemërimi dhe nxitimi. Prania e një pjese të injorancës sipas definicioneve fetare në mesin e atyre të sapoudhëzuar në shumë raste krijon reagime të pamatura dhe jo të drejta fetarisht. Në këto raste nuk është shkak i këtyre problemeve fetaria e tij, sa është pjesa tjetër, afetaria, injoranca e tij, që ndikon në shkaktimin e këtyre problemeve.

 
Intoleranca nuk është veti e njeriut me bindje dhe argumente për bindjet që ka, se sa është rezultat i njerëzve të pashkolluar, të izoluar në shoqëri dhe të paaftë për të krijuar mekanizma të mjaftueshme për të ndryshuar realitetin, i cili nuk i pëlqen. Një fetar i mirë musliman nuk është intolerant, sepse besimi i tij mbështetet në fakte dhe argumente, është i hapur me shoqërinë, sepse ai e do të mirën dhe udhëzimin e saj dhe ka shumë mënyra fetare, të cilat i ka treguar Allahu Fuqiplotë në Kuran dhe Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, në thëniet e tij për ta ndryshuar shoqërinë. Nëse ndodh që ndonjë i ri musliman tek i cili shihen disa simptoma të fetarisë së tij, që bën gabime të kësaj natyre duhet të kuptojmë, se ai akoma nuk i ka kuptuar gjërat e shënuara më poshtë.

 
Thirrja Islame ka synime të qarta, më kryesorja prej tyre është udhëzimi i njerëzve në besimin tek Allahu Një dhe pa dyshim se mënyra më e mirë për të arritur qëllimin e duhur në këtë drejtim është përdorimi i butësisë e jo i dhunës. Vetë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, na ka treguar se atë që mund ta fitojmë me butësi nuk mund ta fitojmë me dhunë duke na rrëfyer: “Allahu është i Butë dhe e do butësinë, prandaj i jep butësisë atë që nuk ia jep dhunës”. (Sahih, Ebu Davudi). “Aishe bëhu e butë, sepse kudo që gjendet butësia ajo gjë është e bukur dhe kudo ku nuk gjendet butësia, ajo është e shëmtuar”. (Sahih, Ebu Davudi).
Nga synimet e thirrjes islame është edhe përhapja e vlerave të Fesë Islame, të cilat pa dyshim që kanë synim mbizotërimin e mirëqenies dhe lumturisë në shoqëri. Këto veprime nuk mund të realizohen në mungesë të urdhërimit për mirë, largimit nga e keqja, arsimimit dhe edukimit të muslimanëve në këtë fe, shtimit të mirësisë dhe zhvillimit të kësaj shoqërie. Një njeri, i cili i synon këto gjëra duhet të pajiset me disa veti, të cilat e ndihmojnë në realizimin e këtyre synimeve shumë sublime. Dijetarët muslimanë sa herë që kanë folur për këtë temë kanë përmendur cilësitë e atij që thërret në fenë e Allahut, e mes tyre kanë përmendur sinqeritetin, dijen, shembullin e mirë, butësinë, lehtësimin, ndarjen në etapa, njohjen e realitetit të atyre që i thërret dhe urtësinë.

 
Ibën Kajimi, rahimehullah, thotë: “Meqë thirrja në fenë e Allahut është pozita më e ndershme, më e madhe dhe më e vlefshme e besimtarit, duhet ditur se ajo nuk arrihet pa dije mbi atë që thërret dhe pa dije mbi mënyrat se si thërret. Nëse një njeri dëshiron ta ketë thirrjen e plotë ai duhet të zotërojë aq dije sa i mjafton për ta arritur këtë qëllim”. (shiko: “Miftahu DarusSeadeti”,1/154). Hatib Sherbini në librin “MugnilMuhtaxh” thotë: “Në çështjet e ndjeshme vetëm dijetari urdhëron në të mirë dhe ndalon nga të këqijat, kjo nuk i lejohet masës së gjerë… prandaj qortohet ai që merr vend për të dhënë mësim, apo fetva, apo këshillë, duke mos qenë i aftë për një gjë të tillë”. (4/212).

 
Dijetarët muslimanë duke komentuar ajetin kuranor: “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta (basirah), e që unë thërras tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” (Jusuf: 108) thonë: Basirah, është grada më e lartë e dijes. Basirah, gjatë thirrjes në fenë e Allahut nënkupton tre gjëra: – të njohë dispozitat fetare rreth asaj në të cilën thërret, – të njohë mirë gjendjen e atij që e thërret, dhe – të njohë mirë mënyrat e thirrjes. Allahu, subhanehu ue teala, i ka hartuar planet dhe mënyrat e thirrjes në shumë ajete kuranore”. (“El-Himmetu fid-Daveti ilall-llah”, fq. 38-39). Sipas të gjitha këtyre sqarimeve dhuna nuk ka vend askund dhe nuk është as veti e as formë e kërkuar për të thirrur në fenë e Allahut!

 
Nëse i analizojmë një nga një këto tipare dhe cilësi, që duhet të zotërojë një njeri që thërret në fenë e Allahut, do të kuptojmë shumë gjëra. Do të kuptojmë se nuk mjafton vetëm sinqeriteti në mungesë të dijes për ta bërë një vepër të mirë. Do të kuptojmë se nuk mjafton vetëm fjala e thatë pa dhënë edhe shembull konkret nga përditshmëria jonë. Do të kuptojmë se thirrja në fenë Allahut nuk nënkupton aspak vështirësimin e jetës së njerëzve, por lehtësimin dhe përmirësimin e saj.

 
Do të kuptojmë se ndryshimi i njerëzve është një proces i gjatë, që nuk mund të ndodhë për një natë, por duhet një kohë e gjatë dhe etapa të njëpasnjëshme deri sa të arrijmë qëllimin. Do të kuptojmë se sipas vendit bëhet edhe kuvendi, e nuk vlen e njëjta fjalë dhe mënyrë në çdo vend dhe për çdo njeri, por duhet të përdorim mënyra të veçanta dhe të ndryshme për çdo vend dhe çdo njeri.

 
Do të kuptojmë se në mungesë të urtisë shumë tentativa dhe orvatje për të bërë mirë mund të na dalin sherr, fatkeqësisht kjo po ndodh shumë shpesh me njerëzit e sapoudhëzuar. Urtësia është një komponentë, që fatkeqësisht po na mungon shumë në jetën tonë të përditshme, e cila ka kuptimin e “të kesh besim, fjalë dhe vepra të sakta. Ose të vendosësh çdo gjë në vendin e vet me saktësi dhe përsosmëri”. (shiko: “ElHikmetu fid-Daveti ilAll-llah”, fq. 30)

 
Pa dyshim që pjesë e urtësisë është vlerësimi i dëmit dhe i dobisë në përdorimin e masave të caktuara gjatë komunikimit me një shtresë të caktuar, sepse shpeshherë ndodh që braktisja e disa fjalëve është më e arsyeshme dhe lënia e disa veprimeve më e dobishme. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, na ka dhënë shumë udhëzime në këtë drejtim, prej tyre janë edhe këto hadithe: “Muslimani që përzihet me njerëz dhe i duron lëndimet e tyre është më i mirë, se njeriu që nuk përzihet me njerëz dhe nuk duron dëmtimet e tyre”. (Hadithi është sahih, Tirmidhiu).

 
Pejgamberi, sallallahu alejhi ue selem, kur dërgoi dy shokët e tij në Jemen për të thirrur në fenë e Allahut, mes të tjerave i porositi: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos dëboni dhe pajtohuni mes vete dhe mos u përçani”. (Buhariu dhe Muslimi). Qëllimi i thirrjes në fenë Allahut është udhëzimi i atyre që i thërrasim e assesi hakmarrja, ofendimi ose nënçmimi i tyre.

 

Duke u nisur nga tërë kjo që thamë dhe një sërë argumentesh të tjera të shumta, që s’kemi arritur t’i themi duhet t’i bëhet shumë e qartë djelmoshave muslimanë, se thirrja në fenë e Allahut është:
– Art dhe kërkon ndjeshmëri shumë të madhe.
– Dije dhe duhet mësuar nga dijetarët.
– Përvojë dhe duhet mësuar nga më të vjetrit.
– Butësi e assesi dhunë dhe ashpërsi.
– Udhëzim e assesi hakmarrje.

 

Allahun e lusim të na japë dije të dobishme dhe vepra të mira, të na japë sinqeritet në fjalë dhe vepra dhe të na bëjë çelës të veprave të mira dhe mbyllës të veprave të këqija. Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit