Sinjale se Mali i Zi mund t’i bashkohet Ballkanit të Hapur
Udhëheqësit e Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë u takuan në Forumin Ekonomik Botëror, ndërsa nuk kishte përfaqësues të BiH.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u takuan gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe riafirmuan dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin.
Takimi i përbashkët i liderëve është mbajtur në seancën “Diplomacia dhe Dialogu në Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet të mërkurën me dyer të mbyllura, njofton Evropa e Lirë.
Në seancë do të marrin pjesë kryeministri malazez Dritan Abazoviç, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Në diskutim marrin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Odile Renaud-Basso, presidenti i Forumit Ekonomik Botëror Borge Brende dhe Zv/Presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve Gelsomina Vigliotti.
Një ftesë për Abazoviç
Presidenti serb Aleksanar Vuçiç tha se kishte ftuar kryeministrin malazez Dritan Abazoviç, me të cilin foli në Davos, për t’iu bashkuar një darke të ardhshme në Ohër si pjesë e nismës Ballkani i Hapur, duke shtuar se ai kishte biseduar edhe me presidentin maqedonas Steve Pendarovski dhe shkurtimisht me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.
“Nuk unë jam mikëpritësi i takimit në Ohër, por kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dmitar Kovaçevski. Ama si mysafir dhe pjesë e ‘Open Balkans’, e ftova Abazoviçin që pas disa ditësh të vijë në një darkë të përbashkët”, ka thënë Vuçiç para gazetarëve në Davos.
Ai shtoi se ka besim mes Beogradit, Shkupit dhe Tiranës dhe se bashkëpunimi ekonomik është në rritje. Ai shtoi se ka pasur një bisedë korrekte me Pendarovskin në Davos dhe se dy vendet kanë marrëdhënie të mira.
Abazoviç shkroi në Twitter se Mali i Zi po bën përpjekje maksimale për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëdhëniet me Republikën e Serbisë janë prioritet – ne jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar Abazoviç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Twitter se ka biseduar me Abazoviçin për takimin e përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi në vjeshtë.
“E përgëzova për detyrën e re si Kryeministër i Malit të Zi. Diskutuam bashkëpunimin për të zhvilluar dhe rritur më tej investimet, veçanërisht infrastrukturën e nevojshme për lidhjet Deçan-Pllavë dhe Pejë-Rozhajë”.
Presidenti maqedonas ka shkruar edhe në Twitter se ka biseduar me Vuçiçin dhe se kanë mirëpritur autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase.
“Në një takim të shkurtër me Presidentin e Republikës së Serbisë në Davos, bashkërisht e mirëpritëm vendimin e Kishës Ortodokse Serbe për të pranuar autoqefalinë e KOM-it, Kryepeshkopatës së Ohrit, si një hap në drejtimin e duhur”.
Ai shtoi se gjatë bisedimeve me Abazoviçin e ka konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë brenda NATO-s, të cilin do ta shtrijë edhe në procesin integrues në BE. /tesheshi.com/