8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kryediplomati ukrainas vlerëson përpjekjet e Turqisë për ndërmjetësim

Më të lexuarat

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Turqia dhe Ukraina kanë një marrëdhënie të bazuar në besim, duke lavdëruar gjithashtu Turqinë për punën për të ndërmjetësuar në luftën e cila filloi më 24 shkurt dhe vazhdon ende.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), kryediplomati ukrainas përshëndeti edhe veprimet e Turqisë sipas Konventës së Montreux për mbylljen e Ngushticave Turke për anijet luftarake.

Duke folur për AA, teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyri në muajin e saj të katërt, Dmytro Kuleba tha: “Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe Presidenti Recep Tayyip Erdoğan janë dy presidentë që i kanë dëshmuar njëri-tjetrit se janë të besueshëm”.

“Marrëdhëniet mes dy liderëve janë baza e marrëdhënieve tona dypalëshe”, shtoi ai.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë të Ukrainës me Turqinë, Kuleba tha se ata i kushtojnë rëndësi të madhe ndërmjetësimit të Turqisë midis Kievit dhe Moskës.

Duke theksuar se presidenti Erdoğan merr “vendime të qëndrueshme”, Kuleba tha se këto vendime janë të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Detit të Zi.

– “Ukraina e gatshme për të negociuar”

Takimi i parë dhe i fundit i nivelit të lartë i ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, Dmytro Kuleba dhe Sergey Lavrov, u zhvillua më 10 mars në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya të Turqisë, ndërsa më 29 mars negociatorët nga të dy vendet u takuan në Stamboll.

Ukraina nuk ka refuzuar kurrë të vazhdojë negociatat me Rusinë, tha Kuleba për AA, por shtoi se ata kanë refuzuar të pranojnë “ultimatumet ruse”.

“Pas takimit në Stamboll, ne pamë se Rusia vazhdoi të përdorte gjuhën e ultimatumeve dhe nuk ishte e gatshme për një zgjidhje”, tha ai.

Kur Rusia kohët e fundit nisi një ofensivë të re në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ku ndodhen dy enklavat e shkëputura të njohura vetëm nga Moska – “ne pamë se rusët zgjodhën luftën, jo paqen”, tha Kuleba.

“Si mund të flasin për negociata teksa nisin një operacion ofensiv në shkallë të gjerë në rajonin e Donbasit, ku lufta më e madhe e Evropës ka ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore?”, pyeti ai.

Rusia ka mbështetur një konflikt separatist në Donbas që nga viti 2014.

Mirëpo, Kuleba theksoi se Ukraina është gati për negociata me Rusinë.

“Rusia duhet të kërkojë zgjidhje të bazuara në respektin e ndërsjellë në vend të ultimatumeve, të tregojë se zgjedh diplomacinë në vend të luftës dhe të ndalojë sulmet”, tha ai.

– “Ushtarët rusë duhet të largohen plotësisht nga tokat tona”

Kuleba tha se qëllimi i tyre është t’i japin fund luftës me fitoren e Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ka elementë për të cilët ne nuk do të bëjmë kurrë kompromis. Edhe nëse gjysma e botës vjen dhe na detyron të bëjmë lëshime, ne nuk do të bëjmë këtë”, tha ai.

“Një prej tyre është integriteti territorial i Ukrainës”, shtoi ai.

“Ushtarët rusë duhet të largohen plotësisht nga territori ynë”, theksoi Kuleba, duke shtuar se politika e jashtme e Ukrainës do të përcaktohet nga populli ukrainas, jo nga Rusia.

– Situata në Donbas

Në lidhje me situatën në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Donbasit, Kuleba tha se ofensiva e Rusisë atje ka ngecur, duke shtuar: “Rusët kanë ngecur. Kjo do të thotë se ne arritëm fitoren atje”.

“Një shtet mund të mposhtë një shtet, grup terrorist, por një shtet nuk mund të mposhtë popullin” tha ai.

“Rusia nuk do ta mposhtë kurrë popullin e Ukrainës. Për ne, kjo është padyshim një luftë e popullit, që do të thotë fitore dhe çlirim i tokave tona”, shtoi ai.

Duke thënë se Rusia pushtoi përkohësisht rajone të reja në Ukrainë, duke përfshirë rajonet Kherson, Zaporizhzhia, Mariupol dhe Donetsk, Kuleba tha: “Rusia po përpiqet të zë rrënjë në këto rajone dhe të sigurojë sovranitetin e saj. Por ndryshe nga viti 2014, Rusia ka një problem shumë të madh: Është e vështirë për Rusinë të gjejë ndonjë bashkëpunëtor këtu”.

Në vitin 2014 Rusia pushtoi territorin ukrainas të Krimesë, një veprim që konsiderohet i paligjshëm nga BE-ja, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Turqia.

Për ushtarët dhe civilët ukrainas që dolën nga uzina e çelikut Azovstal në Mariupol javën e kaluar, Kuleba falënderoi OKB-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për përpjekjet e tyre për t’i mbajtur njerëzit atje të sigurt.

Kuleba shtoi se Ukraina shpreson të kthejë ushtarët e Azovstalit në një shkëmbim me Rusinë.

– “Sanksionet nuk mjaftojnë”

Duke lavdëruar faktin se sa shumë vende vendosën sanksione ndaj Rusisë, Kuleba shtoi megjithatë se sanksione të tilla nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ndalohet përdorimi i gazit dhe naftës ruse.

Duke shpjeguar se portet e Ukrainës janë bllokuar nga Rusia, Kuleba tha se Rusia vodhi drithin nga portet e Ukrainës dhe e dërgoi në vende të tjera për t’i shitur, duke shtuar se kjo duhet të bllokohet.

Kryediplomati ukrainas tha se Rusia është përgjegjëse për problemet aktuale të ushqimit në botë, duke shtuar se ky problem do të zgjidhet duke hequr bllokadat nga portet e Ukrainës.

Lufta tronditi marrëdhëniet ndërkombëtare, tha ai, duke treguar ndryshimin “radikal” në vendin e Rusisë në botë.

Rusia tani është e izoluar globalisht, tha Kuleba, duke shtuar: “Është e rëndësishme të përshpejtohet rënia e ekonomisë ruse. Ky është një proces i vështirë. Ky proces do të jetë i përgjakshëm dhe i lodhshëm, por ky proces nuk mund të ndalet më”.

Ai parashikon se SHBA dhe Kina do të forcohen pas luftës, ndërsa Rusia do të dobësohet.

Sipas kryediplomatit ukrainas Kuleba, do të ketë gjithashtu “fuqi balancuese”, duke thënë se Turqia dhe India do të jenë mes tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit