2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Dashuria e fëmijëve tanë ndaj profetit – Si ta mbjellim atë?

Më të lexuarat

Para fëmijëve tanë ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Përse duhet që ta duam të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem? Dhe duhet të mbërrijmë në mendjet e tyre, duke i bindur se çdo njeri i logjikshëm, i mirë, besimtar dhe i zgjuar duhet ta dojë të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, sepse ai është personi, i cili është bërë shkak për udhëzimin e botës drejt rrugës së drejtë

Në të vërtetë dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem është një themel i fesë dhe një parim i saj, pa të cilin besimi i njeriut nuk mund të funksionojë drejt dhe muslimani nuk mund ta neglizhojë atë. Ai nuk mund të tregohet i pavendosur në lidhje me të, sepse dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut është e lidhur ngushtë me dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar, për arsyen se Profeti sal-lallahu alejhi ue selem është i dërguari, i zgjedhuri dhe i ngarkuari i Allahut të Lartësuar. Kjo është një e vërtetë që kujdestarët e fëmijëve dhe prindërit e tyre duhet ta përsosin në artin e zbatimit të saj dhe duhet të përpiqen me sa të munden që të rrënjosin dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem në zemrat e bijve dhe bijave të tyre.

Për ta sqaruar me thellë këtë gjë na duhet të theksojmë disa pika të rëndësishme:

Së pari: Pozita e dashurisë ndaj Profetit sal-lallahu alejhi ue selem në legjislacionin e nderuar Islam.

Buhariu shënon nga Enesi radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Tri gjëra kush i ka, do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se gjithkush tjetër përveç tyre; kur ta dojë një njeri vetëm për Allahun dhe të urrejë që të kthehet në kufër, ashtu siç urren që të hidhet në Zjarr.”

Buhariu shënon nga Ebu Hurejre radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush prej jush nuk beson derisa të jem unë më i dashur për të se babai dhe fëmija e tij.”

Në Sahih përcillet nga Abdullah ibën Hishami, se ishim së bashku me të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, i cili kishte marrë për dore Omerin radijallahu anhu që i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti je më i dashur për mua se gjithçka tjetër, përveç vetes sime.” Profeti sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Jo, pasha Atë që ka shpirtin tim në dorën e Tij, derisa të jem më i dashur për ty se vetja jote.” Omeri i tha: “Tani ti je më i dashur për mua se vetja ime.” Profeti sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Tani po, o Omer.”

Te të dy Sahihët është shënuar nga Enesi radijallahu anhu, se një burrë shkoi tek i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kur është Kiameti?” Profeti sal-lallahu alejhi ue selem i tha: “Çfarë ke përgatitur për të?!” Tha: “Nuk kam përgatitur shumë vepra për të, veçse unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Profeti sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Robi do të jetë së bashku me atë që do.” Enesi thotë: “Nuk jemi gëzuar kurrë aq shumë me diçka, sesa u gëzuam me ato fjalë të Profetit sal-lallahu alejhi ue selem: “Robi do të jetë së bashku me atë që do.” Pastaj ai thotë: “Unë e dua të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, Ebu Bekrin dhe Omerin dhe shpresoj prej Allahut, që të më ringjallë së bashku me ta, edhe nëse nuk kam bërë vepra si të tyret.”

Allahu i Lartësuar e ka bashkangjitur dashurinë ndaj Profetit sal-lallahu alejhi ue selem, me dashurinë ndaj Tij në ajete të shumta kuranore, siç është thënia e Tij: “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin e Tij. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë njerëzit e prishur.” (Teube 24) dhe: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që t’ju dojë Allahu.” (Ali Imran 31).

Së dyti: Si ta prezantojmë dhe si t’i njohim fëmijët tanë me të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem?

Prindërit duhet t’ua prezantojnë fëmijëve të tyre të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem duke marrë në konsideratë këto mënyra:

1- Të tregohet kujdes për paraqitjen e personalitetit të të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, ashtu siç e ka sqaruar Kurani Famëlartë në thënien e Allahut të Lartësuar: “Ne të dërguam ty si dëshmues, përgëzuar, paralajmërues dhe thirrës për tek Allahu me lejen e Tij dhe si një pishtar ndriçues.” (Ahzab 46). Pra, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem është pishtari ndriçues dhe feneri rrezatues nëpërmjet të cilit Allahu ka udhëzuar të gjithë botën dhe i ka nxjerrë ata nga errësirat në dritë.

2- Të tregohet kujdes në ato pjesë të personalitet të tij, që nxjerrin në pah qenien e tij si shembull që duhet ndjekur, ndërkohë që i gjithë personaliteti i tij është një shembull dhe të vendoset theksi në faktin, se ai përfaqëson rrugën që shpresohet dhe shembullin që kërkohet për gjithkënd, që dëshiron të ketë sukses dhe shpëtim në këtë botë dhe në tjetrën.

3- Para fëmijëve tanë ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Përse duhet që ta duam të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem? Dhe duhet të mbërrijmë në mendjet e tyre, duke i bindur se çdo njeri i logjikshëm, i mirë, besimtar dhe i zgjuar duhet ta dojë të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, sepse ai është personi, i cili është bërë shkak për udhëzimin e botës drejt rrugës së drejtë, të vërtetës, dritës dhe besimit me mirësinë e Allahut të Lartësuar.

4- Vënia e theksit tek meritat e Profetit sal-lallahu alejhi ue selem dhe tek pozita e tij e lartë tek Zoti i tij, tek pozita e tij në mesin e profetëve, tek mirësia e tij në Ditën e Gjykimit, tek pozita e tij si ndërmjetësues dhe tek vendi që do të zërë në Xhenet. Po kështu vënia e theksit tek fjala e tij e shënuar tek të dy Sahihët, siç përcillet nga Ebu Hurejre radijallahu anhu se Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Jam dalluar nga profetët me gjashtë gjëra: Më janë dhënë fjalët gjithëpërfshirëse…”, që do të thotë se Profeti sal-lallahu alejhi ue selem është njeriu që përdor fjalët më prekëse dhe më domethënëse. Më tej Profeti sal-lallahu alejhi ue selem thotë: “Jam ndihmuar me frikën një muaj larg, më është lejuar plaçka e luftës, toka më është bërë e pastër dhe vend-falje, jam dërguar për të gjitha krijesat dhe me mua është vulosur vargu i profetëve.”

5- Sqarimi i përgëzimit që kanë dhënë profetët e mëparshëm për ardhjen e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, i dashurisë që kanë ata për të dhe pritja që i bëri Profeti sal-lallahu alejhi ue selem atyre në ngjarjen e Israsë dhe Miraxhit, si dhe sqarimi se ai është Profeti i fundit për vargun e tyre, se legjislacioni i tij ka shfuqizuar legjislacionin e tyre, por që ka përfshirë në tërësi të gjitha vlerat, mirësitë dhe udhëzimin që solli mesazhi i tyre –paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.

6- Vënia e theksit tek kuptimi i ndjekjes dhe i bidatit duke përdorur një metodikë të thjeshtë, duke e ripërsëritur herë pas here këtë domethënie.

Së treti: Disa metoda që mund të përdoren për të rrënjosur dashurinë ndaj Profetit sal-lallahu alejhi ue selem në zemrat e bijve dhe bijave tona:

1- Tregimi për mrekullitë e Profeti sal-lallahu alejhi ue selem

2- Tregimi për sjelljen e tij shembullore, për ndihmën që i jepte të shkelurve, për butësinë që tregonte ndaj të varfërve dhe porosinë e dhënë prej tij për jetimët.

3- Tregimi për butësinë, mëshirën dhe të qarën e tij, se ai është Profeti i vetëm që e ka ruajtur lutjen, që do të marrë përgjigje në Ditën e Gjykimit, nëpërmjet së cilës do të ndërmjetësojë për umetin e tij, siç është shënuar në Sahihun e Muslimit: “Çdo profet ka një lutje që merr përgjigje dhe secili prej tyre e ka shpejtuar atë lutje (në dynja), kurse unë e kam fshehur (ruajtur) lutjen time për të ndërmjetësuar për umetin tim në Ditën e Gjykimit.” Gjithashtu tregimi se ai është Profeti, që do t’i lutet Zotit të tij me fjalët: “O Zot! Umetin tim. O Zot! Umetin tim” , se ai është Profeti që do të qëndrojë në urën e Siratit në Ditën e Gjykimit dhe do të lutet për ta kur ta kalojnë me fjalët: “O Zot! Shpëtoji. O Zot! Shpëtoji.” Gjithashtu ai është profeti që qau nga malli për ne, kur ishte ulur së bashku me shokët e tij dhe tha: “Më ka marrë malli për vëllezërit e mi.” Ata thanë: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguari i Allahut?!” Tha: “Vëllezërit e mi janë ata që kanë besuar tek unë dhe nuk më kanë parë.” Kështu përcillet në disa tekste të vlerësuara si të mira nga dijetarët.

4- Tregimi për dashurinë që kishin sahabët për të Dërguarin e Allahut dhe sesi sakrifikonin për të, duke e ilustruar këtë me disa shembuj.

5- Mësimi përmendësh i fëmijëve i disa haditheve profetike dhe mësimi i traditës profetike prej tyre, duke ua bërë të qartë se ajo e ruan njeriun nga shejtanët e njerëzve dhe xhindeve.

6- Praktika e dy prindërve, metoda e tyre në ndjekjen e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe kujdesi i treguar prej tyre ndaj traditës profetike ka një ndikim të madh në edukimin e fëmijëve. Autori i librit: “Edukata islame” thotë: “Është shumë e thjeshtë të shkruash një libër për edukimin, po kështu edhe formulimi i një metodike të caktuar për të, por ai libër dhe ajo metodikë do të mbeten një bojë mbi letër, nëse nuk transformohen në një realitet që lëviz, nëse nuk transformohen në një njeri që e përkthen këtë edukatë nëpërmjet sjelljes së tij, në veprimet dhe ndjenjat e tij, në mendimet dhe parimet e tij. Vetëm atëherë kjo metodikë dhe këto kuptime do të mund të kthehen në një të vërtetë.”

Udhëzime të rëndësishme gjatë zbatimit:

1- Të tregohet kujdes për bindjen nëpërmjet përdorimit të metodës së diskutimit dhe pyetje-përgjigjes, pa u mjaftuar vetëm me metodën e diktimit.

2- Përdorimi i metodave që e bëjnë tregimin e historisë së Profetit sal-lallahu alejhi ue selem sa më tërheqëse, duke shtuar këtu përdorimin e metodave të shpërblimit dhe dhënies së dhuratave, si p.sh. pas mësimit përmendësh të disa haditheve ose diçkaje nga Suneti.

3- Përqendrimi në fitimin e kënaqësisë së të Dërguarit sal-lallahu alejhi ue selem, në sqarimin e shpërblimit të kësaj kënaqësie dhe përqendrimi tek takimi me të Dërguarin në Ditën e Gjykimit tek Hauzi, duke bërë gjithmonë dallimin në ndjesinë e fëmijës mes atyre që do t’i mirëpresë i Dërguari dhe atyre që do t’u drejtohet me fjalët: “Mjerë, mjerë…”

4- Ndihma e fëmijëve në veprat krijuese që kanë lidhje me dashurinë ndaj të Dërguarit sal-lallahu alejhi ue selem, siç është shkrimi i poezive, tregimeve, hytbeve, artikujve dhe nxitja e tyre për të bërë gara dhe konkurse me tematika që kanë të bëjnë me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem.

Nga arabishtja: Genc PLUMBI

revista Albislam nr. 79

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit