-2.1 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Dallimet ndërmjet femrës dhe mashkullit

Më të lexuarat

Të flasësh në shekullin e njëzetenjë për dallimet ndërmjet femrës dhe mashkullit tingëllon si ide absurde! Për disa, idetë e tilla tanimë janë vjetruar dhe kanë dalë jashtë mode. Në epokën e mesjetës, në periudhën e dominimit të burrave mbi gratë, ishte arritur në përfundimin se femra është gjini inferiore; se femra nuk është qenie e plotë njerëzore, se femra është një hallkë lidhëse mes kafshëve dhe njerëzve, se femra nuk e ka aftësinë për të jetuar një jetë të pavarur dhe të lirë, se ajo është e detyruar të jetojë nën patronazhin dhe kujdestarinë e mashkullit. Sot, argumentohet se këto spekulime janë plotësisht të pabaza dhe e vërteta është pikërisht e kundërta, pra femra është gjini superiore, kurse mashkulli është gjini inferiore dhe e paplotë. Pra kohët e fundit, është bërë një kthesë e plotë dhe bëhen përpjekje për të provuar me 1001 argumente të ndryshme se mashkulli është i papërsosur, inferior dhe i pavlerë dhe se femra është e përsosur dhe superiore. Në librin “Superioriteti natyror i grave”, të shkruar nga Ashley Montague,(1) autori dëshiron të provojë se femra është më e përsosur sesa mashkulli. Ky libër, për sa i përket paraqitjes së rezultateve të zbulimeve të mjekësisë, të psikologjisë apo të statistikave sociale, është shumë i vlefshëm, por kur shkrimtari dëshiron të nxjerrë konkluzionet në mbështetje të teorisë së tij, ai shkon në ekstreme të pakuptimta. Ky autor e paraqet femrën si një specie superiore ndaj mashkullit, ndërsa veçoritë dalluese të mashkullit i paraqet si rezultat të faktorëve historikë dhe socialë dhe jo si rezultat të faktorëve natyrorë.

Origjina e ideve

Çështja e dallimeve ndërmjet mashkullit dhe femrës nuk është shtruar për diskutim vetëm kohët e fundit. Kjo çështje është e vjetër të paktën dy mijë e pesëqind vjet. Ajo ishte diskutuar në të njëjtën formë në ‘Republikën e Platonit’.(2)

Teoria e Platonit:

Origjina e të gjitha ideve të reja që janë shtruar për shqyrtim në lidhje me femrën në shekullin e XX dhe XXI gjenden në mendimet e Platonit, që njihet edhe si babai i filozofisë. Platoni, në librin e pestë të ‘Republikës’ së tij, ka argumentuar në favor të kontrollit të shtetit mbi gratë dhe fëmijët, të privimit nga ana e shtetit të disa grave dhe burrave nga e drejta e tyre për t’u riprodhuar, dhe të caktimit nga ana e shtetit të së drejtës për t’u riprodhuar vetëm atyre që kanë cilësi posaçërisht të shkëlqyera dhe veçanërisht superiore. Ai më tej kishte nxitur në favor të dispozitës ligjore ku arsimi dhe edukimi i fëmijëve të bëhej jashtë ambientit familjar dhe në favor të lejimit të riprodhimit vetëm gjatë disa viteve të caktuara të jetës së burrave dhe të grave, në moshën në të cilën ata do të ishin më vitalë dhe më energjikë. Platoni, pohon, me terma të qartë, se gratë dhe burrat zotërojnë aftësi të ngjashme, se gratë mund t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë të cilat u janë ngarkuar burrave dhe se ato përfitojnë të gjitha të drejtat që gëzojnë burrat. Ai ishte i mendimit se edhe femrat duhet të stërviten ushtarakisht të njëjtën mënyrë si burrat. Platoni e pranon se gratë nga pikëpamja e fuqive fizike, shpirtërore dhe mendore janë më të dobëta sesa meshkujt, pra ai e pranon dallimin ndërmjet grave dhe burrave për sa i përket sasisë, por jo edhe për sa i përket cilësisë së talenteve të tyre. Platoni e falënderon Zotin për të qenët e tij mashkull dhe jo femër.

Teoria e Aristotelit:

Aristoteli, nxënësi i Platonit, në librin e tij ‘Politika’(3), shprehu idetë e tij në lidhje me dallimet ndërmjet grave dhe burrave dhe e kundërshtoi me forcë mësuesin e tij, Platonin. Aristoteli mendonte se dallimi ndërmjet burrave dhe grave nuk është vetëm në sasinë e aftësive të tyre, por edhe në cilësi. Ai thoshte se natyra e aftësive të femrës dhe të mashkullit është e ndryshme dhe se funksionet të cilat ligji i krijimit i ka vendosur te secili prej tyre dhe të drejtat të cilat u janë caktuar atyre janë të ndryshme në shumë aspekte. Pikëpamjet e Aristotelit ia zunë vendin pikëpamjeve të Platonit në botën e lashtë dhe mendimtarët që erdhën pas tyre u dhanë përparësi pikëpamjeve të Aristotelit ndaj atyre të Platonit.

Dallimet ndërmjet gjinive në dritën e shkencës bashkëkohore

Në botën e lashtë, burrat dhe gratë vlerësoheshin thjesht mbi bazën se njëri ka një trup më të madh dhe tjetri më të vogël, njëri është më i ashpër dhe tjetri më delikat, njëri është më i lartë dhe tjetri më i shkurtër, njëri ka një zë më të fortë dhe tjetri më të butë. Mashkulli konsiderohej si simbol i intelektit dhe femra simbol i ndjenjave të butësisë dhe të dhembshurisë. Bota moderne nuk mbështetet thjesht mbi supozime dhe hamendje. Në dritën e zbulimeve dhe përparimeve moderne në shkencën e biologjisë, të fiziologjisë, të psikologjisë dhe të sociologjisë mes burrave dhe grave janë zbuluar dallime të shumta. Në to nuk ka trillime apo spekulime, por fakte të pakundërshtueshme dhe të vërteta shkencore. Këto dallime janë bërë më të qarta dhe janë dokumentuar më mirë dhe është zbuluar që ky dallim nuk është një ndryshim i thjeshtë në organet përbërëse, por se ai ka efekt në strukturën e tyre themelore fizike dhe shpirtërore. Është zbuluar se bota e femrave dhe e meshkujve ndryshon në shumë aspekte dhe se këto dallimeve janë aq të qarta dhe të dukshme sa që është e pamundur që të mohohen.

Dallimet fizike:

Mashkulli, zakonisht, është më shtatlartë, ndërsa femra më e shkurtër; mashkulli është më i ashpër, ndërsa femra më delikate; mashkulli ka një zë më të fortë dhe ton më të ashpër, ndërsa femra ka një të folur më të butë dhe një zë më të ëmbël; zhvillimi i trupit të një femre bëhet më shpejt se sa zhvillimi i trupit të mashkullit, përgjithësisht fetusi i një vajze zhvillohet më shpejt se ai i një djali. Zhvillimi i muskujve dhe forca e trupit të një mashkulli është më e madhe se ajo e një femre. Fuqia rezistuese e një femre ndaj shumë sëmundjeve është më e madhe sesa e një mashkulli. Femra e arrin moshën e pjekurisë seksuale më herët se mashkulli dhe bëhet joproduktive më shpejt sa i përket aftësisë riprodhuese. Një femër fillon të flasë më herët se sa një mashkull. Truri normal i një mashkulli është më i madh se sa truri normal i një femre, por në krahasim me madhësinë proporcionale të organeve të tyre, truri i një femre është më i madh se ai i një mashkulli. Mushkëritë e një mashkulli kanë kapacitet për të thithur më shumë ajër se mushkëritë e një femre. Rrahja e zemrës së një femre është më e shpejtë sesa ajo e mashkullit.(4) Në pjesën e katërt të librit “The pleasures of Philosophy”, nën titullin “Dashuria”, Will Durant shkruan: “Në moshën e pubertetit, dashuria këndon qartë këngën e saj të parë… Mbirja e menjëhershme e qimeve së bashku me trashjen e zërit është në mesin e ‘tipareve seksuale sekondare’ që i shfaqen mashkullit në moshën e pjekurisë, ndërsa natyra e lulëzimit të vajzës sjell përvijime të buta që joshin syrin, komblik të zgjeruar që lehtëson lindjen dhe gjoks të fryrë që shërben për të ushqyer fëmijën.” “…Kur vjen mosha e pubertetit, qelizat riprodhuese fillojnë të prodhojnë jo thjesht vezët dhe spermatozoidet, por edhe disa `hormone; të cilat kalojnë në gjak dhe shkaktojnë një transformim fizik dhe psikik.”(5)

Dallimet psikologjike:

Mashkulli ka një preferencë më të madhe për ushtrimet dhe punët fizike, sesa femra. Ndjenjat e mashkullit janë sfiduese dhe luftarake, ndërsa ndjenjat e femrës janë paqësore. Mashkulli është më agresiv, ndërsa femra është më e qetë dhe më e butë. Një femër përmbahet nga marrja e veprimeve drastike, dhe kjo është arsyeja për numrin më të vogël të vetëvrasjeve te gratë sesa te burrat. “Natyra e femrës është që të kërkojë strehë në vend të luftës dhe, në disa specie, femrat janë pothuajse krejtësisht pa instinktin e qëndrimit luftarak. Kur ajo lufton drejtpërsëdrejti, ajo lufton për fëmijët e saj.”(6) Ndjesitë e femrës ngjallen më shpejt se sa ato të një mashkulli. Femra reagon më shpejt, ndërsa mashkulli është më gjakftohtë. Femra priret në mënyrë të natyrshme më tepër se një mashkull drejt dekorimit, stolisjes, zbukurimit, hijeshimit dhe veshjes. Ndjenjat e femrës janë më të paqëndrueshme sesa ato të një mashkulli. Femra është më e kujdesshme, më e turpshme dhe më formale sesa mashkulli. Femra është më e lidhur me

familjen dhe vëmendja e saj është e drejtuar në mënyrë të

nënvetëdijshme më shumë sesa mashkulli drejt rëndësisë së shtëpisë.

Në aktivitetet që bazohen mbi arsyetimin, si dhe në problemet e thella intelektuale, femra nuk mund të barazohet me mashkullin, por në letërsi, pikturë dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me estetikën, ajo nuk mbetet pas mashkullit. Mashkulli ka më shumë aftësi për të ruajtur një sekret sesa femra.(7)

Dallimet në ndjenjat ndaj njëri-tjetrit: Mashkulli dëshiron ta marrë në zotërim femrën dhe të ketë pushtet ndaj saj, ndërsa femra dëshiron të pushtojë zemrën e mashkullit dhe të mbizotërojë tek ai përmes zemrës së tij. Mashkulli dëshiron ta zotërojë femrën përmes kokës së saj, ndërsa femra dëshiron të ndikojë te mashkulli përmes zemrës së tij. Femra është në gjendje t’i kontrollojë shtytjet e saj seksuale më shumë sesa mashkulli. Femra dëshiron të shohë trimërinë dhe guximin te mashkulli, ndërsa mashkulli dëshiron që të shohë hijeshinë dhe bukurinë te femra.

Synimi i ligjit të krijimit

Disa njerëz insistojnë se dallimi ndërmjet burrave dhe grave në përbërjen e tyre fizike dhe psikike pasqyrohet në mënyrë të tillë sikur femrat të jenë të papërsosura, ndërsa meshkujt të jenë relativisht të përsosur. Kurdo që shqyrtohet ndryshimi i karakteristikave dhe i natyrës së lindur të grave dhe të burrave, një pjesë e njerëzve e interpretojnë këtë si mangësi të femrës dhe përsosmëri të mashkullit dhe si diçka që kërkon një sërë përfitimesh për mashkullin dhe një sërë privimesh për femrën, duke harruar se nuk është duke u shqyrtuar mangësia dhe përsosmëria. Skema e krijimit nuk ka synuar të krijojë njërin të përsosur dhe tjetrin të papërsosur. Situata është krejtësisht e kundërta. Indiferenca ndaj prirjeve natyrore dhe të bashkëlindura të femrës ka shkaktuar shkeljen e të drejtave të saj. Menstruacionet e saj mujore, papërshtatshmëria e saj gjatë shtatzënisë, vështirësitë e punës dhe rritjes së fëmijëve, të gjitha këto e vendosin femrën në një situatë ku ajo të jetë nën mbrojtjen e mashkullit, të ketë më pak përgjegjësi dhe më shumë të drejta. Kjo gjë nuk është e kufizuar vetëm për qeniet njerëzore: të gjitha kafshët që jetojnë në çifte sillen në këtë mënyrë. Në të gjitha këto lloje speciesh, mashkulli instinktivisht ngrihet për të mbrojtur partneren e tij femër. Megjithatë, këto dallime në asnjë mënyrë, nuk ndikojnë në çështjen nëse femra apo mashkulli është gjini superiore dhe nëse gjinia tjetër është më e ulët, inferiore apo e papërsosur. Ligji i krijimit i solli këto ndryshime në mënyrë që ta bëjë marrëdhënien e mashkullit dhe femrës brenda familjes më të fortë dhe themelin e unitetit të tyre më të sigurt. Ligji i krijimit i planifikoi këto dallime në mënyrë që të paracaktojë të drejtat dhe detyrat e grave dhe ato të burrave. Në fakt, dallimet ndërmjet burrave dhe grave nuk janë çështje e papërsosurisë apo e përsosurisë. Qëllimi i ligjit të krijimit është që këto dallime të jenë burim i një marrëdhënie më të mirë midis grave dhe burrave, të cilët pa dyshim janë krijuar për të jetuar së bashku.

Kryevepra e krijimit

Mashkulli dhe femra janë të barabartë në të qenët e tyre njerëz, por ata janë qenie me dy lloje karakteristikash dhe dy lloje psikologjish të ndryshme nga njëri-tjetri. Ky ndryshim nuk është rezultat i faktorëve gjeografikë, historikë apo socialë, por është skicuar në vetë planin e krijimit dhe çdo hap që ndërmerret kundër natyrës dhe natyrshmërisë, detyrohet të përballet me pasoja të padëshirueshme. Ligji i krijimit e ka krijuar dhe ndërtuar mashkullin dhe femrën sipas një modeli të tillë që ata të lidhen dhe ta kërkojnë njëri ¬tjetrin. Secili prej tyre dëshiron mirëqenien dhe komoditetin e tjetrit dhe është i lumtur që të vetëpërmbahet dhe sakrifikojë për hir të tjetrit. Të dyja gjinitë janë bërë me dëshirën për të jetuar së bashku dhe, për ta bërë planin krejtësisht praktik, mes tyre janë vendosur dallime të veçanta fizike dhe mendore, në mënyrë që trupat dhe shpirtrat e tyre të mund të bashkohen më mirë. Këto dallime janë burim i tërheqjes reciproke dhe ato janë dizajnuar në mënyrë të tillë që mashkulli dhe femra të ndiejnë dashuri për njëri-tjetrin dhe jo thjesht pasion. Lidhja e dashurisë e cila përbën bazën e unitetit të mashkullit dhe të femrës është më e madhe sesa pasioni. Kurani i shenjtë e përmend këtë me emrin “meveddeh” (dashuri) dhe “rahmet” (mëshirë). “Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që t ë gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Er Rrum, 21).

Nëse kihet parasysh prirja e lindur natyrore e të dy gjinive dhe nëse mbahet në mendje barazia e tyre në të qenët e tyre qenie njerëzore dhe në të drejtat e përbashkëta të njerëzimit, atëherë femra do të gjendet në një pozitë shumë të favorshme. Femra dhe mashkulli janë dy yje në dy orbita të ndryshme. “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Ja Sin, 40).

Ekziston një pajtim i plotë mes urdhrave të Kuranit dhe ligjeve të natyrës. Këta dy libra madhështorë të Zotit, njëri i përpiluar dhe tjetri i krijuar, përputhen me njëri-tjetrin. Kushti themelor për lumturinë e mashkullit dhe të femrës është që secili prej të dy gjinive të vazhdojë të lëvizë në orbitën e vet. Liria dhe barazia do të ishte në dobinë e tyre për sa kohë që asnjëri prej tyre nuk do të largohej nga orbita dhe drejtimi i tij apo i saj natyror.

______________________________

1. Ashley Montagu, The Natural Superiority of Women, 5th Edition, (New York: AltaMira Press, July 1999).

2. Plato, The Republic, translated by Benjamin Jowett, (Digireads.com Publishing, 2008).

3. AriSlotle, Politics, translated by Benjamin Jowett, (Batoche Books, Kitchener, 1999).

4. Murtaza Mutahhari, The rights of women in Islam, (Tehran, Iran: World Organization for Islamic Services, 1981), 104.

5. Will Durant, The Pleasures of Philosophy: A Survey of Human Life and DeSiiny, (New York: Simon and Schusler, 1953), 107-108.

6. Will Durant, The Pleasures of Philosophy: A Survey of Human Life and De,sqiny, (New York: Simon and Schusler, 1953), 119.

7. Murtaza Mutahhari, The rights of women in Islam, (Tehran, Iran: World Organization for Islamic Services, 1981), 104.

Mimoza Sinani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit