0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Çmimi i energjisë dhe tregu i veturave elektrike

Më të lexuarat

Electric vehicle changing on street parking with graphical user interface, Future EV car concept

Kriza globale energjetike e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës po ndikon edhe tregun e veturave elektrike. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kostoja e funksionimit të veturave elektrike po u afrohet atyre që operojnë me karburant. Sipas ekspertëve, kjo mund të vonojë tranzicionin nga veturat me karburant tek ato elektrike.

Një nga argumentet më të forta në favor të veturave elektrike ka qenë kostoja e ulët e operimit të tyre krahasuar me ato që funksionojnë me karburant. Deri më tani, mendohej se kostoja e mbushjes të veturave elektrike ishte shumë më e ulët se mbushja e atyre që operojnë me benzinë ose naftë.

Për shkak të krizës globale të energjisë, kostoja e energjisë elektrike në Britani është tetëfishuar që nga shkurti, thotë Zyra e Tregut të Karburantit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).

Si në pikat publike të mbushjes në rrugë, autostrada dhe qendra tregtare, ashtu edhe në shtëpi, mbushja e një veture elektrike ka qenë gjithnjë e më i shtrenjtë këtë vit.

Sipas kompanisë “RAC”, kostoja e mbushjes së veturave elektrike u rrit me 42 për qind që nga maji në Britani.

“Në disa nga pikat më të sofistikuara, mbushja me energji elektrike mund të kushtojë më shumë sesa mbushja e një veture me naftë ose benzinë. Një nga arsyet e rritjes eksponenciale të shitjeve të veturave elektrike ka qenë kostoja më e ulët e operimit të tyre”, thotë Jim Holder nga kompania Haymarket Automotive.

Ai thekson se mbushja e një veture elektrike në shtëpi do të vazhdojë të jetë më i lirë se mbushja me benzinë ose naftë, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë.

“Çmimi i veturave elektrike është i lartë, por ju mund përfitoni nga masa të ndryshme stimuluese, si lehtësimet tatimore dhe kostoja me e ulët e funksionimit të tyre. Nëse e mbushni veturën elektrike në shtëpi, tani është pothuajse e sigurt që do të paguani më pak sesa për mbushjen e një veture që funksionon me benzinë ose naftë. Por sigurisht, nëse përdorni pikat publike të mbushjes me shpejtësi të lartë, atëherë kostoja do të jetë shumë më e lartë”, tha ai.

Problemet nuk ndalojnë këtu.

Për shkak se kriza e energjisë mund t’i shkurajojë njerëzit të blejnë vetura elektrike, kjo mund të ngadalësojë edhe tranzicionin e tregut drejt veturave elektrike.

“Mendoj se vështirësia reale është se kompanitë e prodhimit të veturave duhet të vazhdojnë të shesin vetura elektrike në shifra shumë të larta për të qenë në gjendje të krijojnë tregun e veturave të përdorura, që më pas do t’u krijonte mundësitë për blerje të këtyre llojeve të veturave edhe familjeve me të ardhura më të ulëta. Ky është rreziku real. Çdo pauzë tani nuk po vonon vetëm tranzicionin në një afat të shkurtër, por edhe krijimin e një inventari të veturave elektrike me çmime më të përballueshme”, theksoi Holder.

Sipas një sondazhi të organizatës “AA”, 63 për qind e 12,500 shoferëve të pyetur thanë se rritja e çmimeve të energjisë do t’i pengonte ata nga blerja e një veture elektrike./VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit