Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu të dhëntë sukses! Cila është këshilla juaj lidhur me numrin e madh të njerëzve të cilët vonohen për namazin e sabahut?
Përgjigje: Ata duhet ta kenë frikë Allahun -azze ue xhel- dhe të ngrihen për namazin e sabahut me xhemat. Pas namazit le të kthehen për të fjetur dhe për të pushuar e të mos braktisin namazin me xhemat e të bëhen përtaca për shkak të gjumit.
Në një hadith të gjatë profeti ﷺ pa në ëndërr një njeri të cilit ia thyenin kokën me gur, sa herë që e godisnin, koka iu kthehej në formën që ishte.
Ai ﷺ e pyeti Xhibrilin për këtë.
Xhibri i tha: “Këta janë prej atyre që u është rënduar koka për faljen e namazit të sabahut.”1
Allahut i kërkojmë ndihmë. Po.
1 Hadithi është i dobët sipas shejkh Albanit në Daif Tergib ue Terhib (2122).
Ndërsa janë disa hadithe autentike të ngjashëm me hadithin e sipërm, si p.sh:
Tregon Semurah ibn Xhundub -radijAllahu anhu- në një hadith të gjatë, profeti ﷺ përmendi një ëndërr që kishte parë dhe tha:
“Kështu vazhduam derisa arritëm te një burrë i shtrirë në tokë ndërsa një burrë tjetër i qëndronte te koka me një gur apo copë shkëmbi duke ia thyer kokën burrit të shtrirë me atë gur. Sa herë që e godiste, guri rrokullisej e ai shkoi ta marrë gurin, ndërkohë që po kthehej, koka iu kthye në formën që ishte. Burri erdhi dhe e goditi përsëri (dhe kështu vazhdonte).”
Kah fundi i hadithit profeti ﷺ tha:
Ata dy më thanë: “Burrit të cilit ia thyenin kokën, ai ishte njeriu të cilit Allahu ia mësoi Kuranin, por ai flinte natën e nuk e recitonte atë (nuk falte namaz nate) dhe ditën nuk vepronte sipas tij. Kështu do të dënohet deri ditën e kiametit!”
Transmeton Bukhari (1386).
Tregon Semurah ibn Xhundub -radijAllahu anhu- në një hadith të gjatë, profeti ﷺ përmendi një ëndërr që kishte parë dhe tha:
“Kaluam pranë një burri të shtrirë në tokë ndërsa një burrë tjetër i qëndronte te koka me një shkëmb në dorë, e godiste me shkëmb në kokë e atij iu çahej koka. Shkëmbi rrokullisej e ai shkonte dhe e merrte shkëmbin përsëri, nuk kthehej te ai derisa koka e tij ishte shëruar ashtu siç ishte, pastaj kthehej te ai dhe vepronte sikurse veproi herën e parë.”
I thashë atyre dyve: “Subhan Allah! Kush janë këta dy?”
Ata më thanë: ”Vazhdo më tutje!”
Kah fundi i hadithit profeti ﷺ tha:
Ata më thanë: “Ne do të tregojmë. Sa i përket burrit të parë që iu afruam dhe që i çahej koka me gur, ai ishte njeriu që i erdhi Kurani por e refuzoi atë dhe fjeti në kohën e namazit të obliguar.”
Transmeton Bukhari (7047).
Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com