-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Cila është dispozita e Forexit në Islam?

Më të lexuarat

Forex platformat për këmbimin valutor online janë të ndaluara nga perspektiva fetare islame, për shkak të natyrës së tyre që nuk përputhet me tregtinë e vërtetë, por më shumë me një formë të basteve. Edhe verzionet që pretendojnë të jenë “Forex Islamik” ose “Broker Halal” nuk ofrojnë tregti të mirëfilltë dhe konsiderohen të ndaluara.

 Kjo ndalesë bazohet në faktin se në platforma të tilla nuk kryhet një shkëmbim real i valutave, por më shumë një bast për lëvizjen e çmimit të tyre. Kur një tregtar bën tregti në EUR/USD, ai nuk merr fizikishtë USD, por thjesht parashikon nëse çmimi i kursit do të rritet apo ulet. Në këtë proces, algoritmi i platformës mbështet një lloj loje bastesh, dhe tregtia e vërtetë nuk ndodh.

 

Një nga Argumentet kryesore për këtë është se tregtarët nuk mund të tërheqin valutën që mendojnë se kanë shkëmbyer. Në realitet, çdo balancë dhe përfitim duhet të konvertohet në valutën që kanë depozituar në fillim. Në këtë kuptim, Forex-i nuk ka asnjë ndikim në kursin e vërtetë valutor në bursat ndërkombëtare.

 

Edhe nëse hipotetikisht pranojmë se Forex-i është një platformë për tregti reale dhe këmim valutor, ekzistojnë sfida të tjera nga këndvështrimi fetar:

 

  1. Këmbimi duhet të jetë “on spot”: Kjo do të thotë që çdo këmbim duhet të ndodhë menjëherë dhe nuk lejohet asnjë lloj vonese në dorëzimin ose pranimin e valutave.
  2. Kontratat e së ardhmes (futures) dhe opsionet: Islamikisht nuk lejohen këmbime që parashikojnë të ardhmen, ku nënshkruhen kontrata për një shkëmbim që do të kryhet më vonë.
  3. Huazimi me përfitim: Një tjetër problem është se platforma Forex shpesh ofron hua, por detyron tregtarët të kryejnë transaksione brenda saj për të përfituar nga komisionet. Kjo konsiderohet e ndaluar sepse huadhënësi nuk duhet të përfitojë në mënyrë të tërthortë nga një hua, siç do të ndodhte në rastin e një huaje që lidhet me një kontratë tjetër.
  4. Leverage dhe kamata: Leverage (ndihma e ofruar nga platforma për të rritur vlerën e tregtisë) dhe kamata e qëndrimit gjatë natës janë gjithashtu të ndaluara në Islam.

Një sqarim shtesë: Disa argumentojnë se nëse transaksionet Forex bëhen “on spot”, pa leverage dhe pa kontrata të së ardhmes, atëherë ato mund të jenë të lejuara. Megjithatë, në realitet, gjithçka që ndodh në këto platforma është një aktivitet digjital i pamaterializuar. Një shembull i thjeshtë është se edhe kur krijon një llogari demo në Forex, mund të kryesh shkëmbime dhe të fitosh apo humbësh para, por nuk do të quhej kurrë tregti e vërtetë, pasi është vetëm një simulim. Në të njëjtën mënyrë, Forex-i, edhe kur nuk është demo, mbetet një simulim i tregtisë së vërtetë.

 

Prandaj, në Forex nuk është fare nevoja të diskutohet në mënyrë të detajuar rreth faktit nëse përdoren kontratat Futures & Options apo Leverage 1:1 apo 1:100, sepse këto çështje janë të parëndësishme përderisa vet platforma është e ndaluar.

 

Përmbledhtazi, Forex-i është thjesht një formalitet dhe nuk përfaqëson një realitet tregtar. Në këtë platformë nuk kryhet tregti e vërtetë. Askush nuk merr dollarë, franga apo ndonjë valutë tjetër në pronësi të tij. Në vend të kësaj, individët thjesht investojnë një shumë parash për të bastuar se si do të lëvizë çmimi i valutave në bursat ndërkombëtare. Në këto platforma, nuk ka shkëmbim të vërtetë valutor, siç ndodh në tregjet e kriptovalutave apo në bursat e aksioneve, ku mund të zotërosh dhe transferosh një aset real.

 

Forex-i funksionon përmes një algoritmi që duket si tregti, por në realitet është vetëm një simulim. Për shembull, nëse blen YUAN në Forex, nuk mund ta përdorësh atë për të bërë pagesa reale në Kinë, sepse nuk e ke blerë vërtet YUAN-in, por ke vënë një bast për kursin e tij në bursën ndërkombëtare.

 

Ref :

 

Tregu virtual i këmbimit monetar Forex | H. Genc Plumbi https://youtu.be/6bWsaro5rek?si=7d4jbXj-MOeyIqLO

https://shariyah.net/wp-content/uploads/2021/06/Retail-Forex-Trading-Views-from-the-front-lines-of-Islamic-Finance-Dis.pdf 

 

 

Hoxhë Llokman Hoxha

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit