6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Çfarë është vdekja e papritur dhe çfarë thuhet për vdekjen e papritur?

Më të lexuarat

Vdekja e papritur

Vdekja e papritur është përmendur nga Profeti alejhi selam në disa hadithe.
Prej tyre është një hadith që tregon për qëllimin e shfaqjes së kësaj dukurie kur thotë:
“Vdekja e papritur është marrje zemërimi”
E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
▪Dhe prej tyre është një hadith që flet për të si dukuri e shpeshtë e  kohës së fundit kur thotë:
“Prej shenjave të afrimit të Orës së Fundit të Dynjasë është: Hëna e re të duket si hënë dy ditëshe, xhamitë të merren rrugë kalimi dhe të shfaqet vdekja e papritur”
E transmeton Taberani dhe e saktëson sheikh Albani.

Çfarë është vdekja e papritur?
Ibn El-Ethir thotë: “Vdekja e papritur është ajo vdekje që vjen në befasi pa i paraprirë ndonjë shkak”.
▪Allahu i madhëruar i ka bërë vdekjes disa shkaqe të cilat paralajmërojnë se njeriu i është afruar exheli si:
1- Sëmundjet vdekjeprurëse.
2- Situatat e vështira të cilat njeriu e di se nuk del dot i gjallë prej tyre.
3- Pleqëria e thellë dhe tretja e trupit etj.
Vdekja që vjen për rrjedhojë të këtyre shkaqeve është vdekje e pritshme dhe njeriu edhe pse nuk e di momentin e tij të fundit, ama e di se është afër saj.
▪Përveç këtyre  rasteve ka edhe raste kur njeriut i vjen vdekja dhe ai nuk e pret atë si:
1- Vdekjet e aksidenteve rrugore, ajrore apo ato që vijnë nga zjarri dhe uji etj.
2- Vdekja që vjen nga problemet e çastit të disa pjesëve delikate të trupit si zemra apo truri të cilat shkaktojnë vdekje të menjëhershme.
3- Vdekje që vijnë nga sulme të papritura të njeriut, apo kafshëve.
4- Vdekjet që vijnë nga dukuritë natyrore si: tërmetet, vullkanet, përmbytjet etj.

Çfarë thuhet për vdekjen e papritur?
▪Thamë se Profeti alejhi selam ka thënë: “Vdekja e papritur është marrje zemërimi” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
▪El-Kadi El- Bejdaui (dijetar i vdekur në vitin 685 H) thotë: Kuptimi i hadithit është se vdekja e papritur është pasojë e zemërimit të Allahut me njeriun, sepse Ai nëse e merr atë në befasi, nuk i le atij mundësi të përgatitet për botën tjetër me teube, por e merr si popujt e hershëm, gjynahqarë dhe të prishur siç thotë Allahu i madhëruar: “Ne i morëm ata në befasi dhe ata menjëherë mbeten në huti, të pashresë” sure El-En’am: 44.
▪Pra, vdekja e papritur është për shkak të zemërimit të Allahut me njeriun kur ai i kalon kufijtë e tij, mirëpo kjo vdekje mund ti ndodhë edhe njerëzve besimtarë siç tregon Aishja radiallahu anha se një burrë e pyeti Profetin alejhi selam: “Nëna ime vdiq papritur dhe nëse do kishte mundësi të fliste do të kishte dhënë sadaka. Atëherë, a të japë unë sadaka për të? Ai i tha: Po” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
▪Ky hadith sipas titullit qe i ka vënë imam Buhariu tregon se vdekja e papritur mund t’i ndodhë edhe besimtarëve siç ndodhi me këtë grua besimtare dhe Profeti alejhi selam e pranoi sugjerimin e birit të saj për të dhënë sadaka, gjë e cila nuk tregon zemërim.
▪Bashkimin mes këtyre haditheve e ka bërë Ibn Mes’udi -radiallahu anhu- i cili thotë: “Vdekja e papritur është mëshirë për besimtarin dhe zemërim mbi njeriun e prishur” e transmeton Ibn Ebij Shejbe.
Pra, vdekja e papritur është sipas kategorisë së njeriut:
1- Është mëshirë për besimtarin sepse vdekja e pritur ka mundin dhe vështirësitë e saj siç thoshte Profeti alejhi selam në momentet e tij të fundit: “La ilahe il-l-allah! Më të vërtetë vdekja ka kllapi nga dhimbjet” e transmeton Buhariu. Kështu Allahu e çliron atë nga vuajtjet dhe vështirësitë e saj.
2- Është zemërim mbi jobesimtarët dhe të prishurit sepse nuk u le mundësi për pendim siç e përmendëm më lart.

 

Dr. Abdullah Nabolli

The post Çfarë është vdekja e papritur dhe çfarë thuhet për vdekjen e papritur? appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit