Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Asambleja e Juristëve Muslimanë të Amerikës, në sesionin e saj të dytë, të mbajtur në qytetin e Kopenhagenit në Danimarkë, nga data 4 deri në 7 të muajit Xhumade el-Ula të vitit 1425 hixhri – që përkon me 22-25 qershor të vitit 2004 – pasi shqyrtoi studimet e paraqitura nga anëtarët dhe ekspertët e Asamblesë mbi temën “Blerja e shtëpive nëpërmjet financimit me kamatë” dhe pas diskutimeve të zgjeruara për këtë temë, mori vendimet si më poshtë:
Së pari: Ritheksojmë atë që kanë përcaktuar argumentet përfundimtare të Sheriatit, në lidhje me ndalimin e të dy llojeve të kamatës: kamatës së vonesës[1] dhe kamatës së shtesës[2], dhe se interesi i bankave është kamatë e ndaluar, gjë e cila është sanksionuar nga të gjitha komisionet e fetvasë dhe akademitë e jurisprudencës në të gjithë botën islame.
Së dyti: Ripohojmë se huaja me kamatë, në thelb, nuk lejohet, përveçse në rastet e domosdoshmërisë që janë pranuar nga ligji islam, njëlloj si të gjitha ndalimet e tjera të qarta në Sheriat, të cilat merren parasysh sipas kushteve të përcaktuara nga dijetarët:
- Që rreziku të jetë aktual dhe real, jo i supozuar (që mund të ndodhë), duke qenë kështu një rrezik i mirëfilltë për fenë, jetën, mendjen, pasardhësit apo pasurinë e individit.
- Që të jetë zgjidhje (për shkak të nevojës), pasi personit të detyruar i rrezikohet jeta, ose mund të humbasë ndonjë gjymtyrë të trupit, ose kjo e fundit mund të mos kryejë më funksionin e saj, nëse nuk e kryen këtë ndalesë.
- Që të mos gjejë ndonjë mënyrë tjetër për ta larguar rrezikun, përveç përdorimit të ndalesës.
Kushdo që gjendet në situatë domosdoshmërie duhet të orientohet dhe të konsultohet me dijetarë, tek të cilët ka besim për fenë dhe njohurinë e tyre, në mënyrë që të vlerësojnë saktë masën e domosdoshmërisë.
Së treti: Nevojat njerëzore marrin gjykimin e domosdoshmërisë në lejimin e të ndaluarës, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
- Nevoja të jetë reale në kuptimin e saj fetar, që do të thotë largim i dëmit dhe i pafuqisë që pengojnë veprimtarinë; sjellin çrregullime në çështjet ekonomike dhe u mundësojnë njerëzve të vazhdojnë jetën normale. Nevoja nuk duhet të jetë thjesht një dëshirë për luks apo përmbushje kënaqësish.
- Të mungojnë alternativat e ligjshme, pra kur harami është ai që mbizotëron, ndërsa rrugët e hallallit janë të kufizuara; përndryshe, duhet bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje të lejuar. Ndër këto alternativa është edhe marrja me qira, sa herë që kjo është e mundshme.
- Të mjaftohet vetëm me aq sa e kërkon nevoja, pasi çdo gjë përtej kësaj, që lidhet me luks, kënaqësi ose shtim financash, është e ndaluar.
- Të mungojë mundësia për t’u zhvendosur në vende të tjera, ku mund të ofrohet një alternativë e ligjshme.
Së katërti: Bazuar në sa më sipër, norma bazë sheriatike mbetet se, personit që nuk mund të zotërojë një shtëpi nëpërmjet një mënyre legjitime (pa kamatë ose pa transaksione të dyshimta), i takon të zgjedhë rrugën e qirasë, pasi është më mirë për të sesa të bjerë në kamatën që Zoti dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar.
Së pesti: Nëse qiraja paraqet një vështirësi të madhe dhe mundim të qartë për disa njerëz – për shkaqe që lidhen me numrin e anëtarëve të familjes, mungesën e një shtëpie mjaftueshëm të madhe me qira, kostot e larta të saj ose për rrethana të tjera bindëse – atyre mund t’u lejohet të zotërojnë banesë në këtë mënyrë (me kredi), duke iu referuar kushteve të përmendura më parë dhe pasi të konsultohen me dijetarët për të përcaktuar masën e nevojës dhe mundësinë e gjetjes së saj.
Së gjashti: Theksojmë atë që kanë pohuar të gjitha akademitë islame shtetërore dhe të pavarura, lidhur me nevojën për të punuar që të ofrohen alternativa islame në financimin e banesave: ose përmes krijimit të institucioneve financiare islame, që është zgjidhja më e mirë, më e pranuar te Zoti i Plotfuqishëm dhe më e dobishme për fenë dhe njerëzit; ose duke bindur bankat perëndimore që të bëjnë ndryshime në kontratat e tyre me komunitetin musliman, në mënyrë që të jenë në përputhje me dispozitat e ligjit islam, derisa të ofrohen alternativat e kërkuara islame, gjë që është e arritshme në këto shoqëri.
Së shtati: U bëjmë thirrje njerëzve të pasur në botën islame që të hartojnë projekte investimi – për të cilat Zoti do t’i shpërblejë në këtë botë dhe në botën tjetër – që u ofrojnë mundësi strehimi myslimanëve që jetojnë në shoqëritë perëndimore, përmes një prej formulave të njohura sheriatike të pjesëmarrjes: murabaha[3], kontratë ndërtimi, qira që përfundon me pronësi ose të ngjashme me këto, gjithmonë brenda rregullave të Sheriatit. Këta investitorë duhet të mos e teprojnë me fitimet e tyre, në mënyrë që të mos krijojnë pengesa që i largojnë njerëzit nga bashkëpunimi me institucionet financiare islame, duke ua prishur mendimin pozitiv për to, sa herë që u kërkohet të jenë pjesë e tyre, apo ka gjasa që ato të realizohen.
Allahu i Plotfuqishëm është më i Larti dhe më i Dijshmi.
[1] Ky lloj i kamatës përbën llojin tradicional të saj në kuptimin e njohur nga masa e gjerë. Me të nënkuptohet shtesa e paguar krahas borxhit, që debitori (borxhmarrësi) duhet t’i japë kreditorit (borxhdhënësit), për shkak të zgjatjes së afatit të shlyerjes së këtij borxhi
[2] Ai ndodh kur kapitalet (paratë apo mallrat) e shkëmbyera janë të të njëjtit lloj dhe kur këmbehen njëri prej tyre paguhet përmbi vlerën (masën a peshën) e tjetrit.
[3] Rreth Murabahas shiko këtu:
Dispozitat që ndërlidhen me posedimin dhe marrjen e mallit gjatë tregtisë murabaha