12.9 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

BETEJA E PLEMËS SË VOGËL

Më të lexuarat

Në kujtesën e historisë sonë islame kanë ndodhur shumë beteja heroike, disa të humbura e disa të fituara. Një nga këto beteja heroike është edhe beteja vendimtare e Plemës së Vogël, ndryshe beteja e Plevnës.
Plemë e Vogël ose shkurtimisht Plemë, është emri shqiptar për qytetin turko-bullgar të Plevnës në afërsi të lumit Danub. Plevna ishte vetëm një qytet prej qyteteve të shumta në jug të Danubit dhe famën e tij nuk e morri për shkak të pozitës gjeografike apo rëndësisë ekonomike, por pikërisht për shkak të kësaj beteje heroike që shpalosi në maksimum shpirtin luftarak dhe vetëmohimin e myslimanëve.
Plema e Vogël qe një qytet i njohur edhe për shqiptarët, sidomos për zonat verilindore, nga Shkupi, Kosova e deri në Nish, për shkak të afërsisë gjeografike dhe rrugëve tregtare që kalonin nga Plema. Edhe sot e kësaj dite, në folklorin popullor ruhen vargje dhe histori të ndryshme për këtë qytet.
Beteja që zgjati plot 143 ditë u zhvillua gjatë luftës ruso-turke (1877-78), e cila në arkivat osmane njihet si lufta e 93-shit (sipas kalendarit rumi). Lufta ruso-turke e 77-78-tës ishte një luftë vendimtare në një moment delikat për shtetin osman.
Që pas luftës së Krimesë (1856-59) e cila u mbyll me humbjen turpëruese të Rusisë dhe u kurorzua me Traktatin e Parisit, Rusia nuk i kishte ndalur përgatitjet për një ofensivë të madhe në Ballkan. Duke e konsideruar veten si mbrojtëse të ortodoksisë dhe përfaqsuese të sllavëve jugor, Rusia nuk i kishte reshtur përpjekjet për të ngritur në kryengritje sllavët ortodoksë të Ballkanit, si parapërgatitje të terrenit për një ofensivë ushtarake të gjerë me synim vetë Stambollin.
Pas gati njëzet vjet përgatitje, më në fund momenti i volitshëm erdhi. Vrasja e sulltan Abdulazizit në vitin 1876, shkarkimi i sulltan Muradit që ishte një vegël në dorë të komplotistëve, ndërhyrjet pa fund të sadërvezirit Mithat Pasha dhe ndihmësit të tij Avni Pasha, ngjitja në fron e sulltanit të ri, akoma djalosh, Abdulhamid Hanit, ishin momenti më i mirë për t’i dhënë goditjen përfundimtare Shtetit Osman në Ballkan dhe më pas ndarjen përfundimtare të tokave në interes të sllavëve.
Ngjarjet filluan me trazirat e kroatëve në Hercegovinë, për të kaluar më pas në kryengritjet e malazezëve dhe të serbëve, të cilat u shtypën nga dovleti vendosmërisht. Ushtria osmane nuk u ndal me shtypjen e kryengritjeve, por arriti të depërtonte thellë në tokat serbe gjer në rrethinat e Beogradit dhe po të mos ishte ndërhyrja e menjëhershme e fuqive të mëdha evropiane, forcat myslimane do të hynin në Beograd pas shumë vitesh mungesë.
Trazirat e tjera filluan nga bullgarët në zonën e Rumelisë dhe arritën deri në Edirne dhe në rrethinat e Stambollit. Edhe këto trazira shteti arriti t’i shtypte dhe t’i neutralizonte. Fuqitë e mëdha dhe Rusia e akuzuan Shtetin Osman për egërsi ndaj rebelëve bullgarë dhe kërkuan mbledhje të menjëhershme.
Edhe pse dovleti arriti t’i shtypte këto kryengritje, rusët ishin të vetëdijshëm që osmanët nuk ishin në ditët e tyre më të mira. Ushtria osmane çalonte dhe linte për të dëshiruar për shkak të konflikteve politike të brendshme dhe rrymës liberale të përfaqësuar nga sadërazemi Mithat Pasha e cila kishte krijuar jo pak trysni dhe trazira. Mithat Pasha kishte punuar shumë për miratimin e kushtetutës (kanunesas-it) dhe në 1976 sulltan Abdulhamiti i detyruar nga rrethanat e pranoi kushtetutën, për të filluar periudha e parë e meshrutijetit (monarkisë kushtetuese e cila kufizonte kompetencat e sulltanit) dhe u hap edhe parlamenti i parë osman (mexhlisi mebusan) në të cilin përfaqsoheshin edhe të krishterët.
Në këtë atmosferë jo të këndshme nisi edhe lufta ruso-turke 77-78. Parlamenti miratoi shpalljen e luftës ndaj Rusisë dhe sulltani nuk kishte asnjë mundësi të shmangte luftën e padëshiruar prej tij në një moment aq delikat.
Ngjarjet e 1877-78 u zhvilluan në tre fronte kryesore; 1) fronti i Nishit i cili përbëhej nga serbët kryesisht dhe për synim kishte depërtimin thellë në tokat e shqiptarëve, 2) fronti i Bullgarisë i cili ishte fronti kryesor i përbërë nga ushtria ruse, rumune dhe kryengritësit bullgarë, që si sunim kishte pushtimin e Stambollit dhe 3) fronti i Anadolit me ushtritë ruse që sulmuan nga ana e Kaukazit.
Në 24 prill 1877 ushtritë aleate (rusë, rumunë dhe bullgarë) filluan mësymjen duke kaluar lumin Danub me rreth 20.000 ushtarë rus nën komandën e Dukë Nikollës (vëllai i carit rus Aleksandër II) dhe u drejtuan drejt qytetit të Nikopolit në jug të Danubit. Sulltan Abdulhamidin urdhëroi menjëherë komandantin osman 45 vjeçar Osman Nuri Pashën të nisej drejt Nikopolit me një ushtri prej 11.000 ushtarësh. Gjatë rrugës lajmet e rënies së Nikopolit e detyruan Osman Pashën të ndryshojë taktikë. Ai u vendos në qytetin e Plemës duke rregulluar sistemet mbrojtëse të qytetit dhe duke gërmar istikame (llogore) të shumta.
Ushtritë e aleatëve u shfaqën në horizontin e Plemës në 19 korrik 1877 dhe vetëm pas një dite gjenerali rus Juri Shuldner urdhëroi bombardimin me artileri të qytetit. Fillimisht rusët arritën të shtijnë në dorë disa llogore, por kundërsulmet e Osman Pashës i detyruan t’i lëshojnë sërisht ato dhe të tërhiqen me humbje të shumta. Kështu përfundoi beteja e parë me thyerjen e aleatëve dhe vrasjen e mbi 3000 ushtarëve të tyre dhe forcat ruse u ndalën përpara llogoreve dhe mureve të Plevnës.
Pas vetëm disa ditësh mbërritën prapavija e forcave ruse dhe rumune. Forcat e princit Karol të Rumanisë dhe divizionet nën komandën e gjeneralit rus Nikola Kridenerit e çuan numrin e përgjithshëm të ushtrisë aleate në 35.000 ushtarë me gati 200 topa artilerie, thënë më ndryshe sa dyfishi i trupave osmane. Në 31 korrik forcat aleate ndërmorrën sulmin e dytë ndaj Plemës duke i mësyrë qytetit nga tre anë të ndryshme.
Ishte një betejë e jashtëzakontë! Osman Pasha hipur mbi kalë lëvizte nga njëri front në tjetrin nën oshtimën e topave rus që bombardonin pa pushim, për të dhënë urdhërat e nevojshme. Fillimisht u duk sikur trupat ruse po përparonin, por përballja heroike e mylimanëve i detyroi të zbrapseshin me turp dhe pas shuarjes së tymit të betejës së dytë, aleatët numëruan 7000-8000 të vrarë dhe mijra të plagosur, karshi 2000 shehidëve në mesin e mylimanëve.
Vlen të theksojmë që gjatë zhvillimit të luftës, shumë myslimanë u drejtuan drejt Plemës për të hyrë nën ushtrinë e Osman Pashës. Një pjesë e madhe e tyre ishin myslimanë shqiptarë nga Kosova, Shkupi dhe rrethinat përreth.
Zbrapsja e dy sulmeve të para i detyroi aleatët të prisnin më gjatë për t’u përgatitur për sulmin e rradhës. Ata pritën mbërritjen e përforcimeve të reja gjatë gjithë gushtit. Gjenerali rumun Aleksandër Karneti mbërriti me më shumë se 40.000 forca rumune të reja. Më në fund aleatët sulmuan myslimanët në 31 gusht në dy fronte pranë njëra-tjetrës, në Plevnë dhe Lovçë. Rusët arritën të marrin kalanë e Lovçës me trupa të shumta nën drejtimin e tre gjeneralëve të njohur rus Imerentskit, Skobolevit dhe Dobrovolskit. Trupat osmane në Lovçë u tërhoqën drejt Plevnës dhe iu bashkangjitën Osman Pashës.
Ndryshe nga Lovça, sulmi i tretë rus në Plevnë ishte një dështim tërësor tjetër. Forcat myslimane i thyen ushtritë ruse dhe rumune dhe në fillim të shtatorit trupat aleate numëronin gjithsej 20.000 të vdekur, katërfish më shumë se viktimat në mesin e ushtrisë osmane.
Humbjet e shumta i detyruan sërisht aleatët të prisnin dhe të riorganizoheshin. Në frontin e luftës mbërriti vetë shefi i shtabit të ushtrisë ruse, gjeneral Eduart Totlebeni, i famshëm për mbrojtjen e Sevastopulit gjatë luftës së Krimesë. Numri i ushtarëve rus nën komandën e tij arriti në 150.000 dhe rusët morrën vendim për të filluar një rrethim tërësor të Plevnit nga të gjitha anët. Forcat myslimane me përforcimet e ardhura nga Sofia ishin rreth 40.000-50.000 luftëtarë. Në tetor dhe nëntor u zhvilluan përleshje më të vogla, por numri i madh i ushtrisë ruse dhe rrethimi total çuan në dobësimin e ushtrisë osmane. Furnizimet dhe municionet po mbaronin dhe në anën tjetër rusët ishin më superiorë në njerëz dhe armatime.
I vënë në pozita të vështira luftarake, Osman Pasha i kërkoi leje Portës së Lartë dhe drejtpërdrejt sulltan Abdulhamitit për një tërheqje taktike dhe lëshimin e Plevnës përkohësisht për riorganizim të trupave. Sulltani e refuzoi tërheqjen dhe urdhëroi të bëhej ç’të ishte e mundur për mbrojtjen e qytetit dhe pengimin e përparimit rus.
Osman Nuri Pasha iu bind urdhërave të sulltanit dhe riorganizoi ushtrinë për një sulm final. Përpara kishte vetëm dy zgjidhje, ose dorëzimin ose çarjen e rrethimit. Kështu, në 9 dhjetor, forcat osmane me në krye vetë komandant Osman Pashën fillojnë një mësymje ndaj forcave ruse në terrin e natës. Pas krahve ishte qyteti dhe uria, përpara i priste ose fitorja ose shehidllëku. Përleshjet u zhvilluan trup më trup dhe bajonetë me bajonetë. Megjithë raportin në disfavor 1:5 forcat e Osman Pashës arritën të çajnë rrethimin e parë dhe ashtu edhe rrethimin e dytë, duke depërtuar në një thellësi 3 kilometra në brendësi të armikut.
Përleshja ishte ashpër, dhëmb për dhëmb. Myslimanët arritën ta thyejnë rrethimin dhe t’i shkaktojnë viktima të shumta ushtrisë ruse. Rusët u kapën në befasi. Mbase nuk e prisnin që myslimanët me municoine gati të mbaruara të ndërmerrnin një kundërsulm kaq “të çmendur”. Kjo i kalonte të gjitha parashikimet ushtarake të kohës. Myslimanët u përleshën trup me trup me armikun me një synim të vetëm fitoren, fitoren e betejës ose fitoren e xhenetit.
Por, ndodhi ajo që nuk pritej. Trimi Osman Pasha plagoset rëndë në ballë të luftës dhe kali i theret në fushë të betejës. I plagosur rëndë dhe në pamundësi për të vazhduar luftimin ai bie në dorë të rusve. Thashethemet për vdekjen e Osman Pashës i shtinë në panik ushtarët osmanë dhe të zënë në befasi nuk reaguan ashtu siç duhej dhe rreshtat e tyre u shpërbënë. Pikërisht në këto momente ndodhën edhe humbjet më të shumta në ushtrinë e myslimanëve. Në 10 dhjetor, betejat e Plevnes kishin përfunduar.
Pas betejës së katërt dhe të fundit rusët arrijnë të shtijnë në dorë qytetin e Plevnes. Edhe pse myslimanët në këtë betejë të fundit pësuan disfatë dhe humbje të mëdha, megjithatë në total humbjet ruse ishin disa fish më shumë se të myslimanëve. Ky fakt është i pranuar nga të gjithë kronikanët, myslimanë dhe jomyslimanë. Numri i viktimave ruse (të vrarë, të plagosur dhe të humbur) ishte jo më pak se 50.000 ushtarë. Historianë të tjerë japin shifra më të larta. Në anën tjetër të vrarët dhe të plagosurit e myslimanëve nuk i kalonin 15.000 ushtarë. Vetëm në sulmin e fundit myslimanët arritën të vrisnin 5.000 ushtarë rus.
Ishte një qëndresë e jashtëzakontë. Pesë muaj rezistencë përball një ushtrie me superioritet të dukshëm numerik dhe e pajisur gjer në dhëmb. Rusët ishin pa dyshim superfuqia ushtarake e kohës dhe qëndresa e madhe e myslimanëve pati jehonë në mbarë Evropën. Beteja e Plevnit fitoi admirimin e qarqeve evropiane të cilat e kuptuan se Shteti Osman nuk ishte aq i sëmurë sa pandehej.
Rusët e pritën me nderime të mëdha heroin e vërtetë të kësaj beteje Gazi Osman Pashën. Vetë komandanti i përgjithshëm i forcave ruse e përgëzoi personalisht për rezistencën heroike. Në San Petërburg pas mjekimeve të nevojshme, Osman Pashën e priti dhe e takoi vetë cari rus Aleksandri II, i cili në shenjë respekti i ktheu Gazi Osman Pashës edhe shpatën e tij me të cilën kishte luftuar në betejën e Plevnes.
Pas kthimit në Stamboll dhe shkëmbimit të robërve të luftës, Osman Pasha i bëhet një pritje madhështore me nderime të mëdha nga populli dhe sulltan Abdulhamiti, i cili i dha titullin “gazi”, titull që në Shtetin Osman u jepej vetëm muxhahidëve të mëdhenj.
Pas betejës së Plemës së Vogël, ndryshe betejës së Plevnes, Gazi Osman Pasha vazhdoi të jepte kontributin e tij në ushtrinë osmane gjer në vdekjen e tij në vitin 1900. Sulltani e emëroi për ministër të luftës duke i ngarkuar detyra të rëndësishme ushtarake, kjo për shkak të heroizmit, besnikërisë dhe profesionalizmit që kishte treguar.
Është e vërtetë që myslimanët në luftën ruso-turke të 1977-78-tës pësuan humbje dhe disfata duke nënshkruar fillimisht Traktatin e Shën Stefanit me kushtet e tij të disfavorshme, të cilat u zbutën disi nga Marrëveshja e Kongresit të Berlinit. Është e vërtetë që serbët u zgjeruan në jug në zonën e Nishit dhe u hap rruga e themelimit të shtetit Bullgar me autonominë e gjerë të fituar nga kjo luftë. Por, në anën tjetër kjo betejë ishte një fitore, jo vetëm morale por edhe ushtarake. Megjithëse humbën betejën, shehidët e rënë në betejën e Plemës së Vogël ishin ata që ndaluan marshimin e ushtrive ruse dhe aleate drejt Stambollit. Pa qëndresën heroike të myslimanëve Shteti Osman do të ishte shpërbërë tërësisht që në këtë luftë dhe ndarja e territoreve që ndodhi pas 40 vjetësh kishte për të ndodhur që atëherë.
Pas mbarimit të luftës, sulltan Abdulhamiti kreu një riorganizim rrënjësor të shtetit. Fillimisht u dha goditjen e merituar tradhëtarëve si Mithat Pashës dhe kunatit të sulltanit Avni Pashës me shokë dhe më pas riorganizoi ushtrinë dhe shtetin duke e shtyrë për rreth 40 vjet më shumë rrëzimin dhe shpërbërjen e shtetit. Ai rrëzoi meshrutijetin apo monarkinë kushtetuese duke i dhënë fund ndikimit të drejtpërdrejtë të të huajve dhe liberalëve. Po ta vështrojmë nga ky këndvështrim, beteja e Plemës së Vogël patjetër ishte një fitore dhe vendimtare.
Në këtë betejë të madhe kanë rënë shehid edhe disa qindra myslimanë shqiptarë, kryesisht nga Kosova. Plema e Vogël dhe Osman Pasha akoma kujtohen në këto zona me admirim. Vetë Osman Pasha është kthyer në një figurë legjendare, për të cilin janë thurur vargje dhe histori të shumta. Në fakt, një pjesë e mirë e historive dhe vargjeve i janë larguar realitetit historik. Osman Pasha me kalimin e kohës është përfytyruar si një luftëtar shqiptar trim. Në fakt ai nuk ka qenë shqiptar, por bëmat dhe heroizmat e tij ngulitën thellë në popull shembullin e luftëtarit trim, duke u kthyer në një mit dhe legjendë në trojet veriore dhe me kalimin e kohës faktet historike i lanë vendin imagjinatës dhe ndërgjegjjes popullore, duke u larguar atë nga realiteti historik.
Sot, shumë pak njerëz e dinë kush në të vërtetë ka qenë Osman Pasha, megjithëse si emër ai është një personazh i njohur në mesin e myslimanëve shqiptarë. Edhe Plema e Vogël është shndërruar më shumë në një qytet historik të cilin shumë prej nesh nuk e di ku bie. Qëllimisht e vendosa emrtimin shqiptar të Plevnës, Plemë e Vogël, për të bërë lidhjen e duhur mes folklorit dhe historisë sonë. Çdo gjë harrohet por heroizmat e heronjve nuk harrohen. Që ta dimë ne dhe fëmijët tanë që këto treva ashtu siç janë çliruar me gjakun e shehidëve, nuk janë dorëzuar ndryshe përveçse me gjakun e shehidëve. Historia vdes vetëm atëherë kur harrohet dhe nuk kujtohet. Në fakt, kush harron të kaluarën e tij humbet të ardhmen e tij.
E shkroi: Florian Leli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit