14.3 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

Besoj në Ahiret por nuk punoj për ta fituar atë

Më të lexuarat

Nga: Doktor Halid Risheh

Besoj në Ahiret por nuk punoj për ta fituar atë

Pyetje: Unë besoj se Allahu është Zoti im. Besoj se do të gjykohem për punët që kam kryer në këtë botë. Besoj se punët e mia do të peshohen. Besoj tek ndëshkimi në zjarrin e Xhehenemit ashtu sikurse besoj tek kënaqësitë e Xhenetit. Por unë nuk jam shumë i përkushtuar në adhurim dhe bëj shumë mëkate, megjithëse unë jam në dijeni të plotë të këtyre të vërtetave. Cila është kura e përshtatshme që unë të jem më i përkushtuar në adhurim?
Përgjigja: Ajo ç’ka ti e përmendur më lart, tregon se ti je në dijeni të plotë të asaj që po ndodh. Ti e ke përshkruar mjaft mirë sëmundjen e cila ka prekur shumë prej njerëzve. Megjithëse njerëzit janë në dijeni të plotë të vërtetave të padiskutueshme, ata veprojnë në kundërshtim me këto të vërteta.
Megjithatë më lejo që në rradhë të parë të të falenderoj për besimin tënd të palëkundur në lidhje me botën tjetër.
Realisht, besimi në botën tjetër të bën të qëndrueshëm në rrugën e drejtë dhe është garant që ti të bësh vepra të mira që do të të vlejnë në Ditën që nuk ka dyshim në të,  në Ditën në të cilën njeriu do të gjykohet për atë që ka vepruar në këtë botë, në Ditën ku do të peshohen veprat. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka bërë një të mirë, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë.”[1]
Kur në zemrën e njeriut rrënjoset bindja dhe besimi (në botën tjetër) vështirësia e rrugës lehtësohet. E më pas njeriu bën durim, bën vepra të mira duke qenë i sinqertë dhe i jep përparësi botës së amshueshme ndaj kësaj bote që do të shkatërrohet.
Por, për nga natyra njeriu është i nxituar. Ai i jep përparësi të tashmes (Dynjasë) ndaj të ardhmes (Ahiretit), megjithëse shpërblimi i Ahiretit është më i madh. Kjo ndodh për shkak se ai është xhahil, i nxituar dhe mendon pak. Allahu i Lartësuar thotë: “Por ju më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.”[2]
Që njeriu të punojë në varësi të asaj që ai ka dijeni duhet që të punojë shumë me veten e tij, sepse vetja (nefsi) gjithmonë anon për nga epshet dhe pasionet. Po ashtu shejtani shfrytëzon dobësinë e nefsit të njeriut që është i prirur nga pasionet duke bërë që njeriu të shmanget nga rruga e drejtë e të harrojë adhurimin.
Feja islame  na ka përshkruar me detaje se si duhet të veprojmë në të tilla raste:
1 – Ne duhet që të nxitojmë që të bëjmë vepra të mira e jo të premtojmë me fjalë sepse Profeti (a.s.) ka kërkuar mbrojte nga Allahu prej paaftësisë dhe dembelizmit.
2 – Ne duhet të shoqërohemi me njerëz të mirë e të devotshëm dhe të qëndrojmë në ato ambiente që flitet për besim dhe punë të mira.  Duke lexuar hadithet e Profetit (a.s) vërejmë se ai (a.s) na ka këshilluar që të largohemi nga ato ambiente ku bëhen mëkate dhe të qëndrojmë në ato ambiente ku njerëzit adhurojnë Allahun.
3 – Ne duhet që të edukohemi me frymën e kryerjes së adhurimeve pak e nga pak sepse puna më e mirë tek Allahu është ajo punë që është e vazhdueshme edhe nëse është pak.
4 – Ne duhet ta dimë se jemi në luftë të vazhdueshme me shejtanin. Le të kërkojmë mbrojtje nga Allahu i Lartësuar prej tij. Le ta kujtojmë Allahun sa më shumë dhe t’i lutemi atij sa më shumë.
5 – Për çdo ditë duhet të pendohemi. Ta rinovojmë premtimin që i kemi dhënë Allahut të Lartësuar për të bërë vepra të mira dhe po ashtu të meditojmë rreth lutjes që është “Zotëria e istigfarit”: “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Më ke krijuar e unë jam robi Yt. Unë do të mundohem që ta mbaj fjalën që ta kam dhënë aq sa mundem. Kërkoj mbrojtje prej Teje nga vepra e keqe. Unë jam mirënjohës ndaj mirësisë Tënde dhe e pranoj mëkatin tim. Më fal mua se askush nuk i fal mëkatet përveç Teje.” Kush e thotë këtë lutje me sinqeritet, Allahu i Lartësuar ia fal të gjitha mëkatet.
Allahu e di më mirë.
[1] Sure Zelzele: 7-8.[2] Sure A’ala: 16-17.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit