0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Banka Botërore publikoi Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor

Më të lexuarat

Situata ekonomike në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ndikohet nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë si dhe rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale

Banka Botërore sot ka prezantuar raportin e rregullt gjashtëmujor ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Situata ekonomike në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ndikohet nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë si dhe rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale, thuhet në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të përgatitur nga Banka Botërore..

Sipas raportit, këto kriza krijojnë sfida të forta për rajonin, pavarësisht rritjes më të mirë se sa pritej që nga fillimi i vitit.

– Pjesëmarrja në forcën e punës në Shqipëri shënoi rritje

Ekonomia e Shqipërisë u zgjerua me 6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022 dhe pjesëmarrja në forcën e punës shënoi rritje, sipas raportit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore (BB) për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas raportit, konsumi privat, eksportet dhe investimet u zgjeruan në Shqipëri, pasi sipas BB-së besimi i biznesit dhe i konsumatorëve mbeti i fortë pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë disa rekomandime.

Sipas tij, së pari duhet një kujdes nga pikëpamja fiskale. Salinas shtoi se sugjerojnë që të tregohet kujdes me shpenzimet dhe të shikohet mundësia për rritjen e të ardhurave.

“Pasiguria do të jetë e pranishme dhe qeveria do të ketë nevojë të ndërhyjë në disa aspekte dhe të rrisë shpenzimet publike, do të jetë e nevojshme në periudhën e ardhshme”, tha Salinas.

Ai shtoi se një aspekt tjetër është dhe përqendrimi tek popullata e cenueshme, sipas tij, sidomos sa u përket personave që janë në rrezik të bien në varfëri.

Sipas raportit, tregtia dhe ndërtimi dhanë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Më tej theksohet se kushtet e tregut të punës u përmirësuan në fillim të vitit 2022 dhe rritja vjetore e punësimit u përshpejtua në 3,4 për qind në tremujorin e parë 2022, krahasuar me 2,7 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Në të njëjtën kohë, sipas raportit, shkalla e papunësisë ra në 11,3 për qind, ndërsa pjesëmarrja në forcën e punës shënoi rritje.

– Kosova me rritje të moderuar ekonomike në fillim të vitit 2022

Banka Botërore në prezantimin e saj për ekonominë në Ballkanin Perëndimor ka bërë të ditur se Kosova pas një rimëkëmbjeje më të fortë sesa pritej në vitin 2021, kaloi në rritje të moderuar ekonomike në fillim të vitit 2022.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2022 rritja pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind nën ndikimin e rënies së fuqisë blerëse dhe rritjes së kostove të inputeve për amvisëri dhe ndërmarrje.

Në raport theksohet se në vitin 2021 prodhimi real u rrit me 10.5 për qind, një vlerë kjo rekord, e mbështetur nga ringritja e kërkesës së brendshme dhe nga rritja e fuqishme e eksporteve ndërsa gjatë muajve të parë të vitit 2022 rritja ekonomike e humbi vrullin duke qenë se rritja e inflacionit dhe goditja në sektorin energjetik u kthyen në barrë të konsiderueshme për aktivitetin ekonomik.

“Si importuese neto e ushqimeve dhe energjisë, Kosova është veçanërisht e cenueshme nga inflacioni i importuar, i cili në kontekstin aktual filloi ta dobësojë fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat”, thuhet në raport.

Raporti bën të ditur se tregu i punës në Kosovë vazhdon të reflektojë dobësi kronike dhe vlerat e ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe punësim, veçanërisht mes grave, paraqesin pengesa kufizuese për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.

Tregu i punës, sipas raportit të Bankës Botërore karakterizohet nga çekulibri gjinor ku shkalla e punësimit të meshkujve është 44 për qind, ndërsa e femrave 16 për qind.

“Të dhënat administrative për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 tregojnë një përshpejtim në punësimin formal dhe një trend në rënie të papunësisë së regjistruar, çka reflektohet në uljen për 32 për qind të numrit të punëkërkuesve të regjistruar në qendrat e punësimit”, thuhet në raportin që gjithashtu vë në pah se ka emigrim të fuqisë punëtore duke qenë se kompanitë raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira.

Sektori financiar sipas raportit vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe rezervat e kapitalit të bankave dhe cilësia e aseteve mbeten adekuate.

Raporti i Bankës Botërore bën të ditur se reformat prioritare të Kosovës duhet të fokusohen në forcimin e rritjes së produktivitetit dhe nxitjen e konkurrueshmërisë; zgjerimin e zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe mbylljen e hendekut të infrastrukturës.

– Maqedonia e Veriut po përballet me inflacionin më të lartë deri më tani

Banka Botërore në prezantimin e saj për ekonominë në Ballkanin Perëndimor ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut po përballet me inflacionin më të lartë deri më tani.

Siç thuhet në këtë raport, në gjysmën e parë të vitit 2022, rritja ekonomike, e udhëhequr nga konsumi dhe investimet private, rezultoi e fuqishme, duke tejkaluar pritshmëritë.

“Nivelet e punësimit arritën nivelet më të larta historike në disa vende deri në mesin e vitit 2022, ndërsa shkalla e punësimit në rajon tani është mesatarisht 46 për qind, një rritje prej 3 pikë përqindjeje nga mesi i vitit 2021”, bën të ditur raporti.

Megjithatë, sipas raportit, momenti i rritjes tani ka filluar të ngadalësohet, përballë sfidave në rritje.

Raporti i Bankës Botërore thekson se çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e shtynë inflacionin në nivel të paparë prej vitesh, duke ulur fuqinë blerëse dhe besimin e biznesit, ndërkohë që rimëkëmbja e tregut të punës filloi të ngadalësohej, me punësim më të dobët mes inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë.

“Edhe pse rritja në gjysmën e parë të 2022 u tregua relativisht e fortë, është e qartë se rajoni tani po shkon drejt një stuhie tjetër”, tha Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit.

“Kombinimi i goditjeve rëndon rëndë perspektivën e rajonit. Kushtet e shtrënguara të financimit global, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme si dhe rënia e besimit të kompanive dhe konsumatorëve sigurisht që do të ndikojnë në sektorin financiar në rajon”, tha ajo.

“E goditur nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike, Maqedonia e Veriut po përballet me inflacionin më të lartë deri më tani, gjë që redukton në mënyrë disproporcionale të ardhurat reale të të varfërve. Me hapësirë ​​të kufizuar fiskale, rritje të borxhit publik dhe rritje të kostove të financimit, mbështetja fiskale duhet të synohet për familjet dhe kompanitë më të cenueshme. Në të njëjtën kohë, shtrëngimi i politikës monetare duhet të vendosë një ekuilibër midis shtypjes së inflacionit dhe shmangies së një ngadalësimi të aktivitetit ekonomik”, thuhet në raport.

“Mbështetja e qeverisë për grupet e cenueshme nga energjia është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por masat duhet të jenë të synuara dhe të kufizuara në kohë për të minimizuar rreziqet fiskale”, tha Massimiliano Paolucci, drejtor i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

“Në të njëjtën kohë, fokusi duhet të vazhdojë të jetë në reformat strukturore të vonuara prej kohësh për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune”, tha ai.

Sipas raportit, reforma të tilla përfshijnë masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave për hyrjen e bizneseve, përmirësimin e mbajtjes dhe riinvestimit të investitorëve të huaj, uljen e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e standardeve të menaxhimit, përfshirë dixhitalizimin.

Kriza aktuale, gjithashtu, thekson rëndësinë e një tranzicioni të gjelbër të përshpejtuar në rajon, larg nga hidrokarburet e paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike si dhe modeleve më të gjelbra të prodhimit dhe konsumit, thuhet në raport.

“Pas rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 4 për qind në vitin 2021, ekonomia vendase u rrit me 2,6 për qind në gjysmën e parë të 2022, e nxitur nga një rimëkëmbje e zgjatur e investimeve dhe konsumit të fortë. Rritja nominale e pagave neto ishte mesatarisht 9 për qind deri në qershor 2022, por inflacioni i brendshëm tejkaloi rritjen e pagave, kështu që pagat reale neto u kthyen negative. Inflacioni i përgjithshëm ka tejkaluar kulmin prej disa dekadash, me të gjithë komponentët (ushqimin, energjinë dhe inflacionin bazë) që kontribuojnë në rritje”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit