10.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Asketizmi në Islam

Më të lexuarat

Transmetohet nga Sehl ibën Sad es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se erdhi një njeri te Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Më drejto në një vepër që kur ta veproj atë do të më dojë Allahu dhe do të më duan njerëzit? I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Bëhu asket (mos lakmo) në këtë botë, do të të dojë Allahu, kurse mos lakmo në atë që është te njerëzit (në dorë të tyre) që të duan njerëzit.” (Ibën Maxhe. Shejh Albani e cilëson hadithin të saktë.)

Komenti i hadithit

Ky hadith në vete përmban dy porosi mjaft të rëndësishme për muslimanin:

1. Asketizmi në këtë botë që është shkak për të arritur dashurinë e Allahut.

2. Asketizmi apo moslakmia ndaj asaj që gjendet në duartë e njerëzve, që është shkak i arritjes së dashurisë nga njerëzit.

Kuptimi i asketizmit në Islam

Është një dallim shumë i madh rreth asaj se si e përkufizon Islami asketizmin dhe si e përkufizojnë fetë e tjera.

Të tjerët e kuptojnë asketizmin që njeriu ta braktisë këtë botë në përgjithësi dhe të mos shijojë asnjë lloj të kënaqësive, duke sqaruar se me këtë abstenim të trupit nga kënaqësitë arrijnë kulminacionin e dëlirësisë së shpirtit.

Islami e mëson njeriun se i lejohet të kënaqet në këtë botë, por duhet të kuptojë drejt rolin e tij në këtë dhe se këto kënaqësi janë kalimtare dhe nuk duhet të mashtrohet pas tyre, por ai ka nevojë të parapërgatitet dhe të punojë për kënaqësitë e përjetëshme.

Transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Idris Haluani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë): “Zuhdi në këtë botë nuk do të thotë që gjërat e lejuara njeriu duhet t`i bëjë haram (t`ia ndaloj vetes), e as ta humbë pasurinë (mos ta posedojë atë), por zuhdi  në këtë botë është kur njeriu është më i sigurtë në atë që është në duart e Allahut, se sa në atë që është në duart e tij dhe nëse i dhurohet diçka, të jetë më i interesuar që të përfitojë sevapin nga ajo, se sa të mbetet ajo në duart e tij.”

Për të kuptuar më mirë zuhdin në Islam do të cekim disa thënie të dijetarëve për të.

Sufjan ibën Ujejne thotë: “Zahid në këtë botë është ai njeri të cilit nëse i dhurohet e mira (begati) falenderon dhe nëse sprovohet duron.”

Vehb Ibën Uirdi ka thënë: “Zuhd në këtë botë është që të mos pikëllohesh për atë që të ka humbur e as të mos gëzohesh (tepër) për atë që e ke fituar.”

Përkufizimi përmbledhës i asketizmit në Islam mund të jetë: “Mosdhënia e tepruar e muslimanit rreth kësaj bote, sa e harron botën tjetër.”

Rreth zuhdit të muslimanit nga kjo botë kemi shumë citate kuranore, ku aludojnë se kjo gjë është me vlerë shumë të madhe dhe e kundërta e saj (dhënia pas kësaj bote) është e keqe për të. Allahu i Lartësuar thotë:

Po ju i jepni përparësi jetës së kësaj bote. E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme” (Ala, 16-17)

Gjithashtu thotë: “Atë, vend të përjetshëm (xhenetin) u kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut.” (Kasas, 83)

Kjo ishte porosia e parë që nënkuptuam nga hadithi, kurse sa i përket porosisë së dytë të kemi asketizëm (moslakmi) në atë që është në duart e njerëzve, ekzistojnë shumë hadithe ku Profeti urdhëron në ndershmëri dhe ta ndalojmë veten nga të kërkuarit prej njerëzve. Kjo e tëra ndikon që njerëzi të na urrejnë, për shkak se pasuria është e dashur tek ata dhe kush kërkon nga ata atë që është e dashur për ta do ta urrejnë. Kurse, kush nuk u kërkon atyre, pasurinë që e kanë në dorë, do ta nderojnë dhe do ta duan.

Dobitë e hadithit:

1. Jeta e kësaj bote është kalimtare dhe njeriu nuk duhet të mashtrohet me të, për shkak se kjo është shkak i  fitimit të dashurisë së Allahut ndaj neve.

2. Të qenurit i kënaqur me furnizimin hallall pas mundit që kemi dhënë për fitimin e tij.

3. Të ruajturit e vetes nga harramet dhe dyshimet.

4. Ta ketë njeriu pasurinë dhe kënaqësitë e kësaj  bote në dorë e jo në zemër. Dhe të gjitha këto janë mjete e jo qëllime.

5. Asketizmi nuk duhet të nënkuptohet që njeriu që është i varfër dhe të mos punojë që të fitojë në këtë botë, por ai duhet ta mirëmbajë veten.

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

25.11.2005

 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit