3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

ARTI ANTAGONIST I KIÇO BLUSHIT – Nga hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

ARTI ANTAGONIST I KIÇO BLUSHIT

“Koncert në vitin 1936”, kështu titullohet filmi i njohur i vitit 1978, të cilin brezi im dhe brezi para meje, aq shumë e kanë parë dhe riparë sa e kanë mësuar përmendësh. Ngjarjet zhvillohen në kohën e monarkisë, në qytetin e Lushnjes. Donika Prokopi, bija e njëfarë Pandeli Prokopi, një personazh i shpikur nga skenaristi, që përfaqëson “atdhetarin” progresist, kthehet në atdhe dhe has pengesa për mbajtjen e një koncerti.

Të gjithë e dimë që Donika në film personifikon sopranon e njohur Tefta Tashko Koçon. Në film Donika paraqitet si bija e një “atdhetari” Pandeli Prokopit, një delegat i Kongresit të Lushnjes (fantazi e skenaristit apo më saktë mashtrim me historinë). Fatkeqësisht, edhe familja e Tefta Tashkos (Donikës në film) do të shijonte pjesën e saj të vuajtjeve nga regjimi komunist. Atëherë kur xhirohej filmi, vëllai i Teftës, Koço Tashko, dergjej në moshë të thyer në burgjet e komunizmit, me familje të persekutuar. Ai ishte një nga komunistët e paktë të shkolluar, në mesin e teneqexhinjve që morrën pushtetin. Ndonse ishte i arsimuari më i lartë komunist, i dalur nga auditorët e Havardit në Amerikë, ai vdiq në mjerim të plotë pas një kalvari të gjatë persekutimesh. Kjo nuk e pengonte aspak regjimin dhe skenaristin ta shfrytëzonin figurën e saj, për interesa “të larta”. Të vrisnin natën e të qanin ditën i thonë kësaj.

Në anën tjetër, kemi Nuri Beun, një karakter i krijuar nga skenaristi Kiço Blushi, për të vënë në lojë muslimanin e prapambetur filoturk. Kemi dhe nënprefektin, kryetarin e bashkisë dhe karaktere të tjerë që përfaqsojnë zogistët.

Xhirimet janë zhvilluar në baltrat e qytetit të Libohovës, në rrugët e këtij qyteti me traditë, i cili para komunizmit ishte qyteti i dytë më i rëndësishëm i zonës pas Gjirokastrës, por që komunizmi e ndëshkoi duke e lënë në harresë, për ta katandisur në një fshat të panjohur. Xhirimet u zhvilluan në baltrat dhe moçalet e komunizmit, rrugët e të cilit, edhe pse kishte kaluar një gjysëm shekulli, ishin akoma më keq se rrugët e monarkisë.

Ngjarjet zhvillohen në një sfond historik, mbretëria dhe mbreti përmenden shpesh, Perikli Prokopi përmendet si delegat i Kongresit të Lushnjes, Nuri Beu si mik i Esat Pashës dhe armik i Ismail Qemalit. Ky sfond historik, i vendosur me kujdes nga skenaristi, nuk i lë dyshime shikuesit të thjeshtë se ngjarjet janë historike dhe reale. Në fakt, të gjithë personazhet dhe ngjarjet janë të trilluara, pjellë e fantazisë së Kiço Blushit dhe pjesë e propagandës komuniste të atyre viteve.

Ideja, të cilën Kiçoja e vuri në jetë me urdhër të partisë, ishte përqeshja e kohës së monarkisë, e cila duke u paraqitur e shpërfytyruar dhe qesharake do të ishte subjekt talljeje. Në vitin 1978 ne ishim prishur edhe me Kinën dhe vendi ishte zhytur në një izolim total. Shenjat e kolapsit ekonomik kishin filluar të dukeshin qartë. Partisë i duheshin filma të tillë për të mbuluar dështimet. Brezit të ri, Shqipëria e viteve 30-të i paraqitej mjerane, e zymtë, e pashpresë, mes baltës së moçaleve, për të “nxjerrë në dritë” sukseset e rreme të partisë.

Një nga armët më të forta propaganduese ishte edhe kinematografia. Kiço Blushi ishte një nga dallkaukët servilë që nxirnin në dritë “porositë” e partisë. Në këtë film, besniku Kiço Blushi i paraqet muslimanët dhe njerëzit në kohën e monarkisë ashtu siç dëshiron ai, jo ashtu siç kanë qenë në realitet. Atyre u vishen vese të këqija, shfaqen intrigantë dhe sharlatanë qëllimisht, për t’i denigruar më pas. Të vendosura në një kontekst historik dhe të mirëstudiuara, ato merren si të mirëqena nga teleshikuesi dhe duke u parë dhe riparë nguliten thellë në ndërgjegjje. Patjetër, aty ka disa zakone dhe pamje të vërteta, të cilat bëhen groteske dhe zmallohen qëllimisht, për t’u maskuar me të pavërteta të trilluara dhe ashtu të zbukuruara i paraqiten teleshikuesit, i cili duke parë disa të vërteta bën përgjithësime të llojit: përderisa kjo është e vërtetë edhe të tjerat ashtu janë.

Ben Blushi, një shkrimtar dallkauk edhe ky, njësoj si i ati, doli para disa ditësh me një artikull ku mundohej të na mbushte mendjen se filmi nuk është aq shumë antizogist sa është antiotoman!! Sipas tij, skenaristi Kiço Blushi shfaq në film përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga tradita otomane që për 500 vjet mbolli izolim dhe dembelizëm. A nuk i duket ironike Benit, se si në fundin e viteve 70-të, në kulmin e izolimit të Shqipërisë, Kiço Blushi bën filma për çlirimin e Shqipërisë nga izolimi otoman?! A nuk i duket ironike Ben Blushit se personazhi mbi të cilin bazohet filmi, Tefta Tashko, lindi dhe u rrit në Fejum të Egjiptit, aty ku komuniteti ortodoks shqiptar ishte më i madh se ai musliman, në Fejumin e Egjiptit ku sundonte akoma dinastia shqiptare e Mehmet Ali Pashës?! Për cilin izoloim “shqetësohej” skenaristi Kiço Blushi?!

Blushi nuk më befason aspak kur mundohet me të vetën të shfajësojë sadopak të atin, duke e zbehur “me stil” antizogizmin e filmit. Historia e servirur nga komunistët gjatë viteve të diktaturës në të vërtetë është një trillim kokë e këmbë. Një shpërfytyrim i shëmtuar i fakteve historike. Pas rrëzimit të regjimit dhe me hapjen e arkivave, shumë të vërteta dolën në shesh. Periudha e viteve 20-30 ka qenë ajo më e shpërfytyruara. Në dy dekadat e fundit ka nisur një rehabilitim i gjerë i shumë personazheve intelektualë dhe politikë të kohës, në mesin e tyre edhe figura e vetë mbretit Zog. Ben Blushi është i vetëdijshëm për këtë fakt, prandaj me mprehtësi përpiqet ta nxjerrë në plan të dytë antizogizmin e filmit, për ta pastruar deri diku figurën e të atit, skenaristit servil Kiço Blushi.

Që ai film është antizogist nga fillimi deri në fund, kjo nuk ka nevojë për fakte. E kemi parë dhe riparë atë film sa e kemi mësuar përmendësh. Problemi është se monarkia e paraqitur në film është vetëm një imagjinatë e Kiço Blushit, një trillim edhe për vetë pikën e dobët të Zogut, artin. Është e mirënjohur që Zogu ka qënë “qefli” i operave, madje atentati i njohur në Vienë i është bërë pikërisht në shkallët e Teatrit të Operas. Tefta Tashko në kohën e Zogut, jo vetëm që nuk ka hasur pengesa, por është pritur me nderime të mëdha nga autoritetet dhe ka dhënë koncerte lirisht. Historiani Hasan Bello ka paraqitur fakte të pakontestueshme për këtë. Në fakt ky është boshti i filmit. Si për turp, edhe këtu, skenaristi dhe artisti i “realizmit socialist” Kiço Blushi, manipulon duke paraqitur të kundërtën e realitetit. Ben Blushi i di mirë këto, prandaj përpiqet ta pastrojë të atin me dinakëri.

Beni thotë: “Sa herë e shoh këtë film mendoj se “Koncert në Vitin 1936” është Shqipëria siç ka qenë dhe siç është. Shqipëria është një betejë e pambaruar mes Lindjes dhe Perëndimit. Shumë nga personazhet që ka krijuar babai dhe gjyshi im i gjej edhe sot nëpër rrugët e Shqipërisë.”.

Aq e fortë është doza e indoktrinimit në film sa Benit i duken të vërteta edhe trillimet me fantazi të të atit. Ai film është bërë për t’i shërbyer kohës. Regjimi, përfshi vetë diktatorin Hoxha, e kanë vlerësuar shumë filmin, si një arritje e artit socialist. Vlerësimet e regjimit i ka pohuar më vonë edhe regjisori Saimir Kumbaro, aktorët Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi. Është shumë naive të pretendohet përkrahja e Perëndimit të zhvilluar, në një kohë kur Shqipëria kishte adaptuar modelin më të keq të Lindjes, atë të komunizmit kamboxhian dhe vietnamez.

Nëse ka ndonjë personazh tipik të atij filmi që ekziston akoma sot është pikërisht Ben Blushi. Komunuzmi vërtet është rrëzuar si regjim, por ai akoma vazhdon të mbetet i gjallë si ideologji dhe mendësi. Ben Blushi është një përfaqsues tipik i letrarit të vjetër. I brumosur në kohën e partisë, Beni nuk del dot nga mendësia e përçmimit. Çdo gjë rreth tij e shikon me përçmim, me urrejtje, të errët dhe neveritëse.

Një prozator dhe poet i mirë vë re anën e bukur të objektit, atë shpirtërore, atë tërheqëse, të cilën më pas e kthen në art. Blushi kurrë nuk do të bëhet një shkrimtar i mirë. Ai është i zymtë, pa shpirt, pa ndjenja njerëzore, një shkrimtar dallkauk i ngjashëm me ata të realizmit socialist. Çdo gjë për të është e zymtë. Ai e shikon veten të rrethuar nga delenxhinj, faqezinj, maskarenj. Ai vetëm shfryn dhe vjell vrerë ndaj shoqërisë ku jeton. Atij i ngjall neveri çdo gjë që bie ndesh me ateizmin e tij. Ç’ti bësh, ashtu është brumosur!

Ben Blushi është pikërisht modeli i shkrimtarit të vjetër, i dogmaxhiut ateist. Shoqëria jonë akoma vuan nga përplasja e të vjetrës me të renë. Beni është mbase brezi i fundit që përfaqson me fanatizëm të vjetrën, ateizmin që e zhveshi njeriun nga humanizmi, për ta kthyer në një “kafshë” biologjike.

– Me qindra e mijëra xhandarë fetarë, berberë që jetojnë për të prerë koka dhe jo flokë, idiotë që mendojnë se lufta me komunistët vazhdon, maskarenj që vjedhin shapka nëpër xhami … – thotë i revoltuar.

Ben Blushi e di shumë mirë që muslimanët e Shqipërisë kanë qenë dhe janë njerëzit më paqësorë. Në fakt ata kanë qenë viktima kryesore e regjimit komunist. Ata që kanë prerë kokat kanë qenë komunistët. I ati i Benit ka shërbyer me besnikëri me artin e tij të trilluar për të legjitimuar këto persekutime. Këto filma nuk kanë qenë vetëm shpifje. Ato i shërbenin regjimit për të përligjur masakrat ndaj fesë dhe besimtarëve. Këto filma kanë qenë ana propagandistike e “prerjes së kokave”, e luftimit të fesë dhe shkatërrimit të xhamive. Këto filma kanë qënë ato që vujatjet e të persekutuarve i kthenin në tallje dhe zgërdhirje.

Ndërsa sot, pas 44 vjetësh, një xhandar i injorancës, një zhgarravitës librash, me emrin Ben Blushi, vjen të na i përligjë këto krime, me preteksin se muslimanët na paskëshin qenë ca dallaverexhinj që e meritonin çfarë u kishte ndodhur. Do të ishte më e udhës që Beni t’u kërkonte falje muslimanëve dhe të pafajshmëve të internuar dhe nëpërkëmbur nga arti i të atit të tij. Në vend që t’u krekoset viktimave, Beni duhet të ulë kokën i turpëruar prej artit dallkauk dhe servil të Kiço Blushit. E kuptoj që Beni nuk përmbahet dot. Ateizmi e ka dërrmuar atë si njeri. Rikthimi i lirisë fetare e bren nga brenda, të plasë nga marazi. Të paktën të mos e prishë kaq shumë gjakun me muslimanët se ka për të luajtuar nga fiqiri. Ta mbajë pak veten, se shenjat e skicofrenisë i kanë filluar t’i shfaqen dhe pak nga pak do të përfundojë në çmendinë, se në kosh të plehrave ka përfunduar prej kohësh. Qetosohu pak Ben dhe merre më shtruar! Nejse të shkuara!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit