2.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

2022-ta, viti i shpërthimit të egër të çmimeve dhe inflacionit dyshifror

Më të lexuarat

Nuk pati ditë të vetme më 2022-tën, praktikisht që nuk pati ngritje çmimesh, shumica sosh të egra, abuzive dhe jashtë çdo logjike të tregut. Edhe ditëve të fundit në Kosovë, pikërisht në prag të festave të fundvitit, sërish vazhdoi ngritja e madhe e çmimeve të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim dukshëm në ç’ekuilibrimin evident të gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër.

Çmimet në Kosovë, më 2022, praktikisht kanë vazhduar të ngriten hovshëm dhe përditë. Tregtarët kosovarë, sidomos ata të pandërgjegjshmit nuk rreshtën së ngrituri çmimet, sidomos të produkteve bazë ushqimore, dhe të cilat kanë ndikim të qenësishëm në mirëqenien e kosovarëve.

Për ta, për tregtarët e pandershëm dhe të prirur për të shfrytëzuar situatat kaotike, janë thuaja të panjohura rezolutat, rekomandimet dhe sugjerimet e autoriteteve dhe zyrtarëve të vendit.

Ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh ndodhën edhe në momentumet kur autoritetet më në fund vendosën të ndërmarrin ndonjë masë për t’i sfiduar dhe parandaluar pak a shumë “fluturimin” e çmimeve, sidomos të atyre elementare ushqimore, osë siç jemi mësuar t’i emërtojmë, ato ‘të shportës”. Në këtë mënyrë, vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues, tregtarët abuzues me situatat, ringritën hovshëm deri në qiell thuaja se të gjitha produktet ushqimore, e sidomos ato elementare.

Në muajin gusht të 2022-tës, autoritetet paralajmëruan masa për parandalimin e ngritjës abuzive të çmimeve, dhe pikërisht në këtë muaj, më saktësisht ishin 11,12 dhe 13 gushti, ditët e veçanta kur shpërtheu ngritja e vrullshme e të gjitha produkteve elementare ushqimore.

Në këto ditë, anembanë Kosovës pati ngritje goxha të ndjeshme të çmimeve te vezët (kompleti i tyre 30 vezësh) me çmime të reja të ngritura, sipas të dhënave të ATK-së, prej 4, 26 eurosh, por edhe prej 4.50 eurosh, për dallim nga java e kaluar kur ky komplet vezësh tregtohej me 4.09 euro. Tani në fund të vitit kompleti i 30 copë vezëve, në të gjita marketet, supermarketet dhe megamarketët tejkalon këto çmime, madje në disa markete në ditët e fundit të dhjetorit, në prag të festave të Vitit të Ri, një komplet vezësh tregtohej edhe me 5,50 euro. Ndërsa, në korrik të vitit 2021, një komplet prej 30 copë vezësh ka kushtuar në Kosovë diku më së shumti 2.15 euro.

Ngritje çmimi u pa në të gjitha pikat e shitjes anembanë Kosovës në ditët e apostrofuara në këtë shkrim edhe te vaji ushqimor (thuaja te të gjitha llojet e tij). Vaji i luledielli, që në Kosovë është më i konsumuari shitej me 2.93 euro, ndërsa vjet në korrik një litër vaj të lulediellit ka kushtuar diku 1.56 euro. Edhe të gjitha produktet bazike ushqimore (mielli, buka, mishi i viçit dhe ai i pulës, qumështi) kanë shënuar këtyre ditëve prapë rritje çmimesh edhe krahasuar me pak kohë dhe ditë më parë, dhe krahasuar me muajtë e njëjtë të vitit të kaluar. Mielli në të shumtën, gjatë 2022-tës, u tregtua me mbi 80 centë kilogrami, (vjet me 0,52 centë), buka me 50-60 centë në vend të 0,35 centësh sa ishte më parë, mishi i viçit sipas të dhënave të ASK-së tani kushton 9,19 euro deri në 10 euro për kilogram, ndërkohë që në korrikun e vjetshëm ka kushtuar 7,45. Mishi i pulës ka shkuar në 4.5 euro kilogrami derisa vjet shitej me 2.64 euro. E kështu me radhë.

Por të gjitha këto çmime në fund të 2022-tës kanë pësuar “revidim’, janë ngritur akoma edhe në përqindje të ndjeshme. Ndërkohë, sërish në këto tre-katër muajit e fundit, të po këtij viti (2022-tës pra), kanë ndodhur ngritje të reja të vrullshme të shumë produkteve ushqimore. Kështu, me çmime të reja të ngritura tregtohet edhe buka, dhe shumë produkte të miellit, edhe vezët, edhe vaji ushqimor dhe shumë lloje djathrash. Edhe më alarmuese gjendjen e krijuar në Kosovë si pasojë e ngritjës enorme të çmimeve, e bëjnë të dhënat e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në bazë të të dhënave më të reja të Bankës Botërore, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë nga prilli deri në korrik 2022, janë rritur për 19.2 për qind, që i bie që në këtë shkallë, 19.2 për qind pra, ishte edhe inflacioni për produktet ushqimore në vendin tonë. Sa i përket shteteve të rajonit, Banka Botërore rendit Shqipërinë me inflacion 13.2 për qind, Serbinë me 19.3 për qind, Maqedoninë e Veriut me 21.5 për qind dhe Malin e Zi me 23.1 për qind. Në përditësimin e saj të sigurisë ushqimore, Banka Botërore njoftoi se nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni në produkte ushqimore është i lartë në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Ndërsa, Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2 për qind. Banka Botërore njofton më tej se që nga 11 gushti 2022, indeksi i çmimeve bujqësore është 1% më i lartë se dy javë më parë. Çmimet e misrit dhe të grurit janë 2% më të larta krahasuar me janarin 2022, ndërsa çmimet e orizit janë rreth 6% më të larta. Krahasuar me mesataren e janarit 2021, indekset e çmimeve të misrit dhe grurit janë 20% më të larta, ndërsa indeksi i çmimit të orizit është 16% më i ulët.

Ngarendja për ta ngritur çmimin e bukës normale që tregtohet me shumicë në Kosovë, gjatë ditës së djeshme, e hënë, 23 gusht dhe ditës së sotme, nga 50 në 60 centë, është thjesht abuzim dhe tendencë për ta shfrytëzuar situatën dhe frymën që ka kapluar zhvillimet në sferën e çmimeve edhe në vendin tonë. Sepse, nuk mund të arsyetohet furrëtari për ngritjen e çmimit më të ri të bukës (buka standarde 500 gramshe në disa furra të Kosovës gjatë 2022-tës është tregtuar edhe me nga 60 centë, ndërsa bureku nga 1,20 deri në 1,30 centë) dhe produkteve të tjera nga mielli me faktin se “letra e burekut” që paska kushtuar më herët 6.30 centë për kilogram, tani po u tregtoka me 12 euro. Një kilogram mish më parë ka kushtuar 6 euro ndërsa tash është mbi 9, 6 e 10 euro e më shumë. Ose, një thes miell 25 kilogramësh, tip 400 gjatë vitit të kaluar që ka kushtuar 8 euro e diçka, tani kushton së paku 16 euro. Sepse, për këto lëvizje çmimesh të miellit apo “letrës së burekut” janë ngritur sa e sa herë deri më tash çmimet e bukës dhe të produkteve të tjera të miellit. Nuk është edhe gjithaq i qëndrueshëm arsyetimi se në çmimet e ngritura të bukës dhe pjekurinave të tjera të miellit po ndikuaka tani edhe aplikimi i reduktimeve dhe kostoja e konsumimit të karburanteve gjatë reduktimeve.

Sidoqoftë, kjo është çështje e diskutueshme, në mungesë të masave ligjore nga ana e autoriteteve, mbetet vetëm çështje e ndërgjegjes së tregtarëve dhe, në rastin konkret e furrëtarëve. Dhe, më 2022, në të gjitha rastet e ngritjes së çmimeve nga tregtarët abuzues, institucionet e Republikes dhe autoritetet zyrtare, praktikisht u dëshmuan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme abuzive për ngritje çmimesh të egra të shumë produkteve ushqimore. Siç u pa, por edhe siç kanë vrejtur në shumë raste inspektorët e tregut në qendra të shumta të vendit, gjatë operacioneve të tyre inspektuese, goxha do çmime të produkteve ushqimore ishin edhe të nxitura dhe të vendosura nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Me fjalë të tjera, po del të ishin vetëm fjalë, sado që të shkruara-e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike kohë më parë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore. Po kështu u dëshmua thuaja i paefektshëm dhe jorezultativ edhe Ligji për masat e përkohshme të produkteve bazike, i miratuar me 27 tetor në Kuvendi i Kosovës, me propozim të Qeverisë. Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se edhe Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës po kështu muaj më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë, tani po del vetëm një parollë pa asnjë efekt dhe pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra.

Çmimet e reja të ngritura që ndodhën përditë më 2022 dhe në ditët e fundit në prag të Vitit të Ri po dëshmojnë se sado që Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues, thuaja deri në përmbyllje të 2022-të nuk është bërë asgjë. Më fjalë të tjera, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore asnjë kërkesë dhe synim i zyrtarëve nuk është përmbushur. Thjesht, si me ligje për të kontrolluar sado pak shfrenimin e egër të çmimeve, si pa to, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe në vitin që sapo e përcollëm i quan çmimet në stratosferë, duke e quar në qiell edhe marzhën e fitimit.

Dolën të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti të bëra në shumë raste gjatë 2022-tës se “ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale”. Nuk pati ndonjë efekt për ta veçuar as vendosja disa herë “e çmimit tavan për naftën”, dhe as “plotësim-ndryshimet e Udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të tjera”. Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar në përmbyllje të vitit dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura.

Eksperti i pavarur i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar për medien kosovare se për arsye të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në vend duhet të rriten edhe pagat. “Kemi rritje të pa kontrolluar të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë të sektorit privat, publik, qoftë administrate , prandaj nëse kemi këtë trend inflacioni, atëherë duhet kemi prioritet ngritjen e pagave. Kosova po vonohet për ta zënë hapin”, tha ai. Gërxhaliu tha se nuk mund të flitet për rimëkëmbje kur çmimet janë rritur në mënyrë të pakontrolluar. Prandaj, sipas tij, shteti duhet që t’u ndihmojë familjeve të varfra për arsye se në vend ka rritje të varfërisë ekstreme. Kujtojmë se paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon. Ajo aktualisht është 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë. Kjo pagë, në këtë rrebesh ngritjesh të çmimeve, nuk e mbulon as për së afërmi minimumin e nevojshëm për jetë. Dhe ky fakt duhet të shqetësojë secilin nesh- që nga institucionet më të larta deri te tregtari më i vogël. Demokracia, që aq me dashuri e përqafuam para 20 vjetësh pranon vetëm ekonominë e tregut, pra edhe ngitjen e çmimeve deri në një farë mase në bazë të ligjeve ofertë-kërkesë. Por, sistemi demokratik në të gjitha vendet që kanë përqafuar atë, nuk e pranon në asnjë mënyrë ngritjen e çmimeve pa asnjë logjikë ekonomike, pa arsye reale, sikundër që nuk e pranon kurrsesi ngritjen e egër dhe stihike të çmimeve, sipas dëshirës dhe vullnetit të tregtarëve me prirje manipulative, zhvatëse dhe të pasurimit brenda natës. Në këtë kontekst, institucionet e vendit mund të bëjnë më shumë dhe mund të jenë më të prera./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit