Në orën 6:00 të mëngjesit të së enjtes, një grup prej shtatë ushtarësh rusë sulmuan shtëpinë e Leila Ibrahimovas në Melitopol, në Ukrainën juglindore.
Ibrahimova, një tatare etnike e Krimesë, është një figurë e njohur në një qytet që ra nën kontrollin rus gjatë pushtimit të Ukrainës nga Moska. Zëvendësja e Këshillit Rajonal të Zaporozhyes, si dhe drejtoresha e muzeut, Ibrahimova përfaqësoi fuqishëm zonën e saj elektorale, e cila përfshin rreth 12,000 tatarë të Krimesë, një grup musliman indigjen në Krimenë e afërt, të cilën Rusia e aneksoi në 2014.
Ushtarët dyshohet se i vendosën një kapuç në kokë dhe e futën me forcë në një makinë për ta marrë në pyetje në një vend të panjohur.
Ajo u pyet për Azadin, një organizatë lokale e tatarëve të Krimesë, si dhe emrat dhe adresat e aktivistëve dhe udhëheqësve midis mendimtarëve në rajonin e saj. Ibrahimova nuk pranoi t’u jepte informacion dhe u tha se veprimet e tyre ishin të paligjshme. “Kjo është ende Ukrainë”, tha ajo – “ligjet ruse nuk zbatohen”.
Ibrahimova u lirua më vonë atë ditë dhe forcat pushtuese ruse vendosën të mos e akuzonin atë.
Por analistët thonë se arrestimi mund të japë një pamje të planeve afatgjata të Rusisë për territoret që ata kanë pushtuar në dy javët e fundit, si dhe taktikat që do të përdorin për të zbatuar këto plane.
“Qëllimi i ndalimit është ta frikësonin Ibrahimovan, që prej saj të merrnin sa më shumë informacion për kontaktet e saj dhe që të identifikonin njerëz dhe organizata që më vonë mund të shënjestrohen nga forcat ruse.Këto janë metoda të njohura të forcave ruse të sigurisë. Ata bënë të njëjtën gjë në Krime në vitin 2014”, tha për Al Jazeera-n Nedim Useinov, një ekspert politik në Fakultetin e Islamit në Varshavë.
Useinov thotë se duket që plani rus është të marret nën kontroll territori, të shkëputet përgjithmonë Ukrainën nga deti dhe të bashkohen rajonet e ndara të Donetskut dhe Luganskut me Rusinë dhe Krimenë.
“Ata duan edhe ujë nga lumi Dnieper, sepse ende nuk e kanë zgjidhur problemin e ujit në Krime”, shtoi ai.
Një vështrim më i afërt i politikës së Rusisë ndaj Krimesë së aneksuar mund të japë një ide të asaj që mund të ndodhë me aktivistët, zyrtarët dhe udhëheqësit e komunitetit tatar në territore të tjera ukrainase që kohët e fundit kanë rënë nën kontrollin rus, thonë analistët.
“Situata me tatarët në Krime ka qenë e vështirë që nga fillimi i okupimit. Rusia po persekuton të gjithë aktivistët që janë kundër okupimit dhe ka organizuar një spastrim”, tha Lenur Kerimov nga Fondacioni polak i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
“Rreth 20 tatarë janë zhdukur deri më tani në Krime. Ata u morën nga shërbimet e sigurisë dhe me shumë gjasa janë të vdekur. Kjo ndikoi shumë në moralin e njerëzve. Politika e Rusisë ndaj tatarëve është një politikë terrori”.
Analistët thonë se ndërsa shtypja ndaj tatarëve të Krimesë bazohet në fe, kjo ka të bëjë edhe me faktin se komuniteti protestoi kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe e kritikoi atë në media.
Në tetë vitet e fundit të pranisë së Rusisë në Krime, shtëpitë e aktivistëve janë bastisur dhe pothuajse të gjitha mediat e pavarura tatare të Krimesë janë mbyllur. Si pasojë, gazetarët vendas ose janë detyruar të largohen ose kanë zhvendosur fokusin e tyre nga politika në argëtim. Censura e plotë e mediave lokale është në fuqi.
Politika e rusifikimit është në lëvizje të plotë. Ndërsa Krimea ka tre gjuhë zyrtare – rusisht, tatare të Krimesë dhe ukrainase – aktivistët dhe ekspertët vendas thonë se shkollat janë nën presion që të mos japin mësim në gjuhën ukrainase dhe tatare.
Kerimov thotë se qëllimi i kësaj politike është të heqë të gjitha gjurmët e identitetit dhe kulturës tatare, si dhe të pengojë çdo lëvizje qytetare.
“Janë rreth 100 tatarë të Krimesë që ne i konsiderojmë të burgosur të ndërgjegjes në burgjet ruse me dënime të gjata. Shumica e këtyre njerëzve janë muslimanë,” tha Kerimov.
“Rusët pretendojnë se ata janë anëtarë të Hizb ut-Tahrir (parti muslimane), e cila është e ndaluar në Rusi. Por në Ukrainë, kjo parti është e ligjshme dhe nuk ka asnjë provë që ndonjë nga anëtarët e saj në Ukrainë ose Krime është i lidhur me ndonjë aktivitet të paligjshëm ose ekstremizëm. Këta janë thjesht njerëz që besojnë në diçka tjetër.”
Në disa raste, thotë Kerimov, njerëzit burgosen vetëm për posedim të Kur’anit.
Parashikimi i Kerimit për atë që mund të ndodhë më pas në territoret e pushtuara të Ukrainës nuk është aspak optimist.
“Të gjithë aktivistët dhe njerëzit që mund të udhëheqin protesta masive do të kërcënohen. Do të ketë mbyllje. Shpresoj se nuk do të ketë vrasje, por duhet të përgatitemi edhe për këtë”, tha ai.
“Këto janë metoda tipike të përdorura nga Rusia për të ndëshkuar dhe kërcënuar popullsinë vendase”. /tesheshi.com/