2.8 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Agjenda e takimit në Ohër – deklarata e Kurtit, ambasadorit Hovenier dhe Rohde për aneksin e zbatimit

Më të lexuarat

Dy ditë para takimit në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian tashmë dihet edhe agjenda, gjersa janë intensifikuar edhe deklaratat e ndërkombëtarëve përkitazi me takimin dhe pritjet.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.

Duke filluar nga ora 10:00, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në takim do të diskutohet për planin e zbatimit të Propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, koha për takimin trilateral nuk është bërë e ditur.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell gjatë një vizite në Prishtinë

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim, ndërsa u dakorduan në parim për Propozimin evropian por pa vënien e nënshkrimeve.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

E kur kanë mbetur vetëm dy ditë deri në takimin në Ohër janë shtuar edhe deklaratat.

Lidhur me takimin e 18 marsit një ditë më parë ka folur kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të opozitës në vend, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, NATO, etj.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë takimit në Strasburg me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister ka folur për takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër dhe planin e zbatimit të Propozimit evropian.

“Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshjes bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Në një takim që ka zhvilluar sot me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier tha se aktualisht fokusi kryesor është te zbatimi i aneksit të marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje e përkohshme, për të cilën po punohet, edhe zbatimi që po negociohet në Ohër këtë fundjavë, ne e konsiderojmë si një hap shumë të rëndësishëm përpara dhe mendojmë se një marrëveshje e plotë është e arritshme. Ne besojmë se kjo marrëveshje, 11 pikat që janë rënë dakord, aneksi zbatues që është në negocim sjell përfitime reale, praktike si politike ashtu edhe ekonomike. Pra, dua të jem i qartë se 11 pikat aktuale, ato nuk po negociohen”, tha ai, raporton KP.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Sipas ambasadorit amerikan, plani i BE-së për dialogun nuk përmban njohjen de-jure mes dy vendeve, por njohja reciproke duhet të ndodh në marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Hovenier tha se i njëjti duhet të themelohet, por shtoi se Kosova nuk mund të zbatojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Ambasadori foli edhe për aspiratat e Kosovës për tu anëtarësuar në NATO, duke thënë se SHBA-të besojnë që Kosova një ditë duhet të jetë anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

“Shtetet e Bashkuara kanë shprehur një vizion për Kosovën që besoj se edhe populli i Kosovës pajtohet, dhe ky është se Kosova gjithnjë e më shumë po zë vendin e saj në familjen evropiane dhe po integrohet në strukturat evropiane dhe atlantike, përfshirë edhe NATO-n. Dhe vizioni ynë për Kosovën në planin afatgjatë është shumë i drejtpërdrejtë, ne besojmë se Kosova duhet të jetë, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut një ditë, dhe është vetëm një çështje se si do i përmbushni kushtet në mënyrën e duhur për ta arritur këtë”, tha Hovenier.

Ai shtoi se në rast se arrihet një marrëveshje në Ohër, dhe Kosova shihet se ka kontribuar me sukses, në mënyrë konstruktive për arritjen e kësaj marrëveshjeje, do të ketë një aktivitet të shtuar amerikan në lidhje me partneritetin për paqe.

E ambasadori gjerman, Jorn Rohde theksoi se zbatimi i aneksit të marrëveshjes bazë nga Kosova dhe Serbia është thelbësor.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde

“Gjithashtu mbështetje e plotë për propozimin e BE-së nga Parlamenti Evropian. Marrëveshja për zbatimin e aneksit nga Kosova dhe Serbia më 18 mars në Ohër është thelbësore për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ndërkaq, Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka thënë se çështjet e hapura duhet të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën.

“Kosova duhet të sillet si shtet serioz. Jemi në prag të arritjes së një marrëveshjeje që i hapë perspektivë Kosovës dhe e mbyll një kapitull të rëndësishëm. Si vend kemi marrë obligime shtetërore dhe nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Çështjet e hapura të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën, por çështja kryesore është marrëveshja kornizë e cila tashmë është pranuar”, ka deklaruar Tahiri. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit