2.2 C
Pristina
Wednesday, January 22, 2025

A lejohet të pish nga ena e krisur, e thyer apo e cikrruar?

Më të lexuarat

Pyetja: Dikush prej vëllezërve më tha se nuk lejohet të pish në enën që është e krisur apo e thyer apo e cikrruar, A ka bazë në fe kjo?

Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, paqja dhe lavdërimi i Tij qofshin për Muhamedin. Më pas:

Ebu Said el Hudriu (radijallahu anhu) përcjellë se:
“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka ndaluar të pihet në pjesën e krisur të tasit (gotës) dhe ka ndaluar të fryhet në pije”.

Shënojnë Ahmedi, Ebu Davudi e të tjerë. Në zinxhirin e këtij hadithi ndodhet Kurrah ibn Abdurrahmani, i cili është i dobët te shumica e dijetarëve të hadithit.

Po ashtu nga Ibn Abasi dhe Ibn Omeri (radijallahu anhum) përcillet se kanë thënë:
“Ka qenë e urryer të pihet në vendin e krisur të tasit, dhe në anën e vegës (dorëzës) së tij”. (Shënojnë Ibn Ebi Shejbeh, Taberani etj. Zinxhiri i transmetimit është i mirë)

Kjo është përcjellë gjithashtu edhe nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu), se:
“E urrente që njeriu të pijë në enë të thyer dhe të marrë abdes prej saj”.
(Shënon Abdurrezaku ne “el Musanef” me zinxhir të saktë)

Nga këto hadithe nënkuptohet se është e ndaluar të pihet nga vendi i thyer i gotës, apo i çarë, apo i krisur, si dhe nga ana e vegës ku kapet gota apo tasi e të ngjashme.
Sipas disa shpjeguesve të këtij hadithi, në këtë gjykim hyn edhe ngrënia në pjesën e thyer apo krisur, është fjala nëse ha me enë të krisur në mënyrë të drejtpërdrejtë.
(Fejdul Kadir (6/316), Es Siraxh el Munir Sherh el Xhami’ es Sagir (4/364)).

Mirëpo, kjo ndalesë te dijetarët është kuptuar se nuk ka për qëllim se një gjë e tillë është haram i prerë, porse e urryer apo e pa pëlqyer (mekruh), siç pohon imam Tahaviu e të tjerë. (Sherh Meanil Athar, (4/276)).

Kurse arsyeja e të qënit një gjë e tillë e pa pëlqyer, siç e cekin dijetarët, qëndron në atë se:

– nëse pi nga kjo pjesë ka mundësi që uji, çaji, etj të rrjedhë nga vendi i krisur dhe të bie në fytyrë apo në rroba.

– mund të lëndohet nga gota apo ena e krisur, sidomos nëse është nga qelqi apo xhami.

– sepse pjesa e krisur, është vend ku mund të mblidhen mbeturinat, mikrrobet etj, sepse nuk pastrohet mirë dhe zakonisht mblidhen papastërtitë në të.

– thuhet gjithashtu se pjesa e krisur e enës është vend i shejtanit, siç është përcjellë nga Muxhahidi, nxënësi i Ibn Abasit (radijallahu anhu). Shënon Tahaviu në “Sherh Meanil Athar”, me zinxhir të saktë.
(Shih: Mealim es Sunen (4/274), Avnul Ma’bud (10/135)).

Vlen të cekët se në bazë të haditheve të lartpërmendura, ndalesa ka të bëjë me të pirit në vendin e thyer apo krisur, për shkak të arsyeve të përmendura, kurse nëse pi në anët tjera të gotës, apo enës nuk ka gjë, sepse në esencë enët e ushqimit janë hallall, përderisa nuk vie ndonjë argument që ndalon diç prej tyre.

Po ashtu, përdorimi i enëve të ushqimit të krisura, apo të çara nuk ka ndonjë ndalesë, përkundrazi në hadith të saktë përmendët se kur njëra prej grave të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) theu enën e ushqimit të ortakës së saj, i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem), mblodhi dy copat e enës, vendosi në të ushqimin dhe u tha sahabëve që ishin prezent: “Hani, xhelozoi nëna juaj!”, pastaj urdhëroi t’i kompensohet ena e thyer.
Shënojnë Buhariu, Ebu Davudi, e të tjerë.

Gjithashtu, Enesi (radijallahu anhu) përcjellë se:
“Tasi (gota) i të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) ishte krisur dhe vendin e krisur e kapi (arnoi) me fije nga argjendi”. Shënon Buhariu.

Pra, i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) e përdori enën e thyer dhe nuk urdhëroi të hudhet, që nënkupton se ndalesa e përmendur në hadithet e mëparshme, është për qëllim atëherë kur pi ose ha direkt nga pjesa e thyer në mënyrë të drejtpërdrejtë. Allahu e di më mirë.

Agron Krasniqi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit