-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A lejohet qumështi i gomaricës për kurim?

Më të lexuarat

Pyetje: Më kanë rekomanduar qumështin e gomaricës për kurim por nuk di gjykimin fetar nëse lejohet apo ndalohet. Çfarë më sugjeroni dhe si të veproj?

Përgjigje: Për të kuptuar më mirë çështjen e qumështit të gomaricës duhet të kemi të qartë fillimisht gjykimin për mishin e gomarit. Nga Xhabir ibn Abdil-lah transmetohet se; “Profeti (alejhissalatu uesselam) në ditën e betejës së Hajberit e ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit dhe e ka lejuar mishin e kalit.” Transmetuan Buhariu nr 4219 dhe Muslimi nr 1941.

Në një hadith tjetër përcjellur nga Enes Ibn Maliku se; “Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka ndaluar mishin e gomarit sepse e ka konsideruar të papastër. “ Transmetoi Buhariu nr 5528.

Duke iu referuar këtyre argumenteve, – edhe pse ka mendime që e lejojnë – shumica e dijetarëve mendojnë se mishi i gomarit është i papastër, atëherë rrjedhimisht dhe qumështi i gomaricës konsiderohet i tillë dhe i ndaluar të konsumohet. Për këtë arsye po sjellim mendimet e shkollave juridike islame.

Në medh’hebin Hanefi qumështi i gomaricës konsiderohet i pastër por nuk nuk lejohet të përdoret dhe të konsumohet për kurim. (El-Binajeh sherh el-Hidajeh 1/446)

Në medh’hebin Maliki është e njohur zyrtarisht se mishi i gomarit është i ndaluar dhe për rrjedhojë dhe qumështi i gomaricës është i ndaluar . Ndërkohë përcillet nga vetë Imam Maliku se nuk e ka konsideruar të ndaluar konsumimin e qumështit të gomaricës, që sipas imam Ibn Ruzhdit qëllimi i imam Malikut është për konsumim në rast kurimi dhe jo tjetër. (Et-Taxh uel-Iklil 1/94.)

Ndërsa në medh’hebin Shafi qumështi i gomaricës konsiderohet i papastër (nexhis) andaj dhe ndalohet shitja dhe konsumimi i tij.

Kurse në medh’hebin Hanbeli, njëjtë si në medh’hebin Shafi është i ndaluar konsumimi i tij. (Mexhmea el-Enhur fi Sherhi Multeka el-Ebhur 4/181.) Madje kur është pyetur vetë imam Ahmedi për përdorimin e qumështit të gomaricës për të sëmurin e ka ndaluar, paçka se bëhej fjalë për sumundje me dhimbje të forta. (Mesail Ahmed ibn Hanbel 1/409.)

Në përfundim themi se duke qenë se Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka ndaluar mishin e gomarit dhe e ka konsideruar të papastër, i tillë konsiderohet dhe qumështi i gomaricës dhe nuk lejohet të konsumohet si konsum i zakonshëm, as në kozmetikë (sic njihet në kohët e sotme gjerësisht) as për sëmundje. Vetëm në rastin kur sëmundja është e rëndë dhe nuk ka mundësi tjetër dhe as alternativë kurimi mund të përdoret ose konsumohet aq sa është e nevojshme.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit