2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A ka zbritje reale sezonale çmimesh në Kosovë ?

Më të lexuarat

Në Kosovë nuk ka ndonjë ligj të posaçëm që do të rregullonte mënyrën e uljes sezonale të çmimeve. Dhe në mungesë të normativës ligjore, tregtarët kosovarë praktikisht bëjnë si të duan vetë me uljen sezonale (stinore) të çmimeve në tregtitë e tyre (butiqet, shitore të ndryshme mallrash prej më të ndryshmeve, markete dhe supermarkete lloj-llojesh).

Në shumicën e rasteve, zbritjet sezonale edhe në Kosovë kanë të bëjnë me shitoret e tregtimit të vashmbathjeve, por edhe të teknikës së bardhë dhe materialeve e mjeteve të ndryshme të punës.

Dhe, në mungesë të legjislacionit që do të rregullonte këtë çështje, siç ekziston kudo në botë, në shtetet e BE-së, por edhe në shumicën e shteteve të rajonit, tregtarët tanë, së paku deri tash, më shumë e kanë përdorur zbritjen sezonale të mallrave të tyre për të mashtruar klientelën dhe konsumatorët në përgjithësi, se sa të zbatojnë ndonjë ulje reale çmimi, të reklamuar në forma të ndryshme dhe në rastet më të shpeshta, duke potencuar në vitrinat e shitoreve përqindje në pano kolosale për gjoja uljet 20, 30, 50, e deri në 70 për qind.

Reklamim i uljeve të çmimeve, sidomos i produkteve të veshmbathjes, në sezonet e tregtimit me ulje çmimesh, ka vite që edhe në Kosovë, veç në gjuhën shqipe bëhen e dhe në anglisht, thuaja në shumicën e shitoreve tona.

Mashtrimi sezonal me çmimet në Kosovë vazhdobn të përsëriet në secilin vit, tani e gjithë kohën e pasluftës.

Tregtarët mashtrues, që janë theksueshëm të shumtë, manipulojnë me çmimet duke ua vënë aty për aty çmimet shumë më të larta se sa që i kanë pasur gjatë muajve të tërë para gjoja zbritjes sezonale, dhe pastaj cakton përqindjen e uljes së çmimit për të mbërritur sërish nivelin, ose çmimin thuaja identik që kanë pasur produktet e potencuara me zbritje deri me rastin e proklamimit të uljeve të çmimeve. Dhe ata, tregtarët e pandërgjegjshëm pra, pastaj në insistimin e ndonjë konsumatori të vëmendshëm që nuk ka harruar çmimin paraprak (gjatë muajve deri sa është proklamuar sezoni i uljes së çmimeve), ngulin këmbë duke pohuar se “kjo është ulje reale çmimi”.

Duhet theksuar se në Kosovë ka edhe ulje reale çmimesh sezonale. Por, ato ndodhin ekskluzivisht te brendet e njohura të botës që tashmë kanë hapësira dhe ambiente të veta shitjeje edhe te ne, ose mallin e tyre e plasojnë në disa shitore të kosovarëve, por që i mikëqyrin rigorozisht mënyrat e uljes së çmimeve, duke kërkuar që domosdo të tregtohen mallrat e tyre sipas çmimit të caktuar nga vet kompania .

“Zara, “Adidas”, ”Nike”, “Clark”, ”Newyorker”, “Boss”, “Mango”, “Bershka” etj, etj, janë decidiv në kërkesat e tyre drejtuar tregtarëve duke kërkuar thuaja me ultimatum për t’i zbatuar rekomandimet dhe përcaktimin e çmimit të ulur nga vetë brendi në sezonin e zbritjeve të çmimeve. Në këto raste tregtarët kosovarë janë kushtimisht ‘të dëgjueshëm’ dhe nuk kanë hapësirë për të manipuluar apo për mashtruar klientelën me çmime gjoja të ulura.

Dhe kosovarët, tashmë janë mësuar në truqet dhe farsat e tregtarëve mashtrues. Prandaj, gjithnjë e më të vëmendshëm po bëhen dhe në sezonin e tashëm veror (në botë fillon rëndom në korrik dhe zgjatë deri në fund të gushtit), që i vëren duke vizituar  shitore të shumta deri sa të vendosin për të blerë ndonjë produkt.

Më të vëmendshëm, gjithsesi janë bërë edhe mërgata jonë, që në këta muaj të verës kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë masovikisht në vendlidje dhe që realisht janë konsumatorët më të shumtë, por edhe që shpenzojnë shumë para për t’u fuurnizuar, sidomos me veshmbathje, në sezonin veror të uljes së çmimeve.

“Nuk di çka të them. Nuk e kam tërësisht të qartë se a është reale zbritja e reklamuar, por për mua janë goxha tërheqëse dhe joshëse shifrat 30, 40, e 50 për qind ulje çmimesh. Dhe unë rëndom blej sa herë të vijë në kosovë. Kam përshtypjen se janë paksa më lirë se në vendin ku unë punoj dhe jetoj përkohësisht”, shprehet një mërgimtar në hollin e qendrës tregtare  “Albi Mall” në Veternik.

Në anën tjetër, edhe pronari Iinjë butiku, që do të mbetet anonim, po në këtë qendër të stërmadhe tregtare, ngul këmbë se tashmë, e sidomos në vitet e fundit edhe në Kosovë, ndodhë ulje reale çmimesh në sezon të uljes së çmimeve, siç është tani ky verori. Por sipas tij, këtë ulje e kushtëzon në radhë të parë konkurrenca e madhe dhe mundësia për të zgjedhur dhe për të seleksionuar konsumatori.

“Pavarsisht mosbesimit evident tashmë të krijuar me vite në Kosovë se shifrat e ekspozuara në xhamat e shitoreve për ulje çmimesh janë ireale dhe vetëm truk mashtrues, ka zbritje tamam në përputhje më përqindjet e reklamuara”, thotë pronari i butikut në “Albi mall”.

Sidoqoftë, tashmë në vende të ndryshme të botës, sidomos në  shtetet e BE-së, por edhe të rajonit, kaherë me ligj rregullohet procedura e zbritjeve sezonale të të gjitha mallrave në treg. Në Kroaci, bie fjala, zbritja e sivjetshme sezonale verore, sipas Insektoratit Shtetëror të këtij vendi, do të bëhet edhe kësaj vere (korrik-gusht) ekskluzivisht në bazë të Ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve, të miratuar në fillim të këtij viti, dhe që ka hyrë në fuqi në fund të muajit maj dhe sipas të cilit do të bëhet tregtimi i veçantë i mallrave me ulje çmimi.

Në këtë mënyrë, me rastin e aplikimit të formave e mënyrave të veçanta të tregtimit të mallrave (në këtë rast me ulje sezonale  çmimesh), tregtari është i detyruar që gjatë kohës së tregtimit me ulje çmimesh, ta potencojë çmimin e zbritur të cilin e ka paralajmëruar nëpërmjet reklamimit si çmim të ulur gjatë tërë kohës sa do të zgjasë ulja sezonale e çmimeve, por edhe duhet ta potencojë edhe çmimin më të ulët që e ka aplikuar në këtë mall, në periudhën 30 ditore para se të fillojë ulja sezonale.

Procedurë të njëjtë, tregtari është i obliguar të aplikojë edhe për të gjitha lirimet e produkteve që ai tregton, edhe jashtë sezonit të zbritjeve të çmimit, theksojnë në Inspektoratin Shtetëror të Kroacisë.

Në këtë shtet në pajtim me rregulloren për kushtet dhe mënyrën e zbatimit të zbritjeve sezonale, sezoni veror i uljes së çmimeve fillon me 1 korrik dhe zgjatë 60 ditë nga kjo datë.

Po kështu, nga Inspektorati Shtetëror i këtij vendi theksohet se në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, në mallin apo produktin me çmim të ulur, dhe as në vendin e shitjes së këtij malli, përveç çmimit të ulur dhe çmimit më të ulët në 30 ditët e fundit para fillimit të sezonit të uljes së çmimeve, nuk guxon të vihet e as të potencohet ndonjë çmim tjetër.

Dhe, krejt në fund, nëse gjatë kontrollit eventual vërtetohet se me produktet që kanë të potencuara uljen e çmimeve, ose ndonjë formë tjetër të veçantë të tregtimit, tregtari ka mashtruar konsumatorët me çmimin e proklamuar, apo më mënyrën e llogaritjes së uljes së këtij çmimi, në këto raste vlerësohet se bëhet fjalë për praktikë të pandershme afariste, përkatësisht me praktikë mashtruese afariste të tregtarit, dhe domosdo vlerësohet si veprim i paligjshëm, për çka pasojnë sanksionet e domosdoshme.

Përafërsisht ligje me përmbajtje pak a shumë identike ka edhe Sllovenia dhe thuaja të gjitha shtetet e BE-së. Dhe ligjet e mira, që ndikojnë në përmirësimin e sjelljeve dhe shprehive jo edhe aq të pranueshme të një strukture të tërë njerëzish, siç janë tregtarët, ata të pandershmit dhe mashtruesit, duhet pasur një orë e më parë edhe Kosova.

Kosovarët, nuk janë as më të mirë, por as më të këqinjë se popujtë e tjerë në Ballkan dhe në Europë. Ata kanë pasur nevojë që këtë lami dhe këtë sektor ta rregullojnë dhe ta vënë në binarë me ligje përkatëse, prandaj kemi nevojë edhe ne t’i kemi këto ligje. Ndryshe, edhe gjatë sezoneve të uljes së çmimeve, qoftë dimërore, qoftë verore, do të ketë mashtrime dhe mashtrues, siç pati në jo pak raste deri më tash./buletiniekonomik

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit