Pyetja: A është e ndaluar me bo ftesa per dasma, ahengje ose evente të tilla ku ka muzikë?
Përgjigjja: Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.
Darsmat e ahengjet në parim janë të lejuara fetarisht, përderisa nuk përmbajnë elemente të cilat i ndalon Islami. Andaj, çdo musliman duhet ta ketë parasysh që, si në momente mërzie, ashtu edhe në momente hidhërimi, të mos i tejkalojë dispozitat sheriatike, në mënyrë që mos të bëjë mëkat dhe njëkohësisht që të jetë i begatuar në gjërat e gëzueshme që i ndodhin.
Që të kemi martesë të begatuar dhe të mbarë, duhet të kujdesemi që mos ta fillojmë atë me mëkat ndaj Allahut, e ndoshta me atë vepër të hidhorohet Allahu dhe të mos dërgojë bereqet në të. Ndërsa muzika është prej gjërave të ndaluara me konsenzus nga gjeneratat e para të muslimanëve. Si e tillë ajo nuk duhet të jetë pjesë e darsmave tona.
Në darsma të tilla, duhet të mos jemi pjesëmarrës të drejtpërdrejt, në çfarëdo mënyre qoftë, në mënyrë që të mos jemi pjesëmarrës në mëkatin që bëhet në të, duke e patur parasysh që Allahu i Lartësuar thotë: “Ndihmohuni ndërmjet vete në mirësi dhe devotshmëri, dhe mos u ndihmohuni në mëkat dhe armiqësi”. (Maide 2).
Ndërsa, shtypja e ftesave për dasma, të cilat shoqërohen me gjëra të ndaluara, konsiderohet ndihmesë jo e drejtpërdrejtë në mëkatin që bëhet në të, dhe si e tillë, edhe pse mosshtypja e tyre do të ishte më e mirë dhe më e sigurtë për t’i ikur haramit, porse nuk mund të konsiderohet e ndaluar, për faktin se nuk konsiderohet ndihmesë e drejtpërdrejt në mëkat.
Vërejtje: Duhet të kemi kujdes që ftesat të mos përmbajnë në vete elemente të ndaluara (si: Fjalë që bien ndesh me fenë, reklamimi i alkoolit, e të ngjashme).
Një këshillë me urtësi, për atë që ka vendosur të bëjë darsëm me elemente haram, nga shtypësi i ftesave do të ishte me rëndësi në këtë rast, se ndoshta do të bëjë dobi. Allahu e di më së miri.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha