9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A dënohet femra në ahiret nëse vdes pa mbulesë?

Më të lexuarat

Pyetja:

A dënohet femra në ahiret nëse vdes pa mbulesë?

***

Përgjigjja:

Femra e cila nuk mbulohet sipas veshjes së paraparë islame, pra nuk mbulohet ka dënime edhe në dynja e edhe në ahiret. Nga dënimet në dynja mund të jenë thashethemet që mund të thuhen për femrën e zbuluar, sepse asaj mund t’i përputhen etiketimet e ndryshme lidhur me nderin e saj, pasi ajo ka refuzuar mbulesën. Mbulesa e trupit të femrës është për ta mbrojtur dhe izoluar nderin dhe moralin e saj. Kur ajo refuzon mbulesën sikur mund të kuptohet se ajo refuzon mbrojtjen e nderit të saj, ose e rrezikon atë. Allahu ka thënë: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzabë, 59)
Pra të njihen se janë të ndershme dhe nuk rrezikojnë ta ekspozojnë veten e tyre për ta prishur nderin, andaj edhe të sëmurët në zemër nuk kanë se si t’i ngacmojnë apo t’i ofendojnë.
Sa i përket dënimit në ahiret për femrën e zbuluar, mjafton hadithi në vazhdim, të cilin e transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku i Dërguari ﷺ ka thënë:
“Dy kategori njerëzish janë banorë të Xhehenemit, ende nuk i kam parë: njerëz që bartin kamxhikë sikur bishtat e lopëve, me të cilët i rrahin njerëzit dhe gra të mbuluara të zbuluara, të larguara nga respektimi i Allahut dhe propaganduese në mosdëgjimin e Allahut, kokat e tyre janë sikur gungat e shtrembëta të devesë. Këto as nuk do të hynë në xhenet e as nuk do t’ia ndiejnë erën e tij edhe pse era e xhenetit vjen nga largësia kaq e kaq.” [1]
Të mbuluara me disa rroba në disa gjymtyrë të trupit, por të zbuluara në gjymtyrët e tjera. Të mbuluara me rroba të tejdukshme, saqë mund të thuhet se janë të zbuluara. Apo janë të mbuluara me rroba të ngushta, që i përshkruajnë gjymtyrët e trupit, gjë që duket sikur të jenë të zbuluara. Këto femra as erën e xhenetit nuk do ta nuhasin, edhe pse era e xhenetit nuhatet nga larg, pra aq larg xhenetit do të qëndrojnë.
Pastaj kemi hadithin tjetër ku i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë:
“Në fundin e metit tim do të jenë disa burra që hipin mbi shalat më moderne, zbresin te dyert e xhamive, kurse gratë e tyre janë të mbuluara të zbuluara, kokat (frizurat) e tyre janë sikur gunga e tharë e devesë. Mallkoni, sepse ato janë të mallkuara.” [2]
Pra i dërguari i Allahut i cilëson ato si të mallkuara, që do të thotë se nuk janë nën mëshirën e Allahut. Allahu na ruajttë!
Hadithi tjetër: “Tre kategori, mos pyet fare për ta (për shkak të gjendjes së rëndë të tyre në ahiret)! … dhe një grua që i mungon burri, por i ka lënë furnizim të mjaftueshëm, ndërsa ajo zbulohet dhe del para të tjerëve. Mos pyet për ta!” [3]
Sa gra ka sot që zbukurohen kur dalin jashtë shtëpisë, qoftë me mungesën apo prezencën e burrit, kurse në shtëpi për burrat e tyre veshin rrobat më të papastra, pa kurrfarë përkujdesje!
Veç tjerash heqja e mbulesës është mëkatim ndaj Allahut dhe kërkesë permanente e shejtanit. Allahu thotë:
“O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (A’rafë, 27)
Ka edhe argumente të tjera që flasin rëndë për ato që e shkelin urdhrin e Allahut për mbulesë hixhab, por kësaj here po e mbyllim këtë përgjigje me këto ajete:

“Ti do t’i shohësh se si do të përballen me zjarrin të përulur nga poshtërimi dhe duke parë tinëzisht me bisht të syrit. Ata që kanë besuar do të thonë: “Me të vërtetë që humbësit janë ata që kanë humbur vetveten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit”. Me të vërtetë, keqbërësit do të vuajnë një dënim të përhershëm! Ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës që do t’i ndihmojë, në vend Allahut. Për atë që Allahu e shpie në humbje, s’ka kurrfarë rruge (shpëtimi). Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën Allahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni.”  (Shura, 45-47)
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

————————————

[1] Muslimi

[2] Ahmedi

[3] Ahmedi dhe Buhariu në “El-Edebul Mufred”

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit