13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Zgjedhjet presidenciale në SHBA: Islamofobia dhe politika ndaj Gazës në qendër të krizës së besimit

Më të lexuarat

Nga Mobashra Tazamal

Mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-së për Izraelin, pavarësisht gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza, si dhe rritja e Islamofobisë në partinë demokratike dhe republikane është bërë një vijë e kuqe për shumë muslimanë amerikanë. Me ndjenjën e margjinalizimit nga të dyja partitë, shumë po e humbasin besimin te procesi zgjedhor dhe kjo do të ndjehet në kutinë e votimit në nëntor. Këto komunitete po i dërgojnë një mesazh të qartë politikanëve kryesorë se votat, mendimet dhe jetët e tyre nuk do të merren më si të mirëqena.

Në nëntor, amerikanët do të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm. Edhe pse disa kandidatë të palëve të treta janë në garë, zgjedhja përfundimtare do të jetë midis kandidates demokrate zv.Presidentes aktuale, Kamala Harris, dhe kandidatit republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

Në mes të fushatës zgjedhor, një çështje që ka dalë në qendër të vëmendjes për shumë muslimanë amerikanë është lufta e Izraelit në Gaza. Një studim i Institutit për Politikën Sociale dhe Mirëkuptim (ISPU) i kryer në bashkëpunim me Engage dhe Change Research në korrik të vitit 2024 zbuloi se dhuna e vazhdueshme në Gaza ishte çështja kryesore për të gjithë muslimanët amerikanë. Ajo ishte gjithashtu çështja më e rëndësishme për votuesit muslimanë të pavendosur: 71 për qind e tyre ranë dakord se kjo ishte çështja kryesore mbi të cilën do ta bazonin votën e tyre. Studimi vuri në dukje se në vitin 2020, muslimanët amerikanë ishin nga mbështetësit më të mëdhenj të Presidentit Joe Biden (65% votuan për të), por për shkak të mënyrës se si e ka menaxhuar luftën e Izraelit në Gaza, ai ka humbur ndjeshëm mbështetje. Në vitin 2024, vetëm 12 për qind e muslimanëve deklaruan se synonin të votonin për Biden, kur ai ishte ende në garë si kandidat.

Kjo rënie e madhe në mbështetje i atribuohet qëndrimit të palëkundur të Presidentit Biden në mbështetje të Izraelit, pavarësisht gjetjeve të ekspertëve të OKB-sëGjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe shumë ekspertëve për të drejtat e njeriut, të cilët konstatojnë se Izraeli ka shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe po kryen gjenocid në Gaza. Për më tepër, ndryshe nga qasja ndaj hebrenjve amerikanë, administrata Biden nuk ka ndjekur një qasje të ngjashme ndaj palestinezëve amerikanë. Administrata ka dështuar të angazhohet në mënyrë domethënëse apo të adresojë shqetësimet e palestinezëve amerikanë, e as nuk ka komunikuar ose reaguar mjaftueshëm ndaj nevojave të palestinezëve, arabëve dhe muslimanëve amerikanë. E gjithë kjo ka ndodhur në një kohë kur Islamofobia është rritur ndjeshëm në të gjithë vendin, me disa sulme të dhunshme dhe vdekjeprurëse kundër muslimanëve.

Në korrik, Presidenti Biden njoftoi se nuk do të kandidonte për t’u rizgjedhur, duke i hapur rrugën zv.Presidentes Kamala Harris që të bëhej kandidatja demokrate. Edhe pse Harris ka bërë thirrje për një armëpushim në Gaza dhe ka njohur të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, qëndrimi i saj mbetet i paqartë, duke marrë parasysh që ajo është pjesë e një administrate që vazhdon të dërgojë miliarda dollarë armë në Izrael. Më 26 gusht 2024, Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se ushtria amerikane kishte përfunduar fluturimin e saj të 500-të në transportimin e mbi 50,000 tonë armë dhe pajisjeve për ushtrinë izraelite që nga 7 tetori. Për më tepër, gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, Harris mbajti një qëndrim të vendosur në mbështetje të Izraelit dhe të fushatës së tij vdekjeprurëse në Gaza.

Sa i përket luftës së Izraelit në Gaza, si Kamala Harris ashtu edhe Donald Trump shprehin mbështetje të palëkundur për Izraelin. Sa u përket palestinezëve dhe Palestinës, ata ndajnë një qëndrim të ngjashëm, por ndryshojnë në qasjet e tyre. Trump ka përdorur hapur retorikë anti-palestineze, madje ka përdorur identitetin palestinez si formë fyerjeje gjatë debatit të tij të parë me Biden. Ndërkohë, Harris ka injoruar zërat palestinezë, duke u pozicionuar si kandidatja “jo Trump”. Kjo situatë nxjerr në pah ekzistencën e Islamofobisë dhe racizmit anti-palestinez brenda të dy partive politike, gjë që ka bërë që shumë votues pro-Palestinë të zotohen të mos votojnë në këto zgjedhje.

Shumë amerikanë-palestinezë ndihen të tradhtuar nga administrata Biden-Harris dhe nuk mund të mbështesin një kandidate që ka dështuar të njohë vuajtjet e tyre, ndërsa vazhdon të dërgojë armë dhe ndihma për Izraelin. Që nga fillimi i luftës në Gaza, Yasmine El Agha, një amerikane-palestineze nga Çikago, ka humbur më shumë se 150 anëtarë të familjes së saj në atë zonë të bllokuar. Ajo i tha gazetës The National se më 5 nëntor: “do të jetë e vështirë për mua të vendos emrin e dikujt, duke ditur që po kontribuoj drejtpërdrejt në vrasjen e familjes sime. Për momentin, të mos votoj duket si opsioni më i mirë për mua, pasi nuk mund ta justifikoj votën as për Kamala-n, as për Trump-in.” Ndjenja të ngjashme ndahen nga shumë muslimanë amerikanë, veçanërisht duke parë mbështetjen e pakushtëzuar të të dy kandidatëve për Izraelin dhe dështimin e tyre për ta pranuar numrin tronditës të vdekjeve në Gaza si tregues të paragjykimit anti-musliman.

Historia e Islamofobisë e ish-presidentit Donald Trump është e mirëdokumentuar. Ishte pikërisht nën administratën e tij që qeveria miratoi ndalimin për hyrjen e muslimanëve, një Urdhër Ekzekutiv nga Trump, që ndalonte hyrjen e individëve nga disa vende me shumicë muslimane në Shtetet e Bashkuara. Administrata e Trump kishte në mesin e saj gjithashtu disa individë me pikëpamje anti-muslimane, disa prej të cilëve ishin pjesë e industrisë së Islamofobisë dhe të tjerë që ishin të lidhur me të. Kjo krijoi një administratë që ishte armiqësore ndaj muslimanëve amerikanë dhe që vendosi politika që dëmtonin komunitetin. Për më tepër, pati një numër të madh komentesh nga Trump kur ishte kandidat për President dhe gjatë mandatit të tij, të cilat përforcuan stereotipet dhe paragjykimet anti-muslimane, duke çuar në rritjen e jashtëzakonshme të incidenteve anti-muslimane në vend. Në vitin 2015, gjatë fushatës së Trump për president, FBI regjistroi një rritje prej 67% në krimet e urrejtjes ndaj muslimanëve në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, viti kur u miratua ndalimi për hyrjen e muslimanëve, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) regjistroi 2,599 incidente anti-muslimane, përfshirë 464 që ishin të lidhura drejtpërdrejt me ndalimin.

Ndonëse një vëmendje e madhe i është kushtuar Islamofobisë brenda Partisë Republikane, është e rëndësishme të pranojmë se edhe demokratët nuk janë imunë ndaj promovimit të racizmit anti-musliman. Gjatë fushatës së vitit 2020, Joe Biden dhe administrata e tij, me Harris si zv.Presidente, u përqendruan në anulimin e politikave diskriminuese të Trumpit. Një nga veprimet e para të Biden-it ishte anulimi i ndalimit për hyrjen e muslimanëve, duke lejuar ribashkimin e familjeve muslimano-amerikane që kishin qenë të ndara prej vitesh për shkak të kësaj politike. Megjithatë, gjërat ndryshuan në fund të vitit 2023, pas fillimit të një tjetër lufte nga Izraeli në Gaza, pas një sulmi të papritur nga militantët e armatosur të Hamasit në Izrael, që vrau 1,139 persona dhe rezultoi në më shumë se 200 izraelitë të marrë peng nga grupi. Reagimi i administratës dhe mbështetja e saj e palëkundur për Izraelin ka bërë që për palestinezët, arabët dhe muslimanët amerikanë të duket se shqetësimet dhe jetët e tyre nuk kanë rëndësi.

Lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza, e cilësuar si gjenocid nga ekspertët e OKB-së dhe organizatat për të drejtat e njeriut, ka shkaktuar të paktën 41,000 të vrarë (përfshirë afërsisht 16,500 fëmijë). Megjithatë, numri i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Një artikull në revistën The Lancet në qershor 2024 vuri në dukje se “deri në 186,000 ose më shumë vdekje mund t’i atribuohen konfliktit aktual në Gaza.” Është e vështirë të sigurohen shifra të sakta për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës dhe të shoqërisë në tërësi në këtë zonë të vogël. Vlerësohet se dhjetëra mijëra palestinezë kanë mbetur të varrosur nën rrënoja, ndërsa për shkak të kolapsit të institucioneve shëndetësore mijëra të tjerë mund të vdesin nga plagët. Në dhjetor 2023, një studim që përdorte teknologjinë satelitore zbuloi se bombardimi i Izraelit në Gaza ishte më intensiv se në Ukrainë, Siri dhe madje edhe se bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. OKB-ja ka deklaruar se fushata e bombardimeve të Izraelit “po zhduk familje dhe lagje të tëra” në Gaza. Përveç kësaj, shumica e popullsisë po përballet me uri, pasi “rreth 96 për qind e popullsisë në Rripin e Gazës (2.15 milion njerëz) po përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore akute deri në shtator 2024.” E gjithë kjo ka ndodhur nën administratën Biden-Harris.

Pas sulmeve të 7 tetorit, CAIR mori 3,578 ankesa gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, një rritje prej 178% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për incidentet anti-muslimane. “Paragjykimi islamofob ka arritur nivele të paprecedenta, duke tejkaluar në disa aspekte edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme [Trump],” shkruan Corey Saylor dhe Farah Afify nga CAIR. Kjo ka ndodhur nën një administratë që jo vetëm ka ofruar mbështetje politike dhe ushtarake të pakushtëzuar për Izraelin në mes të akuzave për gjenocid kundër palestinezëve, por gjithashtu ka përsëritur propagandën islamofobe izraelite.

Fjalët e Biden-it kanë dështuar të pranojnë numrin e madh të viktimave civile të shkaktuara nga bombardimet pa dallim të Izraelit në Gaza, të cilat kreu i OKB-së i përshkroi si “ndëshkim kolektiv ndaj popullit palestinez”. Në vend të kësaj, administrata ka përsëritur se Izraeli po shënjestron militantët e Hamasit, ku Presidenti Biden madje vuri në dyshim numrin e viktimave të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë Palestineze. Duke vepruar kështu, qeveria amerikane promovon trope islamofobe, duke i portretizuar të gjithë palestinezët si Hamas. Kjo ka çuar në dehumanizimin e miliona palestinezëve në Rripin e Gazës. Për më tepër, administrata u ka vënë veto në mënyrë të përsëritur disa rezolutave të OKB-së që bënin thirrje për armëpushim, dhe në vend të kësaj vazhdon të dërgojë miliarda dollarë armë në Izrael. Kjo qasje vazhdon të dehumanizojë palestinezët, arabët dhe muslimanët, duke i dërguar një mesazh publikut të gjerë se ata e meritojnë të vdesin.

Ndjenjat islamofobe brenda Partisë Demokratike ishin gjithashtu të dukshme në Konventën Kombëtare Demokrate (DNC) të këtij viti, ku udhëheqësia e partisë refuzoi të lejonte një zë palestinezo-amerikan në skenë. Dhjetëra delegatë të paangazhuar në DNC i bënë thirrje fushatës së Harris-it të angazhohej për një armëpushim dhe për t’i dhënë fund shitjeve të armëve në Izrael. Lëvizja e Delegatëve të Paangazhuar, e cila përfshin delegatë të paangazhuar si dhe qindra mijëra votues të paangazhuar në të gjithë SHBA-në, paraqiti disa kërkesa për udhëheqësinë demokrate për të dhënë hapësirë në skenë për të folur mbi situatën në Gaza dhe Palestinë. Një nga këta folës potencialë ishte Përfaqësuesja Ruwa Romman, e para palestinezo-amerikane e zgjedhur në legjislaturën e Gjeorgjisë. Megjithatë, fushata e Harris refuzoi t’i jepte hapësirë për të folur në skenë, duke i komunikuar në mënyrë efektive lëvizjes dhe mbështetësve pro-Palestinë se mendimet e tyre nuk kishin rëndësi. Kjo ishte në kontrast të thellë me partinë, e cila u dha hapësirë prindërve izraelito-amerikanë të pengut Hersh Goldberg-Polin, i cili u kap nga militantët e Hamasit më 7 tetor (trupi i Hershit u gjet në Rripin e Gazës më 31 gusht 2024). Siç shkroi gazetari Mehdi Hasan në një artikull në gusht 2024 për Zeteo, “Fshirja e palestinezëve në Çikago ishte një zgjedhje e udhëheqjes së Partisë Demokratike.” Në përgjigje të heshtjes së zërave palestinezë nga fushata e Harris-it, Përfaqësuesja Rashida Tlaib (anëtarja e vetme palestinezo-amerikane e Kongresit) tha se “DNC-ja e bëri të qartë me folësit e tyre se ata i vlerësojnë fëmijët izraelitë më shumë se fëmijët palestinezë.”

Një episod tjetër i Islamofobisë në DNC ishte incidenti ku tre burra sulmuan në mënyrë të përsëritur Nadia Ahmad-in. Ahmad, e cila mban hixhab, dhe dy delegatë të tjerë mbanin një pankartë ku shkruhej “Ndaloni Armatosjen e Izraelit”. Tre burrat e sulmuan vetëm Ahmad-in dhe e goditën në mënyrë të përsëritur në kokë me pankarta ku shkruhej “Ne e duam Joe”. Ahmad vuri në dukje se zëvendës menaxheri kryesor i fushatës së Harris-it, Quentin Fulks, e pa të gjithë sulmin, por “nuk bëri asgjë për ta ndaluar”.

Edhe para konventës, kishte raste paragjykimesh dhe diskriminimesh brenda Partisë Demokrate. Në korrik të vitit 2024, Partia Demokratike e Miçiganit organizoi një thirrje në Zoom, duke kërkuar nga delegatët që të mbështesnin Harris-in si kandidatën e partisë. Gjatë kësaj thirrjeje, Delegati Abbas Alawieh, një organizator i Lëvizjes së Delegatëve të Paangazhuar, shprehu kundërshtimin e tij për të mos mbështetur Harris-in derisa politika e saj mbi Izraelin të bëhej e qartë. Ndërkohë që ai ishte duke shprehur pikëpamjet e tij, një individ tjetër në Zoomi i tha, “mbylle gojën, idiot.” Këto incidente demonstrojnë përhapjen e armiqësisë anti-palestineze dhe anti-muslimane brenda Partisë Demokrate.

Harris ka “shprehur keqardhje për palestinezët dhe ka thënë se po punon për një armëpushim në Gaza, por gjithashtu ka deklaruar se nuk do të mbështesë një embargo armësh ndaj Izraelit.” Në DNC, Harris e përforcoi mbështetjen e saj për Izraelin, duke deklaruar: “Unë gjithmonë do të qëndroj në mbrojtje të të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur dhe gjithmonë do të sigurohem që Izraeli të ketë aftësinë të mbrohet”, duke sinjalizuar për publikun e gjerë se politika e saj nuk do të ndryshojë nga ajo e Presidentit Biden. Pavarësisht se e pranoi që “shkalla e vuajtjeve është zemërthyese” në Gaza, Harris ka dështuar t pranojë se SHBA ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në këtë dhunë, duke vazhduar furnizimin e Izraelit me armët që po përdoren për të shkaktuar vuajtje në Gaza. Kur zërat pro-Palestinë shprehën zemërimin e tyre ndaj Harris-it gjatë një tubimi në Miçigan në fillim të gushtit, ajo i kritikoi dhe i ndërpreu, duke thënë: “Dëgjoni, nëse doni që Donald Trump të fitojë, atëherë thoni këto gjëra. Përndryshe, unë po flas.” Prezantimi i saj si një kandidate “jo Trump” nuk i ngushëllon ata që kanë familjarë dhe të dashur që po vriten nga armët e furnizuara nga administrata Biden-Harris. Siç shkroi Layla Saliba në një artikull në gusht 2024 për The Nation, “Palestinezët amerikanë kanë mësuar se Partia Demokratike do të bombardojë atdheun tuaj, do të vrasë familjen tuaj, do të përdorë paratë tuaja për ta bërë këtë dhe prapë do të presë që ta votoni.”

Palestinezët, arabët dhe muslimanët amerikanë kanë deklaruar se ata “nuk do të pranojnë më thërrime” nga Partia Demokratike dhe se nuk mund të mbështesin një parti që ka mundësuar dhe financuar një gjenocid, një nga më të dokumentuarat në histori. Kjo nuk përkthehet në votë për kandidatin republikan, por tregon se përhapja e Islamofobisë në të dyja partitë ka bërë që shumë palestinezë, arabë dhe muslimanë amerikanë të ndihen të nënvlerësuar dhe gjithnjë e më të margjinalizuar brenda shoqërisë. Shumë palestinezë, arabë dhe muslimanë amerikanë, nuk shohin më vlerë në procesin e votimit, sepse kur bëhet fjalë për Gazën, rezultati ka të ngjarë të jetë i njëjtë, pavarësisht se kush është në pushtet. Asnjë nga kandidatët nuk ka trajtuar shqetësimet e komuniteteve; njëri ka shprehur hapur armiqësi ndaj tyre, ndërsa tjetri injoron vuajtjet e tyre dhe vazhdon të mbështesë ata që i sulmojnë. Mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-së për Izraelin, pavarësisht gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza, është bërë një vijë e kuqe për shumë palestinezë, arabë dhe muslimanë amerikanë, dhe kjo do të ndihet në kutinë e votimit në nëntor. Këto komunitete po i dërgojnë një mesazh të qartë politikanëve kryesorë se votat, mendimet dhe jetët e tyre nuk do të merren më si të mirëqena.

Burimi: Solli në shqip Observer.al. Botuar në anglisht në Bridge Initiative (Universiteti Georgetown).

Mobashra Tazamal

Mobashra Tazamal është Drejtoreshë e Asociuar e Iniciativës Bridge. Puna e saj fokusohet në ndikimin e diskursit mbi Luftën kundër Terrorizmit dhe Islamofobisë së sponsorizuar nga shteti në mbarë botën. Duke qenë eksperte në këtë fushë, ajo shërben si burim për edukatorë dhe gazetarë, ndërsa analizat e saj janë cituar në media globale si New York Times, NBC, Salon, Washington Post dhe Al Jazeera. Përveç botimit të artikujve dhe raporteve për Bridge, analizat e saj janë publikuar gjithashtu në The Independent, Al Jazeera, Middle East Eye, Truthout, The New Arab dhe Byline Times. Ajo ka një diplomë masteri nga SOAS, Universiteti i Londrës. Ajo ka përvojë të mëparshme në avokimin e të drejtave të njeriut dhe ligjin për imigracionin

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit