5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Libri është jeta ime

Më të lexuarat

Delvina KËRLUKU

Me drejtuesin e Shtëpisë botuese Logos A, përndryshe një nga shtëpitë botuese më me renome në hapësirat shqiptare, Adnan Ismailin, bisedojmë librin, për fëmijërinë e tij, për studimet në Prishtinë, për trajtimin e tij si “armik i shtetit”, por edhe për projektet që do të pasojnë në të ardhmen.

KOHA: Çfarë Ju cyti që fatin tuaj ta lidhni ngushtë me librin?

ISMAILI: Është e njohur se jemi të etur për ujin atëherë kur nuk e kemi. Ka qenë koha e viteve të ’80-ta – atëbotë isha nxënës e student në Prishtinë dhe, në kohën kur ideologjia komuniste jugosllave po bënte kërdi mbi mendjen tonë, ndërsa bibliotekat gati ishin të zbrazura, dashuria për librin ishte bërë dashuria më e madhe e rinisë së asaj kohe. Të gjeje një libër të mirë – në atë kohë – ishte një festë e veçantë e studentëve. Prandaj atëherë më shumë se kurrë ka ekzistuar tradita e këmbimit të librit dhe disi na vinte keq kur një libër rrinte i palexuar te dikush. Libri, në një mënyrë, ishte bërë produkti më i konsumuar i kohës. Këtu ka zënë vend tharmi i dashurisë për librin. Këtu e kam patjetër ta përmend se si antikomunistë e antijugosllavë që ishim, i mbështesnim të gjitha forcat e tilla në Jugosllavi. Prandaj na patën bërë përshtypje lëvizjet ilegale antijugosllave shqiptare të Kosovës, të personifikuara në figurat e Adem Demaçit e Ukshin Hotit, por edhe lëvizja e Alija Izetbegoviqit në Bosnjë, si një frymë reaksionare autoktone e boshnjakëve, që në ambientin tonë erdhi e u përkthye shqip përmes studentëve shqiptarë të Sarajevës, Ismail Bardhi – si nismëtar i parë i Logosit dhe Nexhat Ibrahimi – si kontribuuesi dhe mbështetësi më i madh i punës sonë. Përveç kësaj, ishte edhe një lidhje e jona me intelektualë të Turqisë, si Ahmet Davutogllu e Mahmud Eroll Këllëç etj., të cilët me punën dhe interesin e tyre për librin, ishin edhe një shtytje më shumë që ne ta ushqejmë këtë admirim për dijen. Krejt kjo ishte një ngjizje e dashurisë për librin.

KOHA: Para Lartësisë së Shenjtë dhe brendësisë së thellë e të sinqertë keni dëshmuar se me të vërtetë keni pasur admirim të flaktë ndaj fjalës së shkruar. Çfarë në fakt keni dëshmuar?

ISMAILI: Ashtu siç është Pagëzimi në Krishterim dhe Shehadeti në Islam, kjo ka qenë dëshmia më e madhe e jonë për përkatësinë e komunitetit të lexuesve dhe dashamirëve të librit. Më kujtohet se në atë kohë ishte punë e madhe të kishe makinë shtypi në shtëpi ose të ketë pasur ndonjë shok. Më ka ndodhur që gjithë natën të rrimë zgjuar për ta kopjuar një tekst që të mund ta ketë edhe dikush tjetër. Madje, për neve ka qenë ëndërr që ta kemi një aparat fotokopjimi. Gjithnjë flisnin me admirim se çfarë do të bënim po të kishim mundësi ta kemi një makinë për fotokopje, që të mund ta shpërndajmë sa më shumë fjalën e shkruar. Nga perspektiva e sotme mund të duket donkishoteske dhe plot të rinj mund të habiten për prirjet tona, por atëbotë vërtet kemi pasur admirim të flaktë ndaj fjalës së shkruar dhe sot jam shumë i bindur se vetëm ajo dashuri na ka humanizuar dhe njerëzorizuar – nëse vërtet kemi arritur në këtë shkallë.

KOHA: Më shumë se 25 vjet jeni në botën e librit. Çfarë Ju dha dhe çfarë Ju mori libri?

ISMAILI: E rëndësishme është se çfarë konsiderojmë se kemi humbur e çfarë kemi fituar. Kam humbur shumë kohë, shumë energji, kam kaluar nëpër shumë presione, disa herë na kanë bastisur në shtëpinë botuese, nëpër shtëpi private dhe në magazinën e librave, dhjetëra herë nëpër kufi policia sekrete më ka marrë në pyetje për libra të caktuar, por gjithë kjo veç sa më ka bindur më shumë se jemi duke bërë një punë fisnike dhe të vlefshme. Dhe, gjatë kësaj kohe, kam fituar qindra miq në gjithë botën shqiptare, që nga akademitë, institutet e fakultetet, e deri te imamët e xhamive. Por, përveç shqiptarëve, komuniteti i librit më ka lidhur me plot miq edhe në botë, që nga Amerika e Europa Perëndimore, deri në Turqi, vendet arabe e deri në Malajzi. Është një miqësi e shtrirë në katër kontinente. Janë qindra botues, autorë, përkthyes, recensentë, redaktorë e dizajnerë, me të cilët – po të mos ishte libri – nuk di a do të kisha mundësi t’i takoj ndonjëherë në jetë. E të fitosh kaq libra e ato libra të jenë arsye për kaq shumë miq, mendoj se nuk ka pasuri më të madhe.

KOHA: Fëmijëria është një kapitull i paharruar i jetës sonë. Si ishte fëmijëria Juaj?

ISMAILI: Jam i lindur në f. Dllëgë të Kumanovës. Sipas informacioneve që i kam arritur, ky fshat është banuar me banorë të ardhur nga Zabzuni i Peshkopisë në shek. XIX. Katër klasat e fillores i bëra në fshat, e pastaj erdha në Shkup – te halla ime (në shtëpinë e Haxhi Shefketit) – që ta vazhdoj hifzin (mësimin përmendësh të Kuranit të shenjtë) dhe ta vazhdoj pjesën tjetër të shkollës fillore në Shkup. Dy vite mësova te hfz. Sadullah ef. Selami, derisa e përfundova hifzin, e pastaj vazhdova në medresenë klasike të myderrizit të njohur të asaj kohe në Shkup, por edhe më vonë, hfz. Idriz ef. Idrizit. Aty mësova arabishten, mora mësime nga osmanishtja, njohuri elementare nga persishtja, pastaj bazat e fesë e kështu për 5 vite me radhë. Përveç punës në xhami, dua të theksoj se edhe shtëpia e Hoxhës ka qenë në atë kohë një vatër e dijes, në të cilën kanë kaluar me mijëra nxënës. Po ashtu Hoxha – si iluminist dhe antikomunist që ishte – iu kishte bashkuar thirrjes së Ataullah ef. Kurtishit, të dhënë para Luftës së Dytë Botërore, se shpërngulja në Turqi ishte e ndaluar edhe sipas fesë. Ishte kjo një fetfa (verdikt fetar) që ata dijetarë, në pamundësi që ndryshe ta pengojnë shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve në Turqi, e kishin shfrytëzuar mundësinë e nxjerrjes së një verdikti fetar, në mënyrë që shqiptarët të mos largoheshin nga vatrat e tyre. Siç e shihni, ka qenë një fëmijëri e mbushur me libra, me gjuhë orientale e me mësime klasike. Këtu duhet të përmend se ajo medrese ka qenë krejt private, te xhamia e Allaxhës në Shkup, dhe një përpjekje vetëmohuese e Hoxhës për ta mbajtur kujtesën për fenë e për dijen. Andaj shteti e mbante gjithnjë nën kontroll atë medrese dhe ushtronte presion ndaj Hoxhës, shpesh na e ndërprisnin mësimin, por mbase ky ishte motivi që ta dashurojmë aq shumë lirinë e mendimit, dijen dhe librin.

KOHA: Si ishte dita kur për herë të parë u ulët në bankën shkollore?

ISMAILI: Dita e parë e shkollës, libri i parë dhe dashuria e parë janë gjëra që ndodhin vetëm një herë në jetë. Në vitet e ‘70-ta shkollat ishin shumë pak të furnizuara, mungonin libra e fletore, ndjehej njëherazi një varfëri në kuptimin ekonomik dhe një admirim për dijen. Mbaj mend se ishim familje me të ardhura mesatare dhe shpesh prisnim që njëri nga vëllezërit të kthehej nga shkolla, që tjetri të mund t’i përdorte veshjet e tij në ndërrimin tjetër në shkollës. Megjithatë, vajtja në shkollë ka qenë një festë që kurrë nuk harrohet: takimi me mësuesin, me shokët, çanta, lapsi…

KOHA: A ju kujtohet se cili ishte libri i parë që keni lexuar?

ISMAILI: Meqë shkolla ka qenë një shkollë fshati, ka pasur fare pak mjete mësimore e, rrjedhimisht, pak libra. Libri i parë që e kam lexuar më duket se ka qenë një “Ilmihal i Vogël” nga hfz. Qamil efendiu i Shkupit. Por, më duhet të jem i sinqertë dhe t’ju them se pjekja ime me librin u bë vetëm në vitet e shkollës së mesme dhe, veçmas, gjatë studimeve.

KOHA: Keni studiuar në Prishtinë, me çfarë sfida jeni ballafaquar atëbotë?

ISMAILI: Më qëlloi që unë të shkoja në Prishtinë, fillimisht, si nxënës i medresesë “Alaudin” e pastaj edhe i Fakultetit të Filologjisë – Orientalistika, pikërisht pasi që ishin bërë demonstratat e ’81-shit. Atëbotë ndjehej fuqishëm presioni që ushtrohej gjithkund, si edhe “Veshi i Madh”, por – ka qenë interesant – ishte fuqizuar edhe shpirti rebel i nxënësve dhe studentëve shqiptarë. Përkundër trysnisë që dukej në çdo hap, ndjehej një gatishmëri që në një fishkëllimë a thirrje proteste, të gjithë studentët të ngriheshin në këmbë. Ky presion ndjehej edhe në medrese, por edhe më vonë fakultet. Medreseja shihej me sy të keq nga pushteti, sepse aty – sipas pushtetit – kishte shumë mundësi për indoktrinim të gjeneratave të reja. Prandaj survejimi i saj ka qenë gati i përhershëm. Dhe, mbase kishte pasur të drejtë pushteti, sepse pas vitit 1990-të shumica e aktiviteteve politike shqiptare të kohës ishin mbajtur pikërisht në medresenë “Alaudin”. Disa arsimtarë ishin të detyruar të kenë “kujdes” ndaj lëvizjeve të nxënësve dhe kjo na shkaktonte probleme shpesh me ata, por kishim edhe plot mbështetës, që na inkurajonin. Sido që të ishte, ajo ishte edhe e kohë e kufizimit të fjalës së lirë dhe e librit, në përgjithësi, gjë që na bënte edhe më të etur për librin. Shpesh e kujtoj me admirim atë kohë kur librat shpërndaheshin në mënyrë ilegale dhe konsiderohej mëkat nëse libri rrinte në raft.

KOHA: T’i kthehemi sërish librit. Shoqëria shqiptare, në veçanti ajo në Maqedoni, që kur filloi pluralizmi, fatkeqësisht, sikur nuk na bindi se libri është një ushqim shpirtëror. Pse ndodh kjo?

ISMAILI: Vetëm ata që nuk janë marrë me libër mendojnë se plumbi është më “i rrezikshëm” se libri. Unë jam thellë i bindur se libri, që është elementi themelor i formimit intelektual të secilit, është strumbullari i ndryshimeve shoqërore. Dhe, të jeni të bindur se, sikur të mos ishin librat në Prishtinë ose, pastaj librat që u bënë në Maqedoni, ne nuk do të mund të flisnim as sot për këtë gazetë. Libri ka qenë shkaktari kryesor që shoqëria shqiptare filloi të mendojë, filloi ta shohë ndryshe lirinë, filloi të lexojë saktë padrejtësinë dhe diskriminimin, por vetëm në saje të librit, u krijuan mundësi të gjetjes së shtigjeve për prosperitet. Kur flasim për Maqedoninë e viteve të ’90-ta, ajo ka qenë mjaft e varfër në aspekt të librit shqip. Kanë qenë botimet e “Flakës së vëllazërimit”, botimet e ardhura nga Prishtina dhe jo më shumë. Prandaj, të bëje libër në atë kohë, kjo ishte sfida më e madhe. Më kujtohet se librin e parë në Logos-A e kemi shtypur në makinë daktilografie më shumë se 10 herë dhe, përkundër gabimeve që i bënim, e përsërisnim nga fillimi me shumë dëshirë. Ka qenë një dashuri e zjarrtë ta mbash në dorë një libër që e ke prodhuar vetë. Nëse na lejohet një krahasim, do të thosha se dashuria jonë për librin që e bënim vetë, ka qenë gati si dashuria e nënës për foshnjën kur e lind. Ajo që duhet vënë re ishte se, për shkaqe ideologjike, shqiptarëve të Maqedonisë u ishte mohuar e drejta e prodhimit të librave që përkonin me shpirtin e tyre autokton, madje agresioni ideologjik komunist kishte lënë pasoja të dukshme. Prandaj, kur filluam ne të botojmë libra, kjo përveç që ishte një ndërmarrje revolucionare, ishte njëherazi edhe një përpjekje për të korrigjuar një hibridizim të identitetit shqiptar në Maqedoni. Sot është e qartë se nuk kemi pasur kurrfarë tendencash, por atëbotë shumëkush na shihte ose si donkishotë ose si të rrezikshëm. Por, ia dolëm. Sot jam i bindur se, nëse e shikon katalogun e librave të botuara nga ne, e fiton përshtypjen se mjeshtërisht aty është thurur gjithë identiteti shqiptar në Maqedoni, i cili – si i tillë – është shpërndarë edhe tutje në hapësirat shqiptare. Madje, jam i sigurt se ky fond librash ka qenë – në një mënyrë – ambasadori më i mirë për njohjen e shqiptarit të Maqedonisë gjithandej.

KOHA: Një mik i Juaji ka thënë se institucioni më i suksesshëm i shqiptarëve në Maqedoni vazhdon të jetë Shtëpia botuese “Logos-A”, drejtues i secilës jeni pikërisht Ju. Nga buron ky sukses?

ISMAILI: Si e para puna e Logosit nuk është meritë e imja, madje do të thosha është më së paku meritë e imja. Logos-A është kontribut i shumë shokëve e miqve që me vetëmohim e dashuri kanë punuar për librin. Zaten vetëm dashuria për librin është burimi i suksesit me librin. Por, janë disa momente të rëndësishme që një intelektuali shqiptar të Maqedonisë ia krijojnë atë përshtypje. Logosi i botoi lektyrat shkollore të klasave I-IV, që ishin festë e madhe e shkollës shqipe, ngase pas shumë kohësh botoheshin gati 30 libra shqipe vetëm për fëmijë dhe ashtu mbulohej formimi intelektual e artistik i fëmijëve shqiptarë. Pastaj, duke qenë botuesi i parë privat shqiptar në Jugosllavi, neve na ra hisja ta hapim rrugën edhe te librit shkollor shqip – të botuar me standarde shqiptare e të gatuar nga autorët e redaktorët më të mirë shqiptarë jo vetëm të Maqedonisë. Ndërkaq, ajo që e ka vulosur emrin e Logosit janë disa komplete, si ai 20-vëllimësh i Sami Frashërit, 12-vëllimëshi i Hafiz Ali Korçës, kompletet Imam Vehbi Ismailit, Milazim Krasniqit e Nexhat Ibrahimit, që ne i bëmë për herë të parë në kulturën e shkruar shqiptare. Kanë ardhur pastaj edhe vepra të tjera, sigurisht mjaft të rëndësishme, që marrë në tërësi e kanë ndërtuar perceptimin se Logos-A mund të jetë institucion i tillë kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë.

KOHA: Çfarë keni sakrifikuar për librin?

ISMAILI: Varet si e kundrojmë sakrificën dhe pasurinë. Për mua libri është jeta ime. Unë nuk mund të them se kam sakrifikuar diçka për librin, sepse ashtu i bie se libri më ka borxh mua. Jeta ime ishte libri dhe vetëm libri e ka kuptimësuar jetën time. Nuk di çka do të bëja në jetë sikur të mos ishte libri. Thjesht e kam bërë atë që e kam besuar se duhet ta bëj në jetë, atë për të cilën jam në këtë botë. Pa kërkuar ndonjë kompensim për këtë.

KOHA: Thonë se të vjedhësh një libër nuk është mëkat? A keni vjedhur Ju ndonjëherë libër?

ISMAILI: Ha-ha-ha. Unë nuk kam qenë ndonjë “vjedhës i suksesshëm” i librit. Ndonëse edhe unë mendoj se “vjedhja e librit” nuk është ndonjë mëkat, unë nuk kam pasur ndonjë përvojë të tillë. Por, do të kisha dashur që sot ta takoj një të ri që një vjen në stendën Logosit “ta vjedhë” një libër. Do ia kisha dhënë gjithë stendën.

KOHA: Me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, Ju bëtë një akt madhështor, i cili akt, për fatin tonë të keq, nuk u trajtua ashtu siç e meritonte. Shpërndatë (falas) gjithandej hapësirave shqiptare mbi 100 mijë libra…

ISMAILI: Meqë 100-vjetorët vijnë vetëm një herë, ndërsa unë nuk kam shpresë ta arrij 200-vjetorin, bashkë me kolegët e mi në Logos-A vendosëm të bëjmë një akt sa simbolik, po aq përmbajtjesor – vendosëm t’i shpërndajmë 100 mijë libra për të gjithë bibliotekat shqiptare në të gjitha trojet. Prandaj kërkuam sponsorë dhe gjetëm mirëkuptim që të shpërndajmë 40 mijë libra në Kosovë, ku – pas luftës – ndjehej më shumë mungesa e librit, 40 mijë nëpër bibliotekat e Maqedonisë, 20 mijë i shpërndamë për bibliotekat e Shqipërisë, 5000 ua kemi dhuruar çamëve të Shqipërisë si amanet kur të çlirohet Çamëria, 5000 shqiptarëve të Malit të Zi dhe 5000 Luginës së Preshevës. Ndonëse e tejkaluam 100-mijëshin, ne vendosëm ta ruajmë sloganin “100 mijë libra për 100 vjet flamur”. E pjesa tjetër se sa u vlerësua e si u vlerësua nga shqiptarët, kjo nuk është punë që duam ta kualifikojmë ne. “Ata që kërkojnë mirënjohje, rëndom nuk i meritojnë, ndërsa ata që i meritojnë, nuk i duan”, do të thoshte Balzaku. Ne edhe ashtu e shohim veten në shiritin e historisë dhe jam i sigurt se dikush dikur do ta vlerësojë.

Ismaili: Në këtë objekt e fillova shkollimin

KOHA: I nderuari Adnan, pse disa qarqe Ju kanë akuzuar si “armik i rrezikshëm” i shtetit?

ISMAILI: Ashtu siç bëra një aluzion më sipër, libri – në të vërtetë – është më “i rrezikshëm” se plumbi. Ata që e dinë se libri është shkaktari më i mirë për të ndryshuar gjeneratat, për të ndodhur ndryshimet e mëdha shoqërore, gjithnjë e kanë konsideruar librin si rrezik më të madh. Prandaj edhe ndaj botuesve ka ekzistuar gjithnjë një animozitet i tillë. Hiç më mirë nuk është as sot, ndonëse me intensitet më të ulët. Edhe sot nuk shkon java pa dalë ndonjë shpifje për mua dhe miqtë e mi, për aluzione me politikën, për të tjera gjëra dhe, sikur të mos isha mësuar se këto metoda i ka përdorur kundër meje UDB-ja dhe pastaj DSK-ja, do të mërzitesha, por duke e ditur se veprimtaria botuese vret më shumë se plumbi, kam mirëkuptim dhe nuk më bëjnë shumë përshtypje. Për këtë arsye jam shpallur dhe vazhdoj të trajtohem si “i rrezikshëm”, madje shpesh kam pasur problem me shtetin. Në vitin 1999 më arrestuan si të jem një kriminel dhe vetëm falë një dashamiri të librit dhe të kulturës, siç ishte miku im Arbër Xhaferi, më liruan. Por, po ua zbuloj juve se krejt ky kërcënim ndaj botuesit, që nuk mungon as sot, jo që na ka ndalur, por na ka trimëruar që të vazhdojmë të punojmë e të botojmë, sepse vetëm një popull që prodhon libra, mund të ketë shpresë për një të ardhme të denjë. Nëse ky është çmimi, për mua nuk është problem si më etiketojnë.

KOHA: A ka mirëkuptim familja Juaj për misionin që keni zgjedhur?

ISMAILI: Familja ime është mësuar më me mungesën time, me të gjitha problemet që i ka sjellë kjo rrugë, andaj lirisht mund t’ju them se ata kanë shumë mirëkuptim dhe për këtë u jam mirënjohës. Janë lodhjet, presionet, mungesat nga shtëpia, jeta gati si pa baba e fëmijëve, të gjitha ato që i sjell puna me librin. Sidoqoftë, më vjen mirë që familja ime e ka mirëkuptuar përzgjedhjen time jetësore dhe, madje, më vjen mirë, që tradita e dashurisë për librin kam shpresë se do të vazhdojë të ushqehet edhe më tej në familjen time. Besoj që sot, kur janë bërë më studentë, edhe fëmijët e mi kanë më shumë mirëkuptim për këtë.

KOHA: Cila është dëshira juaj që akoma nuk është plotësuar, gjithnjë në raport me librin dhe Shtëpinë botuese Logos-A?

ISMAILI: Kur merresh me librin, gjithnjë diçka të mbetet peng dhe e papërmbushur. Sepse gjithnjë të rriten ambiciet dhe synimet. Në këtë frymë do të doja ta gjej e ta botojmë përkthimet e Kuranit të bërë nga Sami Frashëri dhe, tjetrin, nga Ali Asllani, sepse kam një bindje se ato përkthime do të mund ta ngrinin cilësisht shumë gjuhën e Kuranit shqip. Meqë tashmë e kemi hapur librarinë në Tiranë, më ka mbetur peng të hapim një librari në Shkup dhe një në Prishtinë. Kur jam këtu, nuk mund të mos e shfaq brengën time që në Shkup – sidomos – kemi kaq pak librari. Prandaj, ky për mua nuk është vetëm detyrim botuesi, por edhe detyrim i një shkupjani që e admiron fjalën e shkruar dhe, në përgjithësi, kulturën shqiptare. Përveç kësaj, ndonëse në vitin 2016 e realizuam një komplet të letërsisë shqipe në Maqedoni, do të doja të botojmë edhe më shumë libra të letërsisë shqipe në Maqedoni, ngase kam përshtypje se shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë sikur janë lënë pas dore dhe gjithnjë e më pak kemi libra të letërsisë shqipe në Maqedoni. Këtu do ta theksoja edhe dëshirën që ta bëjmë një revistë letrare… Po ashtu do të doja të botojmë një seri të veprave të bejtexhinjve shqiptarë, sepse jam i bindur se ata janë një vlerë e veçantë e letërsisë shqipe dhe botimi dhe studimi i tyre do ta pasuronte mjaft korpusin e letërsisë së gjithmbarshme shqiptare. Po ashtu kemi nevojë ta kultivojmë në vazhdimësi traditën e klasikes letrare shqiptare etj. Kur je botues, gjithnjë mendon se ke bërë pak dhe planet e botimit nuk kanë fund. T’i lëmë ca gjëra që t’i zbulojë koha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit