22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

“Bekuar qoftë..!”

Më të lexuarat

Dhjetë hadithet e ditës ë sotme janë lutje për bekim e mirësi, nëpërmjet të cilave, Resulull-llahu (a.s) përhap bekimet e All-llahut dhe optimizmin e lutjeve të tij në raport me vende e njerëz, shpërndarë në kohëra, deri në ditën e gjykimit.

Këto hadithe vlejnë si nxitje për të medituar rreth përmbajtjes së tyre, në mënyrë që lexuesi besimtar të mundohet të korrigjojë sa të ketë mundësi veten e tij, në mënyrë që të bëhet pjesë e këtyre dëshmive të mrekullueshme, të mbushura me mëshirë e paqe.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me shprehjen: “Bekuar qoftë..!”.

1. “Bekuar qoftë Shami, sepse melekët e Mëshiruesit i shtrijnë krahët e tyre mbi të!” – (Hadithi nr. 5286, f. 326. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Zejd ibn Thabit).

(Shënim: Termi “Sham”, nënkupton qytetin e Damaskut, ose hapësirën gjeografike që sot, përfshin: Palestinën martire, Sirinë, Jordaninë dhe Libanin. -M.S.-).

2. “Bekuar qoftë Shami, sepse Mëshiruesi përhap mëshirën e Tij mbi të!” – (Hadithi nr. 5287, f. 326. Tabaraniu, nga Zejd ibn Thabit).

3. “Bekuar qofshin “Të huajt”; njerëz të mirë në mesin e shumë njerëzve të këqinj! Ata që i kundërshtojnë janë më shumë sesa ata që u binden!” – (Hadithi nr. 5288, f. 326. Ahmedi, nga Ibn Amri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Gazaliu: “Ka ardhur ajo kohë, sepse sistemi i vlerave dhe i dijes së të parëve është bërë (fenomen) i huaj, madje kanë humbur shumë gjurmë të tyre…”] – (vëll. 4, f. 350).

4. “Bekuar qoftë ai që më ka mbërritur dhe më ka besuar! Bekuar qoftë ai që nuk më ka mbërritur dhe më ka besuar!” – (Hadithi nr. 5293, f. 326. Ibn Nexhar dhe Tabaraniu, nga Ebu Hurejra).

5. “Bekuar qoftë ai që më ka mbërritur dhe më ka besuar, një herë! Bekuar qoftë ai që nuk më ka mbërritur dhe më ka besuar, tre herë!” – (Hadithi nr. 5302, f. 327. Ebu Davud Et-Tajalisi dhe Abd ibn Hamid, nga Ibn Omeri).

6. “Bekuar qoftë ai që e angazhojnë të metat e tij nga të metat e njerëzve, ai që shpenzon nga teprica e pasurisë së tij, ai që i kontrollon fjalët e tepërta, ai që i mjafton Tradita dhe nuk i kthen shpinën asaj për risitë!” – (Hadithi nr. 5306, f. 327. Dejlemiu, nga Enesi).

7. “Bekuar qoftë jetëgjati vepërmirë!” – (Hadithi nr. 5307, f. 327).

8. “Bekuar qoftë ai që zotëron gjuhën e tij, që i mjafton shtëpia e tij dhe që qan për gabimin e bërë!” – (Hadithi nr. 5308, f. 327. Tabaraniu dhe Ebu Nuajmi, nga Thoubani).

9. “Bekuar qoftë ai që është udhëzuar në Islam, që i mjafton rizku që ka dhe, që është i kënaqur me të!” – (Hadithi nr. 5309, f. 327. Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Fudale ibn Abid).

10. “Bekuar qoftë ai, që do të gjejë (në ditën e gjykimit) shumë istigfar (kërkim faljeje prej Zotit) në fletët (e punëve të tij)!” – (Hadithi nr. 5310, f. 328. Ibn Maxheh, nga Abdull-llah ibn Busr. Etj.).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 janar 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit