Prej 10 vitesh, nga frika se hasmi mund t’i vrasë, burrat e familjes Hanja në fshatin Bardhaj në Shkodër, nuk e kalojnë pragun e derës. Vitet kanë kaluar dhe djemtë e shtëpisë, nga fëmijë e të rinj, janë burrëruar. Çesku, djali i madh, sot është kryefamiljar. Ka krijuar familjen e tij dhe ka edhe një djalë 2 vjeç.
Babai i tij, Mark Hanja, që ka edhe dy djem të tjerë, Valentinin dhe Vitorin, para 10 vitesh vrau bashkëfshatarin e tij, Lekë Gjonin, pas një konflikti për lënien e bagëtive në tokën bujqësore. Që prej asaj dite, fëmijët e Markut u ngujuan, ndërsa ky i fundit kreu 8 vite burg për krimin e kryer.
Njëri prej djemve të tij, Valentini, është larguar jashtë Shqipërisë për t’i mbijetuar gjakmarrjes. Tashmë familja jeton vetëm me një copë tokë që e punon e zonja e shtëpisë, Gonxhja. Kur kanë kaluar 10 vite nga ngjarja, Mark Marku kërkon t’i shtrijë dorën e pajtimit familjes së të ndjerit që të mos merren më jetë të pafajshme.
Ai ka dërguar pleqtë e fshatit që hasmëria të mbyllet dhe familjet të pajtohen, por deri më tani nuk ka një përgjigje pozitive.
Z.Hanja, keni tentuar për t’u pajtuar me familjen Gjoni?
I kam çuar njerëzit për pajtim, por nuk kam marrë përgjigje, pasi nuk janë të gjithë njerëzit e tyre në Shqipëri.
Prej 10 vitesh nuk kanë pranuar që ta falin gjakun?
Jo, nuk kanë pranuar, edhe pse kanë shkuar pleqtë siç është zakoni. Kemi dëshirë që kjo histori të mbyllet sa më parë. Faktikisht, ne nuk i kemi rënë ndesh atyre më, as unë dhe as fëmijët. Tashmë është në dorën e tyre dhe jo në dorën tonë falja.
Ju qëndroni të ngujuar?
Po. Nuk dalim sepse s’kemi siguri. Shteti thotë se s’ka gjakmarrje, por si nuk ka?. Ne s’mund të dalim nga frika. Kanë ndodhur shumë raste të gjakmarrjes edhe pas shumë vitesh.
Sa të vështirë e keni pasur për të jetuar?
Vështirë, patjetër. Njerëzit po punojnë çdo ditë dhe e kanë të vështirë të jetojnë e jo më të rrish i mbyllur. Jemi munduar që ta përballojmë me forcat tona. Kanë punuar gratë. Kanë mbjellë pak duhan, pak perime, ja kështu.
Tokën që keni pasur, e keni më?
Jo, nuk e kam, e shita në atë kohë sepse ishim në kufi me familjen tjetër. Jetojmë në kushte të vështira, vetëm me pak metra tokë që ka mbetur. Kam edhe 1 mijë lekë ndihmë ekonomike që është qesharake. Ke tokën na thonë.
Nëse do të ndodhte që ata të hakmerreshin ndaj jush, a do të mbyllej kjo histori për ju?
Nuk e di çfarë të them në këtë pjesë. Djemve të mi u kam thënë që të më gjejë mua ndonjë gjë, jo ju. Por s’kanë vrarë kënd dhe s’mund të jap një përgjigje. Unë kam bërë edhe burgun dhe një lloj shlyerjeje është kjo, nëse duam të shohim ligjet e shtetit. Por rri i ngujuar sepse ekziston fenomeni i gjakmarrjes. Ruhemi sa të kemi mundësi sepse duhet që të ruhesh. Edhe për sedër ruhemi që mos t’i biem ndesh, si unë, si djemtë e mi.
Djalin tjetër, pse e keni nisur jashtë Shqipërisë?
Vetëm nga frika. S’ka çfarë bën këtu. S’ka aspak siguri dhe s’kanë pse të rrijë. Keni pasur ndonjë problem mbrapa, kanë ardhur këtu afër shtëpisë suaj nga familja tjetër? Jo, nuk jemi hasur me probleme të tilla. Nuk e dimë. Fillimisht gratë dhe vajzat kanë ardhur, të paktën kështu na kanë thënë. Jemi afër me banesa rreth 500 metra, por s’jemi hasur asnjëherë.
Cili do të ishte mesazhi juaj?
Mesazhi im është që të ketë sa më pak ngjarje të tilla. Është diçka që unë e quaj fatkeqësi kjo që më ka ndodhur. Këto që ndodhin për momentin janë fatkeqësi dhe është rrezik i madh për çdo kënd. Nuk është mburrje për askënd, nëse ka vrarë dikë, nuk është krenari, por një fatkeqësi që nuk do të doja kurrë të ndodhte. Nëse çdokush rri në punën e tij, atëherë nuk do të ketë ngjarje të tilla. Duhet që edhe të kemi sa më shumë durim dhe të falim sa më shumë. Në ato momente kam qenë i tronditur, por e kam bërë vetëm për vetëmbrojtje. Isha keq edhe psikologjikisht sepse kisha djalin aty dhe ndodhi, edhe pse nuk kisha aspak dëshirë.
Çfarë kërkoni?
Asgjë tjetër përveç lirisë dhe kjo punë të marrë fund e të ketë pajtim mes nesh, sepse nuk e kam menduar asnjëherë ta vras, as kam dashur ta vras, por vetëm ta lë të plagosur dhe kjo vetëm për vetëmbrojtje për djalin tim që ishte aty dhe për veten time, pasi ai kishte armë.
“Lashë shkollën, m’u prenë ëndrrat”
Në atë kohë një djalosh i ri, Çesku, si më i madhi në familje tregon se si e ka marrë vesh për ngjarjen.
“Atë ditë kam qenë në shkollë të mesme në Gurë të Zi. Duke ardhur rrugës për në shtëpi më kanë thënë njerëzit. Në atë moment nuk e kam besuar dot. Më ka ardhur shumë keq. Kur erdha në shtëpi më treguan se çfarë kishte ndodhur. Për mua ishte shumë e vështirë sepse ne u ngujuam dhe u desh që të lija edhe shkollën.
Nuk kisha mundësi as të punoja dhe as asgjë tjetër. Edhe vëllezërit e tjerë e lanë shkollën sepse duhej që të ngujoheshim. Fillimisht, ditët ishin shumë të vështira sepse ishim mësuar të dilnim me shokë e shoqe. Që atëherë e deri më sot, unë vazhdoj që të jem i ngujuar dhe s’mund të dal. Jam martuar kështu në ngujim dhe kam një djalë 2 vjeç. Djali im po rritet dhe ai s’do t’ia dijë, kërkon që të dalë, por s’mund ta nxjerrim nga frika se s’i dihet. Ndoshta në një të nesërme edhe djali im mund ta vuajë ngujimin dhe ndihem shumë keq për këtë pjesë.
Nuk kam asnjë përgjigje për të, kur të pyesë në një të nesërme. Nuk e di se si do të shkojë, por shpresoj që një ditë të vijë pajtimi. Vëllai im për këtë çështje ka ikur. Thirrja ime është që të gjithë të mundohemi të qëndrojmë sa më larg konflikteve e vrasjeve, të mos ketë probleme dhe sa më shumë durim e falje. Unë kisha ëndrrat e mia atëherë që m’u ndërprenë në mes dhe nuk pata mundësi që t’i realizoja”, shprehet Çesku, djali i madh i familjes/ Panorama