3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Fejesa dhe normat e saj

Më të lexuarat


Është më së i qartë fakti që martesa konsiderohet shtyllë e familjes, me të fillon dhe zhvillohet familja, e cila është celula e një shoqërie të vogël dhe njëkohësisht baza kryesore mbi të cilën ngritët shoqëria e vërtetë. Pra, shoqëria në tërësi është e përbërë prej këtyre familjeve të cilat ngrihen mbi besimin, parimet e traditat e mirëfillta, të cilat janë si një bazament për shoqërinë, dhe sa më i fuqishëm të jetë ky bazament, aq më e fuqishëm dhe më e sigurt do të jetë kjo shoqëri e cila ndërtohet mbi të. Prandaj Islami i dha një pozitë të veçantë familjes, personit, por edhe vetë aktit në fjalë duke e quajtur atë në Kuran si “besatim i fuqishëm” apo edhe lidhje e tillë. Kjo në mënyrë që të vihet në pah rëndësia e aktit dhe shenjtëria e tij, si dhe të tregohet që Islami ka synime strikte në ruajtjen e kësaj familjeje dhe sigurimin e vazhdimit të saj apo jetëgjatësisë. Kjo kontratë martesore apo ky akt i rëndësishëm kërkon një lloj premtimi fillestar apo besatimi, gjatë të cilit secili prej dy palëve të sqarojë paqartësitë dhe të bindet me zemër në hapin e madh që do ndodh pastaj, e pikërisht kjo njihet me termin “El hitbetu” apo fejesa.

Nocioni i fejesës

Dijetarët kanë përmendur nocione dhe përkufizime të ndryshme rreth fejesës, megjithatë më i popullarizuari apo më i përkrahuri është ky: Kërkesa apo premtimi i burrit (apo gruas) për martesë.(1)

Realisht kjo kërkesë apo ky premtim mund të bëhet nga cilado palë (edhe pse e zakonshmja është të jetë nga ana e mashkullit) qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë duke dërguar dikë, qoftë te personi me të cilin synohet martesa, qoftë te kujdestari i saj/tij apo ndonjë familjarë e të ngjashme. Dhe është me vend të përmendim faktin që kjo fejesë mbetet në kontekstin e kërkesës apo premtimit dhe deri në këtë fazë nuk përmban asnjë specifik të ndonjë akti martesor.

Faktikisht kjo kërkesë mund të jetë nga dy palët, qoftë nga ana e mashkullit apo nga ana e femrës, dhe se kjo kërkesë siç është e lejuar të bëhet nga ana e mashkullit lejohet edhe nga ana e femrës, qoftë kjo kërkesë e drejtpërdrejtë ose diçka alegorike, apo edhe autorizim i dikujt që ta kryej këtë gjë, forma këto të cilat kanë ndodhur dhe ndodhin akoma e që për të cilat nuk ka ndonjë kundërshtim nga ana sheriatike.

Lidhur me njërën apo formën tjetër të cilat u përmendën më lartë kemi ngjarje të transmetuara nga Pejgamberi a.s. Ishte vetë Pejgamberi a.s. që kërkoi dorën e Aishes r.a. nga babai i saj Ebu Bekri r.a., kurse në anën tjetër Hadixheja r.a. dërgoi dikë që t’ia paraqes ofertën apo kërkesën e saj për martesë Pejgamberit a.s., kërkesë së cilës iu përgjigj pozitivisht i Dërguari i Allahut.

Urtësia e legjitimitetit të fejesës

S’ka dyshim që çdo lejim apo ndalim në fenë tonë ka urtësinë e vet. Në këtë grup hyn edhe fejesa, ku dijetarët na kanë mësuar se kjo fejesë është bërë e ligjshme-lejuar në mënyrë që njëra palë apo tjetra të ketë në dispozicion kohë të mjaftueshme që të mbledhin informacione mbi partnerin/ren e ardhshëm, duke pyetur për moralin, karakterin, tiparet, rrethin familjarë, etj., të dhëna këto të cilat janë jetike për atë çfarë do vije më pas (pra martesën dhe formimin e familjes). Andaj kjo fejesë u jep këtë mundësi të dy palëve në mënyrë që të jenë të ditur për njëri-tjetrin dhe të jenë të qetë e të relaksuar për jetën që synojnë ta nisin pas këtij hapi. Që fejesa të jetë e ligjshme duhen plotësuar disa kushte, ku ndër to veçojmë:

1. Të mos jetë femra në fjalë prej atyre me të cilat na ndalohet martesa (ndalesë nga ana e

familjes, nga ana e qumështit, pra ndalesë e përhershme apo edhe martesa me ateisten, ose gruan e shkurorëzuar tri herë e cila konsiderohet si ndalesë e përkohshme).

2. Të mos jetë e martuar me dikë tjetër apo të mos jetë në idetin (pritjen) e saj pas shkurorëzimit të kthyeshëm.

3. Të mos jetë e fejuar me dikë tjetër(2) (pra ne rast kthimit të përgjigjes pozitivisht).

Lidhur me këtë pikë, kemi një çështje të rëndësishme e cila mendoj qe është e rrugës që të sqarohet e ajo është: fejesa mbi fejesë, kjo pasqyrohet si vijon: fejesa mbi fejesë konsiderohet kur një person dëshiron të martohet me një grua të cilës i ka ofruar fejesë dikush para tij, dhe kjo e fundit nuk ka kthyer akoma përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, na ka treguar Pejgamberi a.s. në hadith ku thotë: “Të mos bëjë askush fejesë mbi fejesën e vëllait të tij, derisa të tërhiqet ai që e ka kërkuar atë femër më parë, ose t’i ketë dhënë leje kërkuesit të dytë.”(3)

Lidhur me këtë hadhith, Imam Maliku ka thënë: “Ajo që vlerësojmë ne në komentimin e këtij hadithi është që vije në domethënien e paraqitjes së kërkesës dhe refuzimin e ofertuesit të parë dhe pajtimi me të dytin për mehrin e ofruar nga ai.”(4)

Duke u bazuar në këtë hadith ne mund të konkludojmë se për këtë çështje kemi këto raste:

a) Në rastin e paraqitjes së kërkesës dhe pranimit nga femra, assesi nuk lejohet që të kërkoj dikush martesën e saj, dhe për këtë kemi unanimitet te dijetarët islam (kjo është ajo që u theksua te kushtet e ligjshmërisë së fejesës).

b) Në rastin e paraqitjes së kërkesës te femra, dhe ajo nuk është përgjigjur ende, as nuk ka pohuar as nuk ka mohuar gjë, në këtë rast shumica e dijetarëve hanefi mendojnë që nuk lejohet të kërkohet fejesa e saj nga ana e mashkullit tjetër.

c) Në rastin e paraqitjes së kërkesës te femra dhe refuzimin e qartë nga ana e saj, atëherë me unanimitet të të gjithë dijetarëve lejohet që të paraqes kërkesën ndonjë tjetër i interesuar për martesë.(5)

Këtu përmendim edhe një rast të fundit e që është paraqitja e kërkesës te femra, dhe ajo nuk ka refuzuar zyrtarisht, por ka dhënë shenja të një refuzimi eventual, në këtë rast lejohet paraqitja e kërkesës nga dikush tjetër sipas dijetarëve hanefi, ndonëse një veprim i tillë konsiderohet si mekruh (e urryer).

Shikimi i njëri-tjetrit dhe gjëra të cilat lejohen dhe ndalohen gjatë fejesës

Kur myslimani vendos të fejojë një femër, atëherë i lejohet që ta shikoj atë para se t’i filloj hapat për martesë, me qëllim të njohjes së vajzës dhe duke kushtëzuar që qëllimi të jetë i mirë dhe i pastër (e njëjta vlen edhe për femrën). Kjo është pikërisht ajo që na porositi Pejgamberi a.s. në hadithin e transmetuar nga Mugire ibën Shubete, i cili dëshironte fejesën e një femre, dhe pasi kishte informuar të Dërguarin a.s., ky i fundit i tha atij: “A e ke shikuar atë?” “Jo”, i tha ai! Atëherë Pejgamberi a.s. tha: “Shko shihe atë, sepse kjo e bën të jetë më jetëgjatë lidhja juaj.”(6,7)

Ndërsa sa i përket çështjes se çfarë i lejohet të shikoj, mund të themi se shumica e dijetarëve janë të mendimit që i lejohet të shikoj vetëm ato pjesë që lejohet t’i shihen para fejesës, pra fytyra dhe duart e saja.(8)

Pasi që folëm për shikimin e njëri-tjetrit, tani do kalojmë te gjërat që lejohen dhe ato që ndalohen gjatë kësaj kohe (pra gjatë fejesës). Në fillim potencuam që fejesa sipas Islamit është kërkesë për martesë dhe se gjatë kësaj periudhe lejohet që të interesuarit të shohin njëri-tjetrin (siç u sqarua në pikën paraprake) me qëllim të njohjes më të thellë etj., mirëpo duhet të theksojmë që kjo duhet të mbetet në kufijtë e të lejuarës dhe assesi të mos dal më shumë se kaq, rrjedhimisht nuk lejohet takimi i tyre pa ndonjë person tjetër, sepse vetmimi mes tyre është gjë e ndaluar në Islam, prandaj nuk duhet keqpërdorur këto mundësi të ofruar nga Islami e të lejohet vetmimi i të fejuarve. Fatkeqësisht kjo traditë sot është bërë e zakonshme në mesin tonë, e që shoqërohet me dëshirën e imitimit të qytetërimit perëndimorë dhe traditave të tyre.(9)

Lidhur me vetmim dhe ndalueshmërinë e tij kemi hadithin e transmetuar nga Abdullah ibën Abasi ku thotë: “Të mos vetmohet asnjë burrë me cilëndo femër të huaj, vetëm nëse me të është kujdestari i saj.”(10)

Ky vetmim ngërthen në vete edhe metodat e tanishme të rrjeteve sociale apo të ngjashme, andaj rregullat dhe ndalesat që kanë të bëjnë me vetmimin real vlejnë edhe për këtë virtual dhe për këtë gjë kemi një shumicë dërrmuese të dijetarëve të cilët e mbështesin këtë mendim. E gjitha kjo që t’u iket veprave të liga dhe keqpërdorimeve të çfarë lloji qofshin, e si të tillë të ruhen familjet, dhe posaçërisht çifti.

Prishja e fejesës dhe pasojat e saj

Fillimisht duhet të theksojmë se prishja e fejesës është e lejuar për cilëndo palë (qoftë nga ana e mashkullit qoftë nga ana e femrës) atëherë kur mendohet që është më mirë dhe më e dobishme për të, sepse fejesa në këtë kontekst nuk është akt martesor, por është vetëm paraqitje e kërkesës për martesë dhe si e tillë nuk merr tretmanin e këtij akti. Mirëpo duhet potencuar që prishja e fejesës pa ndonjë arsye nga cilado palë është e urryer dhe nuk përkon me karakterin e besimtarit/res që të bëj një veprim të tillë. Nëse eventualisht ndodh kjo prishje për njërën apo tjetrën arsye, nuk do të thotë që nuk ka pasoja, andaj dijetarët kanë treguar edhe për rastin e pasojave të prishjes së fejesës dhe kanë potencuar njëzëri që nëse ka pasur shkëmbim të dhuratave, atëherë është e drejtë të kërkohet kthimi i tyre, nëse eventualisht ato janë shkatërruar pjesërisht apo në tërësi, atëherë dijetarët hanefi thonë që paguhet vlera e atyre dhuratave, pa marrë parasysh nga cila palë ka ndodhur. Te këto dhurata përfshihet edhe mehri apo paja nëse është paguar, veçse për të, dijetarët janë të pajtimit që i takon e drejta ekskluzive e mashkullit që të kërkoj kthimin e tij (apo vlerës së tij) sepse mehri është normë nga normat e martesës, dhe nëse nuk ka martesë atëherë nuk aplikohen normat e tij.(11)

Kjo ishte sa i përket dëmshpërblimit për dëmin material, ndërsa nëse njëra palë apo tjetra dëshiron të kërkoj dëmshpërblim për dëmin moral, atëherë dijetarët klasik nuk ua lejojnë një gjë të tillë, mirëpo nuk mund të themi të njëjtën gjë edhe për këta bashkëkohorët, të cilët kohëve të fundit kanë filluar të lejojnë edhe një dëmshpërblim të tillë duke u bazuar edhe në ndryshimin e rrethanave.

Allahu e di më së miri!

Në fund lusim Zotin që t’i ruaj familjet tona e t’i begatoj me harmoni e respekt të ndërsjellë! Amin!

_______________________

1. Talat Abdul Gafur Hasan, Ahval Shahsije lil Muslimin, fq. 23.

2. Muhamed Rifat Uthman, Fikh e-nisai fi el hitbeti ve ez-zevaxh, fq. 16/17.

3. Muhamed Bin Ismail el Beuhari, Sahih el Buhari, 5142.

4. Është përmendur më herët.

5. Është përmendur më herët.

6. Ahmed bin Hambel, Musned Imam Ahmed, 18154.

7. Jusuf Kardavi, El Halalu ve el Haramu fi el Islam, fq. 202/203.

8. Amar Abdul Munim Selim, Adab el Hitbetu ve ez-zifaf, fq. 18.

9. Jusuf Kardavi, El Halalu ve el Haramu fi el Islam, fq. 202/203.

10. Muhamed Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, 3006.

11. Muhamed Rifat Uthman, Fikh en-nisai fi el Hitbeti ve ez-zevaxh, fq.

40/41.

Nehat Shehu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit