3.4 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

KOHA – Fatmir Baçi

Më të lexuarat

KOHA – Fatmir Baçi

“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krojoi (çdo gjë).
Krijoi njeriun prej gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës)”.
Lexo! Se Zoti yt është më bujari!
Ai që e mësoi(njeriun) të shkruajë me pendë.
I mësoi njeriut atë që nuk e dinte”.Kur’an 96:1-5

Në të gjitha periudhat historike artisti pati vendin e tij të posaçëm, që ndonëse jo më i spikaturi (shpeshherë edhe i fyer), prapseprapë ai bëri që shqetësimet, dhimbjet, gëzimet e po deshët edhe lajthitjet e tij, e rrethuan kohën në të cilën jetoi nga të gjitha anët, për t’i dhënë pastaj këtij rrethimi emrin e vet, duke i lënë kohës vetëm një shteg kalimi, ëndrrën e tij. Shpesh çuditemi, se si artisti, kapacitet i kohës kur jetoi, nuk është as i mirpritur e aq më pak i harmonishëm me bashkohën e tij?
Edhe pse e di që është e pamundur të përfshihet ose të paktën nuk është e lehtë të kontrollohet e gjithë moria e arsyeve të mësipërme, gjithsesi do të përpiqem që atë pjesëz që unë shoh ta shpalos të tërën, me qëllimin e mirë për të qënë edhe vetë diçka më i qartësuar. Pyetja e mësipërme na lejon të ndjekim një rradhitje, reale ose jo, të kësaj dukurie, që po ta vështrojmë kthjellët, për mendimin tim deri diku do mund të kemi një pamje më të qartë.

– A është artisti individ, dhe po qe se, cila rrethanë bëhet tejbartëse për diçka të tillë?

Nëse me individ do të kuptonim vetëm anëtarin e zakonshëm të shoqërisë, atëherë artisti nuk është apo më mirë jo vetëm kaq i tillë. Dakord, ai ka peshën e tij trupore, gjatësinë, pamjen dhe konturet, shenjat e gishtërinjve, normalisht dhe punën e tij të përcaktuar në cilindo rend shoqëror. Të gjitha këto dëshmojnë për ekzistencën e tij dhe aspak për personalitetin që ai bart me të cilin provon të shpaloset dhe pa të cilin as ai vetë s’do të kuptonte të qenit identitet. Tek artisti pra, ka edhe një botë tjetër të padukshme, që paçka se ngjan me të padukshmet e të tjerëve, tek ai ajo është aq e rëndësishme sa e bën të pavlerë çdo hallkë shoqërore veç e veç, dhe të gjitha këto të marra së bashku, përballë secilës hallkë njerëzore të cënuar, le pastaj kundrejt së tërës njerëzore të cënuar. Mundësia e artistit për të qenë individ në kuptimin e mësipërm është e papërfillshme,pasi artisti në thelbin e tij nuk qëndron përpara faktit, po përpara qëllimit, gjë e cila nuk përputhet me sistemet shoqërore, ku aktualisht ka marrëveshje të plotë me të gjithë pikat e referimit të përcaktuara që më parë, gjë e cila bën anën funksionale të jetës në shoqëri në dëm të pjesës jetësore të individit.

E vërteta është se gjithmonë ka ekzistuar një “liri” e shkruar (një e tillë është edhe sot), por që artisti e lexon si ndalesë, e pse jo, si një kufi i mundshëm për ëndërrën që ka, drejt së cilës ka orientuar qëllimin e tij, i pakonvertueshëm me konfortin që mund t’i siguronte një mpleksje fatlume rrethanash. Me pak fjalë artisti është individ për të tjerët, në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale, ndërsa në lidhje me veten, ai i rrëshqet këtij përcaktimi sapo ndien se ndodhet “i zënë në kurthin e përtej shqisave”.
Të qënit individ tek ai është një marëveshje e heshtur midis tij dhe veprës, e cila sidoqoftë është një marëdhënie subjektive dhe si e tillë tenton motivet e larta. Përpara kësaj marëveshje të gjitha nyjet shoqërore bëhen të parëndësishme, ashtu sikundër edhe të gjitha arritjet e një shoqërie (civilizimi) bëhen të vogla përpara ëndrrës së tij, qofshin ato edhe më e mira pjellë e mendjes njerëzore. Duke tentuar aspiratën njerëzore, apo e thënë ndryshe thelbin e të gjithë neve (njeriun, ëndërrimtarin e pandreqshëm dhe askurrë të kënaqur), artistit gjithmonë i mungon diçka apo shumëçka, sikundër edhe çdo sistemi shoqëror i mungon diçka apo shumëçka.

Thënë shkurt,rrethanat që e bëjnë artistin të ndjehet individ, janë vetëm në kokën e tij, në ëndrrën e tij, në veprën e pafilluar, por kurrsesi në veprën e përfunduar, pasi me të është ndarë. Qartësia me të cilën zhytet në ëndërr e çon gati në profeci, por e bën krejt të paqartë me të rëndomtën e përditshme. Dantja bie fjala, paratha bashkimin e Italisë gjashtë shekuj më parë se kjo të ndodhte me të vërtetë, por gjithsesi ai nuk diti t’i gjente zgjidhje problemit të tij dashuror, Beatriçes.

Koha në të cilën jeton artisti, kërkon prej tij të pamundurën, apo ai shtrihet në kohë sa që bëhet i pamundur për bashkëkohësit?

Kjo pyetje na nxjerr përpara një tjetër. Cilët janë bashkëkohësit e artistit dhe a përbëjnë ata diçka të rëndësishme për kohën në të cilën jeton artisti? E vërteta e do që bashkëkohësit e artistit të jenë një lloj opinioni , të tillë që mbledhin dhe shpërndajnë anekdota për të, që prononcohen dhe e gjykojnë, por që kurrë nuk dinë të thonë më shumë se kaq. Duhet të kemi parasysh se të gjitha këto përbëjnë vetëm anën e jashtme të artistit, me të cilën ai është pak ose aspak i kujdesshëm dhe po aq pak dhe aspak i interesuar. Thelbi i tij, bota e brendshme, ajo që mban fijet e padukshme mbetet e pacënuar dhe duke qenë më e rëndësishmja pjesë, bën që artisti gjithsesi të mos i ndiejë ato luhatje të sipërfaqshme shoqërore, të cilat kësisoj mbeten të parëndësishme për të, duke mos qenë të afta për të depërtuar në thelbin e problemeve njerësore.

Duke qënë i rrethuar me copëza jete nga më të larmet artisti zhbiron me heshtje në secilën prej tyre dhe prek thelbin njerëzor të ngjashëm te të gjithë ngjyrimet. Ai në secilin nga këta fragmente vetvetiu shikon, përjeton dhe evidenton të tërën uiniversale duke spikatur pjesmarrjen në harmoninë e universit të secilit element, domosdonë e çdo elementi për ekzistencën e kësaj harmonie, përkundrazi rëndom njeriu, të tërën universale e ndan në fragmente, duke u përpjekur që secilin fragment ta specializojë si sferë të tijën ku ai përpiqet dhe preferon të “mbretërojë”. Meqënëse artistin nuk e josh një marëdhënie e tillë, për të anormale dhe sidomos anormale, për këtë ai alternon një marëdhënie të dyfishtë, njerën të sipërfaqshme në raport me të sipërfaqshmen emergjente të atyre që e rrethojnë dhe tjetrën thelbësore me thelbësoren e njeriut të cilën e pasqyron në veprën e tij, e që shpesh spikat në periudha që pasojnë periodikisht dhe pambarimisht.

I vendosur përfundimisht në parametrat që pas hulumtimesh, meditimesh dhe përjetimesh të pandërprera e bindin që njerëzorja te njeriu është pikërisht ajo, bota e padukshme që ai beson, artisti vetvetiu ndodhet i larguar nga problemet e bashkohësve të vet, herë diku prapa larg, te diçka e harruar, ndoshta në kërkim të konsensusit të heshtur, dhe po qe se, për ta përcjellë atë diku përpara në papërcaktim, ku beson dhe shpreson se do të takohet me këtë konsesus të humbur, qoftë edhe i qartë se atë privilegj do ta ketë vetëm vepra, përpjekja do të jetë po ajo.

Duke qenë se tenton thelbin njerëzor te secili prej nesh, ai vetvetiu bëhet një bashkëbisedues i mprehtë e deri cinik me të gjithë, dhe duke qënë sidomos cilësor në këtë bashkëbisedim, artisti bëhet i pakëndshëm duke rrëzuar një sërë pengesash që neve na pëlqen t’i kemi, sikur thjeshtë për të shmangur një rutinë hapash të përditshme. Të thjeshtuarit e jetës, siç dhe është ajo, bën që të shëmben një dyzinë a më shumë madhështish false që mëkojnë egon e çdo njeriu, por që sidoqoftë përbëjnë edhe shkakun kyç që artisti të jetë diçka e largët e deri utopi për bashkëkohësit, sikundër edhe po aq i afërt sa utopia.

Artisti duke thënë gjithçka në mënyrë të natyrshme, thjeshtësisht, bojkoton manipulimet duke i bërë të pavlera kështu sa e sa struktura dhe grupime që jo vetëm mbijetojnë me këto manipulime, por janë në një farë mënyre superstruktura e sistemeve shoqërore laike. Meqënëse jep më tepër se ç’i kërkohet, artisti vetvetiu bëhet një lloj Prometeu të cilin me të drejtë e kanë mbërthyer në shkëmbin e tij dhe që gjithsesi përkujdesja për të është dhuna, mundimi dhe tentativa për ta thyer. Kur shkëmbi që e mban mbërthyer bie mbi të, Eskilët e gostisin me heroizëm, për të qënë edhe vetë të përzënë në kohën e tyre, e për t’u thënë kohë më vonë me gojën e urtësisë njerëzore “megjithatë rrotullohet”.

Cili është thelbi i shqetësimit të artistit dhe ku e kërkon zgjidhjen për të?

Me qënë se artisti ka ditur të thjeshtojë natyrshëm tepritë që rrethojnë jetën duke bërë të pavlerë edhe të ashtuquajturat arritje, vetvetiu përpara tij paraqitet e xhveshur plaga njerëzore, e qartë e paniveluar, që flak tej çdo mbulesë të sipërfaqshme për të spikatur në thelb vetveten si plagë për t’i caktuar të gjitha simptomat dhe pasojat që ajo bart. Fill pas këtij, le ta quajmë diagnostikimi, tek artisti nis gërryerja, e cila vibron në çdo qelizë të tijën, mbërthen në alarm të gjithë qënien, të gjithë universin e tij, gjë që bën ta shikojë botën vetëm në funksion të kësaj plage, në kërkim të një shërimi të mundshëm, qoftë ky edhe më utopiku për rrethanat e kohës ai është i bindur për sendërtimin qoftë deri edhe drejt papërcaktimit. Sapo artistit i krijohet brenda vetes rrethana (kuptohet ideale) e shërimit të kësaj plage, që nga ai çast ai fillon bashkëjetësën me heronjtë e tij, pa përfillur se cilat janë marëdhëniet aktuale shoqërore që rregullojnë jetesën.

Mbi artistin rëndon pandërprerë një ndjenjë faji për gjithçka që iu çfaq deri në momentin që hodhi në art, dhe nëpërmjet artit e denoncoi atë. Pas kësaj nuk është më punë e tij. Zgjidhjet që ai jep nëpërmjet heronjve të tij apo krejt veprës janë universale dhe i kapërcejnë kufinjtë kohorë dhe hapësinorë në të cilat endet artisti-njeri, ndryshe vepra e tij do të ishte një robinë, një kornizë e ngushtë e përkohshme duke e humbur privilegjin e të qenit art.

Artisti shërbehet me një botë të tijën, e cila pikërisht për shkak të universialitetit, të tjerëve u ngjan ideale, kur në fakt ajo vetëm sa ka materializuar atë pjesë të njeriut që në rrethana të veçanta kuptojmë se është më e rëndësishmja pjesë. Po të thuhet se në çdo shtatë vjet njeriu i ndërron të gjitha qelizat, të cilat vdesin dhe rigjenerohen, një proces i natyrshëm ky, pak njerëz do t’i kushtonin rëndësi. Por po t’i thuhet secilit nga ne se gjatë jetës ti ndërron normalisht dhjetë qënie fizike të tuat, për pa ndryshuar asgjë në thelb, kjo me siguri do ta detyronte këdo për të qënë diku në një konsensus me artistin “Ç’është mbi tokë, është tokë”, i cili beson në atë që mbetet e pandryshuar (bota e padukshme) dhe që ai përpiqet ta artikulojë.

Sa është i rëndësishëm shqetësimi i artistit dhe cilat zgjidhje e pasojnë. Shqetësimi i artistit pa dashjen e tij është parathënia e asaj që pason, e cila shpjegohet butë, por ama bart ndryshimin që vjen. Pa këtë shqetësim ndryshimi nuk do të kishte as emër e as kuptim. A është vallë rastësi Shekspiri, Bekoni dhe revolucioni anglez? Po Volteri, Rusoi, Didero dhe revolucioni frëng?

Gjithmonë për shqetësimin e artistit presin disa zgjidhje madhore, por që gjithmonë do t’i hasim diku në të ardhmen. Me pak fjalë artisti në lidhje me shqetësimin e tij më pak se kushdo tjetër i takon vetvetes, pasi që zgjidhja për këtë shqetësim në thelb, nuk i takon të tashmes e asfare së kaluarës dhe aq më tepër thellohet hendeku, kur për bashkëkohësit ky shqetësim dhe këto zgjidhje janë as më shumë e as më pak por një utopi.

A ka një pikë takimi midis kuptimit të artistit dhe kuptimit të atyre që e rrethojnë, dhe kush e bën përpjekjen e parë për këtë takim?

Për vet faktin që sa më sipër i kemi pranuar dykuptimet ekzistuese, të cilat në thelb janë jo vetëm të ndryshëm, por në pamje të parë nuk premtojnë asnjë lloj piktakimi që këto kuptime të jenë mirkuptim. Fara e një fruti nuk ngjan në asnjë kuptim me frutin, përveçse njera bart premtimin për të ardhmen, ndërsa tjetra paralajmëron fundin e një cikli, qoftë ky i begatë ose jo. Asaj që bart një farëz e vogël, rëndom nuk i kushtohet vëmendje edhe se në të fle ideja, ndërkohë që fruti është pasojë e kësaj ideje. Ajo që frutin e bën të kërkuar është babëzia jonë e ajo që farën e bën të kërkuar është përkujdesja jonë për premtimin që ajo bart. Fara ruan rilindjen e një tërësie të ngjashme me fillesën pararendëse, ndërsa fruti ruan provën e ndarjes së kufirit edhe për ne ose kalbëzimin e vet. Njëri kuptim thëreret masën (fruti), tjetri individin (fara). Njëri kuptim (fruti) i nënshtrohet përdorimit masiv pa konditën e kriterit vetiak duke plotësuar pjesërisht edhe konditat e kërkuara prej tij, tjetri kuptim (fara) është ekstremisht egoist dhe kërkon rigorozitet në kriteret e veta, përndryshe asgjë nga premtimi, ai s’mund të jetë i pjesshëm.

Pikërisht edhe artisti është një egoist i pashoq, veçse jo në formën klasike të egoizmit, por në një mënyrë gati ta pashpjegueshme. Egoizmi i tij kërkon me çdo kusht t’i dhurojë të tjerëve pjesën më të mirë, shpesh edhe në shkëmbim të vetësakrifikimit. Ky lloj egoizmi i veçantë është normalisht i pakuptueshëm për bashkëkohësit e artistit.

Loja e interesave midis artistit dhe atyre që e rrethojnë ka dy pamje diametralisht të kundërta. Nga njëra anë ka pamjen e një altruizmi të pakuptimtë dhe të panevojshëm (ky është gjykimi i masës për atë që bën artisti), ndërsa në anën tjetër (gjykimi i artistit) ka pamjen e një banaliteti dhe prostitucioni që ka mbërthyer shoqërinë, ku njeriu është ai që sulmohet në çdo cilësi të tijën. Për njërën palë (masën) objekti është mishërimi i subjektit, ndërsa në anën tjetër (artisti) subjekti bëhet objekt dhe është themeli i përsosjes së njeriut. Kahjet e dëshirave pra janë krejt të kundërta, ndërsa dëshirat, rrugët për realizimin e tyre, pafundësisht në largim, pasi që rëndom njerëzit tentojnë rehatinë me piksynim ngopjen ose tejngopjen, ndërsa artisti tenton harmoninë, duke hulumtuar vetveten dhe botën që e rrethon.

Bashkëjetesa e artistit me heronjtë e tij, me ngjyrat e tij, me tingujt e tij është një bashkëjetesë reale e pjekur plotësisht në pandërgjegjen e tij që shfaqet si e ndërgjegjshme në vepër. Është kjo vepër e fshehur diku bibliotekave, galerive apo partiturave e heshtur dhe e duruar, që pret çastin e volitshëm për të bërë lidhjen ndërmjet artistit dhe masave, të cilave në shumicën e rasteve do t’u duhet një udhëtim i gjatë dhe më tepër se i gjatë deri tek ajo.

Pra në rastin më të mirë artisti është i pranuar në kohën e tij, me kushtin e një hipokrizie nga ana e tij, që moskuptimin e bashkëkohësve ta pranojë si cilësi të tyren dhe jothelbësoren, të sipërfaqshmen që ata sendërtojnë nga vepra e tij ta pranojë si të mirëqënë (sikur vetëm në dukje). Artisti shpesh e pranon këtë konsensus sepse e di që vepra e tij është më kryeneçe se të gjithë ata që synojnë të jenë përfundimtarë (kupto të pagabueshëm në gjykimin e saj). Ndërsa pranimi real, a thënë ndryshe pikëtakimi (e theksoj pikëtakimi), ndërmjet veprës së artistit dhe kuptimit të masave ndodh kur një sistem shoqëror natyrshëm ka kryer ciklin e tij dhe vetvetiu është në prag të dekompozimit, e masat ndihen të mashtruara e të etura për njerëzoren. Përshpejtimin e sensibilizimit të masave e bën ajo inteligjencë e re me interesa në rritje, e cila në lojën politike të pokerit veprën e artistit e mban si “As ” të fshehur në mëngë për ta përdorur sa herë i nevojitet ajo.

Cila është marëdhënia e rrjedhës së mësipërme? Vepra artistike duke tentuar thelbin e jetës (që është i fshehur përtej kufirit të mundësive njerëzore) i flet secilit dhe në çaste dëshpërimi dhe zhgënjimi masat hedhin tej mendjemadhësinë e tyre për dijen apo më mirë për padijen që i karakterizon dhe bëjnë pranimin e veprës, e cila duke u vendosur aty ku i takon, kërkon dhe gjen te secili vetveten e gjithsesi lë diçka apo shumëçka edhe për brezat që pasojnë. Me ose pa dashjen e artistit vepra është një rrugë kalimi nga e sipërfaqshmja e masave për te fjala hyjnore dhe librat e shenjtë, ku thelbi i jetës është i qashtër, i kulluar dhe pa interesin e këmbimit ashtu siç është i pakompromentueshëm në çdo rrethanë.
Me fjalë të tjera, pikëtakimi midis kuptimit të artistit dhe kuptimit të masave është vetëm një orientim për nga hyjnorja, për dhe nga është i drejtuar vetë njerëzimi, ndërsa përpjekjen për këtë pikëtakim e bëjnë masat që ndodhen në nevoja për të. Kjo është arsyeja që artisti është i përzënë në kohën e tij, pasi sistemet shoqërore në botë përgjithësisht janë laike, ku individi është votë, elektorat, hallkë funksionale, kundërshtar, por asnjëherë ajo që kërkojnë Librat e Shenjtë dhe artisti: “INDIVIDIN NJERI ” me botën dhe personalitetin e tij.

Nëse ka një hapësirë boshe ndërmjet artistit dhe kohërave, cila është kahja e tij?

Vetë fjala “kohë” duke shënuar një nocion të papërcaktuar nga mundësitë njerëzore nuk e pranon shumësin e saj. Dhe duke qënë se ndryshimet i bëmë ne të rëndësishme, e meqë këto ndryshime i pranuam gabimisht me fillesë në ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha, për pasojë u bënë edhe ndarje jo të natyrshme të kohës. Njerëzimi (të paktën deri më tani) nuk ka kurajon të pranojë rrjedhën e natyrshme të gjithçkaje sipas një rreguli të paracaktuar hyjnor, përkundrazi aktivisht dhe në mënyrë këmbëngulëse rrëmon në kujtesë, çvarros heronj e shkruan histori. Kur këta heronj vetëm sa kanë ndjekur dëshirat dhe ambiciet e veta, shpesh të përgjakura, dhe as që i ka vajtur nëpër mend të shkruajnë historinë. Thjesht për këtë shkak, njeriu është edhe më i kufizuar në hapësirë, në kohë e në shqisa, pasi një pjesë të kufizimit na e imponojnë tabutë e kujtesës tonë historike e përpunuar dhe e shtrembëruar kjo për interesa të caktuara. Sikur t’i shtonim këtyre edhe mendjen egoiste me të cilën shërbehemi ku shpallim gjykime që sado të holla qofshin dhe sado që hollohen prapëseprapë do të mbeten të pjesëshme, të përafërta dhe të pazonjat për të na ndriçuar atë pjesë që na bën të pafuqishëm dhe ku ndjehemi të pambrojtur.

Atëherë vetvetiu kuptojmë se jemi krijesa që shqisat na janë dhënë për të qartësuar përmasën e dhuratës që disponojmë dhe për të shpallur besimin tonë ndaj krijuesit, në mos po, referimi në shqisa dhe avancimi në to na çon pashmangshmërisht te kafsha dhe ca më keq se kafsha nga pikpamja morale. Në Librat e Shenjtë, dija është e vërtetë kur ka ndaluar në zemër. Juda, fjala vjen, ishte më i shkolluari i apostujve dhe zotëronte tri gjuhë të huaja, por me mendje, jo me zemër.

Kësisoj shqisat na shërbejnë vetëm për të na thënë pikërisht kufinjtë tanë fizikë të cilët duhet t’i njohim dhe tu afrohemi me dijen e lartëpërmendur për të kuptuar dhe shtrirë më tej lirinë tonë, përndryshe jemi të zënë në çarkun e këtyre kufinjve. Tamam për këtë kemi një të kaluar krejtësisht enigmatike (sipas shqisave), një të sotme tërësisht të pasigurtë (sërish sipas shqisave) dhe një të ardhme përplot me befasi me shembuj tragjikë revolucionesh dhe ideologjish. Ç’qenka pra e rëndësishme te njeriu? A mos vallë harresa? Po qe se shumësi i kohës, pra “kohëra” është i drejtë na duhet të pranojmë ndërprerjet e njerëzimit që sidoqoftë nuk qenë të tilla.

Kufiri i botës së përtejme në mitologji ishte lumi i harresës “Akeronti” për në HAD, ndërsa HADI tokësor është patjetër koha, e cila në rrjedhën e saj na fsheh, na bën të harrojmë mijëra arsye të neglizhencave tona, apo vetëm njërën prej tyre, atë më kryesoren, të qenit vetja, që do të ishte ndoshta edhe shpjegimi i “pse-ve” që na rrethojnë. A është mundësia që njeriu ta kalojë këtë prerje që përbën pamundësinë e vet, pamundësinë e të gjithë neve në fund të fundit? Entuziastët gjithsesi zënë atë pjesë që paçka se duket më e afërta me të vërtetën, është e paplotë dhe herë pas here ka pësuar rrëzime të pariparueshme edhe në të përherëshmen, në dukje të pandryshueshme (Ajshtajni rrëzon Njutonin).

Nuk ka kthim, nuk ka përsëritje, nuk ka identike, ose ndryshe nuk ka korrigjim, nuk ka eksperiencë e për pasojë nuk ka përsosmëri. Nëse këto janë kështu dhe qëndrojnë mirë, atëherë nuk na është e nevojshme asnjë ngutje e stisur dhe në thelb duhet të jetë e paefektshme, pasi sipas të gjitha gjasave thelbin nuk e dimë, dhe ajo që dimë “mirësia”, është fare e vogël shpesh e përgjumur me babëzinë e egoizmit tonë roje sypafjetur mbi kokë.

Ndërsa me artistin ndodh ajo, që me e afërt për t’u spjeguar i themi rëndom “shtegtimi”, por që padyshim është shumë më tepër seç mund të thotë zakonisht kjo fjalë. Për artistin jo “kohërat” por “koha” është një rrjedhë e pandalshme, e pandërprerë, dhe aty ku ajo i fshihet, për të fillon shqetësimi, hamendja, përjetimi, e bukura, idealja, e frikshmja, paralajmërimi, premtimi, harresa e pamerituar, e vërteta që duket e humbëm, fillimi dhe qëllimi i këtij fillimi etj.

Të gjitha këto, e që nuk janë pak, të rrahura ndershmërisht në biseda me veten e me të tjerët, të hedhura në letër, krijojnë tek artisti një imazh të plotë për kohën të bazuar në ndjeshmërinë e tij, nga ku ai është fare lehtë i orientuar për të thënë atë pjesë që të tjerëve u ndërpritet. Veçimi që e vërteta i bën artistit qoftë edhe në imagjinatën e tij bën që të krijohet një hapësirë boshe ndërmjet atij dhe atyre që shikojnë vetëm një pjesë të kësaj së vërtete, ndoshta më të parëndësishmen.

Mosbesimi i kësaj mase ndaj asaj që shikon artisti e çon këtë të fundit domosdoshmërisht te vepra me të cilën kërkon të përgjigjet. Vini re! Nëse artisti denoncon të drejtën e cënuar të masës së popullit, masa i përgjigjet me mosbesim konstatimeve që ai paraqet, kjo pasi që e drejta e shkelur i takon pjesës së fshehur të kohës, më sajtë anës subjektive të njeriut ndërsa masa është tejet konkrete dhe konservatore, si rrjedhim jo entuziaste për pranimin e ideve. Një varg i Iliadës thotë: “Lufta do të zhvillohet në ajër (qiell)”. Kurrkush nuk e pa këtë përveç Homerit dhe askush nuk duhet ta ketë besuar. Mosbesimi i tyre u bë shkak (ndoshta) që të shkruhet Iliada. Mirëpo me që edhe veprat në pjesën më të mirë i mëshojnë subjektit (shkak për të cilin edhe u bënë), masat duke qenë të gjymtuara në individuslitetet nuk arrijnë t’i tresin e për pasojë i kontaktojnë deri aty ku për ta është e qartë duke pranuar vetëm atë pjesë që i përgjigjet emergjencës së tyre. Artisti duke dashur të thotë diçka sa më të plotë dhe sa më të qartë, pa dëshirën e tij veprën e zhvendos në kohë për t’u zbuluar në breza pak nga pak, por kurrsesi e tëra. “ Fyellin hyjnor ” që përmend Platoni, e dëgjon pas dymijë vjetësh Moxarti dhe duke qenë se shkruan vetëm një pjesë të tij e quan “Fyelli magjik ”, i cili dhe për kush e di se deri kur do t’i japë kënaqësi njerëzimit pa dhënë asnjë shpjegim për veten. Kahja e lëvizjes së artistit në vepër është pikërisht ajo pjesë e rrjedhës së kohës që për të tjerët është ose fare pak e ndriçuar ose e errët. Dhe vërtet, sa më shumë t’i afrohemi një vepre artistike, aq më shumë shohim pafundësinë e të fshehtave që ajo ruan.

A është artisti kundërpeshë e kohës apo dëshmi e harmonisë së mundshme të saj?

Artisti i vetmashtruar duke dashur të korrigjojë të kaluarën, e cila nuk është e mundur të ndryshohet, pa dashur as vetë, s’e di se si, humb lidhjet me të tashmen dhe pa e kuptuar me veprën e tij vendoset diku në të ardhmen. Në shpellat më të vjetra ku gjenden shenjat që njeriu ka jetuar pothuaj pa përjashtim gjenden edhe vizatime kafshësh, objekti i gjuetisë së atyre njerëzve. Ka shumë mundësi që ato vizatime të jenë gabimi i një dite të pasuksesshme në gjueti. Pse tamam kështu? Supersticioni i mbarësisë në gjueti me vizatimin e një kafshe para nisjes, patjetër i referohet një mungese, një humbjeje dikur, duket për të korrigjuar një gabim të kaluar dhe sidomos shpreh dëshirën e zjarrtë drejt qëllimit.
Këtu vlen të ndalojmë. “Dëshirën drejt qëllimit” dhe aspak qëllimin. Kjo pasi në vizatime shihen kafshë të gjalla dhe në lëvizje, në ndjekje, apo më e avancuara është momenti i goditjes së gjuetarit, dhe në asnjërën nga këto vizatime të lashta nuk gjejmë të pasqyruar ceremoninë e ngrënies. Pra arti që na mbeti dhe na sjell mesazhe prej këtyre njerëzve të lashtë nuk është aspak qëllimi, por dëshira e tyre drejt qëllimit. Edhe pas ngritjesh e shembjesh të sa e sa civilizimeve, motoja e artit ka mbetur e pandryshuar deri në ditët tona, pra ajo, po ajo, “dëshira drejt qëllimit”.
Mirëpo artisti e paguan tmerrësisht shtrenjtë artin e tij dhe këtë sepse jo gjithmonë sjell fat në gjueti, qoftë kjo në shpellat e vjetra apo në hollet e hoteleve me pesë yje. Më qartë e shpjeguar, artisti duke dashur të korrigjojë një të kaluar me veprën e tij, bën spikatjen dhe remontin e të gjitha gabimeve, dhe duke tentuar idealen pa dashur cënon hallkat shoqërore që janë jo më dëshira drejt qëllimit (thelbi njerëzor ndoshta) por qëllimi i vrarë dhe i zënë me ceremoninë e ngrënies.
Nëse për artistin akti gjer te qëllimi përbën dhe meriton therori, për gjuetarët dhe prijësit ky akt fillon pas sjelljes së kafshës në shpellë, kur flaket tej çdo lloj supersticioni, e në daçi, edhe zgjuarsie. Ndërsa artistit i duhet sërish të hetojë gabime dhe t’i shpallë, ndërkohë që prijësit janë të ngopur dhe nuk mund t’i shikojnë ato. Mirëpo e vërteta nuk di të zgjedhë, ndërsa artisti e shikon dhe këmbëngul për të. Dhe jo vetëm kaq, por e vërteta është moto e tij, por duke qenë e vetme meriton të martirizohet për hir të larmisë që bart gënjeshtra.
Mirëpo gjahu i ditës që vjen do veprën e tij, frymëzim për gjahtarët, pa marrë parasysh në është dhjamur apo jo veshi i prijësit. Pra u duhet gjahtarëve shqetësimi i artistit dhe në mos e kuptofshin as ata atëherë vepra i mbetet disa të tjerëve që nevoja do t’i lypë të vërtetën e thjeshtë të cilën e bart kjo vepër.
Nuk besoj se ndonjë artist do të mbetet i fyer që mora një shembull aq të largët, po aq njerëzor, pasi po ashtu në artin e tyre gjejmë thelbin e shqetësimit njerëzor të pandryshuar. Spontaneiteti i artistit me dëshirën e tij drejt qëllimit pa toleruar asnjë grimcë të vërtetën, janë në çdo kohë kundërpesha e vulgut njerëzor. Qoftë artisti edhe i vetëm, ai e ruan ballancën kundrejt të gjithëve. Pa këtë ballancim nuk do të kishte harmoni, me prishjen e të cilit ndodh dekompozimi. Në botë njihen sa e sa kultura, gjuhë dhe popuj të asimiluar, pikërisht nga prishja e kësaj ballance.
Në Romën e lashtë shteti mbron, popujt nën sundimin e saj, kufijtë dhe ARTET. Harrimi i një vepre arti nuk do të thotë vetëm harrim për kulturën, por harrim, madje mohimi i një frymëzimi. Pra një frymëzim më pak për një ditë a më shumë gjahu, një jombarësi në të dhe një mbrëmje më shumë e uritur.
Të mos harrojmë, Aleksandri i Maqedonisë kur pushtoi Tebën, urdhëroi të rrafshohej i gjithë qyteti, duke përjashtuar vetëm njërën nga shtëpitë, atë të Pindarit, dhe të gjithë qytetarët i shiti për skllevër, përveç pasardhësve të familjes së Pindarit.

A ka një përshkrim të mundshëm për artistin dhe cili do të ishte ai?

Do përpiqem të jem i shkurtër pasi në këto rradhë nuk ka asgjë të re, po deshët edhe nga mënyra e të vështruarit. Të përshkruash një artist duhet domosdo t’u referohesh të gjithë artistëve, që për mungesë vendi e sidomos për pamundësinë e njohjes do të marrim në analizë vetëm disa, duke shmangur edhe bezdinë tuaj.

HOMERI – i verbër, buzë anonimatit, i fyer gjer në ditët tona, pikërisht me diskutimet rreth ekzistencës (?!)
ESKLILI – luftëtar i Termopileve, i përzënë nga Greqia në moshë të thyer, vdes i fyer prej popullit të vet në Siçili (?!)
SHEKSPIRI – një odise e tërë me teatrot e rugës, pastaj duket se do t’i paguhet haraçi me trupën mbretërore, por vdes i ri për t’u harruar për më shumë se 100 vjet (?!)
SERVANTESI – luftëtar i zënë rob, një dorë e prerë në luftë, dhe vdekja në skamje (?!)
BAJRONI – lord anarkist që braktisi vendin e titujt e tij dhe brodhi nëpër botë pas heroit të cilin ai vetë e solli në “jetë” (?!)
STENDALI – njeriu që gënjeu sa mundi për veten, i survejuar nga Burbonët si Bonapartist, sajoi mbi 2000 emra, duke lënë një roman të padeshifrueshëm (gjë që u bë vite më vonë) (?!)
BALZAKU – 20 – 30 kafe në ditë, mbi 80 romane komercialë pa vlerë, borxhe , fitime madhështore, investime idiote, humbje kolosale. I sëmurë buzë vdekjes martohet. Vdes në borxhe me një testament të frikshëm (?!)
PUSHKINI – shkëlqim dhe shuarje, një vdekje aventureske në pikun e jetës, në dukje e rastësishme (?!)
ÇEHOVI – një lodër çapkëne e letrave dhe një vdekje e parakohshme nga TBC (?!)
GOGOLI – shkel vetveten në një vepër dhe vetëvritet në çmendinë (?!)
TOLSTOI – braktis Moskën për Jasnaja Poljanën, pastaj këtë të fundit në moshë të thyer, shkaku – gruaja (?!)
DOSTOJEVSKI – internim, fyerje dhe sëmundje(?!)
ESENINI – vetvrasje (?!)
MAJAKOVSKI – vetvrasje (?!)
HEMINGUEJ – vetvrasje (?!)
CVAJG – vetvrasje (?!)
KAVABATA – vetvrasje… (?!)

Platoni në veprën e tij “Shteti” i përzë poetët, ndërsa fëmijëve, që sipas tij nuk duhet të kenë familje dhe as t’i njohin prindërit e tyre, rekomandon t’u këndohen këngë për luftërat dhe punët e shtetit të tij. Si për t’iu kundërvënë Platonit dhe shtetit të tij, Shileri do të shkruante:

Kush dhunën pranon si qyqar,
njeriun te vetja po aq e ka vrarë.

Me përshkrimin telegrafik të disa figurave të artit botëror, u përpoqa të them diçka për artistin dhe botën e tij. Sa i takon shtetit të sotëm, e për të cilin trembem se po rreket ta imitojë “shtetin” e Platonit, më tingëllojnë mëse të vërteta vargjet e Hajnes:

O mbret, pse ta dua të mirën,
prano një këshillë prej meje:
Nderoje Poetin e vdekur,
por Atë të gjallin kurseje.

Që nga koha e Hajnes rrethi është bërë më vicioz, më i ashpër dhe rezultati që trashgojmë është dhimbshëm rrënqethës; Makina shtetërore operon e pashqetësuar dhe e sigurtë në një shoqëri të kontrolluar pa individë dhe individualitet, nga njera anë, ndërsa në anën tjetër kujdeset me çdo kusht që individi të mbetet pa shoqëri dhe individualitet, krejtësisht i izoluar.

Fatmir Baçi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit