2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

ORTAKËRIA – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Sherika (Ortakëria) do të thotë përzierje dhe juristët e përkufizojnë si një kontratë mes dy ortakëve në kapital dhe fitim[1].

Ligjshmëria e saj

Ajo është legjitime me Kuran, me Sunetin e Profetit dhe me konsesus të dijetarëve. Në Kuran, Allahu i Lartësuar ka thënë :

فَهُمْ شُرَكَاءُ فِي الثُّلُثِ

“Ata janë pjesëtarë në një të tretën” (En-Nisa, 12).

وَإِنَّ كَثِيرًا مِنْ الْخُلَطَاءِ لَيَبْغِي بَعْضُهُمْ عَلَى بَعْضٍ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَقَلِيلٌ مَا هُمْ

“Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. (Sad, 24).

Dhe të përzierit janë ortakët.

Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë jam i treti i dy ortakëve derisa ndonjëri prej tyre nuk e ka mashtruar shokun. Nëse e mashtron tjetrin, Unë dal prej tyre”[2].[3] Transmeton Ebu Daudi nga Ebu Hurejra

Zejdi ka thënë: “Unë dhe Berra’i kemi qenë ortakë”.[4] E transmeton Buhariu dhe dijetarët kanë rënë dakord për lejimin e saj. Këtë e përmend edhe Ibn Mundhiri.

Llojet e saj

Ortakëria është dy llojesh:

E para: ortakësi pasurie                                  E dyta: ortakëri në kontratë

 

Ortakëria në pasuri quhet ajo lloj ortakërie, sipas së cilës më shumë se një person zotërojnë një mall pa ndonjë kontratë. Ajo ose mund të jetë me zgjedhje, ose e detyrueshme.

Me zgjedhje kur p.sh. kur dy personave u jepet një dhuratë apo të dyve u jepet me testament diçka dhe të dy pranojnë. Dhurata apo testamenti është pronë e ty dyve në mënyrë të përbashkët. Kështu edhe nëse blejnë diçka për llogari të tyre. Malli i blerë është mes tyre si ortakëri në pasuri.

E detyrueshmja: është ajo që i përket më shumë se një personi me detyrim pa ndodhur asnjë veprim në përfitimin e pronës siç ndodh p.sh. në trashëgimi. Në këtë rast, ortakëria i përket trashëgimtarëve pa zgjedhje prej tyre dhe është e përbashkët mes tyre si ortakëri në pasuri.

 

Dispozita e kësaj ortakërie

Në këtë lloj ortakërie asnjërit prej ortakëve nuk i lejohet të veprojë në pjesën e shokut të tij pa lejen e tij, sepse asnjëri prej tyre s’ka kompetencë në pjesën e tjetrit i cili konsiderohet si i huaj.

 

Ortakëria në kontratë është atëherë kur dy apo më shumë vetë lidhin një kontratë për të bashkuar pasuritë dhe fitimin që do të nxjerrin.

 

Llojet e saj

Llojet e saj janë si më poshtë:

  1. ortakëria e pabarabartë 2. ortakëria e barabartë
  2. ortakëria në zanat 4. ortakëria me pozitë

 

Shtylla e saj është kërkesa dhe pranimi. Njëra prej palëve thotë: “Të kam bërë ortak në këtë pasuri” dhe i dyti e pohon këtë ortakëri.

 

Dispozita e saj

Hanefitë kanë lejuar tërë llojet e mësipërme kur tek to sigurohen kushtet që ata kanë përmendur. Malikitë kanë lejuar tërë ortakëritë përveç ortakërisë me pozitë. Shafitë i kanë zhvleftësuar të tëra, përveç ortakërisë së pabarabartë, ndërsa Hanbelitë i kanë lejuar të tëra përveç ortakërisë së barabartë.

 

Ortakëria e pabarabartë (El Anan)[5]

Në këtë rast dy persona bëhen ortakë në pasurinë e tyre që të tregtojnë me të dhe fitimi të ndahet mes tyre. Këtu nuk kushtëzohet barazia në kapital, në punë dhe as në fitim, pra lejohet që kapitali i ndonjërit prej tyre të jetë më i madh se tjetri, lejohet që vetëm njëri prej tyre të jetë përgjegjes për punën dhe lejohet edhe të jenë të barabartë në fitim ashtu si lejohet edhe të mos jenë, sipas marrëveshjes së tyre.

Nëse ka humbje, ajo llogaritet sipas kapitalit.

 

Ortakëria e barabartë (El Mufaueda)[6]

Ajo është kontratë mes dy apo më shumë personave për të marrë pjesë në një punë me kushtet e mëposhtme:

  1. Barazia në kapital. Nëse ndonjëri prej ortakëve ka vënë më shumë kapital, kjo ortakëri nuk është e vlefshme[7].
  2. Barazia në aftësinë për të vepruar, kështu që ortakëria mes minorenit dhe madhorit nuk vlen.
  3. Barazia në fe, kështu që nuk lidhet një e tillë mes një muslimani dhe një jomuslimani.
  4. Çdonjëri prej ortakëve të jetë garant për tjetrin për shitjet dhe blerjet që duhet të bëjë, siç duhet të jetë edhe i autorizuar prej tij. Kështu, veprimtaria i ndonjërit të ortakëve nuk vlen të jetë më e madhe se veprimtaria e tjetrit.

Nëse realizohet barazia në të tëra këto pjesë, ortakëria lidhet dhe secili ortak bëhet autorizues dhe garantues i shokut të tij. Si rrjedhojë e kësaj kontrate secili ka të drejtë t’i kërkojë llogari partnerit për veprimet e tij. Këtë kontratë e kanë lejuar Hanefitë dhe Malikitë, por jo Shafiu. Ai ka thënë: “Po të mos ishte ortakëria e barabartë e pavlefshme, nuk do dija ndonjë gjë të pavlefshme në jetën e kësaj bote, pasi kjo është kontratë që legjislacioni s’e ka sjellë. Realizimi i barazisë në këtë ortakëri është diçka tepër e vështirë, sepse ajo përmban rrezik dhe mosnjohje. Transmetimi në hadithin se: “Lidhni kontratë të barabartë, sepse ajo është më e begatshmja”[8] dhe thënia e Profetit (a.s.): “Nëse lidhni një kontratë të barabartë, bëjeni atë sa më mirë”, asnjëra nga këto nuk është e vërtetë.

Përshkrimi i saj tek imam Maliku: “Kur secili prej tyre autorizon tjetrin për të vepruar në prezencë dhe në mungesë të tij. Dora e tij është sikurse dora e partnerit dhe ortaku i tij nuk kryen tjetër veç atë për të cilën kanë lidhur kontratën. Tek kjo kontratë nuk kushtëzohet që kapitalet të barazohen dhe as që ndonjëri prej tyre të fusë në ortakëri ç’pasuri të ketë”.

 

  • Ortakëria me pozitë (El Uxhuh)

 

Kjo lloj ortakërie lidhet kur dy apo më shumë persona blejnë pa pasur para, por duke u bazuar në pozitën e tyre dhe besimin që tregtarët kanë ndaj tyre, me qëllim që kjo ortakëri të jetë mes tyre në fitim. Kjo është ortakëri me përgjegjësi e jo në pasuri apo prodhim. Ajo është e lejuar tek Hanefitë dhe Hanbelitë, sepse konsiderohet një lloj pune dhe lejohet të lidhet kontratë për këtë qëllim. Lejohet dallimi mes tyre në pronësinë e sendit të blerë, ndërsa fitimi është në masën e pjesës së secilit në mallin e marrë. Shafitë dhe Malikitë e konsiderojnë të pavlefshme, sepse ortakëria nëse lidhet, kjo bëhet në pasuri dhe punë e të dyja këto elemente nuk ekzistojnë këtu.

 

  • Ortakëria në zanat (El Ebdan)

 

Kur dy persona bien dakord që të marrin përsipër një punë të caktuar, në mënyrë që mëditja e kësaj pune të ndahet mes tyre sipas marrëveshjes. Kjo ndodh shpesh mes marangozëve, hekurpunuesve, hamallëve, rrobaqepësve dhe bojëngjyruesve e të tjerë zanatçinj. Kjo lloj ortakërie vlen, qoftë zanati i tyre i njëjtë apo jo, si p.sh. marangozi me marangozin apo marangozi me hekurpunuesin, punojnë të tërë apo punon vetëm njëri pa tjetrin, veç e veç apo të bashkuar.

Kjo ortakëri, ndryshe quhet edhe ortakëria në punë, në zanat apo e zanateve. Argument për lejimin e kësaj ortakërie është transmetimi i Ebu Ubejdës nga Abdullahu që ka thënë: “Unë, Amari dhe Sa’di u bëmë ortakë për ç’ka do të fitonim ditën e betejës së Bedrit. Sa’di solli dy robër e unë dhe Amari nuk sollëm asgjë”.[9] Transmetojnë Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.

Shafiu shprehet se kjo ortakëri është e pavlefshme, sepse, sipas tij, ortakëria është e veçantë për pasuritë e jo për punët. Në librin ‘Er Reuda En Nedija’ gjejmë fjalë të bukura rreth kësaj çështjeje, të cilat po i përmendim më poshtë:

“Dije se këto emra që përmenden në librat e fikhut (jurisprudencës islame) për llojet e ndryshme të ortakërive si ajo e barabartë, e pabarabartë, e pozitës e në zanat, nuk janë as emërtime legjislative e as gjuhësore, por terma të reja. S’ka ndonjë pengesë që dy persona të përziejnë pasuritë e tyre e të tregtojnë siç është edhe kuptimi i fjalës (El Mufaueda), që përmendet si term, sepse pronari ka të drejtë të veprojë në pronën e tij si të dojë, përderisa ky veprim nuk është i ndaluar nga ana e legjislacionit. Por, tërë çështja është tek kushtëzimi i barazisë së dy pasurive dhe qenia e tyre para në dorë, si dhe kushtëzimi i kontratës. Nuk ka ardhur asgjë të tregojë kushtëzimin e tyre, por mjafton thjesht pranimi i përzierjes së dy pasurive dhe tregtimi me to.

Lejohet që dy persona të marrin pjesë në blerjen e diçkaje, ku secili prej tyre merr fitim aq sa edhe ka paguar për të, ashtu si është edhe kuptimi terminologjik i ortakërisë së pabarabartë (El Anan). Këtë lloj ortakërie e gjejmë në kohën e Profetit (a.s.) e me të kanë punuar një pjesë e sahabëve të cilët merrnin pjesë në blerjen e diçkaje, ku secili prej tyre jepte një pjesë të vlerës së mallit dhe blerjen e merrte përsipër njëri prej tyre apo të dy së bashku. Ndërsa për kushtëzimin e kontratës dhe të përzierjes, nuk ka ardhur asgjë që mund të tregojë për to.

Lejohet që njëri prej të dyve të autorizojë tjetrin që të marrë para borxh për të dhe të tregtojë me të e të dy të marrin pjesë në fitim, siç përmendet nga ana terminologjike për ortakërinë në pozitë, porse nuk ka asgjë që tregon kushtet që ata vënë.

S’ka ndonjë të keqe që ndonjëri prej personave të autorizojë tjetrin që të bëjë për të një punë nga e cila merr mëditje, siç edhe kuptohet nga ana gjuhësore nga ortakëria në zanat, por s’ka kuptim kushtëzimi i kushteve në të.

Si përfundim, në tërë këto lloje, mjafton të ekzistojë thjesht pranimi dhe dëshira, pasi boshti i tërë veprimeve që kryhen në pasuri është pranimi dhe nuk duhet të merret parasysh tjetër gjë veç tij. Ato lloje që hyjnë nën autorizimin apo qiradhënien, për to mjafton ato që mjaftojnë për këto lloje kontratash. Ç’janë këto lloje që i kanë grupuar e kushtëzuar në to këto kushte? Cili argument logjik apo transmetim i çoi ata këtu? Çështja është shumë më e thjeshtë se kjo stërzgjatje, pasi gjithçka përfitojmë nga ortakëria e barabartë, e pabarabartë dhe me pozitë, është thjesht se një personi i lejohet të bashkohet me një tjetër në blerjen e diçkaje dhe shitjen e saj, ku fitimi është mes tyre në masën e pjesëmarrjes së secilit në çmim. Kjo është diçka tepër e thjeshtë që e kupton një njeri i thjeshtë pa përmendur dijetarin, për lejimin e së cilës të jep të drejtë gjithëkush. Kjo logjikë është më e gjerë se të barazohet vlefta që jep secili prej tyre apo të ndryshojë, më e gjerë se të jetë vlefta para në dorë apo mallra tregtie, më e gjerë se të jetë malli të cilin tregtuan tërë pasuria e secilit prej tyre apo një pjesë e saj, më e gjerë se të jetë i autorizuari për shitje e blerje njëri prej tyre apo të dy. Imagjino sikur ata për secilën nga këto pjesë, të cilat në të vërtetë janë një gjë e vetme, t’i vënë nga një emër të veçantë, pasi s’ka diskutime në terminologji. Por, ç’do të thotë marrja në konsideratë e këtyre shprehjeve nga ana e tyre, kushtëzimin e tërë këtyre kushteve, zgjatjen e rrugës së nxënësit të dijes dhe regjistrimin nga ana e tij e diçkaje që s’ka vlerë? Ti, nëse pyet ndonjë bujk apo tregtar në lejohet pjesëmarrja në blerjen e diçkaje dhe fitimin prej saj, ai nuk do ta ketë të vështirë ta pohojë këtë. Por, nëse i thua atij se a lejohet ortakëria e pabarabartë, në pozitë apo zanat, ai do të mbesë i shushatur para kuptimit të këtyre emrave. Ne kemi parë shumë dijetarë të thelluar në shkencat e fikhut, të cilët ngatërrohen në detajet e këtyre llojeve dhe nuk mund të bëjnë dallimin e tyre, vetëm nëse sapo e ka mësuar përmendësh ndonjë prej përmbledhjeve të jurisprudencës islame. Kështu, ai ndoshta do të mund të orientohej. Nuk është dijetar (muxhtehid) ai që zgjeron rrethin e teorive që s’kanë argument dhe pranon gjithçka që gjen përpara, pasi kjo është tradita e skllevërve të imitimit. Por dijetari përpjekës (muxhtehid) është ai që pranon të vërtetën dhe hedh tej të pavërtetën. Për çdo çështje ai kërkon argumentet dhe nuk ngurron të kundërshtojë në bazë të së vërtetës ndonjë person me pozitë në zemrat e neglizhentëve, i cili mund ta qortojë sepse e vërteta nuk personifikohet në njerëz. Për këtë arsye, ne kemi ndjekur në këto hulumtime metoda, vlerën e të cilave nuk e di vetëm ai që i kupton, pastron mendjen nga fanatizmi dhe e ka pastruar mendjen nga besimet e trashëguara. Tek Allahu mbështetemi.”

 

 

Ibn Kajimi sheh lejimin e pjesëmarrjes në kafshë, me kusht që ajo të jetë pronë e një personi dhe tjetri të merret me rritjen e saj në mënyrë që fitimi të jetë mes tyre sipas marrëveshjes. Në librin “A’lam El Muaki’in”, ai ka thënë: Tek ne, ortakëria në mbjelljen e pemës së arrës apo llojeve të tjera lejohet, ku personi t’i japë tjetrit tokën e t’i thotë: “Mbille me këtë lloj pemësh dhe prodhimi është përgjysmë mes nesh”. Gjithashtu, lejohet t’i japë atij pasurinë e tij të tregtojë me të dhe fitimi është mes tyre përgjysmë, siç mund t’i japë atij tokën e tij ta mbjellë me drith, ku prodhimi ndahet mes tyre; mund t’i japë atij pemë që të kujdeset për to dhe frutat janë mes tyre; mund t’i japë atij lopët, delet apo devetë ku ai kujdeset për to dhe qumështi e leshi është mes tyre; mund t’i japë atij ullinj t’i shtrydhë dhe vaji është mes tyre; mund t’i japë atij kafshën e tij të punojë me të dhe mëditja është mes tyre; mund t’i japë atij kalin e tij me të cilin lufton dhe pjesa e plaçkës së luftës të ndahet mes tyre; mund t’i japë lejen për kanal uji dhe uji që rrjedh prej tij është mes tyre e të tjera të ngjashme me to. Tërë këto janë ortakëri të sakta, për lejimin e të cilave ka argumente nga Kurani e Suneti, analogjia dhe marrëveshja e sahabëve, si dhe interesat e njerëzve. Në to nuk ka asgjë që mund të detyrojë moslejimin e tyre si nga Kurani, tradita e Profetit, konsensusi, analogjia, interesi apo ndonjë kuptim i saktë që detyron mosvlefshmërinë e tyre.

Argumenti i atyre që e kanë ndaluar, është se ata kanë menduar se ajo hyn në qiranë, ku për ta vlefta që jepet në shkëmbim është e panjohur, kështu ajo nuk është e vlefshme. Disa prej tyre e kanë lejuar kontratën për ujitje dhe mbjellje me argument tekstin e ardhur për to, si dhe marrëveshjen për tregti (Mudareba) me argument konsensusin e asgjë tjetër veç tyre. Disa e kanë lejuar vetëm marrëveshjen për tregti e disa kanë lejuar vetëm disa lloje të kontratës për ujitje dhe mbjellje. Disa prej tyre e kanë ndaluar nëse një pjesë e bazës së mallit i jepet punëtorit, p.sh. si i varfëri mullixhi, por e kanë lejuar nëse ai merr frutin dhe baza mbetet, si p.sh. qumështi që milet. E sakta është se të tëra këto lejohen e kjo është rrjedhojë e rregullave dhe bazave të legjislacionit. Këto hyjnë në temën e pjesëmarrjes, ku punëtori në to është ortak i pasurisë, ky me pasuri e ky me punë e atë që u jep Allahu, është mes tyre. Kjo, tek një grup i dijetarëve tanë, nëse krahasohet me qiranë ka përparësi në lejim dhe Shejh El Islam[10] ka thënë: “Këto lloj ortakërish, nëse krahasohen me qiranë, vijnë para sa në lejim, sepse qiramarrësi jep pasurinë e tij dhe ai, edhe mund të përftojë dobinë që do por edhe nuk ta përftojë. Kështu, qiradhënësi fiton pasurinë dhe qiramarrësi është në rrezik pasi të mbjellat mund të jenë të frytshme ose jo. Ndryshe ndodh tek ortakëria ku të dy ortakët janë të barabartë në fitim dhe humbje. Nëse Allahu u jep fitim, ai është mes tyre e nëse jo, janë të barabartë në privim. Ky është kulmi i drejtësisë. Legjislacioni nuk ka se si të lejojë qiranë dhe të ndalojë këto lloj ortakërish. Profeti (a.s.) e ka miratuar kontratën për tregti (Mudareba) ashtu si ka qenë para Islamit.

Shokët e tij kanë punuar me këtë kontratë në jetën e tij dhe pas vdekjes së tij dhe tërë dijetarët kanë rënë dakord për lejimin e saj. Ai ua la Hajberin hebrenjve që të kujdeseshin e mbillnin në të, me kusht të jepnin gjysmën e asaj që dilte nga pemët dhe toka e tyre. Kjo është vetë si dëshmi okulare. Profeti (a.s.) nuk e ka anuluar këtë, as ka ndaluar nga një gjë e tillë e as pasardhësit e tij nuk u ndaluan nga një gjë e tillë si dhe shokët e tij pas tij, por këtë bënin me tokat e tyre dhe pasuritë e tyre të cilat ua jepnin njerëzve që mund të përkujdeseshin për to në këmbim të një pjese që dilte nga toka, ndërsa ata vetë ishin të zënë me xhihad e të tjera punë. Nuk transmetohet prej asnjërit ndalimi, përveç për ato gjëra që ka ndaluar Profeti (a.s.). Nuk ka të ndaluar veç asaj që ka ndaluar Allahu i Lartësuar dhe i dërguari i Tij e Allahu dhe i dërguari i Tij nuk kanë ndaluar asgjë nga këto.

Shumë juristë i kanë ndaluar ato e nëse ndonjë njeri sprovohet me dikënd që argumenton ndalimin se kështu është në Kuran apo kështu kanë thënë e nuk i tregon se kush e ka bërë këtë, ai ka të drejtë t’i shmanget atij në çfarëdo mënyre qoftë sepse ato janë hile që çojnë në kryerjen e diçkaje që Allahu dhe i dërguari i Tij e kanë lejuar dhe nuk ai kanë ndaluar njerëzve.

 

  • Disa prej ortakërive të lejuara

 

Ibn Kudama tregon disa prej ortakërive të lejuara dhe në librin e tij “El Mugni” ka thënë: “Nëse një rrobaqepës ka mjetet dhe një tjetër shtëpi e të dy bashkohen që të punojnë me mjetet e këtij në shtëpinë e tjetrit ku fitimi të jetë mes tyre, lejohet dhe pagesa bëhet sipas marrëveshjes, pasi kjo ortakëri është lidhur me punën e tyre dhe fitimi prej punës në ortakëri lejohet. Mjeti dhe shtëpia nuk meriton gjë prej tyre, sepse të dyja përdoren për punë të përbashkëta, kështu bëhen sikurse dy kafshë që i japin me qira për mbartjen e diçkaje për të cilën kanë pranuar të bartet. Nëse kjo ortakëri prishet, fitimi ndahet mes tyre në masën e mëditjes së punës së tyre, mëditjes së shtëpisë dhe mjetit. Nëse njëri prej tyre ka mjete e tjetri asgjë apo njëri prej tyre shtëpi dhe tjetri asgjë e bien dakord që të punojnë me të njëjtin mjet apo në të njëjtën shtëpi ku mëditja të jetë mes tyre, kjo gjë është e lejuar. Nëse një person ia jep kafshën e tij një tjetri që të punojë me të e atë që do t’u japë Allahu i Lartësuar është mes tyre për gjysmë apo si të bien dakord, lejohet. Këtë e tregon tek transmetimi i Ethremit, Muhamed ibën Ebu Harb dhe Ahmed ibën Said. Gjithashtu edhe nga Euzai transmetohet e njëjta gjë.

Këtë gjë nuk e kanë pëlqyer Hasani dhe Nehaiu. Shafiu, Ebu Theuri, Ibn Mundhiri dhe Hanefitë kanë thënë: “Kjo ortakëri nuk vlen dhe tërë fitimi është i të zotit të kafshës, sepse bartja e mallit me të cilën ai meriton fitimin është prej saj dhe punëtori merr vetëm mëditjen për punën e bërë pasi kjo nuk është prej llojeve të ortakërisë vetëm nëse është kontratë për tregti (Mudareba). Por, nga ana tjetër, marrëveshja për tregti në mallrat e tregtisë nuk lejohet, sepse ajo vlen në tregtinë me para. Kështu, nuk lejohet që mallrat të shiten apo të nxirren nga pronësia e pronarit.

Kadi ka thënë: “Kjo lloj ortakërie nuk vlen duke u bazuar në faktin se kontrata për tregti me mallra nuk lejohet. Mbi këtë bazë del se nëse mëditja e kafshës fitohet nga vetë ajo, ajo i takon të zotit të saj. Nëse pronari i saj pranon që ajo të bartë diçka dhe e mbart apo bart mbi të diçka të lejuar dhe e shet atë, fitimet janë të punëtorit dhe ai detyrohet të japë mëditjen për të zotin e saj”.

Për ne ajo është send që shtohet me punë, kështu që kontrata për të vlen në këmbim të një pjesë të shtesës së saj sikurse derhemët, dinarët, pemët në kontratën për ujitje apo toka për mbjellje. Thënies së tyre se ajo nuk është prej llojeve të ortakërisë e as kontratë për tregti, ne i themi: “Po, por ajo i ngjan kontratës për ujitje dhe mbjellje, sepse ai ia ka dhënë vetë pasurinë atij që të punojë në këmbim të një pjese të shtesës së saj duke mbetur vetë baza e pasurisë e pacënuar. Kjo na tregon se krahasimi i saj me kontratën për tregti (Mudarabe) në mallra nuk është i saktë, sepse kontrata për tregti bazohet në tregtinë dhe veprimin mbi vetë pasurinë ndërsa kjo ndryshon pasi bazohet në dobinë prej pasurisë”.

Ebu Daudi transmeton nga Ahmedi mendimin e tij për çështjen e një personi që jep kalin e tij në këmbim të gjysmës së plaçkës së luftës: Lus që të mos ketë gjë në të. Is’hak ibën Ibrahim dhe Ebu Abdullahu kanë thënë: “Nëse marrëveshja është për gjysmën apo një të katërtën, lejohet. Këtë ka thënë edhe Euzai”.

Kanë thënë[11] se nëse i jep një peshkatari rrjetë për të kapur peshk që çfarë zë të jetë përgjysmë mes tyre, i tërë peshku i përket peshkatarit dhe i zoti i rrjetës merr pagesën për rrjetën e dhënë. Duke e krahasuar me transmetimin nga Ahmedi, del se ortakëria është e vlefshme dhe atë që fitojnë ndahet mes tyre sipas marrëveshjes, sepse ajo është mall që shtohet me punë kështu që lejohet t’i jepet një pjesë e shtesës, si në rastin e tokës.

 

Dijetari i shquar Ahmed Ibrahim ka dhënë fetva për moslejimin e kontratave të sigurisë për jetën dhe ka thënë: “Kontratat e sigurimeve për jetën janë të pavlefshme e për të sqaruar këtë them se personi që lidh kontratën me kompaninë, nëse i jep tërë këstet gjatë jetës së tij, ai ka të drejtë të rimarrë nga kjo kompani tërë shumën që ka paguar me këste bashkë me fitimin për të cilin ka rënë dakord me kompaninë. Ku e gjejmë ngjashmërinë mes saj dhe kontratës për tregti që është e lejuar?”

Thelbi i kontratës për tregti (Mudaraba) është që një person t’i japë një tjetri, p.sh. njëqind monedha që ky i dyti të tregtojë me to dhe fitimi të jetë mes tyre me përqindje, ashtu si mund të bien dakord, p.sh. i zoti i pasurisë merr gjysmën dhe punëtori gjysmën. I pari në këmbim të parasë që dha dhe i dyti në këmbim të punës. Apo i pari mund të marrë dy të tretat dhe i dyti një të tretën apo anasjelltas.

Kushti kryesor i vlefshëmrisë së kontratës për tregti është që i zoti i pasurisë të marrë të pjesën e tij nga fitimi i tregtisë që u bë me pasurinë e tij dhe punën e punëtorit. Nëse tregtia nuk ka fituar e as ka humbur, të zotit të pasurisë i dorëzohet pasuria e tij dhe as ai e as punëtori s’marrin gjë, sepse s’ka fitim. Këto janë dispozitat e kontratës për tregti. Nëse kjo tregti humbet, humbja bie mbi të zotin e pasurisë e jo mbi punëtorin. Punëtori nuk merr asgjë në këmbim të punës së tij, sepse ai në këtë rast është ortak e jo punëtor me mëditje. Por, nëse i zoti i pasurisë i kushtëzon punëtorit që i zoti i pasurisë të përfitojë nga pasuria e dhënë një masë të caktuar mbi kapitalin, pa marrë parasysh nëse tregtia fiton apo humbet, ky kusht është i pavlefshëm, sepse ai dëfton që kjo ortakëri është fitimprurëse por kjo është në kundërshtim me dispozitën e kontratës për tregti. E njëjtë me këtë është edhe zotimi i punëtorit të paguajë një pjesë të pasurisë së tij për të zotin e kapitalit. Kjo hyn në tërësinë e ngrënies së pasurisë së tjetrit pa të drejtë.

Nëse kjo kontratë do të prishej me kushtin e pavlefshëm të përmendur më sipër, kusht që e gjejmë në kontratat sigurimeve, dhe tregtia del fituese, tërë fitimi i takon të zotit të kapitalit dhe punëtori ndaj të zotit të kapitalit ka të drejtën e mëditjes së punës së tij, sado të arrijë. Kjo sipas transmetimit të Muhamedit (Allahu e mëshiroftë!) sepse ortaku me prishjen e kontratës së tregtisë kthehet në punëtor me mëditje dhe del nga qenia e tij ortak. Sipas thënies së Ebu Jusufit me të cilën jepet fetva, punëtori merr mëditjen e njëjtë[12] për punën e tij por kjo pa e kaluar masën e fitimit për të cilën kanë rënë dakord. Nëse kontrata zhvleftësohet, nuk duhet që punëtori të përfitojë nga kjo kontratë e pavlefshme më shumë nga ç’mund të përfitonte nga kontrata e vlefshme. Thënia e Muhamedit është e bazuar në analogji, ndërsa thënia e Ebu Jusufit e miraton kuptimin e asaj që thamë. Kjo është edhe kontrata për tregti (Mudaraba) legjitime e këto janë dispozitat e saj. A vjen kontrata e sigurimeve nën këtë kontratë të saktë? Përgjigja: “Jo”.

Pra ajo zë vënd nën kontratën për tregti të pavlerë dhe gjykimi fetar për të është ai që u tha më lart. Ai është në kundërshtim me dispozitatat e kontratës së sigurimeve në legjislacionin e zakonshëm. Nuk mund të thuhet se kompania i jep të siguruarit për shkak të pagesave të tij pasi vetë natyra e kontratës së sigurimeve ligjërisht dëfton se ajo është prej kontratave shkëmbyese të mundshme. Nëse thuhet se ajo, që i siguruari i paguan kompanisë, konsiderohet si borxh që ai e merr me fitimiet e tij nëse është i vdekur, ky është borxh që sjell fitim e ai është i ndaluar pasi kjo është vetë kamata e ndaluar.

Në përgjithësi, kjo çështje, nga cilado anë të merret, do të shohësh se nuk do të jetë e ngjashme me ndonjë kontratë të pranueshme në legjislacioni islam. Tërë kjo që prezantuam është në rastin kur i siguruari është gjallë, pasi ka paguar tërë ato këste për të cilat ka lidhur kontratë. Por, nëse ai vdes para se të shlyejë tërë këstet, ku ai mund të vdesë edhe pasi të ketë shlyer një këst të vetëm dhe pjesa e mbetur mund të jetë një shumë tepër e madhe dhe dihet se vlerësimi i shumës së siguracionit për jetën i lihet dy palëve të kontratës dhe kompania ia jep atë shumë trashëgimtarëve të tij për të cilën kanë rënë dakord apo atij që i siguruari ia ka lënë të drejtën e marrjes së shumës, që kompania e ka për detyrë t’ia japë pas vdekjes, në këmbim të asaj që kjo kompani paguan këtë shumë. A nuk është kjo rrezik dhe aventurë?

A mund të përfytyrohet se legjislacioni, i cili ka ndaluar të hahet pasuria e tjetrit pa të drejtë, të lejojë që vdekja e një personi të jetë burim që trashëgimtarët e tij apo ata që kanë zënë vendin e tij pas vdekjes së tij, të përfitojnë diçka për të cilën ai ka rënë dakord me hamendje me një tjetër para vdekjes, ku ky i dytë duhet t’ia japë pas vdekjes së tij atyre? Edhe duke ditur se marrëveshja lejohet për çfarëdolloj shume, sado që të arrijë? Që kur jeta dhe vdekja e njeriut qenka vend tregtie dhe prej atyre gjërave që vlerësohet me pasuri të pafundme?

Rreziku në këtë rast evidentohet edhe nga një anë tjetër, sepse i siguruari, pasi të ketë shlyer tërë këstet e tij, ka të drejtë të përfitojë një sasi pre tyre. Nëse vdes para se t’i shlyejë të tëra, trashëgimtarët e tij përfitojnë një shumë. A nuk është kjo vetë kumar dhe rrezik? Aty ku as ai e as kompania s’ka dije se çfarë pikërisht do të ndodhë.

 

 

Përkufizimi i tij

Në gjuhë ai është prerja e konfliktit e në legjislacion është kontratë që i jep fund konfliktit të lindur mes dy palëve. Njëri prej kontratuesve quhet pajtues dhe sendi që njëri prej konfliktuesve jep për tu pajtuar quhet shkëmbim i pajtimit.

 

Ligjshmëria i tij

Pajtimi është legjitim me Kuran, traditë të Profetit dhe konsensus, me qëllim që mirëkuptimi të zërë vendin e përçarjes e t’i jepet fund urrejtjes mes dy të konfliktuarve. Në Kuran Allahu i Lartësuar thotë:

وَإِنْ طَائِفَتَانِ مِنْ الْمُؤْمِنِينَ اقْتَتَلُوا فَأَصْلِحُوا بَيْنَهُمَا فَإِنْ بَغَتْ إِحْدَاهُمَا عَلَى الْأُخْرَى فَقَاتِلُوا الَّتِي تَبْغِي حَتَّى تَفِيءَ إِلَى أَمْرِ اللَّهِ فَإِنْ فَاءَتْ فَأَصْلِحُوا بَيْنَهُمَا بِالْعَدْلِ وَأَقْسِطُوا إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ

“Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi”. (El-Huxhuratë, 9).

Në traditën e Profetit, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Hakimi dhe Ibn Hibani transmetojnë nga Amër ibën Auf se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pajtimi është i lejuar mes muslimanëve veç pajtimit që ndalon një të lejuar apo lejon një të palejuar”.[13] Tirmidhiu shton: “Muslimanët i përmbahen kushteve të tyre”. Pastaj ka thënë se ky është hadith i mirë dhe i saktë.

Omeri (r.a.) ka thënë: “Merrini të konfliktuarit që të pajtohen, sepse vendimi i gjyqit sjell smirë mes tyre”.[14] Tërë dijetarët karë rënë dakord për ligjshmërinë e pajtimit mes dy të konfliktuarve.

 

Shtyllat e tij

Shtyllat e tij janë kërkesa dhe pranimi me çdo lloj shprehje që tregon pajtim, si p.sh. i akuzuari të thotë: “Pajtohem me ty për njëqind që ke tek unë të jap pesëdhjetë, dhe tjetri të thotë e pohon”.

Kur pajtimi lidhet si kontratë detyruese për të dy palët, asnjërit prej tyre nuk i lejohet ta prishë atë pa dëshirën e tjetrit. Si rrjedhojë e kësaj kontrate, akuzuesi merr një këmbim për pajtimin dhe i akuzuari nuk ka të drejtë ta rimarrë. Me këtë veprim padia e paditësit bie dhe nuk dëgjohet prej tij tjetër herë.

 

Kushtet e tij

Disa prej kushteve të tij janë kushte të pajtuesit, disa të mallit që jepet për pajtim e disa të drejtës për të cilën konfliktohen.

 

Kushtet e pajtuesit

Tek pajtuesi kushtëzohet të jetë i aftë dhe që dhurata e tij të jetë e vlefshme. Nëse është nga ata që dhurimi i tij nuk vlen, si p.sh. i sëmuri mendor, kujdestari i jetimit apo premtuesit për vakëf, pajtimi i tij nuk vlen pasi ai pajtim është vepër dhurimi e ata nuk e zotërojnë një gjë të tillë. Pajtimi i fëmijës dallues, i kujdestarit të jetimit dhe premtuesit për vakëf lejohet nëse në të ka dobi për fëminë, jetimin apo vakëfin. P.sh., nësa ka borxh ndaj një tjetri por nuk ka argumente që e vërtetojnë këtë borxh, borxhdhënësi pajtohet të marrë një pjesë të borxhit të tij e të lëjë pjesën tjetër.

 

Kushtet e mallit të këmbyer

  1. Të jetë pasuri e vlefshme që mund të dorëzohet e të jetë i dobishëm.
  2. Të njihet në atë masë që të evitojë konfliktin nëse ai ka nevojë të dorëzohet apo të merret në dorëzim.

Hanefitë kanë thënë: “Nëse nuk ka nevojë të dorëzohet apo të merret në dorëzim, nuk kushtëzohet dija për të. P.sh., rasti kur secili prej personave akuzon shokun se e drejta e tij është tek tjetri. Më pas pajtohen që secili prej tyre ta shkëmbejë të drejtën e tij në vend të vleftës për pajtim që ka kundrejt tjetrit. Sheukani saktëson lejimin e pajtimit për diçka të panjohur në vend të së njohurës. Transmetohet nga Um Seleme (r.a.) se ka thënë: “Dy persona në konflik shkuan te Profeti (a.s.) për çështje trashëgimie për diçka që kishte kohë, ishte harruar e asnjëri nuk kishte argument. Profeti (a.s.) u tha: “Ju po ngrini çështjen tuaj tek i dërguari i Allahut e unë jam thjesht njeri. Ndoshta ndonjëri prej jush mund të jetë më bindës me argumentin e tij se tjetri e unë gjykoj mes jush me atë që dëgjoj. Kujt i jap diçka nga e drejta e vëllait të tij, mos ta marrë sepse i kam prerë atij një copë zjarri që ditën e Kiametit i vjen me mashë në qafën e tij”. Të dy burrat qanë e njëri i tha tjetrit: “E drejta ime është e vëllait tim”. Profeti (a.s.) tha: “Nëse ju e thoni këtë, atëherë ikni, ndajeni të drejtën dhe hidhni short se kush do ta marrë pas ndarjes.” Më pas, secili le t’i kërkojë falje vëllait të tij duke hequr kështu përgjegjësinë”.[15] Transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh. Në transmetimin e Ebu Daudit thuhet: “Unë gjykoj mes jush me mendimin tim për atë që nuk më ka zbritur”.[16]

Sheukani ka thënë: “Në këtë hadith ka argument se lejohet heqia e përgjegjësisë për diçka të panjohur, sepse ajo që ishte në përgjegjësinë e secilit prej tyre këtu, ishte e panjohur”. Gjithashtu këtu gjejmë argument për lejimin e pajtimit me diçka të njohur për diçka të panjohur por patjetër që duhet kërkuar falja[17]. Në librin “El Bahr” tregohet nga Hasir dhe Shafiu se nuk lejohet pajtimi me diçka të njohur për diçka të panjohur.

 

Kushtet e së drejtës për të cilën konfliktohen

Në të kushtëzohen kushtet e mëposhtme:

  1. Që të jetë pasuri e vlerësueshme apo të jetë e dobishme. Njohja e saj nuk kushtëzohet, sepse nuk ka nevojë të dorëzohet. Transmetohet nga Xhabiri se babai i tij ra dëshmor në betejën e Uhudit dhe kishte borxh. Borxhlinjtë e kërkuan me këmbëngulje të drejtën e tyre. Ai tregon: “Shkova te Profeti (a.s.) e ai i kërkoi atyre të pranonin frutat e kopështit tim dhe t’i jepnin hallallëkun babait tim. Ata refuzuan dhe Profeti (a.s.) nuk u dha atyre kopështim tim por tha: “Do të kalojmë nga ti”. Ai erdhi tek ne në mëngjes, i ra përreth kopështit tonë nëpër pemë dhe u lut që frutat e tyre të kishin begati. Unë i vola dhe me to shleva borxhin e tyre dhe përsëri mbeti edhe për ne”.[18]

Në një tjetër shprehje ka thënë se: “Babai i tij vdiq dhe la borxh tridhjetë barrë (uesk)[19] ndaj një hebreu. Xhabiri i kërkoi që ta priste, por ai refuzoi të priste. Xhabiri i foli Profetit (a.s.) që të ndërmjetësonte tek ai. Profeti (a.s.) i shkoi hebreut e i foli që të merrte frutat e pemëve të tij në vend të borxhit, por ai përsëri refuzoi. Atëherë Profeti (a.s.) hyri ndër pemët e kopshtit dhe eci në to. Më pas i tha Xhabirit: “Vili dhe shlyeja borxhin.» Ai i voli pasi u largua Profeti (a.s.), i dha atij tridhjetë barrë dhe mbetën shtatëmbdhjetë të tjera”.[20] Transmeton Buhariu. Lidhur me këtë, Sheukani ka thënë: “Këtu gjejmë lejen e pajtimit për një të njohur me diçka të panjohur”.

  1. Të jetë një prej të drejtave të njerëzve e cila lejon të zevendësohet edhe në mos qoftë pasuri si, p.sh. në rastin e ndëshkimit të barabartë. Ndërsa në të drejtat e Allahut nuk lejohet pajtimi. Kështu, nëse një person që bën imoralitet, vjedh apo pi alkool, pajtohet me atë që e ka kapur dhe do ta padisë tek gjykatësi, për një shumë të hollash që ta lirojë, pajtimi nuk lejohet, sepse nuk lejohet të marrësh diçka në këmbim të këtij lirimi. Marrja e parave në këtë rast konsiderohet ryshfet.

Kështu, nuk lejohet pajtimi për ndëshkimin e shpifjes, sepse ai është vënë për të ndaluar dhe zmbrapsur njerëzit që të mos cënojnë nderet e të tjerëve. Megjithëse në to ekziston e drejta e njeriut, përsëri e drejta e Allahut është më e madhe. Nëse dëshmitari pajtohet për një shumë që të fshehë dëshminë e tij ndaj një njeriu për një të drejtë të Allahut apo të njeriut, ky pajtim është i pavlefshëm për shkak të ndalimit të fshehjes së dëshmisë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَلَا تَكْتُمُوا الشَّهَادَةَ وَمَنْ يَكْتُمْهَا فَإِنَّهُ آثِمٌ قَلْبُهُ

“Mos e fshihni dëshminë. Kush e fsheh atë zemra e tij është mëkatare” (El-Bekare, 283).

dhe

وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Jepeni dëshminë për Allahun” (Et-Talak, 2).

Nuk lejohet pajtimi për lënien e së drejtës së bashkëngjitjes (shuf’as), p.sh. nëse blerësi bie dakord me bashkëngjitësin për një shumë të hollash që ky të heqë dorë nga e drejta e tij. Ky pajtim është i pavlefshëm, sepse vetë bashkëngjitja është legjitimuar për të evituar dëmin e ortakërisë e jo për hir të përfitimit të parasë. Gjithashtu nuk lejohet pajtimi për pretendimin e lidhjes martesore.

 

Llojet e pajtimit

 

Pajtimi mund të jetë pajtim ose për pohim, ose për mohim ose për heshtje.

 

Pajtimi për pohim

Për shembull, kur një person pretendon ndaj një tjetri të drejtën e borxhit, një mall apo një dobi dhe i akuzuari e pohon padinë. Më pas ata bien dakord që paditësi të marrë nga i padituri diçka, sepse njeriu nuk ndalohet të heqë dorë nga e drejta e tij apo një pjesë e saj.

Ahmedi (r.a.) ka thënë: “Nëse mes tyre ndërmjetëson dikush, ai nuk mëkaton, sepse Profeti (a.s.) i ka folur borxhdhënësve të Xhabirit dhe ata ia falën atij gjysmën. Profeti (a.s.) i foli Ka’b ibën Malikut i cili i fali borxhliut të tij gjysmën.”

Imam Ahmedi dëften transmetimin e Nesaiut dhe të tjerëve nga Ka’b ibën Maliku se ai i kërkoi ibn Ebu Hadud borxhin që ia pat dhënë në xhami. Ata filluan të flasin, saqë zërat e tyre u ngritën e i dëgjoi Profeti (a.s.) ku ai ishte në shtëpinë e tij. Doli tek ata, zbuloi perden e shtëpisë së tij dhe thirri: “O Ka’b”. Ai iu përgjigj: “Urdhëro o i dërguari i Allahut”. Profeti (a.s.) i tha: “Fal nga borxhi yt” dhe bëri me dorë për gjysmën. Ai u përgjigj: “E bëra o i dërguar i Allahut”. Profeti (a.s.) i tha borxhliut: “Ngrihu dhe shlyeje”.[21]

I padituri, nëse pohon për para dhe pajtohet po për para, konsiderohet si shkëmbim dhe në të merren parasysh kushtet e tij. Nëse pohon para dhe pajtohet për mall tregtie apo anasjelltas, kjo është shitje e në të zënë vend dispozitat e saj. Nëse pohon për të holla dhe pajtohet për një dobi, si p.sh. banimi në një shtëpi apo një shërbim, kjo është qira dhe në të zënë vend disozitat e saj. Kur kjo e drejtë për të cilën konfliktohet i jepet paditësit, i padituri ka të drejtë të rimarrë vleftën e pajtimit, sepse ai e dha atë që të mbajë atë të drejtë. Nëse vendoset të merret vlefta e pajtimit, paditësi ka të drejtë t’ia kërkojë atë të paditurit, sepse ai nuk ka hequr dorë nga e drejta vetëm që të marrë zëvendësin e saj.

 

Pajtimi për mohim

Me pajtim për mohim kuptojmë kur një person padit një person tjetër për një mall, borxh apo dobi dhe ai e mohon atë e më pas pajtohen.

 

Pajtimi për heshtje

Pajtimi për heshtje është kur një person padit një tjetër atë që u përmend më lart e ai të heshtë, kështu ai as nuk pohon e as nuk mohon.

 

Dispozita e pajtimit për mohim dhe heshtje

Shumica e dijetarëve deklarojnë se pajtimi për mohim dhe heshtje është i lejuar. Imam Shafiu dhe Ibn Hazim kanë thënë: “Nuk lejohet tjetër veç pajtimit për pohim, sepse pajtimi kërkon një të drejtë të vërtetë, gjë që nuk mund të ekzistojë në rastin e mohimit dhe heshtjes. Në rastin e mohimit, pasi e drejta nuk vërtetohet vetëm se me padi e cila është e kundërshtuar me këtë mohim, me kundërshtim nuk vërtetohet asnjë e drejtë.

Në rastin e heshtjes, pasi ai që hesht konsiderohet mohues juridikisht derisa prej tij të dëgjohet argumenti. Shpenzimi i pasurisë nga secili për të evituar konfliktin nuk është i vlefshëm, kështu që ky shpenzim ka kuptimin e ryshfetit që legjitimisht është i ndaluar sipas ajetit kuranor:

وَلَا تَأْكُلُوا أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ وَتُدْلُوا بِهَا إِلَى الْحُكَّامِ لِتَأْكُلُوا فَرِيقًا مِنْ أَمْوَالِ النَّاسِ بِالْإِثْمِ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ

“Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit” (El-Bekare, 188).

Disa dijetarë kanë dhënë një mendim të mesëm duke mos e ndaluar apo lejuar atë në përgjithësi. Kanë thënë: Më logjike është të thuhet se, nëse paditësi e di se ka një të drejtë tek i padituri, atij i lejohet të marrë atë vleftë për të cilën bien dakord. Nëse i padituri mohon dhe ai padit pa të drejtë, atij nuk i lejohet padia dhe vlefta për të cilën pajtohen. Edhe i padituri, nëse ka ndonjë të drejtë të ndonjë tjetri që e di por e mohon për ndonjë qëllim, ai e ka për detyrë të japë vleftën për të cilën pajtohen. Kur e di që ai nuk ka asnjë të drejtë të ndokujt, atij i lejohet të japë një pjesë të pasurisë së tij për të evituar konfliktin dhe dëmin paditësit. Por paditësit nuk i lejohet ta marrë atë. Me këtë mënyrë argumentet bashkohen: kështu, nuk mund të thuhet se pajtimi për mohim nuk vlen apo vlen në përgjithësi, por në të mund të detajohet[22]. Ata që e kanë lejuar pajtimin për mohim apo heshtje kanë thënë se pajtimi ka lidhje me të drejtën e paditësit dhe jepet në vend të së drejtës së tij. Gjithashtu ai ka lidhje edhe me të drejtën e të paditurit dhe jepet në vend të betimit të tij për të evituar konfliktin ndaj vetes. Nga kjo rrjedh se vlefta e pajtimit, nëse është send ka kuptimin e shitjes dhe mbi të zbatohen tërë dispozitat e saj, nëse është dobi ka kuptimin e qirasë dhe mbi të zbatohen dispozitat e saj.

Ndërsa e drejta për të cilën konfliktohen nuk mund të jetë e tillë, sepse ajo jepet në vend të evitimit të konfliktit e jo në këmbim të pasurisë. Kur gjykohet të jepet vlefta e pajtimit, paditësi e tërheq padinë ndaj të paditurit, sepse ai e lë padinë me kusht që t’i dorëzohet vlefta e pajtimit.

Kur gjykohet të jepet vetë e drejta, i padituri ia kërkon paditësit vleftën e pajtimit, sepse ai nuk e pagoi vleftën e pajtimit vetëm që t’i dorëzohet kjo e drejtë. Nëse ajo i dorëzohet paditësit, qëllimi i tij nuk është plotësuar kështu që kërkon atë që ka dhënë.

 

Pajtimi për borxhin e vonuar duke paguar një pjesë të tij në moment

Nëse bien dakort që prej borxhit të vonuar të paguajë një pjesë të tij në moment, kjo gjë sipas Hanbelive dhe Ibn Hazmit nuk vlen. Në librin e tij “El Muhala” Ibn Hazmi ka thënë: “Pajtimi, në të cilin ka falje për një pjesë të borxhit me kusht vonimin e tij, nuk lejohet, sepse ky është kusht që nuk ekziston në Librin e Allahut, kështu që është i pavlefshëm. Por, i tërë borxhi në përgjegjësinë e borxhliut konsiderohet se ka hyrë koha e shlyerjes së tij dhe borxhdhënësi mund ta presë sa të dojë pa kusht, sepse kjo është vepër bamirësie”.

Ibn Musejebi, Kasim, Maliku, Shafiu dhe Ebu Hanife nuk e kanë pëlqyer një gjë të tillë. Nga Ibn Abasi, Ibn Sirini dhe Nahaiu transmetohet se s’ka ndonjë gjë të keqe në të.

Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani

rrugetepaqes.net

 


[1] Ky është pëkufizimi i Hanefive.

[2] Pra Allahu i begaton dy ortakët në pasurinë e tyre dhe ua ruan atë, përderisa nuk ka mashtrim mes tyre. Nëse mashtrimi zë vënd mes tyre, Ai e heq begatinë prej pasurisë.

[3] Hadith Daif. “El Irva” 1468, “El Mishkat” 2933, “Sahih et Targib” 1114, “Gajetul Meram” 357, “Daiful Xhami” 1748. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3383, Darakutni 303, El Hakim 2/52, Bejhakiu 6/78.

[4] Hadith Sahih, por me këtë shprehje nuk është tek Buhariu. “El Irva” 1469. Ahmedi e ka nxjerrë me shprehje të përafërt me të përmendurën.

[5] Kjo vjen nga fjala ofrim i diçkaje, pra secili nga ortakët i ofron tjetrit. Thuhet: “Ajo vjen nga frerët e kalit, pasi të dy ortakët lihen të lirë sikurse ato”.

[6] Ajo është quajtur kështu për shkak të barazisë në kapital, fitim dhe veprim. Thuhet se ajo vjen nga fjala autorizim, sepse secili ortak autorizon shokun e tij në punë.

[7] Nëse njëri prej ortakëve zotëron 100 dhe tjetri më pak, kjo ortakëri nuk vlen, edhe pse kjo gjë nuk zbatohet në tregti.

[8] Hadith Daif. E ka përmendur Ez Zejlai në “Nasbu er Raje” 4/390 dhe ka thënë “Garib” d.m.th. Daif – i dobët.

[9] Hadith Daif. “El Irva” 1474. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3388, Nesai 3937, Ibën Maxheh 2288, Bejhakiu 6/79.

[10] Këtu nënkuptohet Ibn Tejmija.

[11] Disa dijetarë të fikhut.

[12] Mëditja e njëjtë është mëditja që e vlerësojnë ekspertët e drejtë dhe të paanshëm. Zgjedhja e tyre bëhet me pëlqimin e dy kontratuesve apo edhe me zgjedhjen e sunduesit.

[13] Hadith Sahih. “El Irva” 1303. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1352, Ibën Maxheh 2353 pa shtesën, Bejhakiu 6/65.

[14] Bejhakiu 6/66.

[15] Ahmedi 6/307,308,320, Buhariu 2458,2680,6967, Muslimi 4448, Ebu Daudi 3583, Tirmidhiu 1339, Nesai 5416, Ibën Maxheh 2317.

[16] Hadith Daif. “Es Sahiha” nën hadithin nr. 455. Ebu Daudi 3585.

[17] Me kusht që secili prej palëve pajtuesve ta falë palën tjetër.

[18] Buhariu 2395.

[19] Një e tillë është e barabartë me 653 kg. (Shënim i përkthyesit).

[20] Buhariu 2396.

[21] Buhariu 457,2418, Nesai 5408, Ibën Maxheh 2429.

[22] Marrë nga libri “Fet’h El Alam, Sherh Bulug El Meram”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit