-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Erdoğan anulon planin për të vizituar Izraelin për shkak të luftës së vazhdueshme në Gaza

Më të lexuarat

Në takimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, presidenti Erdoğan tha se para 7 tetorit, kur shpërtheu konflikti, ai kishte planifikuar të vizitonte Izraelin, por më pas i anuloi planet e tij

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka problem me Izraelin, por “asnjëherë nuk i kemi aprovuar dhe nuk do t’i aprovojmë mizoritë që zbaton Izraeli duke vepruar si organizatë dhe jo si shtet”, raporton Anadolu.

Në takimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, presidenti Erdoğan tha para 7 tetorit, kur shpërtheu konflikti, ai kishte planifikuar të vizitonte Izraelin, por më pas i anuloi planet e tij.

“Nuk kemi problem me shtetin e Izraelit, por asnjëherë nuk i kemi aprovuar dhe nuk do t’i aprovojmë mizoritë që zbaton Izraeli duke vepruar si organizatë dhe jo si shtet”, tha Erdoğan.

Sipas presidentit turk, të gjitha palët në luftën Palestinë-Izrael duhet të heqin gishtat nga këmbëza, ndërsa bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

“Hamasi nuk është organizatë terroriste, është një grup çlirimtarësh që lufton për të mbrojtur tokat dhe qytetarët”, u shpreh Erdoğan.

Presidenti turk theksoi se pothuajse gjysma e të vrarëve në sulmet izraelite në Gaza deri më tani janë fëmijë, që siç tha ai, tregon se qëllimi është brutaliteti i qëllimshëm për të kryer krime kundër njerëzimit

Ai tha se kur ata që dolën në mbrojtje të botës në luftën e Rusisë kundër Ukrainës heshtin për masakrën në Gaza, kjo është “shprehja më konkrete e hipokrizisë”. Duke akuzuar vendet jashtë rajonit se i “kanë hedhur benzinë zjarrit” në emër të mbështetjes së Izraelit, Erdoğan tha se SHBA-ja do të humbasë pasi nuk duket se dëshiron që bota të drejtohet në mënyrë të drejtë.

Më tej, Erdoğan tha se Türkiye është thellësisht e pikëlluar nga pafuqia në të cilën ka rënë OKB-ja, pasi siç theksoi ai, askush nuk e merr seriozisht pasi mbylli një sy ndaj vrasjes brutale të fëmijëve.

“Kundërshtimet e Türkiyes ndaj strukturës së padrejtë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u konfirmuan përsëri nga lajmet e fundit”, tha Erdoğan, duke iu referuar mënyrës sesi rezolutës së armëpushimit në Lindjen e Mesme iu vu veto nga një prej pesë anëtarëve të përhershëm të këshillit.

Erdoğan përsëriti sloganin e tij për reformën e OKB-së “Bota është më e madhe se pesë”, duke iu referuar natyrës jopërfaqësuese të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, anëtarëve që përdorin të drejtën e vetos.

“Populli hebre e di mirë se Türkiye është e vetmja tokë që ka qenë pa antisemitizëm për shekuj”, tha ai.

“Propozojmë organizimin e një “Konference Ndërkombëtare Paqësore Palestinë-Izrael” me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve me ndikim në rajon”, tha mes tjerash Erdoğan.

Konflikti në Gaza, i cili ka qenë nën bombardimet izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumë-anshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve

Ushtria izraelite më pas nisi një fushatë të pamëshirshme ajrore kundër Rripit të Gazës.

Pothuajse 7.200 njerëz janë vrarë në konfliktin aktual, përfshirë të paktën 5.791 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2.3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit