9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Favorizimi ndër bij – një padrejtësi e vërtetë!

Më të lexuarat

Shënim i përkthyesit. Fjala “bij” është shumësi i fjalës “bir”. Titulli i tekstit e përmbajtja e tij nuk duan të thonë se kemi të bëjmë vetëm me fëmijët meshkuj, duke pasur parasysh se për fëmijën femër kemi “bijë”, por për shkak se shumësi i fëmijëve meshkuj e femra tok ka vetëm një trajtë, e ajo është “bij”. Kjo ishte edhe sa për të mos lënë hapësirë për ngatërrim në mes fjalës “bijë” me “bij”. Gjithsecili që boton këtë shkrim mund të mos e publikojë këtë shënim, në varësi prej asaj se a konsideron se lexuesit e kanë të qartë apo jo.

“Vëllai im është i vetmi në shtëpi që fiton ndonjë vëmendje. Ai gjithmonë merr çdo gjë që ai dëshiron!”

“Babi im parapëlqen motrën tonë më të madhe më shumë sesa ne të tjerave. Ai përgjithnjë lavdëron atë, ndërsa sa për ne, çfarëdo që bëjmë, ai askurrë nuk e vlerëson!”

Ky është një problem i zakonshëm që e shohim sot. E ky është defekti i favorizimit ndërmjet bijve.

Prindërit mund të shprehin favorizim për shumë arsye. Favorizimi mund të shprehet ndaj bijve më të vjetër ose më të rinjve. Ose mund të jetë preferim i të birit ndaj së bijës, ose preferim i atij/asaj që është më i/e bukur ndaj atij/asaj që është më pak. Ose edhe thjesht pa ndonjë arsye të dukshme fare.

Favorizimi shfaqet në shumë mënyra. Ai mund të jetë në formë të shfaqjes më shumë dhembshuri ndaj një fëmije ose lavdërim të tepërt ndaj tij duke mos përfillur tjetrin (ose të tjerët), t’i japësh dhuratë njërit ose t’i japësh dhuratë më të mirë e më të shtrenjtë njërit në krahasim me tjetrin (ose të tjerët). Favorizim mund të quhet edhe thjesht nëse injoron një fëmijë në krahasim me të tjerët.

Islami ndëshkon të gjitha llojet e anësimeve e padrejtësive, e me të vërtetë favorizimi ndër bij është padrejtësi. Njeri që shfaq favorizim ndër bijtë e vet nuk mund të quhet i drejtë. “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon, ashtu që të merrni mësim.” (Kuran, 16: 90).

Drejtësia mund të mbahet, madje edhe në atë se sa shpesh i shikojmë fëmijëve tanë ose u flasim atyre. Hadithi që vijon tregon se sa është e rëndësishme t’i shmangemi favorizimit kur kemi të bëjmë me fëmijët tanë. Numan ibën Beshiri ka rrëfyer: “Babai im më një dhuratë nga pasuria e tij, por nëna ime, Emra bint Revaha, i tha: ‘Unë nuk e miratoj këtë (veprim) derisa ta përligjë Pejgamberi [alejhi selam]!’ Si pasojë, babai vajti te Pejgamberi [alejhi selam] për të marrë përligjjen për t’i dhënë dhuratë të birit. Pejgamberi [alejhi selam] i tha: “A ke bërë të njëjtën gjë për të gjithë fëmijët që i ke?” Ai i tha: “Jo.” Pejgamberi [alejhi selam] ia ktheu: “Ki frikë nga Allahu dhe trajtoji fëmijët e tu drejtësisht!” Kështu që babai u kthye dhe ma mori dhuratën.” (Buhariu dhe Muslimi).

Ç’është e vërteta, një nga të drejtat që kemi ndaj fëmijëve është që t’i trajtojmë ata në mënyrë të barabartë. Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Fëmijët tuaj kanë të drejtë të marrin trajtim të barabartë, ashtu sikur se ju keni të drejtën që ata t’ju respektojnë.” (Ebu Davudi). Gjithashtu, ka thënë: “Mbani drejtësi ndër fëmijët tuaj! (dhe e përsëriti këtë tri herë)” (Muslimi).

Pse është e gabuar?

Të shfaqësh favorizim ndër fëmijë është e gabuar, pavarësisht se si e merrni këtë. Është padrejtësi nëse fëmija neglizhohet, është padrejtësi nëse ndonjëri fëmijë parapëlqehet para tjetrit, e madje është padrejtësi pikësëpari nga prindi që shfaq favorizimin.

Të shfaqësh kësisoj trajtim favorizues ndaj një fëmije në lidhje me fëmijët e tjerë ushqen njëfarë xhelozie e madje edhe urrejtje në zemrën e atij fëmije që nuk përfillet njëlloj. Ekspertët na thonë se ky veprim mund të shpjerë deri te probleme të ndryshme psikologjike e shoqërore që mund të zgjasin bukur deri në moshën e adoleshencës e të moshës madhore. Ai që preferohet e ndaj të cilit shprehen lavdërime mund të mendojë se ai/ajo është disi më superior ose më i mirë se të tjerët dhe kjo e shpie atë për t’u bërë arrogant dhe i/e llastuar. Dhe sigurisht se kjo nuk përmbush përgjegjësinë tonë e rritjes së fëmijëve tanë në pajtim me mënyrën se si e kërkon Islami që t’i rrisim dhe t’i edukojmë ata.

Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Nuk ka njeri të cilit Allahu i ka dhënë një përgjegjësi e ai vdes duke mos e përfillur atë përgjegjësi, që Allahu ta pranojë në Xhenet!” (Muslimi).

Prindi që shfaq këtë favorizim bëhet i padrejtë edhe ndaj vetes, meqë do të duhej të ishte i drejtë për të gjithë bijtë e vet dhe se do të përgjigjet para Allahut se si e ka trajtuar familjen e vet. Me të treguar favorizim ai/ajo mëkaton dhe ndërpret së kryeri si duhet detyrën e të qenët prind konform mësimeve të Islamit.

Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe është përgjegjës për kopenë e vet. Burri është bari i anëtarëve të shtëpisë së vet dhe është përgjegjës për ta. Gruaja është bareshë e vatrës së burrit të vet dhe fëmijëve si edhe është përgjegjëse për ta. Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.” (Buhariu dhe Muslimi).

A je një nga ata?

Shumë nëna e baballarë që shfaqin trajtim të favorizuar ndaj disa prej fëmijëve të tyre pa vërejtur. Ata bëjnë kështu pa vetëdije dhe nëse i pyetni rreth asaj se a preferojnë ndonjë fëmijë ndaj një tjetri, menjëherë e mohojnë atë. Asgjëmangut, meqë është çështje rreth së cilës duhet dhënë përgjegjësi para Allahut një ditë, çdonjë prind duhet sinqerisht të shikojë thellësisht në shpirtin e vet për të parë në mos ka faj për këtë padrejtësi.

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Kuran, 66: 6).

Së këtejmi, prindi musliman është njeri që ka frikë nga Allahu në marrëdhëniet e tij me fëmijët e vet dhe është i drejtë në të folur e në gjykime. Të thënat, veprimet e marrëdhëniet e tij me fëmijët e vet bazohen mbi drejtësi, pa asnjë shkallë diskriminimi a favorizimi.

“I drejti do të jetë me Allahun në frone drite… ata që janë të paanshëm në sundimin e tyre dhe të drejtë me familjen e tyre e me ata të cilët i kanë nën përgjegjësi.” (Transmeton Muslimi)

Si të shmangësh shfaqjen favorizim ndër fëmijë?

Favorizimi në familje është problem i madh. Kur ndonjë fëmijë veçohet si i favorizuar, mund të shkaktojë mund të shkaktojë pakënaqësi dhe ndjenjë refuzimi në mesin e fëmijëve të tjerë. Ndonjëherë mund të kesh shfaqur favorizim edhe pa e kuptuar. Të përshkruara në këtë artikull do të gjesh llojet e favorizimit dhe si të shmangen ato.

Udhëzime

Gjëra që të nevojiten:

Të pranosh se e ke gabim; dhe

Të kesh gatishmëri për të ndalur atë.

1) Të bësh favorizim. Të shfaqësh favorizim për një fëmijë mbi tjetrin mund ta lërë fëmijën tënd të ndihet i lënë pas dore dhe të padëshiruar. Trego vëmendje të barabartë për fëmijë. Kjo mund të jetë e vështirë, në qoftë se një fëmijë është i padisiplinuar, por në të shumtën e rasteve fëmijët çirren për më shumë vëmendje.

2) Të blesh dhurata për njërin, ndërsa për tjetrin jo. Kjo mund të tingëllojë e parëndësishme, por në mendjen e një fëmije nuk është. Një fëmijë mund të rritet deri duke mos i duruar prindërit e tij kur shfaqin preferencë ndaj ndonjë vëllai a motre të tij mbi të. Bëjani qejfin edhe fëmijës tjetër përmes gëzimit kur i jepni edhe atij një dhuratë.

3) Me të thëna. Ji i kujdesshëm për fjalët që thua për fëmijën tënd. Fjalë të caktuara mund të lënë fëmijën tënd të ndihet i pavlerë dhe mund të çojë edhe në mendime vetëvrasjeje. Mos harro se qëkur një fjalë të del nga goja, nuk ka asnjë mënyrë që të mund ta kthesh mbrapa.

4) Të arriturat. Nëse fëmija yt ka arritur diçka, jepi lavdëratat që i meriton. Fëmijët janë të ndieshëm. Ai do të vërë re, nëse i jep të gjitha lavdëratat vëllait të tij.

5) Të krahasosh. Të karahasosh fëmijën tënd me një vëlla a motër të tij, mund të shkaktojë shfaqje pakënaqësie te ai. Ajo gjithashtu mund të shkaktojë vetëbesim të ulët në çështjet e tij të mëtejme në jetë. Çdo fëmijë është lind me personalitetin dhe tiparete e tij, ndaj pranoje ashtu si është.

6) Të qortosh. Shmangiu kursimit të ndonjë fëmije nga qortimi, përderisa tjetrin e qorton. Kjo nuk do të jetë e drejtë ndaj fëmijës tënd. Të gjithë duhet të qortohen në mënyrë të drejtë.

7) Të rrisësh fëmijën tënd në një shtëpi pa favorizim është më së miri për gjithë familjen. Një shtëpi me një mjedis të përzemërt dhe pa favorizim do të prodhojë njerëz me probleme psikologjike më të pakta.

Këshilla dhe alarmime

• Shfaqju fëmijëve të tu dashuri të barabartë në shtëpi!

• T’i japësh një fëmije trajtim favorizues dhe të refuzosh tjetrin mund ta lërë të ndihet më pak i posaçëm. Ndaj drejtësisht!

• Mos kalo më shumë kohë me një fëmijë e më pak me tjetrin!

• Shmangiu shfaqjes admirim në mënyrë të vazhdueshme vetëm për një fëmijë.

Autor: Esma bint Shamim (Asma bint Shameem)

Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi

Burimi: http://islamgreatreligion.wordpress.com/2011/03/02/favoritism-among-children-an-injustice-indeed/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit