2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Martesa islame dhe detyrat reciproke bashkëshortore (IV)

Më të lexuarat

Të drejtat dhe detyrat e gruas në jetën bashkëshortore

Krahas obligimeve, të cilat duhet t’i kryej gruaja ndaj Zotit – si çdo mysliman – ajo njëkohësisht duhet t’i kryejë edhe obligimet e saja ndaj burrit, sepse nuk mund të shkarkohet në mënyrë tjetër nga borxhi as ndaj Zotit të Madhërueshëm.

Sipas mësimeve Islame, gruaja nuk ka obligime më të mëdha ndaj askujt se sa ndaj burrit dhe këtë e kuptojmë nga fjalët e Ajshës r.a., bashkëshortes së Muhammedit a.s., e cila thotë: “E pyeta të dërguarin e Zotit se kujt i ka gruaja më së shumti borxh (obligim) ai më tha: burrit të saj. Mandej e pyeta, po burri kujt i ka më së shumti borxh? Muhammedi a.s., më tha nënës së vet”.

Se është gruaja e obliguar për t’i kryer dhe udhëhequr punët e shtëpisë, e shohim nga ajo se Muhamedi a.s., u ka ndarë punët ndërmjet dhëndrit të tij Aliut r.a., dhe vajzës së vet Fatimës r.a., duke ia caktuar të parit punët jashtë shtëpisë, ndërsa kësaj të fundit punët shtëpiake. Edhe pse Fatimja r.a., ishte gruaja më fisnike se të gjitha grat tjera në atë kohë, edhe ajo ka qenë e obliguar që t’i kryejë punët e shtëpisë.

Ndonëse ekzistojnë mendime të ndryshme, megjithatë, gruaja është e obliguar të shkojë me burrin e saj prej një vendi në vendin tjetër, kur kemi të bëjmë me transferimin e tij zyrtar ose fitimin më të madh, e që dihet se me atë ai nuk ka qellim të keq, dhe në atë mënyrë vetëm për. t’i bërë bishta gruas së tij. Andaj nëse burri i përmbush obligimet e veta si duhet ndaj gruas së tij, edhe ajo është e obliguar:

– Të dëgjojë burrin në çdo gjë që është e lejuar me Sheriat

– T’i lejojë atij marrëdhëniet intime, nëse nuk ka ndonjë arsye të Sheriatit (siç janë hajzi-menstruacionet ose nifasi-gjakderdhje pas lindjes së fëmijës)

– Të ruaj nderin dhe dinjitetin e burrit në çdo pikëpamje

– Ti kryej punët shtëpiake, aq sa ka mundësi.

– Të kujdeset për shtëpi të burrit dhe të mos japë asgjë kujt pa dije dhe pa pëlqim të burrit, nëse nuk është zakon që gruaja atë ta japë pa dije të tij.

– Të kujdeset për pasardhësit e burrit dhe t’i edukojë mire fëmijët.

– Të udhëheq amvisnin dhe të përgatit ushqimin, qofte ajo edhe nga familja e pasur, por brenda mundësive të saj.

Ibni Abbasi r.a., tregon se si një grua nga fisi Hasam kishte ardhur te Muhammedi a.s., dhe e kishte pyetur: “O i dërguari i Zotit, më trego se cilat janë detyrat e gruas ndaj burrit?”. Muhammedi a.s., i tha:

– Gruaja është e obliguar që t’i përgjigjet kërkesës së burrit për marrëdhënie intime, kurdo që ai kërkon (përveç kur ka pengesa sipas Sheriatit)

– Të mos agjërojë pa dijen e tij jashtë Ramazanit – nafile (ditë tjera vullnetarisht), nëse ajo këtë e bënë, atëherë vetëm ka duruar urie, sepse nuk i pranohet te Zoti.

– E ka obligim që pa dijen dhe lejen e burrit të mos dalë prej shtëpisë (për vizitë ose për tjetër gjë), sepse nëse ajo e bënë atë do ta mallkojnë meleqtë e qiellit, meleqtë që u sjellin njerëzve mëshirën e Allahut dhe ata që janë të obliguar për ekzekutimin e ndëshkimeve të Tij (mbi ata që janë të padëgjueshëm ndaj Allahut)”.

Siç po shihet, gruaja si bashkëshorte është e obliguar që ta dëgjon burrin e saj dhe që t’i zbaton të gjitha urdhrat e tij në të cilat ai ka të drejtë si burrë. Në qoftë se burri kërkon prej gruas së vet për të bërë atë që është në kundërshtim me rregullat e Sheriatit, atëherë me atë rast ajo nuk është e obliguar për t’i zbatuar urdhrat e tij si p.sh:

– Për t’i përgatitur pije alkoolike ose meze për to.

– Për t’u ulur bashkë me të për të pirë, për t’u ra veglave muzikore dhe për të kërcyer.

– Për t’i lejuar marrëdhënie seksuale gjatë kohës së hajzit (menstruacionit) ose nifasit-pastrimeve pas lindjes.

– Nëse prej saj kërkon që pas marrëdhënieve seksuale të mos pastrohet.

– Nëse ia ndalon faljen e namazit, agjërimin e Ramazanit, ose kryerjen e ndonjë detyre obligative fetare.

– Ose nëse prej saj kërkon çkadoqoftë tjetër që është fetarisht e ndaluar .

Në të gjitha rastet e përmendura si dhe rastet tjera të ngjashme, gruaja nuk është e obliguar t’i dëgjojë urdhrat e burrit të saj. Përkundrazi, nëse e dëgjon atë, bëhet mëkatare, sepse Muhammedi a.s., ka thënë: “La taate limahlukin fi maësijetil-haliki”. “Nuk ka dëgjim ndaj të krijuarit (njeriut) në qoftë se kundërshtohet Krijuesi-Zoti”.

Gruaja – si bashkëshorte – ka të drejtë edhe pa leje dhe pa pëlqim të burrit (megjithëse për shkak të vetë harmonisë bashkëshortore, më mirë do të ishte që kjo të jetë me dijen e tij.

– Njëherë në javë t’i vizitojë prindërit e saj, ndërsa nëse janë pleq, të lodhur dhe nuk ka kush t’u shërben në shtëpi, t’i vizitojë ata në çdo kohë.

– T’i vizitojë njëherë në vit, farefisin e afërm të saj, siç janë: vëllezërit, djemtë e vëllezërve, dhe vajzat e tyre, motrat, djemtë dhe vajzat e motrave, axhallarët, dajat, tezet dhe hallat.

– Të shkojë për të mësuar nga mësimet fetarë atë, që i duhet për jetë të vlefshme fetare, nëse burri atë nuk është në gjendje për t’ia mësuar.

– Të shkojë për ta kryer detyrën e haxhit, nëse e ka borxh, por vetëm njëherë, në përcjellje me ndonjë të afërm të ngushtë (me të cilin sipas Sheriatit nuk kishte mund të martohet), ose në shoqëri me gra të ndershme dhe të besueshme;

_ Të shkojë për të shitur diçka nga pasuria e saj, të japë me qira ose të paguajë diçka, e të ngjashme. Prandaj, femra është e lirë të disponojë me pasurinë e saj, sepse as babai nuk ka kurrfarë pushteti mbi pasurinë e vajzës moshërritur, as burri mbi pasuri të gruas.

Përveç rasteve të lartpërmendura, gruaja pa dije dhe pa leje të burrit nuk guxon të dalë prej shtëpisë, as për të pranuar në vizitë, kur është fjala për burra, të cilët nuk janë të afërmit e ngushtë, siç janë: baba, babëgjyshi, vëllezërit, djemtë e vëllezërve, djemtë e motrës, xhaxhallarët dhe dajat. Kjo është në interes edhe të vetë bashkëshortes, sepse në të kundërtën ajo mund të nxisë xhelozinë dhe mosbesimin te burri.

Duke i shikuar në praktikë se si qëndrojnë gjërat në jetën bashkëshortore, na duket se gratë në shumicën e rasteve e kanë grabitur tërë sundimin prej burrave. Detyrë e burrave është vetëm të fitojnë dhe ta sjellin në shtëpi, kurse gratë pyeten për çdo gjë. Burri ka mbetur si pion i thjeshtë. Se si e ndjen veten shpirtërisht ai burrë, ku gruaja është sundues absolut, këtë më së miri e di ai vetë. Gruaja myslimane duhet të këtë kujdes e të mos i tejkalojë kufijtë e të drejtave të veta, të cilat ia ka garantuar Sheriati famëlartë në jetën bashkëshortore, përndryshe, ajo është mëkatare, për çka do të jep përgjegjësi para Allahut të Madhërueshëm.

Gruaja fisnike është lumturi, e ajo me sjellje të këqija fatkeqësi

Në këtë botë, të cilën Allahu i Madhërueshëm na e ka lënë në dispozicion, çdo gjë është e vlefshme, por më e shtrenjtë dhe më e vlefshme se sa gruaja e ndershme, e njerëzishme dhe e vyeshme, nuk ka asgjë. Për këtë na paralajmëron Muhammedi a.s., duke thënë: “Eddunja metaun, ve hajru metaiha el-mer-etus-salihatu”. “Kjo botë është plotë gjëra të ndryshme, por prej të gjitha atyre më e çmueshmja është gruaja e mirë (e ndershme)”. Se sa e çmon Muhammedi a.s., gruan si bashkëshorte më së miri e shohim nga hadithi, të cilin e shënon Ibni Maxhe, ku thotë: “Pas devotshmërisë (frikës së vërtetë dhe të sinqertë ndaj Zotit) myslimanit nuk mund t’i jepet asgjë më e vlefshme se sa bashkëshortja e mirë që:

– Kur burri e urdhëron, ajo e zbaton urdhrin e tij.

– Kur e shikon, ajo e gëzon dhe e disponon.

– Kur burri nuk është i pranishëm (në shtëpi), ajo e ruan nderin e vet dhe pasurinë e burrit.

Shoku i Muhammedit a.s., Thevbani tregon: “Kur ka zbritur ajeti 34 i sures Tevbe, ishim në një udhëtim me të dërguarin e Zotit. Njëri prej shokëve tha: zbriti ajeti, i cili u kërcënohet me dënim të rreptë atyre që e grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë në rrugë të Zotit. Ta kishim ditur se cila pasuri është më e mira dhe më e çmueshmja për të cilën nuk do të dënoheshim, që ta marrim dhe ta mbajmë. Në këtë Muhammedi a.s., tha: “Kujt i janë dhënë këto katër gjëra – atij i janë dhënë shumë të mira në këtë botë dhe në jetën tjetër:

– Zemra falënderuese (ndaj Allahut),

– Gjuha që e përmend dhe madhëron Allahun xh. sh.,

– Trupi i durueshëm (që u përballon vuajtjeve në rrugën e Zotit),

– Gruaja, e cila e ruan nderin dhe dinjitetin e vet dhe pasurinë e burrit.

Një filozof i madh mysliman thotë: Gjashtë cilësi janë shumë të bukura, por edhe më të bukura janë kur gjenden të personat e caktuar:

– Drejtësia te sundimtarët.

– Gjymertia te pasanikët.

– Devotshmëria (përkushtimi) te dijetarët.

– Falënderimi te të varfrit.

– Pendimi te të rinjtë.

– Turpi te gratë.

Çdo kush dëshiron të jetë i lumtur në jetën e tij, e sidomos në martesë. Vërtetë, edhe vetë duhet të angazhohemi dhe me ndihmën e Zotit-të arrijmë deri te fati i dëshiruar. Muhammedi a.s., na lajmëron dhe thotë se një ndër kushtet për jetë të kënaqshme dhe të lumtur bashkëshortore, është gruaja shpirtbujare, e cila në çdo pikëpamje është e ndershme dhe e vyeshme. Ai me një rast ka thënë: “Katër gjëra i sjellin njeriut lumturi dhe kënaqësi:

– Gruaja e ndershme dhe e vyeshme.

– Shtëpia e gjerë-komfore (që ka vend për miq e dashamirë).

– Fqinji i mirë dhe

– Kafsha e shalës (për hipje) e urtë.

Ndërsa njeriut i sjell brenga dhe fatkeqësi: gruaja e keqe-e padëgjueshme, fqinji i keq, shtëpia (banesa) e ngushtë dhe kafsha e vështirë.

Me një rast tjetër, Muhammedi a.s, përveç tjerash ka thënë edhe këtë:

“Fatlum (mund të thuhet) është ai, i cili e ka gruan e mirë e të vyeshme, që kur ta shikojë, ajo e gëzon dhe e disponon, kur nuk është në shtëpi është i sigurt në nderin e saj dhe në pasurinë e vet. Ndërsa fatkeq është ai, i cili e ka gruan të atillë, që kur ta shikojë, e shqetëson duke sulmuar me gjuhë të saj, e kur del diku prej shtëpisë, nuk është i sigurt në moralin e saj dhe për pasurinë e vet”.

Gruaja e mirë, që është edhe myslimane e mirë mund të jetë me dobi të mëdha morale edhe për vetë burrin, sepse mund – më tepër se çdo kush – ta largojë nga të këqijat dhe ta kthejë ne udhe te drejte. Praktika ka treguar se shumë gra, të cilat kanë dashur dhe kanë ditur, nga burrat e tyre të këqij-pijanecë endacakë – kanë kultivuar burra të mirë, shtëpiakë, prindër të vërtetë dhe myslimanë të vlefshëm. A nuk është dhunti e madhe të këtë njeriu grua të tillë. Për këtë Muhammedi a.s. thotë: “Kujt Allahu i ka dhënë grua të mirë e të vlefshme (me te) atij i ka ofruar ndihmë për (mbrojtjen) gjysmën e fesë, andaj le ta ketë dronë e Allahut (e le të kujdeset) për gjysmën tjetër të fesë”.

Është një numër i madh i burrave, të cilët nuk dinë ta çmojnë mirësinë dhe vlerën e grave të tyre. Ata mendojnë se ato pa tjetër ashtu duhet të jenë dhe për këtë shkak nuk u kushtojnë as kujdes të duhur grave të tyre. Mashtrohen se vetëm kur t’i humbin – të mos t’i kenë më, atëherë e shohin se çka kanë pasur, por atëherë tërësisht është vonë. Ç’është e vërteta, në shumë raste, edhe nga gruaja e dobët mund të bëhet amvise dhe nënë e mirë, e vyeshme etj. dhe tërë kjo duke iu falënderuar burrit, i cili donë dhe di ta “kthejë” gruan për dore. Me të vërtetë edhe për këtë punë duhet mjaft punë, vullnet dhe dije.

Fjala e urtë popullore thotë: Ku është burri burrë – edhe gruaja është grua”.

Nuk janë raste të rralla që disa gra, përkundër kujdesit më të madh të burrave, ato i shqetësojnë burrat e tyre. Këtë ato e bëjnë në mënyra dhe në forma të ndryshme, edhe pse burrat e tyre nuk u japin kurrfarë shkaku. Shumicës së tyre kjo u shkakton kënaqësi të madhe që mund të zbatojnë terrorin e tyre mbi burrat e vet dhe nuk don për ta ditur se Muhammedi a.s., pikërisht gratë e tilla i ka numëruar në fatkeqësinë më të madhe me të cilën njeriu mund të ballafaqohet ne jetën e tij. Kështu që me një rast, Muhammedi a.s., k.a thënë: “Telathun minel-fevakiri: lmamun in ahsente lem jeshkur ve in ese’te lem jagfir. Ve xharun in rea hajren defenehu ve in rea sherren eshaahu. Vemreetun in hadarte adhetke ve in gibte anha hanetke”.

“Tre (persona) janë kob i madh-fatkeqësi: Udhëheqësi, i cili kur t’i bësh mirë nuk ta di, ndërsa kur t’i bësh keq, nuk ta falë. Fqinji, i cili kur e sheh të mirën e mbulon: ndërsa kur ta sheh të keqen e shpërndan dhe gruaja e cila kur je i pranishëm të shqetëson, ndërsa kur nuk je, të tradhton.

Askujt nuk i ka hije zemërimi, por gruas më së paku. Atë duhet ta stolisin: butësia, arsyeja dhe turpshmëria. Mirëpo, në shumë raste, gratë janë idhnake (të vështira), për shkak të çkafit, në shumë raste, jeta bashkëshortore bëhet e padurueshme-varrezë e të gjallëve. Shumëkush nuk ishte martuar me grua të vështirë, por as vetë nuk e kanë ditur derisa janë zbavitur me to, përkatësisht deri sa kanë qenë vajza e kanë fshehur zemërimin e tyre, ndërsa kur janë martuar, atëherë e kanë treguar “fytyrën e vërtetë” të tyre.

Çka ka më të bukur se jeta e qetë, e kënaqshme dhe harmonia në martesë. Vërtetë ajo është mbretëria (pasuria) më e madhe në këtë botë, por është e kushtëzuar me mirëkuptimin e ndërsjellë të bashkëshortëve. Me gruan që është pasoj, vështirë është të gjesh gjuhë të përbashkët, për atë shkak në martesë të tillë edhe nuk ka kënaqësi të vërtetë, ngase para së gjithash ajo nuk ka turp, andaj për të është njësoj se kush çka i thotë. Praktika ka treguar se me një grua të tillë është vështirë ta përshtatësh jetën harmonike, për këtë arsye shumë njerëz vuajnë, ndërsa disa të tjerë e përdorin forcën-rrahjen, me ç’ rast shumë gra prapë vuajnë. Në shumicën e rasteve, grave u ka faj gjuha.

Siç po e shohim, Muhammedi a.s., na ka lajmëruar se në jetën bashkëshortore nuk ka lumturi, pa grua të mirë e zemërbujare, nga kjo rrjedh që me rastin e zgjedhjes së bashkëshortes, pikësëpari-duhet ta kemi parasysh atë që është fisnike, e edukuar mirë dhe që ka sjellje dhe tabiate edhe më të mira .. Përndryshe, edhe përkundër bukurisë së saj dhe eventualisht të pasurisë dhe sojit në zë, jeta mund të na bëhet e vështirë dhe e padurueshme. Islami i mëson ithtarët e tij që t’i drejtohen Allahut të Madhërueshëm në të gjitha rastet, ngase ajo është rruga, përmes së cilës merret fuqia shpirtërore nga burimi kryesor. Sipas udhëzimeve kuranore dhe porosive të Pejgamberit e shohim se sa ishte e rëndësishme të drejtuarit me lutje Allahut xh.sh., për të na dalë në ndihmë me rastin e zgjidhjeve të problemeve jetësore, të cilat nuk mund t’i zgjidhnim përmes njerëzve. Një ndër problemet më të rëndësishme jetësore është edhe fati në martesë, për të cilin duhet t’i drejtohemi Allahut xh.sh., për të na i lehtësuar rrugët, përmes të cilave arrihet deri te realizimi i tij.

Me të vërtetë, që duhet t’i lutemi Allahut për të na e bërë të mundshme që gratë dhe fëmijët tonë të jenë burim i gëzimit dhe i kënaqësisë sonë shpirtërore, e shohim në ajetin 74 të sures Furkan, ku qëndron: “Dhe ata të cilët thonë: O Zoti ynë, na dhuro, nga gratë tona dhe pasardhësit tonë, burim të gëzimit … “ Edhe Muhammedi a.s., iu ka lutur Allahut xh.sh. që t’ia bekoj gratë dhe fëmijët duk thënë: “O Zot, na i rregullo marrëdhëniet tona ndërmjet veti, na i largo ngatërresat, na udhëzo në rrugë të drejtë, na shpëto nga errësira dhe na nxjerrë në dritë, na i largo veprat e këqija, publike dhe të fshehta. O Zot, na e bën që gratë dhe fëmijët tanë të jenë të bekuar nga ana e Juaj …

Gruaja që e dëgjon burrin do të hyjë në Xhennet, ndërsa ajo që nuk është mirënjohëse ndaj tij do të hyjë në Xhehennem

I dërguari i Zotit, Muhammedi a.s. ka theksuar se ajo grua, me të cilën burri i saj ka qenë i kënaqur, ka për të hyre në xhennet. Ky është një garancion i sigurt, në të cilin nuk guxon askush të dyshojë, sepse ka ardhur nga ana e atij, i cili është i autorizuar për të folur në emër të Allahut te Madhërushëm. Ç’është e vërteta, duhet ta dimë se për hyrje në xhennet nuk mjafton vetëm dëgjueshmëria ndaj burrit, por edhe dëgjueshmëria ndaj Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit të Tij, Muhammedit a.s.

Vetëm në këtë kuptim duhet t’i kuptoj me hadithet e poshtëshënuara:

Ummi Seleme tregon se Muhammedi a.s., ka thënë: “Çdo grua që vdes, duke qenë burri i saj i kënaqur me të, do të hyjë në xhennet”.

Ebu Hurejre tregon se Muhammedi a.s. me një rast ka thënë: “Gruaja që i ka falur pesë kohët e namazit, që e ka ruajtur nderin dhe dinjitetin e saj dhe që ka dëgjuar burrin e saj, meriton për të hyrë në xhennet”.

Enes ibni Maliku tregon se Muhammedi a.s., me një rast tjetër ka thënë: “A doni t’ju tregoj se cili prej burrave do të hyjë në xhennet? Ne i thamë po, o i dërguar i Zotit. Ai tha: Pejgamberi i Zotit, njeriu që ka besuar sinqerisht dhe ai që e viziton mikun e vet, qoftë edhe në skaj të qytetit, por vetëm për dashuri të Zotit (e jo për ndonjë interes). Mandej tha: A doni të ju tregojë se cilat prej grave do të hyjë në xhennet? i thamë po, o i dërguar l Zotit, kurse ai tha: Ajo grua që është plotë dashuri dhe mëshirë, e që lind fëmijë, por (me kusht) që është e gatshme për t’u pajtuar me burrë, kur hidhërohet për shkak të ndonjë padrejtësie që i është bërë, ose që burri është hidhëruar në te”.

Sipas mësimeve të Islamit, xhihadi-lufta në emër të Zotit, për mbrojthen dhe përforcimin e Islamit, bie në radhë të obligimeve më të shenjta dhe më fisnike të çdo myslimani. Atij, që lufton sinqerisht në atë rrugë, Allahu i Madhërueshëm i ka premtuar grada te çmuara. Mirëpo, gruas e cila rregullisht dhe me nder i kryen punët e saja shtëpiake dhe prindërore e që në këtë mënyrë plotësisht e bënë të kënaqur burrin e vet, Allahu i premton shpërblim sikur atij që lufton në rrugë të Tij. Këtë e shohim nga deklarata vijuese e të dërguarit të Zotit, Muhammedit a.s.

Ibni Abbasi tregon se si një grua ka ardhur te i dërguari i Zotit dhe i ka thënë: “O i dërguar i Zotit, unë jam e deleguar te ti nga gratë e Medines (për të thënë): Allahu xh.sh., xhihadin-luftën ua ka bërë borxh burrave. Nëse korrin fitore në luftë kundër armikut, do të shpërblehen nga Allahu xh.sh. ndërsa nëse vriten (bien dëshmorë), do të jetojnë te Krijuesi i tyre në begati të llojllojshme. Ne gratë vetëm ju shërbejmë burrave tanë (nuk shkojmë në luftë) a do të kemi ndonjë gjë (shpërblim) prej asaj (qe i dëgjojmë burrat tanë)? Në këtë Muhammedi a.s. i tha: Çdo grua që ta takosh thuaj: dëgjueshmëria ndaj burrit, është e barabartë (në shpërblim) me xhihadin-luftën në rrugë të Zotit, por, prej jush janë pak, që i dëgjoni si duhet (burrat tuaj)”.

Shumë gra nuk janë të vetëdijshme se janë në humbje të madhe morale për shkak të mosdëgjueshmërisë ndaj burrave të tyre. Një nga ato është edhe dalja e gruas prej shtëpi e kudo qoftë, pa dije dhe pa pëlqim të burrit. Muhammedi a.s. ka thënë se gruan e tillë e mallkojnë meleqtë, deri sa të mos kthehet në shtëpi. Edhe pse namazi është detyra më themelore fetare, e cila numërohet ndër adhurimet tona më të dashura te Zoti xh.sh., Muhammedi a.s. thotë se Allahu i Lartëmadhërueshëm asaj gruaje që nuk e dëgjon burrin e saj nuk ia pranon as namazin. Këtë mund ta shohim nga ky hadith, i cili thotë: “Thelathun la turfeu salatuhum fevka ruusihim shibren: rexhulun emrne kavmen ve hum lehu karihun. Vemreetun batet ve zevxhuha alejha sahitun. Ve ehavani mutesarimani”.

“Tre personave, namazi i tyre nuk do të ngrihet as një pëllëmbë mbi krye të tyre (nuk do të pranohet te Zoti xh.sh.): Njeriut që i prinë një populli, kurse ata e urrejnë atë. Asaj gruaje, që e kalon natën, duke qenë burri i saj hidhërueshëm në të. Dhe dy vëllezërve që janë të ngatërruar ndërmjet veti”.

Është një numër i madh i grave, të cilat nuk janë mirënjohëse ndaj burrave të tyre, për kujdesin e shprehur ndaj tyre. Ku ta dijë se çka t’u blehet ose sa kujdes t’u kushtohet që shpeshherë as që e meritojnë, ato aspak atë nuk e çmojnë. Gratë e tilla harrojnë se pikërisht për këtë shkak do ta humbin përkrahjen e Zotit, atëherë kur ajo u duhet më së shumti – Ditën e Gjykimit. Muhammedi a.s. thotë: “Vërtet, Allahu i Madhërueshëm, nuk do ta shikojë (me mëshirën e Tij) Ditën e Gjykimit, atë grua që nuk ka qenë mirënjohëse ndaj burrit të saj, e sidomos atë që ka qenë e nevojshme (materialisht) për kujdesin e tij”.

Gjithashtu, ka edhe gra të tilla të cilat derisa b urrt e tyre kujdesen shumë për to, edhe ato janë të kënaqura me ata, por nëse vetëm njëherë nuk e bëjnë atë që ato e dëshirojnë, ose pa qëllim e tregojnë pakujdesin më të vogël, menjëherë thonë se burrat e tyre kurrë nuk kanë vyer. Sikur ta kishin ditur dhe besuar se çka i pret ato për këtë shkak në jetën tjetër me siguri nuk do të vepronin në këtë mënyrë.

Ibni Abbasi tregon se si Muhammedi a.s., me një rast ka thënë: “Ittalaëtu finnari fe idha ektheru ehliha ennisau, jekfurnelashire lev ahsente ila ihdahunned-dehre thumme reet minke shej-en kalet ma reejtu minke hajren kattu”.

E shikova xhehennemin (natën e Miraxhit), kur qe shumica e banorëve të tij ishin gra. Ato ishin (nga ato) që i kishin mohuar të mirat (e burrave). Nëse ndonjërës prej tyre i ke bërë të mire gjatë tërë kohës, pastaj nëse vetëm njëherë ka vërejtur ndonjë mungesë te ti ka për të thënë: Kurrë nuk pashë ndonjë të mirë prej teje”.

Ka gra, të cilat shpeshherë, fshehurazi nga burri marrin gjëra të caktuara nga shtëpia dhe ua japin të tjerëve-para së gjithash, farefisit të tyre. Ato këtë nuk duhet ta bëjnë, sepse kjo u ndalohet fetarisht -haram.

Muhammedi a.s. ka thënë: “La jeshil-lu limreetin en tu’tije min mali zevxhiha shej-en. il-la biidhnihi “.

“Gruas nuk i lejohet të japë asgjë nga pasuria e burrit të saj pa leje të tij”.

Nëse burri është koprrac i madh sa që i dhimbset për nevojat më elementare të familjes së vet, me atë rast gruaja nuk ështe mëkatare, nëse fshehurazi merr diçka për plotësimin e nevojave të veta dhe të fëmijëve. Këtë e ka lejuar edhe vet Muhammedi a.s., ngase Ajsha r.a., tregon se Hinda e bija e Atebës me një rast atij i ka thënë: “O i dërguar i Zotit Sufjani është koprrac. Nuk na jep as mua as fëmijëve (atë që na duhet për jetë). Të gjitha ato që i kemi, është ajo që i marrë vet (fshehurazi). Pra, si t’ia bëj? Në këtë Muhammedi a.s., i tha: Merr aq sa ke nevojë për veti dhe për fëmijët tuaj, me masë”.

– vijon –

Hfz. Sinanudin Sokoloviq

Përktheu dhe përshtati nga “Glasanik” i vitit 1972/73 Sarajevë

Hajrullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit