Vendet që miratojnë ligje për të ndaluar punonjësit të punojnë jashtë orarit
Kalimi në punën në distancë ka mjegulluar kufirin midis jetës së shtëpisë dhe punës për shumë njerëz, duke bërë që ata t’u përgjigjen thirrjeve, mesazheve dhe email-eve në çdo orë. Kjo ka shtyrë shumë vende të kërkojnë ligje për të mbrojtur “të drejtën për t’u shkëputur”.
Kenia është vendi i fundit që e ka bërë këtë, si dhe vendi i parë afrikan që ka marrë në konsideratë një lëvizje të tillë. Projektligji i propozuar për punonjësit, kërkon të parandalojë që punëdhënësit të presin që punonjësit t’u përgjigjen thirrjeve, mesazheve ose email-eve jashtë orarit të punës, në fundjavë ose në festa zyrtare.
Projektligji kërkon që kompanitë me më shumë se 10 punonjës të konsultohen me stafin ose sindikatat rreth politikave të tyre jashtë punës. Ata do të përballen me gjoba 4,000 dollarë nëse shkelin rregullat.
E drejta e Belgjikës për t’u shkëputur
Belgjika miratoi një ligj në shkurt të vitit 2022 që lejon nëpunësit civilë të çaktivizojnë email-et e punës, tekstet dhe telefonatat e marra jashtë orarit, pa pasur frikë nga “hakmarrja”. Legjislacioni mbron 65,000 punonjësit e sektorit publik të vendit ndaj të qenët në gatishmëri të përhershme.
Megjithatë, kontaktimi jashtë orarit është i lejueshëm në rrethana të jashtëzakonshme. Po diskutohen plane për krijimin e ligjeve të reja që përfshijnë edhe punonjësit e sektorit privat.
Shpresohet se rregullat e reja do të ndihmojnë në parandalimin e sindromës së lodhjes (burnout) dhe do të përforcojnë rëndësinë e vendosjes së një ekuilibri punë-jetë.
Në distancë dhe të shkëputur
Disa nga ndryshimet shoqërore të shkaktuara nga pandemia kanë ripërcaktuar si dhe ku punojnë shumë njerëz. Dhe puna në distancë ka rezultuar e mirëpritur, duke bërë që shumë njerëz të hezitojnë t’i kthehen punës me orar të plotë në zyrë.
Më shumë se 80% e punonjësve belgë, duke përfshirë 40% në pozicione drejtuese, thanë se do të parapëlqenin të punonin nga shtëpia të paktën dy ditë në javë, tregon një studim kombëtar.
Kjo reflektohet edhe në pjesë të tjera të botës. Një studim amerikan zbuloi se 65% e njerëzve që kaluan në punë në distancë gjatë pandemisë, do të parapëlqenin të vazhdonin të punonin nga shtëpia.
Pothuajse tre në pesë të anketuar thanë se do të kërkonin një punë të re nëse punëdhënësi i tyre aktual i detyronte të kthehen në zyrë. Vetëm 2% thanë se do të preferonin të ktheheshin në punë me kohë të plotë, si para pandemisë.
Reduktimi pothuajse i plotë i shpenzimeve të transportit në punë u përmendën si përfitimi kryesor i punës nga shtëpia, por puna në distancë nuk është pa të meta. Më shumë se një e treta e të anketuarve thanë se e kishin të vështirë të “mbyllnin kompjuterin”.
Studimi i ri nga Universiteti Cornell në Nju Jork tregon se punët në distancë mund të rrisin mirëqenien e punëtorëve dhe angazhimin në punë, por vetëm nëse puna e tyre i përmbahet orarit të zyrtar. Kjo do të thotë se ka nevojë për standarde të reja të punës dhe praktika menaxhimi për të parandaluar njerëzit që punojnë me orar të zgjatur në shtëpi, thotë Duanyi Yang, Asistent Profesor i Marrëdhënieve të Punës, Ligjit dhe Historisë në Cornell.
E drejta për pushim
Bashkimi Europian (BE) e përkufizon të drejtën për t’u shkëputur si “e drejta e një punonjësi për të qenë në gjendje të shkëputet nga puna dhe të mos përfshihet në komunikimet elektronike të lidhura me punën, si email-et ose mesazhet e tjera, pas orarit të punës”.
Dhe ndërsa kjo e drejtë nuk ka kaluar ende në ligjin e BE-së, një rezolutë e miratuar në janar 2021 kërkonte krijimin e një direktive të BE-së.
Kjo pason lëvizjet e disa shteteve anëtare për të krijuar precedentë ligjorë. Franca, e parë nga shumë njerëz si pionierja në këtë fushë, miratoi legjislacionin në gusht 2016, që lejon punonjësit të fikin telefonat dhe pajisjet e tjera jashtë orarit zyrtar të punës. Kompanitë me mbi 50 punonjës janë të detyruara të hartojnë një “grafik të sjelljes së mirë”, duke caktuar kohën kur stafi nuk mund të dërgojë ose të marrë email.
Portugalia e etiketon legjislacionin e saj të balancës punë-jetë si “e drejta për pushim”, ku kompanitë prej 10 ose më shumë punonjësish gjobiten në rast kontaktimi të stafit jashtë orarit zyrtar të punës. Gjithashtu, punonjësit me fëmijë nën moshën tetë vjeç, lejohen të punojnë në distancë sipas ligjeve të reja, të cilat hynë në fuqi në nëntor 2021.
Përveç legjislacionit, një numër kompanish të mëdha kanë marrë nismën për të mbrojtur punëtorët e tyre me marrëveshje shumëkombëshe që mbështesin të drejtën e punonjësve për t’u shkëputur.
Duket se ndërsa laptopët, tabletët dhe telefonat celularë na lejojnë të komunikojmë me këdo, kudo dhe në çdo kohë, efikasiteti më i madh, stresi i reduktuar dhe një ekuilibër më i mirë punë-jetë mbetet në varësi të aftësisë sonë për ditur se kur t’i fikim ata. / World Economic Forum