-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Konspiracionizmi si surrogat i Zotit

Më të lexuarat

 Rezart Beka

Konspiracionizmi është një fenomen modern. Ai bën pjesë në arealin e ideologjive, kulteve, apo teorive që lindën dhe dolën në pah si zëvendësuese të boshllëkut shpirtëror që kishte lënë rënia e Krishterimit në Perëndim. Konspiracionizmi është një fenomen post-kristian dhe si i tillë ai paraqet dhe pasqyron të gjitha karakteristikat e modernitetit që e ka mundësuar ekzistencën e tij. Konceptet traditionale të Zotit, botës tjetër, doktrinës së të mirës dhe të keqes, eskatologjisë, ose janë mohuar krejtësisht ose janë interpretuar në korniza imanente, tokësore, të përbotshme. Në shumëçka, konspiracionizmi si ideologji dhe botëvështrim, imiton dhe është një surrogat i fesë dhe Zotit. Ai mbeshtet në pesë shtylla kryesore, d.m.th. 1) asgjë nuk është siç duket; 2) asgjë nuk ndodh rastësisht; 3) gjithcka është e ndërlidhur; 4) bota është një skenë teatri, fryt i vullnetit dhe projektit të forcave të liga; 5) shumica e njerëzmit, përveç disa të ndriçuarve, janë marjoneta që lëvizen nga fijet e padukshme të entiteteve të fshehura, të liga dhe të gjithëpushtetshme që udhëheqin botën.

Në formën e tij bazike, konspiracioni i referohet shpjegimit të ngjarjeve historike si fryt i veprimeve të një grupi relativisht të vogël personash, ose komplotistësh, që veprojnë në fshehtësi. Në këtë kontekst, konspiracioni apo komplotet, lobingjet, kurthet, intrigat, strategjitë janë padyshim realitete historike. Shpjegimet konspirative mund të variojnë nga ato të besueshmet deri tek ato krejtësisht të pagjasa. Synimi i kësaj eseje është analiza e konspiracionizmit si një ideologji, si një kornizë intelektuale, botëvështrim dhe premisë përmes së cilit individi interpreton vetë jetën dhe realitetin. Konspiracionizmi i karakterizuar nga mentaliteti i “dorës së fshehur”, i dyshimit dhe skepticizmit radikal ndaj çdo institucioni apo autoriteti botëror. Konspiracionizmi i konceptuar si një botëvështrim, një shpjegim totalizues për botën, njeriun, historinë dhe realitetin. Konspiracionizmi si strukturë epistemologjike dhe teori për të vërtetën.

Konspiracionizmi dhe providenca hyjnore

Teoritë konspirative janë një prej fenomeneve moderne alternative dhe zëvendësuese të fesë që përpiqen ta pajisin individin post-kristian me një kornizë konceptuale, sens orientimi dhe një përmbushje shpirtërore. Rritja e ndikimit të teorive konspirative në botën moderne shënon zhvendosjen domethënëse nga këndvështrimi fetar i të kuptuarit të historisë i mbështetur mbi providencën hyjnore tek ai konspiracionist. Qasja fetare synon të zbulojë ‘dorën e Zotit’ pas ngjarjeve historike, ndërsa këndvështrimi konspiracionist përpiqet të zbuloj ‘dorën e fshehur’ të entiteve të fuqishme, por tokësore, që qëndrojnë pas ngjarjeve historike[1]. Në këndvështrimin providencial, Zoti është zotëruesi i botës dhe historisë, Ai e udheheq dhe e mirëmban atë në çdo moment. Çdo ngjarjeje historike është një shenjë për providencën dhe planin e një Zoti të Dashur dhe të Gjithëmëshirshëm. Ndërsa, në qasjen konspiracioniste historia dhe bota udhëhiqen nga forca imanente, tokësore, të pajisura me fuqi pothuajse të mbinatyrshme. Historia dhe bota drejtohen dhe janë fryt i planifikimit sekret nga agjentë të fshehur e të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Pra, konspiracionizmi përfaqëson “një providencializëm të përmbysur” (Jameson 1992:1). Siç shprehet edhe Karl Poper, teoritë konspiracioniste përbëjnë një sekularizim të besimit fetar ku vendin e Zotit e kanë zënë “pleqtë e Zionit, monopolistët, ose kapitalistët”.(1966:94)

Studimet në fushën e psikologjisë së fesë nxjerrin në pah prirjen e brendashkruar njerëzore për të shquar struktura dhe agjenci pas fenomeneve kërcënuese, të pashpjegueshme dhe të pakontrollueshme me të cilat njerëzit përballen. Është një prirje e natyrshme njerezore që saherë njeriu përballet me një fenomen kërcënues dhe jashtë kontrollit të tij, si p.sh. epidemitë apo tërmetet, tek ai vihet në veprim ajo që në psikologji quhet “kontrolli kompensues”. Domethënë, njeriu e afirmon rendin dhe kuptimin e asaj me të cilët përballet duke ia atribuuar vullnetit dhe planit të një aktori tjetër, si p.sh. Zotit. Duke iu referuar vullnetit të Zotit dhe planit të Tij, njeriu i jep kuptim botës përreth dhe rivendos kontrollin mbi ngjarjet. Pra, konstitucioni njerëzor është i tillë që gjithnjë përpiqet të diktojë dhe pikasë shkak-pasojë dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm në lidhje me ngjarjet e jashtëzakonshme me të cilat njeriu përballet në jetë. Prirja e kontrollit kompensues është e mirënjohur në Kuran. Në të thuhet:

Është Ai që ju bëri të udhëtoni në tokë e në det. Derisa, kur jeni në anije dhe lundrojnë në erë të mbarë, i gëzohen; vjen një uragan me dallgë anembanë dhe mendojnë se s’kanë shpëtim. I luten Zotit me besim për Të: “Po na shpëtove nga kjo, të jemi falënderues!” Kur i shpëton, rebelojnë me pa të drejtë në tokë.(Kuran 10:22-23)

Në këndvështrimin fetar, një fenomen i tillë është pjesë e doktrinës së rendësishme të fitras (prirja e qenësishme/zanafillore) e cila është vendosur nga Zoti në zemrën e çdo njeriu, në mënyrë që ai të priret drejt njohjes së Tij. Një veçori e tillë i mundëson personit që, ndër të tjera, në momente perballjeje me rrethana kërcënuese edhe të pakontrollueshme të jetë i aftë ta shquajë Zotin, ta dëshmojë praninë e Tij si edhe të gjejë strehim apo ngushëllim vetëm tek Ai. Teoritë konspiracioniste imitojnë dhe ngacmojnë të njëjtën tendencë njerëzore për kontroll kompensues. Por ama, ato nuk e orientojnë njeriun drejt Zotit por ia atribuojnë ngjarjet e jashtëzakonshme dhe kërcënuese grupimeve dhe entiteteve imanente dhe tokësore që presupozohet se kontrollojnë botën dhe janë shkaktarëtë ngjarjeve në fjalë. Çdo gjë që ndodh, përfshi edhe tërmetet apo epidemitë, nuk janë gjë tjetër vetëm se plane të mbrapshta të zotëruesve të ligë të botës për të mbajtur nën terror njerëzimin dhe për të çimentuar pushtetin e tyre. Këtu tendenca natyrore për të kërkuar rend, aktorë dhe vullnete të jashtme nga ngjarjet e perjetuara nuk të dërgon tek një Zot i dashur dhe i mirë, tek i cili mund të gjehet ngushëllim, por tek fuqi të liga dhe të mbrapshta prej të cilave nuk ka shpëtim dhe as ngushëllim.

Konspiracioni dhe kultet New Age

Siç e përmendëm, konspiracionizmi zuri fill në botën moderne, në një periudh post-kristiane. Ai është pjesë përbëresë e asaj që sociologu Colin Campbell e ka quajtur mjedisi kultik (cultic milieu). Ky term i refrohet atmosferës dhe mjedisit që shpjegon ngritjen dhe rënien e një morie kultesh të reja fetare që u shfaqen pas rënies së ndikimit të feve tradicionale në Perëndim. Kultet e reja përfshijnë teozofizmin, spiritizmin, kultet magjike, ezoterike (batini), sinkretike dhe levizjet New Age. Teoritë konspiracioniste bashkëndajnë shumëçka me këto kulte të reja fetare dhe janë të rrënjosura në këto rryma ezoterike (batini) moderne. Njësoj si kultet e reja, edhe teoritë konspirative e konceptojnë veten si në luftë me versionet apo kredon zyrtare të feve tradicionale. Ato janë skeptike ndaj autoriteteve traditionale fetare dhe besimeve të mirëpranuara në fetë tradicionale. Në vend të kësaj, si kultet e reja ashtu edhe konspiracionzmi, i mëshojnë “dijes së përjashtuar”, “dijes së refuzuar” ose “dijes që mbahet e fshehur nga autoritetet fetare”. Njësoj si kultet e reja fetare edhe konspiracionistët e shfaqin vetes si flamurtarë të dijes së vërtetë, çjerrjes së maskës së “dijes zyrtare” të autoriteteve fetare dhe sekulare. Ata janë minoriteti i ndriçuar që kanë rrokur dhe që propagandojnë të vërtetën e fshehur nga fetë zyrtare. Ata janë ruajtësit e dijes sekrete që hedh dritë mbi realitetin e botës, më saktësisht, në rastin e konspiracionizmit, mbi qëllimet e mbrapshta të forcave që dominojnë botën.

Njësoj si kultet New Age, që kanë huazuar shumëçka nga Hinduizmi dhe Budizmi, si edhe nga fe të ndryshme të Lindjes së Largët, edhe konspiracionizmi e paraqet botën si joreale, iluzion dhe mashtrim. Përveç feve aziatike, një qëndrimi i tillë i përket edhe ringjalljes prej shumë kulteve të reja të tendencave gnostike (batini) neoplatonike që e konceptojnë botën si të krijuar nga një demiurg (zoti i kësaj bote) i ligë i cili ka krijuar botën materiale dhe ka burgosur njeriun në të. Njëri prej themeleve të konspiraconizmit është pohimi se “asgjë nuk është ashtu siç duket”. (Barkun 2006). Një princip i tillë është në themel të botëvështrimit konspiracionist që e sheh botën si një realitet të inskenuar. Një skenë ku të gjithë ne, në mënyrë të pavetëdijshme, luajmë skenarin që na është servirur. Çdo gjë që duket autentike, e sinqertë dhe reale, nuk është gjë tjetër vetëm se një lojë, një iluzion, një mashtrim i stërholluar. Realiteti gjendet në prapaskenë. Është aty ku elitat e liga dirigjojnë historinë njerëzore dhe kontrollojnë frerët e njerëzimit. “Realiteti është gjithmonë një realitet i inskenuar që fsheh të vërtetën e tmerrshme që agjentët e këqinj kontrollojnë de fakto jetën tonë” (Aupers and Harambam 2019:59). Në filmin Matrix (1999) gjejmë një shprehje të një qasjeje të tillë:

  • Matriksi është kudo, është përreth nesh, këtu edhe në këtë dhomë. Ti mund ta shohësh atë në dritaren tënde ose në televizionin tënd. Ti e ndjen kur shkon për të punuar, ose shkon në kishë ose paguan taksat. Kjo është bota që të kanë hedhur para syve për të të verbuar nga e vërteta…
  • Cila e vërtetë?
  • Se ti je skllav, Neo.

Në këndvështrimin fetar, bota nuk është kurrsesi e ligë, pavarësisht abuzimeve dhe ligësisë njerëzore. Ajo është vendi ku njeriu njeh dhe përmbush vullnetin njerëzor. Bota është vatra ku manifestohen emrat dhe cilësitë e Zotit. Mjeti më i rëndësishëm përmes të cilit njeriu përfton njohjen e Zotit. “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta” (Kuran 41:53). I gjithë Sheriati është ndërtuar mbi parimin bazë se gjërat vlerësohen, gjykohen dhe kuptohen sipas mënyrës që ekzistojnë, sipas formës që manifestohen, sipas modalitetit në të cilën shfaqen, ashtu siç duken (ala dhauahiriha). Etika islame bazohet mbi mendimin e mirë (husn el-dhan) për njerëzit, ngjarjet dhe rrethanat. Njerëzit gjykohen mbi atë që flasin, veprojnë, mënyrën se si manifestojnë vetveten në botë. Prirja për të kërkuar tek njerëzit motive të fshehura, intriga, plane dhe kurthe konsiderohet gjynah dhe devijim nga rruga sheriatike. E gjitha jeta rituale, komunitare, sociale është e ngritur në Islam mbi mirëbesimin dhe husn el-dhan. Shmangia nga një qendrim i tillë bëhet vetëm në raste ekstreme dhe si pasojë e provave të pakundërshtueshme. Përvetësimi i këndvështrimit konspiracionist që e sheh botën si parimisht një iluzion, inskenim, mashtrim apo grackë e ngritur nga duart e disa njerëzve apo entiteve të liga dhe të pushtetshme është në kundështim të hapur me këndvështrimin Islam.

Përgjithësish, kultet e reja ezoterike, veçanërisht lëvizja New Age, përmes një procesi sinkretizmi fetar kanë ringjallur kultin e tokës, adhurimin e natyrës, shkencat e astrologjisë, praktikave të lashta magjike, etj… Kjo ringjallje e kultit të tokës është paraqitur si një rikthim në natyrë, si një restaurim i marrëdhënies së njeriut me energjitë e tokës dhe si një unifikim me fluidet dhe energjitë e universit. Kultet NewAge flasin për fluide dhe energji kozmike, për fuqitë e fshehura dhe sakrale të tokës në të cilat gjithcka është e lidhur me gjithcka. Konspiracionizmi ka marrë nga këto praktika ezoterike (batini) pagane, si një nga themelet e tij, idenë se “asgjë nuk ndodh rastësisht” dhe se “çdo gjë është e ndërlidhur”. Vetëm se këtë nuk ia atribuon energjive dhe fuqive të thella dhe sakrale të tokës, por entiteve dhe grupacione njerëzore, forcave të liga që udhëheqin botën dhe ndërtojnë simulakrën e botës që perceptojmë ku çdo gjë ndodh me vullnetin dhe planin e këtyre forcave liga. Në prespektivën konspiracioniste rastësitë, rrethanat, puqjet rastësore, momentet fatlume, bashkëpunimet e paparashikuara, koincidencat e rastit, të gjitha janë fshirë nga bota. Cdo gjë që ndodh është pasojë e planit dhe vullnetit të dikujt. Ky dikush nuk është asnjëherë Zoti, por krijesa të fundme dhe tokësore, qofshin këto Rotshildët, Iluminati, Opus Dei, Masonët, Pleqtë e Zionit, etj. Asgjë nuk ndodh rastësisht, çdo gjë që sheh, dëgjon, çdo lëvizje shoqërore, projekt intelektual dhe reformues, nuk është aspak ashtu siç duket, por është plan dhe projekt i mirëmenduar i fuqive të liga që udhëheqin botën.

Kjo qasje është në bazë të hiper-skepticizmit, dyshimit radikal, paranojës dhe mosbesimit sistematik që karakterizon të gjithë ata që kanë përvetësuar konspiracionizmin si paradigëm për të kuptuar jetën. Siç shihet, pavarësisht se në këndvështrimin fetar ideja se asgjë nuk ndodh rastësisht lidhet me Gjithëdijen dhe Gjithëpushtetshmërinë e Zotit dhe aftësinë e Tij për të kontrolluar dhe zbatuar më përpikmëri planin e Tij, në teoritë konspiracioniste mungesa e rastësisë merr tjetër trajtë. Pavarësisht se rastësia mohohet në planin hyjnor, fetarisht në planin njerëzor ajo ekziston, siç ezkstojnë edhe koinçidencat rrethanore, puqjet fatlume, përputhje të bereqetshme dhe të paparashikuara (nga ana njerëzore) që çojnë në ide apo projekte konkrete veprimi. Zhdukja e këtyre elementeve nga jeta njerëzor shpie në paranojë, në dyshim sistemik dhe në pamundësi për të ndërtuar marrëdhënie të mirëfillta me njerëzit dhe me botën përreth. Fetarisht, përdorimi i parimit se asgjë nuk ndodh rastësisht, si themel për përvetësimin e një qasjeje radikalisht skeptike dhe dyshuese, për persona, institucione, autoritete, lëvizje ideore, zhvillime komunitare etj., konsiderohet haram. Ajo e pamundëson përmbushjen e urdhëresës kuranore : “Besimtarë, bindjuni Zotit, bindjuni të Dërguarit dhe urdhërdhënësve mes jush” (Kur’an 4:59).

Ngjashëm si kultet ezoterike (batini) moderne, edhe konspiracionizmi shpërfaq një teori të plotë të shpjegimit të së ligës në botë (teodici). Ai përpiqet të ofroj një kornizë dhe një narrativë gjithëpërfshirëse rreth së mirës dhe së keqes si edhe ta pajisë konspiracionistin me një kuptim përfundimtar mbi ekzistencën e të keqes në botë. Pothuajse gjithnjë, kjo narrative konceptohet si në kundërshtim me versionet e ofruara nga fetë tradicionale. Nëse në skemën fetare e keqja nuk është asnjëherë përfundimtare apo krejtësisht reale, në konspiracionizëm ajo është e tillë. Në të, e liga nuk lidhet asnjëherë me ndonjë vullnet të sipërm hyjnor që ka si synimin ndëshkimin, sprovimin apo mundësimin e lirisë njerëzore, por është gjithnjë fryt dhe shkak i grupeve të mbrapshta njerëzore që në mënyrë sekrete përhapin errësirë dhe ligësi në botë. E liga është gjithnjë prodhim dhe rezultat i qëllimeve, planeve dhe aktoreve të fshehur që zotërojnë frerët e botës. Nëse në këndvështrimin fetar lidhja me Zotin dhe pjesëmarrja në një bashkësi janë qendrore për luftimin e të keqes dhe ngadhënjimin përfundimtar ndaj saj në fundin e kohërave, në konspiracionizëm përgjithësisht njeriu përshkruhet si i pamundur për të bërë diçka kundër fuqive pothuajse mbinatyrore që zotërojnë botën. Dija për ekzistencën e të ligës është e vetmja akt “shpëtues” që njeriu mund të ndërmarrë. Siç shihet ky nuk ësht një shpëtim eskatologjik. Nuk ka fitore përfunditmare mbi të ligën, nuk ka Ditë Gjykimi apo Botë Tjetër. Shpëtimi konsiston thjesht në njohjen që e liga ekziston, që ajo kryhet nga disa entitete të fuqishme njerëzore që kontrollojnë jetën tonë. E liga është përfundimtare dhe nuk ka asnjë ngadhënjim përfundimtar karshi saj.

Kjo teodici (doktrinë e shpjegimit të të ligës) konspiracioniste ka pasojë domethënëse edhe për idenë e një bote të drejtë. Studimet psikologjike dëshmojnë se njeriu ka një prirje të fortë për ta parë botën “si të drejtë, të rregullt, të sigurt dhe të parashikueshme”. Njerëzit hasin vështirësi në besimin se bota është “është e rastësishme dhe se gjërat e këqija ndodhin pa asnjë arsye” (Wood and Douglas, 2019:94). Kësisoj, tek ta është e ngulitur ideja se në një botë të drejtë gjithsecili merr atë që meriton. Fetarët kanë tendencën të besojnë, më shumë se të tjerët, në një botë të drejtë. Ideja e një Zoti të Gjithëfuqishëm dhe të Drejtë, që udhëheq botën, është qendrore për përfytyrimin e një bote të drejtë. E keqja do të ndreqet në këtë botë ose tjetrën. Ndërsa, teoritë konspirative, duke mos pasur si bosht një hyjni transhendente (të përtejshme) dhe një doktrinë të botës tjetër, shfaqin një mosbesim në drejtësinë e botës. Ideja e një bote të drejtë bie në kudërshtim me qasjen negative konspiraconiste ndaj gjendjes së botës dhe natyrës së forcave që e sundojnë atë. Konspiracionisti ndihet i pafuqishëm përballë forcave shumë më të pushtetshme se ai që besohet se drejtojnë jetën e tij.

Prirja refuzuese dhe dyshimi sistematik i konspiracionizmit ndaj institucioneve dhe entiteteve të organizuara bën që tek lëvizjet konspiracioniste elementi institucional dhe komunitar të jetë përgjithësisht pothuajse inekzistent. Ndërveprimi social dhe bashkësia, të bazuara dhe të mundësuara nga jeta rituale, janë tipare të spikatura të fesë. Ndonjëherë, “teoritë e komplotit mund të mobilizojnë një grup ose t’i motivojnë ata për veprim kolektiv mbi disa padrejtësi të perceptuara, por ato, në përgjithësi, nuk ofrojnë një strukturë të qartë shoqërore, rreth së cilës ndërtohen komunitetet” (Wood and Douglas, 2019:94). Përgjithësisht, njerëzit e dhënë pas teorive konspirative kanë tendencën të shkëputen nga organizimet shoqërore e t’i shohin ato me dyshim. “Bashkësia” e konspiracionistëve është përgjithësisht një komunitet që ekziston në botën virtuale të internetit dhe të cilët rrallëherë kanë shkëmbime ndërpersonale apo komunitare. Zakonisht konspiracionizmi nuk zotëron një doktrinë pozitive sociale, nuk ka një projekt ndërtues për botën, sepse ajo është pashmangshmërisht në kthetrat e grupacioneve të liga. Ai nuk i pajis njerëzit me një sistem vlerash apo doktrinë pozitive të orientuar drejt veprimit ndërtues. Meqenëse jeta publike është një inskenim i forcave të liga djallëzore që drejtojnë rendin botëror, braktisja e strukturave botërore është mënyra e vetme për të qenë i lirë. Shoqëruar kjo me një thirrje dhe ndërgjegjësim të njerëzve për të kuptuar dhe vepruar të njëjtën gjë.

Konspiracionizmi dhe moderniteti

Po ashtu, qasja konspiraconiste është bërë e mendueshme dhe e mundshme falë gjendjes moderne dhe postmoderne. Moderniteti shfaq një intolerancë të theksuar karshi ambivalencës. Procesi racional/shkencor i klasifikimit dhe kategorizimit të gjithçkaje inkurajohet si mjeti për të garantuar rend, për ta pajisur botën me strukturë dhe eleminuar rastësinë. (Bauman, 1991:1). Ndonëse në botën tradicionale fetare rendi dhe struktura theksoheshin në sferën sociale, gjithsesi enigma, misteri, ambivalentja, e fshehta (gajbi) mistikja dhe metafizikja (lit. përtej fizikes) kishin një pozitë qendrore dhe shpesh shiheshin si më reale dhe më thelbësore se bota empirikisht dhe racionalisht e rrokshme. Konspiracionizmi reflekton dhe është fryt i mendësisë demistifikuese moderne. Ai pretendon të ofrojë një shpjegim totalizues për botën ku metafizikja, mistikja apo bota përtej racionales refuzohen në emër të një shpjegimi ‘racional’ dhe imanent rreth fuqive të vërteta që qendrojnë pas realitetit të dukshëm. Këto fuqi janë gjithnjë tokësore, të përbotshme, pavarësisht pushtetit të jashtëzakonshëm që i atribuohet. “Zbulimi i misterit” luan rolin e pajisjes së botës me një rend si edhe të shpëtimit nga ankthi i të panjohurës dhe enigmatikes. Po ashtu, dekonstruktivizmi postmodern ka ngulitur në mendësinë e njeriut post-modern skepticizmin ndaj çdo metanarrative, qoftë fetare apo sekulare. Çdo metanarrativë besohet se fsheh në vetvete vullnetin për pushtet të forcave që e kanë artikuluar atë dhe se dekonstruksioni është forma më e mirë për të zbuluar forcat dhe faktorët që qëndrojnë pas një metanarrative. Konspiracionizmi e përdor një platformë të tillë për të theksuar dyshimin e tij radikal dhe sistematik ndaj çdo institucioni apo autoriteti njerëzor dhe për t’ia atribuuar atë forcave dhe entiteteve të liga që qëndrojnë pas diskurseve dhe institucioneve të establishmentit.

Po ashtu, diskurset konspiraconiste shfaqin, në pamje të parë, një afinitet edhe me teori të ndryshme postmoderne si konstruktivizmi social dhe teoria kritike[2]. Konstruktivizmi social e koncepton botën si fryt i ndërveprimeve dhe qëllimeve subjektive të njerëzve. Në momentin kur kjo botë bëhet realitet ajo merr një jetë të sajën, solidifikohet dhe shndërrohet në një strukturë sociale që tëhuajëson njeriun. Njeriu “burgoset në realitetin objektiv të shoqërisë së tij” dhe “ky realitet i paraqitet subjektivisht atij në një mënyrë të huaj dhe të cunguar”(Berger and Luckmann 1966: 185). Sipas nocionit marksist të ndërgjegjes së rreme, të zhvilluar në teorinë kritike të shkollës së Frankfurtit, racionaliteti instrumental, karakteri procedurial dhe burokratik i botës moderne sjellin si pasojë tëhuajësimin e njeriut. Jo vetëm kaq, por sistemi e josh njeriun dhe i dikton atij shijet dhe dëshirat duke e bërë të jetojë në një iluzion ku ai mendon se vendosë vetë për jetën e tij. Sistemi i krijon atij një ndërgjegje të rreme ku ai dëshiron dhe aspiron jo atë qëdëshiron por atë që i dikton sistemi. Në botën moderne liria personale është një mit. Ne nuk mund t’i besojmë më as vetes sepse shijet tona, idetë, mendimet dhe dëshirat janë krijuar nga institucionet e modernitetit dhe media. Në vetvete, teoritë e lartpërmendura nuk përmbajnë elementë konspirativë, sepse forcat përgjegjëse për tëhuajësimin e njeriut mendohet se janë impersonale. Por, konspiracionizmi shërbehet pragmatikisht me to për t’i paraqitur këto forca si të vullnetshme si edhe për të përligjur qasjen konspiracioniste që e sheh botën si një simulakër, një inskenim ku forcat e liga botërore injektojnë përditë imazhe të rreme dhe diktojnë mendimet, dëshirat dhe aspiratat e njerëzve. Bota është një matrix, ku liria është një iluzion dhe krejt bota është një hologramë e rremë dhe iluzore.

Paradigmat konspiracioniste manifestohen në shkallë të ndryshme në diskursin e shumë fetarëve. Tek disa ato janë bërë aq qendrore sa të eklipsojnë botëvështrimet tradicionale fetare, tek të tjerë ato shfaqen në formë më të zbutur ose vetëm në disa çështje specifike. Si botëvështrim, në rastin më të mirë, konspiracionizmi lejon hapësirë vetëm për një Zot deist, të shkëputur dhe të tërhequr nga bota dhe jo në një Zot i cili është boshti rreth të cilit zhvillohet gjithcka, shkaku i parë dhe i fundit i çdo gjëje, zotëruesi i historisë dhe i gjithë krijimit. Një konspiracionist mund të flasë për orë të tëra ose të shkruajë faqe të tëra analize rreth ngjarjeve pa përmendur asnjëherë Zotin dhe vetëm kur detyrohet të sqarojë mendimin e tij për rolin e Zotit në histori ai shprehet se “Gjithçka është në dorën e Zotit”. Shpesh kjo ngjan me një deklaratë formale konformimi me parimet e kredos (akides). Është lehtësisht e vërejtshme se në diskursin konspiracionist të fetarëve Zoti nuk luan një rol parësor, koncepti i Zotit nuk është operacional apo aktiv. Zoti është zmbrapsur diku në sfond ndërkohë që shpjegimet nga më spektakolaret jepen për ngjarje, evenimente dhe dinamika të vëna në lëvizje nga forcat e errëta që presupozohet që sundojnë botën. “Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre” (63:4) e portretizon Kurani mentalitetin konspirativ të hipokritëve dhe jobesimtarëve. Ndërsa mendësia e duhur e besimtarit portretizohet në kontekstin fill pas luftës së Uhudit, kur të pavendosurit i paralajmëruan myslimanët duke u thënë që të frikësoheshin nga fuqia e forcave armike që kishin konspiruar së bashku dhe ishin nisur për t’i shkatërruar myslimanët. Përgjigja e myslimanëve ishte:

Atyre të cilëve njerëzit u thonë“Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha. Vetëm djalli i frikëson ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atyre, por kini droje prej Meje, nëse jeni besimtarë! (Kuran, 3:173-175).

 

Shënime

[1] Këtu jemi fokusuar tek teoritë konspiracioniste sekulare që e portretizojnë botën të sunduar nga fuqi tokësore (Rotshild, Masonë, Pleqtë e Zionit, Iluminati, Opus Dei, etj.) dhe kemi lënë jashtë teoritë konspiracioniste që e shohin botë të kontrolluar nga alienë apo diçka të ngjashme.

[2] Për këtë jemi mbështetur pothuajse krejtësisht tek Aupers and Harambam (2019:55-56).

Referenca

Popper, K.R. 1945. The Open Society and its Enemies.  London: Routledge.

Barkun, M. 2013. A Culture of Conspiracy: Apocalyptic Visions in Contemporary America. University of California Press.

Bauman, Z. 1991. Modernity and Ambivalence.  Blackwell Publishers.

Berger, P. and T. Luckman 1966. The Social Construction of Reality: A Treatise in the Sociology of Knowledge. New York: Doubleday.

Aupers S. and Harambam J. (2019), “Rational Enchantments: Conspiracy Theory between Secular Scepticism and Spiritual Salvation”. In Handbook of Conspiracy Theory and Contemporary Religion (ed.) Asbjørn Dyrendal, David G. Robertson, Egil Asprem. Leiden: Brill.

Wood M. and Douglas K. (2019). “Are Conspiracy Theories a Surrogate for God?”. In Handbook of Conspiracy Theory and Contemporary Religion (ed.) Asbjørn Dyrendal, David G. Robertson, Egil Asprem. Leiden: Brill.

Popper, K. (1966). The Open Society and Its Enemies, Vol 2. London: Routledge and Keagan Paul.

 

/erasmusi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit