-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ekonomia qarkore, hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm në vend

Më të lexuarat

Ekonomia qarkore është një sistem që ka fituar një popullaritet të madh midis bizneseve dhe qeverive gjatë viteve të fundit në mbarë botën. Ky është një term i ri edhe në Kosovë, i cili po zbatohet më shumë nga OJQ-të, duke shërbyer kështu si një model ekonomik, që siguron kreativitet, inovacion, gjeneron vende të reja të punës dhe siguron mbrojtje të mjedisit.

Ky sistem ekonomik ka të bëjë me ofrimin e një alternative që e kundërshton për të mirë ekonominë lineare, e cila bazohet në parimin Prodhim-Konsumim-Hedhje, duke e shëndrruar atë në një sistem ekonomik më të qëndrueshëm ku fokusi është në dizajnimin e produkteve me një qasje rigjeneruese dhe rikthyese në sistemin e prodhimit dhe konsumimit, me fokus në parimin Prodhim-Konsumim-Ripërdorim.

Sistemi ekonomik linear që daton prej qindra vitesh, nuk është më aq i qëndrueshëm përballë mbingarkesës së vazhdueshme e pakësimit të burimeve dhe po na orienton drejt degradimit të mjedisit dhe ndikimit në mirëqenien shoqërore. Ne shohim pasojat e një modeli të tillë ekonomik dhe menaxhimit të mbetjeve edhe në Ballkan, si në lumenjtë e ndotur me plastikë, fushat dhe pyjet e kthyera në deponi ilegale, humbjet në biodiversitetit, ndotjen e ajrit, etj.

Andaj sistemi ekonomik qarkor ndërtohet nga shtatë shtylla të bazuara në qëndrueshmëri, paanësi dhe transparencë ku sipas saj; materialet duhet të qarkullohen me vlerë të lartë e të vazhdueshme, energjia duhet të bazohet në burime të ripërtrishme, duhet të mbështetet dhe përmirësohet situata me biodiversitetin, duhet të ruhen shoqëria dhe kultura, duhet të ruhet shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve dhe specieve tjera, të vazhdoj shtimi i vlerave shoqërore dhe që burimet ujore të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas Raportit të Hendekut të Qarkullimit (Circularity Gap Report) të vitit 2021, ekonomia globale është vetëm 8.6 % qarkulluese dhe vendos një objektiv ambicioz për t’u bërë rreth 17 % deri në vitin 2030, duke synuar sektorët me potencial të lartë për ndryshim.

Pavarësisht kësaj, vendi jonë akoma është duke punuar në këtë aspekt, ku sipas një hulumtim të realizuar në vitin 2019 nga KosovaLive vihet në pah mungesa e njohurive të qytetarëve mbi termin “Ekonomi Qarkore”, ku 60% e të anketuarve nuk kishin dëgjuar më parë për termin “Ekonomi Qarkore”.

Vetëdijësimi i qytetarëve është përsëri problemi më i vogël duke analizuar sistemin ekonomik në vend. Thënë kjo pasiqë në shumë hulumtime që EC ka realizuar me qytetarët e Prizrenit thuhet se ata janë të informuar me problemet mjedisore, por ekonomia e dobët dhe mungesa e një sistemi të qëndrueshëm po e bënë më të vështirë që për ta të jenë prioritet çështjet lidhur me mjedis.

Në Kosovë ka mungesa të mëdha të klasifikimit të mbeturinave dhe të riciklimit të tyre, plastika sidomos është një nga problematikat kryesore, ku sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për 3 vitet e fundit janë importuar afro 366 milionë kilogramë të produkteve të plastikës, të cilat kanë kushtuar rreth 662 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave nga Dogana e Kosovës në tri vitet e fundit janë eksportuar mbi 63 milionë kilogramë produkte nga plastika.

Për të pasur një ekonomi qarkore, ne kemi nevojë për menaxhim modern të mbetjeve (ndarja e letrës, metaleve, plastikës, qelqit dhe mbetjeve biologjike).

Sa i përket riciklimit, në një hulumtim thuhet se qytetarët gjerman janë një nga pesë prodhesit kryesor të mbeturinave shtëpiake, por ata në të njëjtën kohë edhe riciklojnë deri në 49.5% të produkteve që përdorin, duke u renditur kështu pas tyre edhe qytetarët sllovenë, të cilët riciklojnë deri në 42.5% të produkteve që përdorin.

Shërbime apo investimet të tilla të riciklimit në vend ne kemi shumë pak, si p.sh në Parkun e Biznesit në Drenas, gjendet kompania “Plastika”, e para në Kosovë që bënë riciklimin e mbeturinave të folisë dhe plastikës si lëndë të parë për prodhimin e folisë për ndërtimtari.

Për këtë pjesë në një formë pak më ndryshe po punon edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ku sipas zëvendësministres Linda Çavdarbasha, për reduktimin e qeseve të plastikës njëpërdorimëshe kjo ministri ka formuar një grup punues ku janë të përfshira të gjitha palët e interesit dhe gjatë këtij viti do të përfundojë i gjithë procesi, në mënyrë që të fillohet me implementim nga viti 2023.

Poashtu ajo theksoi që qeset e plastikës do të bëhen me pagesë (çmim ky i cili do të përcaktohet nga hulumtimi që po realizohet ). Përpos iniciativës për reduktimin e qeseve të plastikës, MMPHI në bashkëpunim me GIZ po punon poashtu edhe rreth projektit të Deposit Refund System (Sistemit të Kthimit të Depozitave) në të cilin do të përfshihet riciklimi i tri kategorive të mbeturinave: shishet e qelqit, shishet e plastikës dhe kanaçet.

Sa i përket kësaj çështje vlen të theksohet që është me shumë rëndësi të promovohet dhe të investohet sa më shumë në zbatim të hierarkisë së mbeturinave, kjo si një mjet që në shumë vende përdoret në vlerësimin e proceseve që mbrojnë mjedisin krahas konsumit të burimeve dhe energjisë nga veprimet më të favorshme në ato më pak të favorshme tek qytetarët.

Po ashtu, edhe investimet në panelet solare si energji e ripërtërishme janë me shumë rëndësi, pasiqë në Kosovë aktualisht vetëm 5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të ripërtërishme, ndërsa 95 % nga termocentralet me qymyr e linjit, që konsiderohen si ndotës të mëdhenj të mjedisit. Kosova ka shumë mundësi të pashfrytëzuara për prodhimin e energjisë posaçërisht nga dielli dhe era, por ende eshtë larg përmbushjes së synimeve për prodhimin e energjisë së pastër.

Sa i përket kësaj pjese, qeveria në fillim të vitit i ka hapur rrugë projektit “Solar Kosova”, investim ky që sipas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, e që sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t’i shtojë rreth 70 MW kapacitet, duke lidhur kështu lagjet e reja me sistemin që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore ku do të kyqen 12 mijë familje ose 60 mijë njerëz . Ky projekt, mes tjerash, përfshinë ndërtimin e kolektorëve diellorë prej përafërsisht 69.000 m2.

Investime të tilla përveq parandalimit të problemeve mjedisore, po ndikojnë pozitivisht edhe në ekonominë në vend, andaj rekomandohet që të shtohen në numër, por paraprakisht duhet të prihen nga vlerësimet mjedisore dhe të realizohen sipas standardeve të përcaktuara, pasiqë jo çdo herë investime të tilla janë të përshtatshme dhe mund të kenë efekte negative.

Po ashtu, ekziston edhe nevoja për përmirësime në kuadrin aktual ligjor në mënyrë që të rrisë aftësinë e vendit për të shfrytëzuar më mirë burimet e tij dhe ciklin jetësor të materialeve, produkteve dhe shërbimeve. Trajtimi i ekonomisë qarkore vetëm përmes çështjeve të menaxhimit të mbeturinave tregon se koncepti i saj është ende në faza të hershme.

Në të njejtën kohë rekomandohet që edhe bizneset vendore të marrin shembuj nga raste të ngjashme në vendet e BE-së, për të filluar sa më shpejtë transformimin e procesit të tyre të prodhimit, për të shkuar kështu sa më shpejtë drejt zhvillimit të ekonomisë qarkore në vend./kosovo.energy/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit