12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Programet televizive “Firmato” – Nga Fabian Zhilla

Më të lexuarat

Mediat televizive duket se kanë njohur një zhvillim të ri kohët e fundit. Sot popullariteti po orientohet më shumë drejt programeve televizive sesa vetë televizionit dhe shpesh një televizion identifikohet me programin dhe jo e kundërta. Ky trend duhet konsideruar pozitiv për sa kohë programet televizive arrijnë t’i ofrojnë publikut një qasje të pavarur dhe të ndershme.

A jemi sot përballë një realiteti të tillë ku gazetarë të njohur kanë arritur të krijojnë pavarësi ndaj pronarëve të mediave nëpërmjet programeve të tyre apo dhe këta gazetarë nuk i kanë shpëtuar dot instrumentalizmit të emisionit për qëllime politike dhe financiare? Ç’farë nënkupton pavarësia e kësaj kategorie të rëndësishme të gazetarisë nga “pronarët”?Pavarësi konceptuale apo monetare? Mos kushtëzohet kjo pavarësi nga të ardhurat që sjellin emisionet dhe si ndikon kjo marrëdhënie në kushtëzimin e formatit të programit?

Pra më shumë para, më shumë pavarësi, e cila më pas përkthehet në më shumë hapësirë në vendim-marrje. Mbase kjo qasje e detyruar do të ishte korrekte nëse gazetari do ta shfrytëzonte për t’i dhënë vetes hapsirën e nevojshmë për programe cilësore, pa u shqetësuar për masivizmin, por për cilësinë. Por sot vërehet se ka programe të cilat, edhe pse krijojnë të ardhura të konsiderueshme dhe gazetarët kanë lirinë e nevojshme, nuk ndryshojnë në formë dhe qëllim, pra nuk orientohen drejt ndjeshmërisë së publikut, por përfitimit prej tij.

Emisioni televiziv si ndjeshmëri ndaj shoqërisë

Një ndër pikpamjet kritike ndaj rolit të telvizionit është mungesa koshiencës ndaj shqetësimit shoqëror në qarkullimin e lajmit dhe kulturës që i transmeton publikut. Në këtë kontekst, “koshienca” është në varësi të standardit etik të drejtuesit të emisionit. Ftohtësia apo paanësia është kriter i lajmit, por jo i opinion-bërjes apo i qasjes se problemeve sociale të karakterit politik dhe ekonomik.

Që në krye të herës James Carey e konsideronte televizionin si një mjet komunikimi me shoqërinë në distancë që ka për qëllim kontrollin e saj. Dhe me kontroll të “audiencës” Carey kishte parasysh ndikueshmërinë, riorientimin e publikut, modifikimin e sjelljes së tij, socializimin në distancë dhe kushtëzimin që i bën audiencës. Kjo lloj sinergjie krijon një farë rituali ku sipas Carey komunikimi televiziv nuk ka për qëllim përhapjen e mesazhit, por ngrirjen e shoqërisë në kohë.

Legjionarët

Për t’iu kthyer diskutimit rreth rolit të emisionieve televizive tek ne, një ndër mjetet kryesore në emisionet televizive është “opinion-bërja “ në studio rreth një teme të caktuar; një farë leksioni publik që media ia ofron në mënyrë konstante dhe gati rituale publikut. Në këtë kontekst shihen dy kategori “analistësh”: 1) ata të cilët i ka prodhuar media dhe që e ushqejnë atë sipas termave të saj (skupi, paraqitja dhe jo përmbajtja etj.) dhe 2) ata të cilët vijnë në media si prodhues të mendimit kritik e analitik dhe jo si rezultat i konjukturave.

Tashmë brenda hapsirës mediatike janë krijuar analistët “legjionarë”, ata që formojnë koracën e opionistëve të cilët promovohen artificialisht nga media nëpërmjet krijimit të varësisë së publikut ndaj tyre. Sa më shumë të promovosh dikë në televizion aq më shumë i kërkuar bëhet. Fillimisht ai mund të krijojë pakënaqësi te publiku, por më pas ai bëhet i ndjekur dhe publiku nuk rri dot pa e parë.

Nëpërmjet këtij mekanizmi “legjionarët” kthehen në më të “shikueshmit” duke ridimensionuar edhe kuptimin mbi audiencën“kritike”. Pra publiku fillon sheh dhe mendon rreth një problemi siç ata ia paraqesin për ta parë. Ç’do lloj qasje tjetër është demode dhe jashtë standartit. Është ky rreth analistësh dhe gazetarësh që përcaktojnë standartin dhe cilësinë dhe në këto terma orientohet edhe shikueshmëria. Ç’do komentues që është jashtë këtyre standarteve nuk tërheq audiencë dhe si rezultat del jashtë tregut.

“Legjionarët” pra marrin një valencë në tregun mediatik. Ata kthehen nga individë që i prodhoi media në individë që “mediatizojnë” median. Këtu krijohet cikli i mbyllur, pra “rituali” sipas Carey, legjionarë,-emision-publik dhe anasjelltas. Rituali zhvlerëson cilësinë dhe ndjeshmërinë duke krijuar varësinë. Publiku edhe pse nuk e pëlqen një emision nuk rri dot pa e ndjekur atë. Në një shoqëri që ka kulturë të cunguar në lidhje me burimet alternative të informacionit, këto programe kthehen në një mjet sedentar me efekt qetësues të shpejtë, por i cili më pas krijon varësi për shikuesin, paçka se ky i fundit është i ndërgjegjshëm që ajo që konsumon nuk ka vlerë. Varësia e lartë e publikut ndaj këtyre emisioneve ka sjelle diferencimin.

Emisionet “Firmato”

Ashtu si në një pazar të plaçkave emisionet televizive mund ti klasifikosh në: mall kinez dhe “firmato”. Për të qendruar në treg, emisionet grupit të parë, në përgjithësi përpiqen të ofrojnë imitacione të produkteve “firmato”, të cilat karakterizohen nga një staf drejtues i cili luan rolin e “somelierëve” (ekspertët që testojnë shijen e verës) përzgjedhësit të temës (audiencës) dhe analizës (analistët). Në përgjithësi “emisioni” nuk orientohet drejt “analizës” që do të ndihmonte në ndërtimin e opinionit, por nga “skupi”, pasi ky më pas tërheq audiencë dhe kjo më pas shitet si instrument marketimi për të tërhequr reklamat.

“Skupi” është masovik, perceptohet lehtë dhe kapet nga një masë më e madhe njerëzish, kurse analiza është teknike e lodhshme dhe nuk tërheq audiencë. Jo pak herë “somelieri” (drejtuesi) i emisionit tërheq vërejtjen për një gjuhë të thjeshtë, gati gjuhë tavoline, që të kuptohet nga publiku. Ky mekanizëm e kthen në invers rolin ndërtues dhe edukues që duhet të këtë analiza në studio. Pra cilësia e analizës ndikohet nga niveli i perceptimit (sipërfaqësor) dhe jo përthithës (analitikëndërtues) të publikut. Ky i fundit (masa) orienton standardin e programit dhe si rrjedhim dhe karakterin e analizëbërësve.

Për këtë arsye këto programe janë kthyer nga emisione analitike në një version tjetër të edicioneve informative. Apo me keq akoma, janë kthyer në emisione që prodhojnë lajm nga thashethemi, dhe jo në pak raste, këto studio kanë shërbyer për të legjitimuar thashethemin, për ta kthyer atë në lajm. Thashethemi vjen nga rruga, filtrohet në studio dhe përfundon në gazeta. Jo më kot shohim shpesh që emisionet e lajmeve rihedhin në publik lajmin e marrë në studio dhe e kundërta.

“Somelieri” (drejtuesi) orienton edhe publikun duke degustuar skupin që del gjatë diskutimit në studio. Këtë e bën duke i dhënë peshë informacionit nëpërmjet disa teknikave të komunikimit publik. Një prej tyre është ajo e prodhimit të një situate të rrëmujshme në studio, duke shkaktuar zhurmë e turbullim. Publiku konsiderohet si një ‘peshk’ në një hapsirë ujore mediatike të larmishme ku vetëm turbullira do të mund ti tërheqë vëmendjen. Kjo “turbullirë” është “sherri” në studio. Një diskutimi i qetë e ve në gjumë audiencën. Ndërsa sherri e mban shikuesin të ngulur para ekranit. Kjo ka sjellë njëfarë konkureshmërie midis programeve simotra dhe tashmë “somilieret” kanë krijuar ekspertizë në prodhimin e zhurmës, pra kur, si dhe më cilët aktorë “sherri” televiziv mund të dalë më interesant dhe më tërheqës. Shumë “analistë” ftohen në studio jo për atë që thonë, por për “sherrin” që bëjnë.

Në këtë vorbull manipuluese dhe zhvleresuese bie kategoria e opinion-bërësve kritikë apo të pavarur. Me qëllimin për t’i dhënë audiencë mendimit të tyre ata pranojnë të jenë pjesë e kësaj maskarade paçka se ata shërbejnë në shumicën e rasteve si kontorno. Këto lloj mekanizmash të komunikimit televiziv kanë sjellë monopolizimin e diskursit publik. Publiku tashmë nuk ka shumë zgjedhje, pasi sot këto emisione dallojnë fare pak nga njëri-tjetri. Dhe ky dallim është i natyrës formale (studio, veshje, zë, figurë etj.). Sot vërtet kemi shumë programe, por të gjitha janë të njëjta në formë, duke na krijuar një farë “tregu çam” të produkteve televizive, i cili ka zhvlerësuar “pushtetin” e telekomandës. Në këtë vorbull sigurisht më të fituar janë emisionet “firmato” dhe ata janë të destinuar të ngelen në treg. Pasi këto tip programesh kanë krijuar një sistem dhe kulturë shikueshmërie që është kthyer në ritual dhe rituali do shumë punë të çrrënjoset nga kultura e publikut.

Në konkluzion, sot analiza kritike dhe e panëshme që i përcillet publikut duhet të kalojë nëpërmjet këtij filtri televiziv i cili duket se është orientuar më shumë drejt shfrytëzimit të publikut sesa informimit të tij. Dhe për ta sofistikuar këtë mardhënie “emisionet firmato” kanë krijuar ritualin e tyre i cili dominon sot mardhënien midis medias dhe publikut. Do të ishte qasje ekstreme po të mos nënvizohej puna e mirë në disa raste e këtyer programeve në lidhje me orientimin e publikut në disa tema të problemeve sociale. Megjithatë, fatkeqësisht ky nuk duket të jetë misioni i tyre, por thjesht instrumenti. Për të qënë pozitiv le të shpresojmë që qasja e këtyre emisioneve të ndryshojë, të orientohet më shumë drejt interesit publik dhe jo axhendave të ndryshme, të jenë më origjinale, dhe më gjithëpërfshirëse.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit