9.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Frika nga e shenjta – Idete e mbuluara (2/6)

Më të lexuarat

Nga: Dr. Xhasim Sulltan

Frika nga e shenjta – Idete e mbuluara (2/6)

Ishte një bisedë e thjeshtë mes të njohurish. Jo, nuk ishte ligjëratë, as simpozium, por siç ndodh rëndom, bisedë krejt e rastësishme. Njëri nga të pranishmit, ndërhyri dhe tregoi një histori folklorike, e cila dukej se nuk u përtyp nga dëgjuesit. Folësi tha:”Filani nga të parët tanë të fisëm, në çdo betejë me bizantët, i çante rreshtat e ushtrisë armike në mënyrë të rrufeshme. Shpata e tij i priste sa majtas djathtas, duke bërë kërdinë në një ushtri prej gjashtëdhjetë mijë luftëtarësh të armatosur gjer në dhëmbë. Askush nuk guxonte ti dalë para.”
Të gjithë heshtën dhe nuk folën, pasi nuk  guxonin ta kundërshtojnë. Ku i dihej, çdo fjalë dyshuese mund ti kthehej në akuza, britma e zemëratë që nuk shuhej. Si kishte mundur ta shtrojë një pyetje të tillë dyshuese?!
Rrëfyesi nuk e dinte nga i kishte dëgjuar apo lexuar  bëmat e heroit në fjalë, por mjaftonte që ato ishin treguar të përziera me lavdinë e të shkuarës historike, që të mos debatohej dhe hidheshin dyshime mbi të.
Në përgjithësi, kur hyjmë në territoret e të shenjtës së vërtetë, Kurani dhe tradita profetike, ose asaj iluzionare, pjellë e fantazisë njerëzore, e ndjejmë që kemi shkelur në zonën e rrezikut. Ajo është zona e telave me gjemba ose me korrent, zonë e pusive emocionale, zonë plot shpella dhe tatëpjeta. Ajo është një zonë ku injorantët hiqen më fanatikë se të diturit. Çdo person i kësaj hapësire, përmban energji shpërthyese. Çdo faqe libri e cila flet mbi të kaluarën, shihet si i shenjtë dhe i paprekshëm. Çdo emër dhe vend, gëzon pak a shumë të njëjtën shenjtëri me të Kuranit dhe sunetit, edhe pse në mënyrë të kamufluar. Nëse guxon të hapësh ndonjë nga çështjet e kësaj zone, shpërthejnë emocionet e dashamirësve, e kur shpërthejnë emocionet çaktivizohet arsyeja; kur ndizet urrejtja, shuhet dashuria dhe toleranca; kur merr flakë debati, fashitet miqësia. E si të mos ndodhë kështu, ndërkohë që subjekti i përket të shenjtës?
Këtu, studiuesi qëndron përballë një problemi madhor; mes qetësisë shpirtërore e cila e fton të mos shkelë në një zonë të tillë dhe mes kërkesave të kohës të cilat e shtyjnë të hapë rrugën e të ardhmes, e shoqëruar kjo me dhimbje, por që është e domosdoshme për tu shëruar nga sëmundja. Rilindja e umetit, është peng e kapërcimit të një barriere të tillë, barrierën e reflektimit ekzaminues të një sërë idesh, të cilave ndonjëherë nuk mund tu qasesh pa iu qasur dhe emrave të autorëve të tyre. Kjo, me gjithë alergjitë që krijon një qasje e tillë tek dashamirësit e tyre. Ato janë ide, autorët e të cilave ia kanë dorëzuar shpirtin Krijuesit, duke lënë pas shumë të mira. E megjithatë, çështja nuk ka të bëjë me kritikë që u adresohet atyre, por me ndonjë ide e cila prek aktualitetin e umetit, pa marrë parasysh kush e ka thënë. Fjalë bëhet për ato ide të së shkuarës, të cilat ushtrojnë ndikim në të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne shqyrtojmë ato ide të cilat ushtrojnë ndikim në vetëdijën tonë dhe në njohuritë tona, duke ndërhyrë në vendim marrje dhe reagime. Ne duam ti zhveshim zonat e indiferentizmit dhe sëmundjeve tona.
Ka disa vite që shtrohet pyetja: Ku qëndron problemi? Të gjithë ne e ndjejmë se punët çalojnë, por askush nuk e vë dorën në plagë. Ne mjaftohemi me aparencën e saj, pa guxuar të thellohemi.
Arsyet dhe justifikimet e një sjelljeje të tillë janë të shumta. Dikush mund të thotë: Mos dashke të dalim lakuriq para armiqve që i duan të keqen fesë?! Mos dashke tu japësh një dorë edhe një armë tjetër, për të na sulmuar?!
Në fakt, armiqtë e kësaj feje dhe të umetit tonë, e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë po bëjmë, madje më mirë sesa mund ta kuptojmë ne. Padyshim që sot për sot, ata janë në pozita superioriteti dhe heshtja jonë nuk e ndalon superioritetin e tyre.
Dikush tjetër, mund të thotë: Përse ta minojmë dhe shembim atë imazh të shkëlqyer të umetit tonë në zemrat e të rinjve?
Në fakt, vlerat e imamëve dhe liderëve tanë, janë shumë herë më të mëdha sesa mundësia për tu shembur nga një ide apo një fjalë. Sot, rreziku nuk u kanoset imamëve dhe liderëve  të shkuar të umetit, por vetë umetit. Çfarë patën për të thënë dhe vepruar, ata e  bënë të tyren dhe tani prehen pranë Zotit të tyre. Ata na lanë me ajetin:”të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre.” (Zumer, 18)
Vetëm duke dëgjuar dhe duke qenë kritikë, vetëm kur të mos na kufizojë pushteti moral për të kundërshtuar këdo i cili del kundër rregullit: “ndjekin atë që është më e mira prej tyre”, vetëm atëherë kemi hedhur hapin e parë të një epoke të re të umetit. Por kjo nuk e ndalon manifestimin e respektit dhe vlerësimin për të parët tanë, edhe pse është paksa e vështirë, pasi kundërshtimi shpesh herë merret si fajësim.
Ne nuk kemi vënë në shënjestër askënd nga dijetarët dhe elitën e umetit tonë, nuk kemi shënjeshtruar vetëm idetë vrasëse dhe njohuritë të cilat kanë prodhuar këtë aktualitet të hidhur prej të cilit vuajmë të gjithë.
Kjo temë dhe të tjera që do të pasojnë, do të merret me idetë vrasëse të cilat influencojnë aktualitetin tonë të përditshme. Nëse do të pranojmë  vazhdimësinë e këtyre ideve, sigurisht kemi garantuar vazhdimësinë e prapambetjes tonë.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit