6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Shkencat jodinjitoze – Idete e mbuluara 3/6

Më të lexuarat

Nga: Dr. Xhasim Sulltan

Shkencat jodinjitoze – Idete e mbuluara 3/6

Nëse hedhim një vështrim të shpejtë në hapësirën tonë informative dhe arsimore, gjejmë shkolla të shumta, universitete të përhapur gjithandej,  buxhete arsimi, studentë që dërgohen jashtë për të vazhduar studimet, konferenca zhvillimi të pafund etj… e megjithatë, rezultatet janë të papërfillshme, pasi ne nuk prodhojmë dije.
Përse përpjekjet tona nuk janë të frytshme, siç ndodh me të tjerët? Përgjigjet e kësaj pyetje janë të pafund dhe në majë të gjuhës: Qeveria, mungesa e lirive, mungesa e projekteve dhe shumë arsye të tjera që mund të thuhen në këtë kontekst. Megjithatë, përgjigjet e mësipërme nuk e tejkalojnë lëvoren, pasi të gjitha janë simptoma të sëmundjes dhe jo sëmundja në vetvete. Neve na lipset të zhytemi në thellësi, të zhbirojmë shtresat e akumuluara me qëllim që të zbulojmë çfarë fshihet brenda tyre, të gjejmë thelbin e paaftësisë. Trajtimi nuk fillon pa diagnostikuar thellësisht rrënjët e sëmundjes dhe origjinën e saj. Mandej, lëshojmë recetën e duhur e  cila bën të shpërthejnë aftësitë e njeriut në hapësirën e dijes dhe shkencës.
Idetë e fshehura në pavetëdije janë ide tepër të rrezikshme, pasi fluturojnë në hapësirën tonë, pa mundur ti kapim dhe ti çojmë para gjyqit, për tu dhënë dënimin e merituar pasi kanë shkelur ligjin e zhvillimit të bazuar në “Lexo” “I mësoi të shkruajë me penë” “nuk e përshkoni veçse me një fuqi”
Le të nisim nga sipërfaqja, pa u zhytur në thellësi, duke marrë tre fragmente:
I pari, një i ri pyet një nga ulematë e njohur në një faqe interneti:”Unë jam student në fushën e shkencave ekzakte. Ka disa kohë që kam filluar praktikimin e fesë dhe dua të ndryshoj profilin e studimeve, shkurt dua të studojë për fe. Problemi është se babai e kundërshton këtë ide dhe dua të di nëse më lejohet të mos i bindem!”
Një i pasur pyet:”Një student ka nevojë për mbështetje financiare. Dua të di nëse më lejohet ta ndihmoj, edhe pse nuk studion për fe!”
Një i ri shtron një pyetje në një forum në internet, lidhur me një predikues të ditës xhuma, i cili foli mbi vlerën e dijes, të cilën e mbështeti me ajete Kurani dhe hadithe profetike. Në fund, ai tha se këtu hyjnë dhe dijet e shkencat e ndryshme, jo vetëm ato fetare. Sakaq, i riu nuk nguron të shpalosë dhe mendimin e tij, sipas të cilit vlera e dijes e cekur në ajete dhe hadithe kufizohet vetëm me dijet e sheriatit. Më e çuditshmja është se administratorët e forumit, i kthyen përgjigje sipas shijeve të tij.
Në një anketim të zhvilluar u pa se librat që lexoheshin ishin ose novelat, ose librat e psikologjisë së lehtë, të tipit “Si të bësh miq e shokë” të  cilët lexoheshin për të vrarë kohën.
Sakaq ambientet publike na ofrojnë xhevahire nga më të ndryshmet, pasi dëgjon shprehje të tilla si “Studio derisa të fusësh në xhep diplomën e mjekësisë apo inxhinierisë” “Studio derisa të gjesh një punë” etj… Duket qartë që kërkesat e prindërive dhe mentaliteti i studentëve nuk janë shumë larg.
Kështu, ne gjendemi përballë dy realiteteve: I pari, e kufizon dijen vetëm tek ato fetare, kurse dijet shkencore i vendos në kuadër të “Sprish punë”. I dyti, i cili përbën fytyrën tjetër të monedhës, është kur dijet dhe studimi kufizohen vetëm në kuadër të kafshatës së gojës, asgjë më tepër. Në këtë rast, dija dhe studimi shihen si mjete fitimi, nuk kanë lidhje me dëshirën për më shumë informacion dhe lutjen “Zoti im, mi shto dijet”.
Ai nuk ka lidhje me rilindjen e umetit “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin”, as me rivalitetin civilizues “kush prej jush do të veprojë më mirë” as me mirësinë “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë”, as me adhurimet si “që dikush të rendë për ti zgjidhur një hall vëllait të tij, është më e vlefshme se të mbyllet në itikaf në xhaminë time.”
Gjithçka që i intereson është thjesht kafshta e gojës dhe dëfrimi, asgjë më tepër. Ky është këndvështrimi ynë për dijen, ky është imazhi ynë i madh të cilit i mungon efikasiteti, ky është imazhi ynë i magazinuar karshi informacionit dhe dijes. Vallë çfarë është dija? Cili është roli i saj në kuadër individual? Cili është roli i saj në kuadër social? Cili është roli i saj në kuadër umeti?
Dija e cila sot përkufizohet si fuqi, dija e cila bën të shpërthejnë energjitë individuale, dija me të cilën mburren shoqëritë pasi i ngre në pristigje të larta, dija e cila i jep umetit statusin e dëshmitarit mes popujve dhe rolin e liderit, ka mërdhirë me kohë. Tashmë ajo merret vetëm me njërin aspekt të jetës tonë, duke e shndërruar dijen e vërtetë në një fantazmë, në diçka të shpërbërë. Shkolla, institute, universitete, të diplomuar… por të cilëve u mungon shpirti i dijes dhe energjia e saj.
Nëse meditojmë sado pak tek lindja e këtij fenomeni –  vallë si jetojmë me të pa e ndjerë?! Si arrin të na riprodhojë herë pas here duke e bërë kundërhelmin e shkollave të moderne të paefektshëm – do të zbulojmë se ky mentalitet ndjek dy linja:
E para, atë të një vaizi (predikuesi fetar) në institucionet fetare i cili është zhytur kokë e këmbë në librat e tefsirit dhe trashëgimisë. Ai gërmon dhe nxjerr që andej modele, shembuj dhe historira, të cilat na i sjell shqeto, të papërpunuara. Kështu, ai i sjell edhe mendimin dritëshkurtër, se dija dinjitoze kufizohet vetëm tek ato fetare. Pa e ndjerë dhe herë pas here, ai kultivon tek dëgjuesit këtë ide, të cilën mund ta mbështesë edhe me vargjet e imam Shafiut:
 
Të gjitha dijet veç Kuranit pa fajde janë
Shto hadithin dhe të kuptuarit e fesë
Dija është ajo që nga Profeti ka dalë
Gjithçka tjetër, vesvese shejtani janë
 
Në linjën e dytë bëjnë pjesë të rinj të prekur nga rrezet e dritës së udhëzimit hyjnor. Entuziazmi i shtyn të lexojnë librat e hershëm rreth fesë, me qëllim që të përfitojnë nga kristalet e para të besimit. Atje, ai gjen terma të tillë si “Dijet dinjitoze” “dijet e islamit” “dijet e arabëve” e për rrjedhojë në pavetëdije i ngulitet fuqishëm se çdo dije tjetër nuk është dinjitoze, siç janë dijet e heretikëve dhe të joarabëve. Që aty, ai vendos të thellohet më shumë në dijet dinjitoze. Por, edhe kur i lejohet të mësojë dijet dhe shkencat e tjera, i thuhet se duhet mjaftuar me nivelin më të ulët të tyre, se si kusht për ti mësuar, është që të mos e angazhojnë nga nxënia e dijeve të ndershme.
Kështu nisi dhe mori udhë problemi për të cilin po flasim. Përpjekjet e ulemave bashkëkohorë të cilët e kuptuan hendekun e thellë që la pas periudha e kaluar në qasjen ndaj dijeve jofetare, madje edhe të atyre fetare, nuk ishin të suksesshme.  Shejh Muhamed Gazzali si një model bashkëkohor, është përballur fuqishëm me ide të tilla negative, të cilat vazhdojnë të ushtrojnën ndikimin e tyre tek ne. E sakaq, hapësira publike vazhdon të mos i kushtojë kujdes rrezikut të tyre, duke mos u interesuar për mungesën e efikasitetit.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit