-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Kujdesi nga mendjemadhësia

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Abdullah ibnu Mes’udi (r.a) transmeton, se profeti a.s ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie. Një burrë tha: Dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura?
Profeti (a.s) tha: Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogancë ndaj njerëzve”.[1]
 
Kuptimi i disa shprehjeve:
Refuzimi i të vërtetës: mospranimi i saj dhe refuzimi me mëndjemadhësi i atij, që e thotë atë .
Sjellja me arrogancë ndaj njerëzve: duke i poshtëruar dhe përbuzur.
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Mendjemadhësia është sëmundje e shpirtit. Ajo është shumë e rrezikshme, sepse njeriu kujton se është më i dalluar se të tjerët duke patur më shumë para, pozitë, dije apo forcë. Për këtë arsye, ai kurrsesi nuk pranon të jetë i thjeshtë e të ndjejë keqardhje për të tjerët. Allahu i Lartësuar na ka këshilluar, që të ruhemi nga vesi i mendjemadhësisë duke thënë: “Mos e shtrembëro fytyrën prej njerëzve e mos ec në tokë me mendjemadhësi, sepse Ai nuk e do mendjemadhin dhe atë, që lavdërohet shumë”. (Llukman: 18)
Fjala “Mos e shtrembëro” ka kuptimin: mos ua kthe fytyrën njerëzve me përpuzje dhe mendjemadhësi.
A ka dëshirë muslimani, që Allahu i Lartësuar të zemërohet me të, për shkak se ai i përgjigjet thirrjes së këtij vesi të shëmtuar, apo të ndjekë pas dëshirat shfrenuese?
E si mund të jetë mendjemadhi kaq i sigurtë nga ndëshkimi i Allahut në këtë botë përpara botës tjetër, duke ia marrë këtë mirësi, me të cilën mburret, qoftë pasuri, pozitë apo forcë?
Allahu i Lartësuar na ka treguar për falenderimin e mirësisë dhe na ka qortuar për mohimin e saj, duke thënë “Nëse falenderoni do t’ua shtojmë begatitë, e nëse mohoni, dijeni se ndëshkimi është mjaft i ashpër”. (Ibrahim: 7)
Nuk ka dyshim se përbuzja, mendjemadhësia dhe mburrja ndaj mirësisë nga ana e muslimanit, është një krim i madh, për të cilin ai do të japë llogari në ditën e Gjykimit, kur të dalë përpara Allahut në një llogari të vështirë, të mirat i kanë mbaruar dhe ka shumë mëkate dhe gjynahe.
Medito në qortimin e ashpër, që i është drejtuar sëmundjes së mendjemadhësisë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie”.
Mendjemadhësia nuk lejohet në asnjë rast, sado e vogël që të jetë, sepse ajo është një sëmundje e rrezikshme dhe shkatërruese e shpirtit. Një grimcë e vogël shtohet pak e nga pak, duke gjetur livadh për të kullotur në shpirt, i cili është mbizotëruar nga dëshirat shfrenuese dhe egoizmi.
Thënia profetike: “Nuk do të hyjë në xhenet”, është një kërcënim i ashpër për ndëshkimin me zjarr, që i pret mendjemëdhenjtë. Ata nuk do të hyjnë në xhenet qysh në fillim me të devotshmit, por ata e meritojnë të ndëshkohen, që të pastrohen nga kjo fëlliqësirë, që ka mbushur shpirtrat e tyre. Ky është një mëkat i madh, që ata e kanë vepruar e nuk janë penduar për të, derisa u ka ardhur vdekja, por megjithatë ata nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në zjarr me jobesimtarët.
Sa përfundimi i keq i pret mendjemëdhenjtë, për të cilët profeti (a.s) ka thënë: “Në ditën e gjykimit mendjemëdhenjtë do të grumbullohen e do të mblidhen, për t’u bërë sa një grimcë e vogël, ku poshtërimi i rrethon nga të gjitha anët”.[2]      
Hadithi profetik ka theksuar, se mendjemadhësia nuk qëndron në aparencë e veshje, por përkundrazi ajo është e ngulitur në zemër, me qëllim që të poshtërojë të tjerët e të mos e pranojë të vërtetën. Ndërsa kujdesi dhe rëndësia, që i jep muslimani pamjes së jashtme, nuk konsiderohet si mendjemadhësi, përkundrazi atë e do Allahu, sepse Ai është i bukur dhe e do të bukurën. Ai ka emrat dhe cilësitë më të bukura.
Imam Ibnu Rexhep El Hanbeli ka thënë: “Kjo është një deklaratë e qartë, që tregon se veshja e bukur nuk konsiderohet mendjemadhësi. Mendjemadhësia është e përqendruar në zemër. Ajo është mospranimi i të vërtetës, duke u treguar mendjemadh dhe duke u sjellë me arrogancë ndaj njerëzve, duke i poshtëruar dhe përbuzur”.
Imam Tirmidhiu transmeton, se Ebu Darda ka thënë: Kam dëgjuar profetin (a.s) të thotë: “Ju do të shkoni tek vëllezërit tuaj, prandaj rregullojini ngarkesat e vishuni bukur, që të jeni si një nishan i bukur përara njerëzve, sepse Allahu nuk e do vulgaritetin dhe të shëmtuarën”.[3]
Muslimani duhet t’i japë rëndësi pamjes së jashtme, të vishet bukur me rroba të pastra. Ai duhet t’i japë rëndësi pastërtisë së zemrës nga urrejtja dhe mburrja ndaj njerëzve, të jetë i thjeshtë, të ndjejë keqardhje për vëllezërit e tij e të ketë kujdes nga krenaria e tepërt dhe mendjemadhësia. Profeti (a.s) na ka porositur për këtë duke thënë: “Allahu më ka shpallur mua, që t’u urdhëroj që të jeni modestë me njëri-tjetrin, askush prej jush mos të jetë mburravec ndaj tjetrit e askush të mos i ofendojë të tjerët”.[4]     
Sa nevojë kemi që të kontrollojmë vetvetet tona, për të larguar këto sëmundje të fshehta e shkatërruese, si pasojë e të cilave rrjedh dashuria për veten, që është shkak për përfundimin e keq.
Allahu i Lartësuar i ka përgëzuar modestët me një shpërblim të madh në ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë vend të përjetshëm (xhenetin) e kemi përgatitur për ata, të cilët nuk tregohen mendjemëdhenj e as nuk bëjnë shkatërrime në tokë. Përfundimi i mirë është për të devotshmit”. (El Kasas: 83)
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Mendjemadhësia është një sëmundje e rrezikshme e shpirtit dhe konsiderohet si mëkat i madh.
2- Dhënia rëndësi pamjes së jashtme dhe veshjes është e kërkuar. Ajo nuk konsiderohet mendjemadhësi.
3- Kujdesi që duhet patur nga refuzimi me mendjemadhësi, inat dhe përulësi i të vërtetës dhe mospranimit të saj nga ai, që e thotë.
4- Modestia është prej cilësive të besimtarëve e ajo është një motiv i mirë për të fituar kënaqësinë e Mëshiruesit.
[1] Transmeton imam Muslimi: 91 [2] Transmeton imam Tirmidhiu. Hadithi është i mirë e i saktë.   [3] Transmeton imam Tirmidhiu: 4089 [4] Transmeton imam Muslimi.Perktheu Elton Harxhi  

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit