20 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Njerezit ringjallen sipas nijetit

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të) thotë: Profeti (a.s) ka thënë: “Një ushtri ka për të sulmuar Qaben. Kur të jenë në një tokë të shkretë do të fundosen të gjithë nga i pari deri tek i fundit”. “Si është e mundur që të fundosen të gjithë, kur ka prej atyre që janë njerëz të zakonshëm  dhe të tjerë që nuk janë pjesë e ushtrisë”, – pyeti ajo? Profeti (a.s) tha: “Do të fundosen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit dhe më kur të ringjallen do të ringjallen në varësi të nijetit që kanë pasur”. Transmeton imam Buhariu.
Shpjegimi i hadithit:
Qyteti i Mekës është qyteti i shenjtë e i sigurtë, shenjtëri të cilën e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në të është i sigurtë. Ai që ka mundësi e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Sure Ali Imran: 96-97). Po ashtu edhe në suren El Maide është përmendur shenjtëria e Saj: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabes, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe se Ai është i Gjithdijshëm për çdo gjë”. (Sure El Maide: 97).
Hadithi profetik i lartpërmendur na njofton, se Qaben do ta sulmojnë armiqtë e fesë Islame. Ky njoftim është një paralajmërim profetik, në mënyrë të atillë që myslimanët duhet të përgaditen ushtarakisht për ta mbrojtur vendin e shenjtë, për të zbatuar urdhëresën hyjnore: “Përgadisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë që ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh”. (Sure El Enfalë: 60).
Ky paralajmërim profetik nuk nënkupton sulmin që i ka bërë mbreti Ebreha Qabes, por këtu flitet për një sulm tjetër nga ana e jobesimtarëve. Ashtu siç Allahu e shkatërroi ushtrinë e mbretit Ebreha, duke lëshuar ndaj tyre gurë nga sqepat e shpendëve, duke i bërë ata si gjeth i grimcuar, ashtu ka për të shkatërruar edhe ushtritë e tjera, që do të tentojnë të sulmojnë Qaben. Shkatërrimi të cilin e përmend profeti (a.s) në këtë hadith, është se Allahu i fundos të gjithë.
Profeti (a.s) nuk na e ka përcaktuar, se kur ndodh kjo ndodhi, ndoshta ngaqë sulmet ndaj Saj do të jenë të vazhdueshme dhe myslimanët duhet të jenë gjithmonë vigjilentë. Ndërsa profeti (a.s) e ka përcaktuar përfundimin e kësaj ushtrie. Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij i ruan banorët e Mekës, pasi kjo ushtri do të shkatërrohet jashtë Saj, në një tokë të shkretë. Kjo ushtri do të shkatërrohet, sepse ajo nuk respekton dhe shenjtëron shenjtërinë e Qabes. Nga hadithi kuptojmë, se shkatërrimi i kësaj ushtrie nuk vjen nga njerëzit, por nga ndëshkimi hyjnor, i njëjti ndëshkim me të cilin Allahu ndëshkoi Karunin: “Karunin dhe shtëpinë e tij, Ne e fundosëm thellë në Tokë. Atë askush nuk arriti që ta mbronte nga ndëshkimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mundi që të mbrojë vetveten”. (Sure El Kasas: 81).
            Le të meditojmë pak rreth dialogut të zhvilluar ndërmjet profetit (a.s) dhe Aishes. Aishja i drejton një pyetje të Dërguarit të Allahut, që ka të bëjë me çështjet themelore të fesë Islame që është: përgjegjësia që mbart individi në sajë të vullnetit dhe nijetit që ka pasur. Aishja e pyet profetin (a.s), jo për ta kundërshtuar, por të ditur të vërtetën. Ajo e mëson të vërtetën nga goja e profetit (a.s), që jep një përgjigje të shkurtër, por shumë domethënëse që ka të bëjë me nijetin e gjithsekujt prej tyre. Të gjithë pa përjashtim do të fundosen, por në Ditën e Gjykimit kur të ringjallen, do të japin llogari në varësi të nijetit që kanë pasur. Prandaj njeriu, sidomos myslimani duhet të bëjë kujdes se me kë shoqërohet, nëse realisht do të shoqërohet me njerëzit e këqinj, kjo mund të ndodhë vetëm në rast nevoje.
            Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Shenjtëria e Qabes.
2 – Të anuarit nga veprat e zullumqarëve.
3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit.
4 –  Paralajmërimet e profetit (a.s.)
5 – Dialogu reciprok me pyetje përgjigje.
6 – Sqarimi i të vërtetës.
 
            1 – Shenjtëria e Qabes:
Qabja është shtëpia e parë, që është ndërtuar në sipërfaqen e Tokës për adhurimin e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në të është i sigurtë. Ai që ka mundësi e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Sure Ali Imran: 96-97). Ajo është vendgrumbullimi i njerëzve: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit”. (Sure El Bekare: 125). Imam ibnu Kethiri thotë: “Allahu e ka bërë atë të sigurtë nga armiqtë dhe mbajtja e armëve brenda në të. Në periudhën paraislame, njerëzit bënin tafav rreth Saj dhe që të gjithë ishin të sigurtë.
Qabja është drejtimi nga ku duhet të drejtohen myslimanët gjatë faljes së tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do të kthejmë ty për nga kibla që të kënaq. Prandaj ktheje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë (Qabja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë”. (Sure El Bekare: 144).
Rituali i haxhit në brendinë e tij ka edhe tavafin, që bëhet rreth Qabes. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: Pastrojeni shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. (Sure El Bekare: 125). Allahu i Lartësuar e urdhëroi të dashurin e Tij, Ibrahimin (a.s), që të ndërtonte shtëpinë e shenjtë, që ajo të ishte epiqendra e botës islame.
Po ashtu shenjtëria e Qabes konsiston edhe në faktin, se ajo është e begatë dhe sjell bereqet. Ai i cili kryen një adhurim brenda saj, shpërblimi i shumëfishohet. Gjithashtu për asnjë moment Qabja nuk mund të jetë bosh, përkundrazi gjithmonë do të ketë njerëz të cilët pa ndërprerje bëjnë tavaf dhe ibadet brenda saj.
 
            2 – Të anuarit nga veprat e zullumqarëve:
Nga ky hadith nënkuptojmë se të gjithë njerëzit që janë pjesë e kësaj ushtrie, që të gjithë pa përjashtim do të fundosen. Kjo do të thotë, se njeriu duhet të qëndrojë sa më larg mizorëve dhe zullumqarëve, në mënyrë të atillë që për shkak të tyre të mos ndëshkohet edhe vetë ai, pavarësisht se mund të jetë i pafajshëm. Kurani Famëlartë e ka ndaluar një bashkëshoqërim të tillë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqia, përndryshe do t’ju përcëllojë zjarri”. (Sure El Hud: 113). Në komentimin e këtij ajeti kuranor, imam Sa’adi ka thënë: “Mos anoni nga ata, të cilët bëjnë të këqia, sepse nëse ju veproni kështu, duke i miratuar apo duke qenë të kënaqur me veprat e tyre të këqia, atëherë do t’ju përcëllojë zjarri, ku ju nuk keni asnjë përkrahës që t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i Allahut. Nga ky ajet nënkuptojmë, se njeriu duhet të bëjë shumë kujdes, që të mos anojë nga ata që bëjnë vepra të këqia e që sillen mizorisht ndaj të tjerëve. Nëse ky është ndëshkimi për ata, që anojnë dhe janë të kënaqur me padrejtësinë dhe veprat e këqia, po ata të cilët sillen padrejtësisht ndaj të tjerëve, vallë si do të jetë ndëshkimi i tyre?”
 
            3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit:
Profeti (a.s) na tregon se e gjithë ushtria nga i pari deri tek i fundit do të fundoset. Në mesin e ushtrisë do të ketë njerëz, që synojnë të sulmojnë Qaben qëllimisht, do të ketë njerëz të cilët janë të imponuar, por që nuk kanë dëshirë ta sulmojnë Atë, madje do të ketë edhe kalimtarë. Të gjithë do të fundosen dhe në Ditën e Gjykimit do të ringjallen, por secili do të marrë atë që meriton, në varësi të nijetit që ka pasur për qëllim. Pikërisht për këtë arsye imam Ibnu Haxheri ka thënë: “Veprat vlerësohen në varësi të nijetit të njeriut”.
Përshembull, për disa vepra që janë të mira, njeriu nuk shpërblehet, ngase ajo nuk është bërë për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadeka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. (Sure En Nisa: 114). Bisedat që bëhen fshehtas janë të ndaluara, përveç atyre bisedave që bëhen për mirë, si për të dhënë sadaka, apo për të bërë paqe mes dy njerëzve. Këto dy vepra konsiderohen vepra të mira edhe nëse nuk bëhen për të fituar kënaqësinë e Allahut, sepse dobia arrin tek të tjerët. Nëse njeriu në këto vepra të mira ka për qëllim për të fituar kënaqësinë e Allahut, atëherë ai shpërblehet, por nëse nuk ka për qëllim për të fituar kënaqësinë e Allahut, nuk merr shpërblim.
 
4 –  Paralajmërimet e profetit (a.s):
Ajo ç’ka na tregon profeti (a.s) në këtë hadith është një ndodhi, që do të ndodhë në të ardhmen. Prej mrekullive të shumta të profetit (a.s) janë edhe paralajmërimet, se çfarë do të ndodhin në të ardhmen. Paralajmërimet e bëra nga profeti (a.s) janë aq të shumta, saqë ato nuk mund të numërohen. Një prej këtyre paralajmërimeve është edhe rasti i ushtrisë, që do të tentojë për të sulmuar Qaben. Të gjitha këto paralajmërime kanë ndodhur nëpërmjet shpalljes hyjnore, pasi vetëm nëpërmjet shpalljes që i ka ardhur nga Allahu i Lartësuar, profeti (a.s) e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Këto paralajmërime dëshmojnë qartë për profetësinë e profetit (a.s).
Poeti i profetit (a.s.), Hasan ibnu Thabit ka thënë:
Profeti shikon atë, që njerëzit nuk e shikojnë
Ai e këndon librin e Allahut për çdo ndodhi
Nëse një ditë ai profetizon për të ardhmen
Sot ose nesër ajo do të realizohet
 
 
            5 – Dialogu reciprok me pyetje – përgjigje:
Kjo vërehet nga dialogu, që zhvillohet ndërmjet profetit (a.s) dhe Aishes. Zhvillimi i dialogut ka qenë një prej formave dhe metodave, të cilat profeti (a.s) e ka praktikuar më së shumti me bashkëbiseduesit. Dialogu, i cili zhvillohet me pyetje përgjigje, ka shumë efekt, sidomos tek ata të cilët parashtrojnë pyetjet, që në të njëjtën kohë presin përgjigjen. Po ashtu përfitojnë edhe të tjerët, që dëgjojnë dialogun. Zakonisht ndodh që njerëzit pyesin të diturit dhe ata, të cilët gëzojnë respekt në mesin e tyre, për të gjetur kurën e duhur për atë ç’ka i mundon dhe i shqetëson.
 
            6 – Sqarimi i të vërtetës:
Sqarimi i të vërtetave është prej kushteve themelore, që duhet të ketë ftuesi, sepse ftesa bazohet tek qartësia dhe kthjelltësia e çështjeve të fesë, të mirave materiale të kësaj bote dhe botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ty, (o Muhamed) të zbritëm Kuranin, me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë”. (Sure En Nahl: 44). El Mauerdi ka thënë: “Pjesë e moralit të dijetarëve është, se ata nuk duhet të tregohen kopracë, për t’u mësuar të tjerëve diturinë dhe as nuk duhet që t’i privojnë të tjerët për të përfituar nga dija e tyre. Ne duhet ta dimë mirë, se kopracia në këtë rast është padrejtësi dhe privimi tregon për smirë dhe konsiderohet mëkat. Ali ibnu ebu Talib ka thënë: “Allahu, për të nxënët, nuk e marrë premtimin nga injorantët, por nga dijetarët”. Në këtë hadith, profeti (a.s) ka folur aq qartë rreth ndëshkimit të kësaj ushtrie, saqë ka larguar çdo dyshim të Aishes, duke e njoftuar se të gjithë do të fundosen, por që në varësi të nijetit do të gjykohen përpara Allahut në Ditën e Gjykimit.
Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit