-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nga Vetvendosja te Syriza

Më të lexuarat

Elton Hatibi

Një protestë me legjitimitet të fortë moral u shndërrua në një përplasje fizike me policinë në Kosovë, duke na sjellë më pas peizazhin e pazakontë të një guerriljeje urbane, pasi arroganca e pushtetit paralizoi institucionalisht zgjidhjet politike. Ndërkohë, përmes votës, në Greqi erdhi në pushtet një parti radikale e majtë, e cila, në kontekstin e krizë së stërzgjatur financiare, pritet të sjellë surpriza me një rezonancë të gjerë edhe në vende të tjera europiane. Në një mënyrë a një tjetër, të dyja rastet pritet të ndikojnë realitetin social shqiptar në të ardhmen.

Kosova tashmë është drejt mbylljes së një dekade si shtet i pavarur, ndërsa vuan ende nga një sovranitet i cunguar dhe kjo e gjitha si pasojë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në shumë nga çështjet e rëndësishme të vendit. Problemi në vetvete vjen si rezultat i formulës kushtetuese, e cila me bekimin e perëndimorëve, i lë hapësira minoritetit serb të instrumentalizohet nga Beogradi. Që prej pavarsisë e këtej, Kosova ka kaluar disa sprova të forta qeverisëse, ku si pengesë e realizimit praktik të tyre qëndron Serbia. Më e rënda në nivel gangrenizues mbetet moskontrolli fizik i veriut të vendit. Çështja e fundit, e cila shënon potencialisht një ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e Kosovës, është fati juridik dhe administrativ i minierës së Trepçës, një përplasje kjo e cila pritet të sjellë të papritura.

E vetmja forcë politike që gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë koherente në qëndrimet dhe aksionet e saj, është padiskutim Vetvendosja. E lindur si lëvizje civile gjatë qeverisjes ndërkombëtare në vend, Vetvendosja, përmes kërkesës së saj identitare për determinim popullor në lidhje me fatet e vendit, sot pas kaq vitesh është shndërruar në forcën kyçe politike. Rritja dhe suksesi politik i Lëvizjes, përveçse prej koherencës politike, vjen edhe sepse ajo nuk është një parti tradicionale, karakteristikat e të cilave janë lidhjet klanore apo krahinore, përqafimi i praktikave korruptive dhe sidomos inekzistenca e identitetit ideologjik.

Ideologjia është ajo që i jep ngjyrë Vetvendosjes në spektrin politik kosovar. Duke i qëndruar koherent idologjikisht sfidave shoqërore në një Kosovë gjithnjë e më të varfëruar nga agonia e korrupsionit kapilar, Vetvendosja përherë e me tepër po thith aktivistë dhe simpatizantë mes rinisë që ka një formim të mirë arsimor dhe qytetar. Duke u afirmuar në këto pozicione, duke rritur mbështësit dhe duke çuar përpara kauzat politike, në gjendjen e një shteti gati të dështuar siç është Kosova, Lëvizja mbetet forca politike që do të dominojë skenën politike kosovare në një të ardhme të afërt.

Fitorja e Syrizas në Greqi pritej tashmë dhe zgjedhjet e përgjithshme ishin vetëm një formalitet. E lodhur nga politikat e shtrëngimit të imponuara nga ndërkombëtarët, Greqia bëri zgjedhjen e saj duke dënuar klasën e korruptuar politike që keq-qeveriste vendin prej dekadash. Syriza, si një parti e re radikale e majtë, ishte një nga zërat e ashpër kritikë ndaj politikave strukturore të imponuara në funksion të shëndoshjes së financave publike. E gjitha kjo është gati utopike, ku sheh se në këto vite borxhi publik është fryrë ndjeshëm pikërisht nga interesat e miliardave të kredituara. Kësaj spiraleje shkatërrimtare, pas një serie të stërzgjatur protestash dhe grevash që paralizuan Greqinë në vitet e qeverisjes faktike nga trojka ndërkombëtare, publiku i tha “jo!” me votë.

Në themel të këtij zhvillimi të ri politik qëndron rinegociimi i termave të borxhit, i cili synon të rrisë frymëmarrjen për qytetarët e thjeshtë, viktima të vetme të kësaj krize financiare. Sa do të jetë në gjendje që qeverisja e re të plotësojë prishmëritë e publikut grek, kjo sigurisht që është e vështirë për t’u parashikuar. Gjithsesi ky zhvillim i ri po i jep jetë një filozofie të re politike, e cila sigurisht mbetet për t’u testuar. Kështu po lind një model politik antiestablishment i cili promovon në Europë dhe më gjerë vlerat e solidaritetit social, demokracisë gjithpërfshirëse, bashkëjetesës me të ndryshmen etj.

E përbashkëta mes dy rasteve edhe pse në kontekste, dinamika dhe dimensione plotësisht të ndryshme, është përpjekja në një formë a një tjetër për të kthyer apo fituar pjesë domethënëse të sovranitetit kombëtar si dhe për të ridefinuar konceptin e demokracisë. Kriza greke minon stabilitetin social të vendit ndërsa problematika e Kosovës me Serbinë, nëse mbetet në këto nivele, rrezikon të minojë rëndë në një kohë afatgjatë sovranitetin e shtetit të ri. Në të dy rastet, si ndërmjetës të “agresorëve” ndaj formave respektive të sovranitetit dhe të publikut të gjerë të nëpërkëmbur, qëndron klasa e korruptuar politike, e aftë të maksimalizojë përfitimet e asaj të paligjshme në dëm të interesave publike apo kombëtare. Janë pikërisht këto privilegje dhe këto përfitime të paligjshme të cilat deformojnë demokracinë duke e burokratizuar atë, dhe e transformojnë atë, nga një sistem qeverisës në dobi të publikut, drejt një oligarkie që përmes teknikaliteteve, përjashton publikun e gjerë nga vendimmarrja.

Si fqinj të këtyre realiteve ne i jemi ekspozuar “infektimit” potencial nga këto zhvillime politiko-sociale. Edhe pse kushtet në Shqipëri janë specifike, shumë nga fenomenet që sollën ngjizjen dhe rritjen e forcave të reja progresiste në Kosovë dhe Greqi, janë gati-gati të njëjta, në mos edhe më të rënda. Renditja e Shqipërisë në vendet me demokraci të brishtë, e bën të domosdoshme lindjen e alternativave të reja politike, të cilat minimalisht do të ngjallnin shpresë për një qeverisje të drejtë. Edhe pse për momentin duket e pamundur për të parë lindjen e një lëvizje politike jashtë skemave të tashme, shkaqet sociale që çojnë drejt zhvillimeve të ngjashme janë aty prej shumë kohësh, të majisura si mos më keq.

Që prej rënies së diktaturës, pasi arkivoi pjesën thelbësore të problematikave të formësuara në totalitarizëm, shteti shqiptar ka promovuar dhe mbrojtur paligjshmërinë dhe arrogancën duke eklipsuar dhe rrënuar një pjesë thelbësore të vlerave shoqërore. Korrupsioni dhe dhuna politike ka prekur nivele të frikshme, ndërsa vendi është institucionalisht i paralizuar për të përmirësuar sistemin qeverisës. Vetëm viti që lamë pas përbledh simbolikisht si një mozaik monstruoz gjithë problematikat e vendit, duke filluar nga shfaqja e të gjitha formave të krimit, dhuna politike, arroganca e administratës, shkëmbimi reciprok i akuzave inkriminuese mes maxhorancës dhe opozitës, etj. Gjithsesi pritshmëritë nuk duhet të jenë utopike. Karakteristikat e shoqërisë shqiptare çojnë drejt nevojës për një model politik lokal në përgjigje të sfidave dhe problematikave vendore./PB

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit