-1 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Marshi i pavarësisë

Më të lexuarat

Shkruan: Bekir Halimi

 

“…thuaj: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili na shpëtoi prej popullit të prishur!”. (El-Muminun: 28).

Në momentet duke përcjellur ditën e shpalljes së pavarësisë mu kujtua një shqiptar, i cili ishte mërguar në Turqi dhe kishte bërë punë të mëdha për shqiptarët dhe muslimanët në përgjithësi. Ai ishte poeti i madh Mehmed Akif Ersoj (1873-1936), me origjinë nga Peja e Kosovës, i cili jetoi dhe veproi në Stamboll. Nuk guxova ta kaloj këtë njeri dhe poet të madh, sepse mu ky njeri ka përpiluar një poezi me titull “marshi i pavarësisë”. Ju ktheva edhe një herë dhe e lexova atë poezi, kjo vepër m’i rikujtoi disa dilema dhe debate që bëhen në disa qarqe brenda popullit tonë.

Ai mes tjerash thotë:

Nuk shuhet flamuri i kuq që valëvitet në këto troje,
Pa u shuar oxhaku i fundit që tymon mbi vendim tim;
Ai është ylli i kombit tim, do të ndriçojë,
Ai është i imi, ai është vetëm i kombit im!

Mos i lër të poshtrit të afrohen në këtë vend, o vëlla!
Bëje trupin mburojë, kjo rrjedhë e paturpshme të ndalojë!
Do të agojnë për ty ditët që Zoti t’i ka premtuar…
Kush e di? Mbase nesër, mbase më herët do të agojnë!
Mos shkelë mbi këtë tokë duke bërë sikur s’di!

Mendo për mijërat që shtrihen nën të pa qefin!
Ti je bir dëshmori, mos e fyej tët atë kurrsesi:
Mos e jep këtë vatan si parajsë botën sikur të të japin!


Vetëm për një gjë të lutet shpirti im, o Zot, me shpresë:
Në gjoks të këtij tempulli dora e huaj të mos prekë!
Këto ezane me dëshmitë e tyre në themel të fesë
Mbi tokën e atdheut tim të jehojnë përjetë!

Valëzo si agimi edhe ti, o hënë e re me famë!
Hallall t’u bëftë gjaku ynë i derdhur si lumë!
Për ty, për kombin tim s’do të ketë më perëndim!
Flamuri im i lirë që e do lirinë, ka të drejtë të rrojë në liri!
Kombi im që i falet Zotit, ka të drejtë të rrojë në pavarësi!
(shiko: “Fletët” (Safahat), fq. 568-569, Logos-a, 2006)

Si përsiatje mbi këtë që përjetuam këto ditë mund të themi: Fitorja vjen me durim (sikurse ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem). Durimi që kishte populli ynë dekada me radhë u kurorëzua me këtë gëzim, si vërtetim i këtij mësimi pejgamberik. Durimi mund të komentohet si pasivitet dhe si durim aktiv, e durimi aktiv është ai që harton strategjinë e luftës dhe fitores, pa nxituar dhe marrë hov aspak. Zullumi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Zullumqarët, kush do qofshin ata, do të përfundojnë dhe poshtërohen, sado që zgjat ky zullum dhe padrejtësi ndaj një populli.

All-llahu, i Lartësuar, thotë: “Po ashtu Ne i bëjmë sundues disa mizorë mbi mizorët e tjerë për shkak të asaj që fituan (vepruan)”. (El-Enam: 129). “… Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve”. (Junus: 39). “… Ne gjithqysh do t’i shkatërrojmë zullumqarët”. (Ibrahim: 13). Populli tek ne thotë: “Çdo gjë këputet kur të hollohet vetëm zullumi këputet kur të trashet”.

Flijimi paguhet.
Çdo flijim dhe sakrificë paguhet dhe shpërblehet edhe nëse vonohet shpërblimi. Vonesa e shpërblimit asnjëherë nuk duhet të bëhet shkak për devijim nga rruga e drejtë dhe e mirë. “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut”. (Ali Imran: 200). Drejtësia ngadhënjen çdo herë. Dynjaja është e kurdisur mbi bazë të drejtësisë dhe me drejtësi udhëhiqet. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Allllahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna.Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. (En-Nahl: 90). “…dhe kur të gjykoni,ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon.All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni”. (En-Nisa: 58).
Shejhul Islam Ibën Tejmiu, rahimehullah, thotë: “Allahu e ngrit një shtet të drejtë edhe nëse është jomusliman dhe nuk e ngrit një shtet të padrejtë edhe nëse është mysliman”. Gjithashtu kanë thënë: “Dynjaja vazhdon me drejtësi dhe mosbesim porse nuk vazhdon me padrejtësi dhe islam, sepse drejtësia është sistemi i çdo gjëje”. (28/146). Pjesa dërmuese e popullit i shfaqi emocionet e tyre me gazmend dhe dëfrim, i cili pa dyshim se kishte diçka të mirë dhe diçka problematike, e mira ishte rendi dhe disiplina, kurse e keqja ishte konsumimi i madh i alkoolit, që padyshim se nuk është dukuri e mirë, më së paku jep një simbolikë të keqe, e ajo është kalimi nga një stadium të varësisë në stadiumin e pavarësisë, ose mëvetësisë në mënyrë të dehur, të pavetëdijshme dhe pa gatishmëri për rezonim logjik i tërë detyrave dhe përgjegjësive që i sjell me vete pavarësia.

 

Emocionet sjellin gëzimin, kurse analizat e logjikshme konkluzat racionale. Konkluzat racionale na thonë që duhet të kemi parasysh këto gjëra për të ardhmen tonë:
1. Studim i historisë dhe analizim i qëndrimeve të sakta dhe të gabuara gjatë historisë.
2. Përfitim nga e kaluara për ndërtimin e të ardhmes.
3. Kujdesi ndaj atyre që më së shumti kanë flijuar për këtë vend dhe janë meritor për këto të arritura.
4. Ndërtimi i institucioneve të Kosovës dhe administratës në nivel shumë të lartë profesional, duke i bërë vend secilit njeri që është profesionalist në sferën e tij, pa dallim ngjyrës politike që i takon, provincës nga vjen, apo bindjeve fetare që ka.
5. Kujdes të veçantë ekonomisë dhe krijimit dhe sigurimit të infrastrukturës funksionale, ose thënë ndryshe kushte minimale dhe normale për jetesë.
6.Flakje dhe luftë të ashpër korrupsionit dhe abuzimit me pasurinë shoqërore.
7. Investim maksimal në arsim dhe shkollimin e bijve të popullit tanë.
8. Kujdesi i veçantë për rininë, pasi që jemi popull me një përqindje shumë të madhe të rinisë, duke hapur qendra rinore, punëtori të ndryshme për aftësimin e tyre në lëmi të ndryshme, përkrahje e sportit dhe aktiviteteve të ndryshme që ndihmojnë në mbrojtjen e rinisë nga degjenerimi dhe shfrenimi i tyre total.
9. Kujdesi i veçantë edukimit fetar dhe kombëtar të popullit tanë, me futjen e mësim besimit fetar si lëndë shkollore dhe historisë moderne kombëtare, sepse në këtë formë e ruajmë popullin tonë prej tjetërsimit dhe tëhuajësimit nga hovi i madh i globalizmit dhe sulmit të ashpër të kulturës dhe civilizimit perëndimor.
10. Dhënia pozitë meritore Bashkësive fetare të Kosovës me theks të veçantë Bashkësisë Islame të Kosovës për gjithë kontributin e madh që ka dhënë për të mirën e Kosovës, me ndihmat humanitare, me edukimin e brazave, me tolerancën dhe mirëkuptimin që kanë patë si përfaqësues të komunitetit më të madh në Kosovë, etj.

 

Duke patë parasysh krejt këto që i thamë urojmë mbarë popullit tonë këtë ditë gëzimi duke e lutur Allahun e madh që të na i shton ditët e gëzimit dhe të na përfundon veprat tona me mirësi.Amin!

Shkurt 2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit