Në suren et Talak, apo siç emërtohet ndryshe edhe en Nisa es Sugra, kanë ardhur katër ajete fisnike, të cilat kanë bërë ndërlidhjen mes veprës dhe shpërblimit dhe suksesin e kanë kushtëzuar me shkaqet.
Ajeti i parë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak, 2,3)
Ajeti i dytë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Talak, 3)
Ajeti i tretë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Talak, 4)
Ajeti i katërt: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” (Talak, 5)
Me këto ajete do të ndalemi në disa ndalesa.
Ndalesa e parë: Shpërblimi në tre prej ajeteve është kushtëzuar me frikërespektin (takvanë) ndaj Allahut. Takva është të punuarit e asaj që ka urdhëruar Allahu i Lartësuar dhe të larguarit nga ajo që ka ndaluar dhe ajo është çështja kryesore. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i porosiste shokët e tij me fjalët: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh.” Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih.
Ndalesa e dytë: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”, ka ardhur si plotësim i çështjes së takvasë. Nëse frika ndaj Allahut konsiderohet shkak i largimit të vuajtjeve, atëherë pa dyshim se mbështetja e muslimanit te Zoti i tij, bindja se Allahu Fuqiplotë është Ai i Cili ia largon çdo të keqe dhe çdo dëm, i jep rrugëdalje nga ajo gjendje në të cilën ndodhet, ia lehtëson shkaqet e riskut prej nga nuk e kujton fare. Këtë e vërteton me fjalët e Tij, ku thotë: “Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij” (Talak, 3) d.m.th. mos e përjashtoni mundësinë e përmbushjes së asaj që ju ka premtuar Allahu, ngase Ai kur premton diçka, atë e ka dëshiruar, ndërsa kur do diçka, i lehtëson dhe i krijon shkaqet.
Kemi shumë hadithe në këtë kontekst, prej të cilëve është edhe ky të cilin e transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë se ka thënë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Unë di një ajet, po që se njerëzit do të punonin sipas tij, do t’u mjaftonte, pastaj e lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” Vazhdonte ta përsëriste këtë ajet.” Shënon Ahmedi, Hakimi dhe të tjerët.
Gjithashtu imam Ahmedi në “Musnedin” e tij shënon hadithin të cilin e transmeton Thevbani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Robi privohet nga risku me mëkatin që bën, nuk e kthen mbrapsht kaderin (përcaktimin e Allahut) vetëm se duaja dhe nuk e shton jetën diçka tjetër përveçse bamirësia.”
Ndalesa e tretë: Allahu i Lartësuar u ka premtuar besimtarëve të drejtë, atyre që nuk i tejkalojnë kufijtë e Tij, se do t’u gjejë rrugëdalje nga vështirësitë dhe nga problemet me të cilat po ballafaqohen. Allahu Fuqiplotë gjendjen e tyre e ka ngjasuar me një vend të mbyllur, ndërsa atë që u ka dhënë nga mirësia dhe lehtësimi i çështjeve me rrugëdalje nga ai vend i mbyllur, nga i cili dalin dhe shpëtojnë.
Ndalesa e katërt: Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “prej nga nuk e pret”është një lloj nxitjeje nga ajo që mund të imagjinohet se rrugët e riskut janë të mbyllura. Risku është mirësi nga Allahu. Allahu di më së miri se si t’i lehtësojë atij shkaqet e paimagjinueshme dhe të papritura. Fjala e Tij: “prej nga nuk e pret” do të thotë nga vendi prej të cilit nuk e kujton fare se prej tij mund t’i vijë risku, respektivisht nuk i shkon fare mendja se do të furnizohet prej tij.
Ndalesa e pestë: Ajetet e mësipërme tregojnë se robi i cili i respekton urdhrat e Allahut dhe u ruhet ndalesave të Tij, Allahu do t’ia lehtësojë atij vështirësitë që mund t’i vijnë. Qëllimi i tërë kësaj është realizimi i premtimit për lehtësim, për atë që gjendet në vështirësi.
Ndalesa e gjashtë: Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” Është përsëritur inkurajimi për takvanë edhe një herë tjetër, pas së cilës rezulton premtimi për diçka që është akoma më e madhe sesa risku, sesa largimi i vështirësisë dhe lehtësimi i saj e ajo është falja e mëkateve dhe rritja e shpërblimit.
Frika ndaj Allahut ka ndikim jashtëzakonisht të madh në jetën e besimtarit. Ajo konsiderohet çelës i çdo mirësie. Ajo është rruga drejt lumturisë së robit në këtë botë dhe për në botën tjetër. Për këtë të mjafton fjala e Allahut Fuqiplotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (A’raf, 96)
Ndërsa prej lutjeve të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka qenë edhe kjo lutje: “O Allahu im, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe kënaqësinë.” Shënon Muslimi.
E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre që i respektojnë urdhrat e Tij dhe u ruhen e largohen ndalesave të Tij.
Almedin Ejupi
5.4.2009